Prof. Spiro Mëhilli: Polonia në rrezik. Stalini kundër Anglo-Francezëve

304

Dossier nga Spiro Mëhilli

– Më 14 gusht Voroshillovi theksoi “Çështja thelbësore është, nëse Polonia pranon që trupat sovjetike të kalojnë nëpër territorin e saj për t’iu kundërvënë gjermanëve.”

 

– Më 20 gusht polakët përgjigjen: “Me gjermanët rrezikojmë të humbim lirinë, ndërsa me rusët humbim shpirtin”

Stalini, i frikësuar nga potenciali dhe përgatitja ushtarake e Gjermanisë, në mëdyshje ishte shprehur:“Londra dhe Parisi po luajnë poker”

Hitleri, bazuar në dokumente sekrete donte të përfundonte me Stalinin një pakt ekonomik, kurse Stalini donte të kishte një pakt politik

VO: (Sot, me rastin e 80-vjetorit të nisjes të Luftës së Dytë Botërore, Ambasada e Polonisë promovon librin e z. Spiro Mëhilli “Luftimi dhe vuajtja”.

 

Më 27 maj ambasadori i Britanisë së Madhe dhe ambasadori i Francës në Moskë, i paraqitën Molotovit, që kishte zëvendësuar Litvinovin, projektin anglo-francez të traktatit të ardhshëm, mirëpo ai e vështroi këtë projekt me shumë ftohtësi. Për të dalë nga ky qorrsokak, Molotovi, në fillim të qershorit, sugjeroi që Britania e Madhe të dërgonte në Moskë Ministrin e Punëve të Jashtme për të marrë pjesë në bisedime. U vendos të dërgohej Uilliam Strang, diplomat karriere, që për sovjetikët tregonte qartë që Çambërleni nuk e merrte seriozisht përgatitjen e një aleance. Strang arriti në Moskë më 14 qershor dhe mori pjesë në 11 takime anglo-franceze me Molotovin, pa arritur në përfundim.

Qeveria sovjetike, duke parë synimet e Gjermanisë, nga mesi i gushtit të atij viti propozoi krijimin e një aleance ndërmjet saj nga njëra anë dhe Polonisë, Anglisë dhe e Francës nga ana tjetër, me qëllim që t’i dilnin para një sulmi të armatosur gjerman kundër Polonisë, e në mënyrë të tërthortë të mbronte vendin e saj. Stalini ishte i bindur, gjë që e ka shprehur më vonë, se “Në Evropë asnjë ushtri e kujtdo shteti, nuk mund ta përballojë e vetme uraganin gjerman dhe se vetëm një koalicion mund ta arrijë këtë gjë, madje me vështirësi”. Bashkimi Sovjetik nuk kishte kufi të përbashkët me Gjermaninë. Që të hynte në kontakt me ushtrinë gjermane dhe të fillonte veprimet luftarake kundër saj duhet të kalonte nëpër territorin polak.

Sipas J. Benoit, natën mes 9 dhe 10 gushtit 1939, delegacionet ushtarake të Anglisë dhe të Francës, të kryesuara përkatësisht nga admirali Ernle Draks dhe gjenerali Josef Dumans, arritën në Leningrad dhe menjëherë morën trenin që të takonin Voroshillovin dhe Molotovin. Më 11 gusht ata shkuan në Moskë. Sovjetikët u përfaqësuan nga Voroshillovi, Ministër i Mbrojtjes; gjeneral Shaposhnikovi, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe nga komandantët e aviacionit dhe të marinës.

Bisedimet u ndërprenë pas disa ditësh për shkak të tre problemeve: i pari, i atmosferës diplomatike, ku shefi i misionit anglez, admirali Draks kishte “harruar” letër kredencialet; i dyti, trajtimi i problemit të vendeve baltike, për të cilët negociatorët vazhdonin ta pengonin njëri-tjetrin dhe i treti, refuzimi kategorik që Polonia të hapte kalimin për trupat sovjetike. Koloneli Beks tha: “Kujt i shërben kjo? Trupat ruse nuk do kalojnë kurrë. Ne nuk kemi asnjë nevojë për ndihma ushtarake nga Bashkimi Sovjetik”. Më 12 gusht 1939 Voroshillovi ofroi kontributin pa rezerva të Bashkimit Sovjetik me 136 divizione, 5000 topa, 10.000 tanke dhe mbi 5000 avionë.

Ndërkohë që bisedimet vazhdonin, gjermanët dhe rusët ishin marrë vesh që Polonia duhej shkatërruar. Më 14 gusht Voroshillovi theksoi “Çështja thelbësore është nëse Polonia pranon që trupat sovjetike të kalojnë nëpër territorin e saj për t’iu kundërvënë gjermanëve? Pa bërë këtë, si mund t’i mbrojmë aleatët?” Dhe përsëri ngriti pyetjen: “Shtatmadhoritë Britanike dhe Franceze janë të mendimit që Ushtria e Kuqe mund të kalojë nëpër Poloni dhe veçanërisht përmes shtegut të Vilnës dhe nëpër Galici për të rënë në kontakt me armikun? Pa një përgjigje të saktë, do të jetë e kotë të vazhdojmë bisedimet ushtarake”.

Delegacionet anglo-franceze shfaqën mendimin se nuk ishin kompetentë për problemet e ngritura. Draksi deklaroi:“Meqë Polonia është shtet sovran, qeveria e saj duhet të japë njëherë pëlqimin e hyrjes së trupave ruse në territorin e saj, por meqë është një çështje politike u takon të dy qeverive që ta rregullojnë. Qeveria sovjetike duhet ta pyesë vetë qeverinë polake”.

Më 17 gusht Voroshillovi u propozoi të dërguarve të Anglisë dhe të Francës që midis Bashkimit Sovjetik, Francës dhe Anglisë të miratohej një traktat ndihme reciproke ushtarake, por shtoi: “Bashkimi Sovjetik mund të sulmohet në veri nga shtetet Baltike dhe në perëndim nga Polonia, ndaj ne duam që trupat sovjetike për të mbrojtur Bashkimin Sovjetik, nëse është e nevojshme të dalin nga territori i saj. Do të ishte e nevojshme të dija nëse Polonia dhe Rumania do të lejojnë kalimin e trupave tona përmes territoreve të tyre në rast të një sulmi gjerman?”

Erlne Draks nuk e kishte autoritetin e nevojshëm për t’i dhënë zgjidhje këtij problem madhor, pasi nuk kishte marrë urdhër nga Londra. Megjithatë, një rrugëzgjidhje mund të gjendej, pasi si Anglia edhe Franca ishin jo vetëm miq të shtetit polak, por dhe i kishin premtuar ndihmë ushtarake nëse sulmohej nga Gjermania. Më 17 gusht gjenerali Duman i telegrafoi Parisit: “BRSS kërkon një traktat ushtarak. Ai nuk do që ne t’i japim një fletë letre pa zotime thelbësore. Marshalli Voroshillov ka deklaruar se të gjitha problemet do të zgjidhen pa vështirësi mbasi të rregullohet problemi që ai e quante vendimtar, pra që Parisi t’ia mbushte mendjen Varshavës për ta pranuar ndihmën ruse”.

 

Qeveria polake nuk ishte dakord me një veprim të tillë.

 

Më 18 gusht Ministri i Punëve të Jashtme të Polonisë, Beku, i deklaroi ambasadorit francez, Leon Noel, se sovjetikët “nuk kishin asnjë vlerë ushtarake”. Ai u përkrah nga gjenerali Stakieviec, Shef i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë polake.

Më 20 gusht polakët përgjigjen: “Me gjermanët rrezikojmë të humbim lirinë, ndërsa me rusët humbim shpirtin”.

Më 20 gusht Stakieviec i deklaroi atasheut britanik në Varshavë se “Nuk do të pranoj hyrjen e trupave sovjetike në Poloni”. Halifaksi, këmbënguli me anën e ambasadorit të tij që ta shtrëngonte Ministrin e Punëve të Jashtme të Polonisë të pranonte propozimin e tyre por Bek do të deklaronte: “Unë nuk pranoj që të diskutohet ndonjëherë përdorimi i një pjese të tokës tonë nga trupat e huaja. Ne nuk kemi marrëveshje ushtarake me Bashkimin Sovjetik”.

Më 21 gusht Voroshillovi u shpreh: “Qëllimet e delegacionit sovjetik kanë qenë dhe janë akoma që të arrihet një marrëveshje për organizimin e bashkëpunimit ushtarak të forcave të armatosura të të tri fuqive, por meqë BRSS nuk ka kufij të përbashkët me Gjermaninë, nuk mund ta ndihmojë Francën, Britaninë e Madhe, Poloninë dhe Rumaninë, veç me kusht që trupat tonë të fitojnë të drejtën e kalimit përmes territoreve polake e rumune. Forcat sovjetike mund të bashkëpunojnë me forcat e armatosura të Britanisë së Madhe dhe të Francës vetëm nëse na lejohet hyrja në tokat polake dhe rumune”.

Stalini, i frikësuar nga potenciali dhe përgatitja ushtarake e Gjermanisë, në mëdyshje ishte shprehur:“Londra dhe Parisi po luajnë poker”.

Më 22 gusht, Voroshillovi u dha fund bisedimeve me delegacionet franceze dhe angleze.

Fon Ribbentropi, që tashmë ishte emëruar Ministër i Punëve të Jashtme të Gjermanisë. Për ta lidhur Prusinë Lindore me Gjermaninë, si shpërblim, i propozoi Polonisë që t’i lejonte përdorimin e portit të Dancingut. Ministri i Punëve të jashtme polake, kolonel Josef Bek, refuzoi që ta merrte në konsideratë propozimin fyes gjerman dhe lidhi marrëveshje dypalëshe për mbrojtje me Francën dhe me Anglinë. Hitleri i quajti pa vlerës të dyja marrëveshjet, pasi mendoi se ato vende do ta braktisnin Poloninë ashtu sikundër kishin vepruar me Çekosllovakinë.

Duke parë që trupat gjermane ishin përqendruar në kufirin polak dhe se lufta ishte në prag, në 30 gusht shteti polak dekretoi mobilizimin e përgjithshëm, ku të gjithë burrat nga 18 deri 40 vjeç duhej të paraqiteshin menjëherë nën armë.

Që më 4 nëntor 1938 Geringu kishte kërkuar që të provohej ringjallja tregtare me Rusinë për sa i përkiste lëndëve të para dhe për rrjedhojë në 22 dhjetor, u zhvilluan bisedime në Moskë midis delegacionit ekonomik sovjetik dhe Julius Shnuresit. Në ditët e para të janarit 1939 ambasadori sovjetik në Berlin, Aleksej Merakalov, bëri një vizitë në Vilhelmshtrase, me qëllim që të shprehte dëshirën që kishte Bashkimi Sovjetik për të përuruar një epokë të re në marrëdhëniet ekonomike gjermano-sovjetike. Garancia angleze për Poloninë kishte bindur Stalinin, se Britania e Madhe pëlqente më tepër të lidhej me polakët sesa me sovjetikët.

Më 3 maj 1939 Ministri i Punëve të Jashtme, Litvinovi, me kërkesën e tij u largua nga posti që mbante dhe u zëvendësua nga Vjaçesllav Molotovi, i cili ndoqi politikën e bashkëpunimit me Gjermaninë për çështjen polake. Në fund të majit, Molotovi, iu drejtua Sovjetit Suprem të BRSS me këtë kërkesë: “Të përfundojmë një traktat trepalësh të ndihmës reciproke me karakter krejt mbrojtës; t’u japim garanci shteteve të Evropës Qendrore dhe Lindore, përfshi të gjitha shtetet e Evropës që kufizohen me Bashkimin Sovjetik dhe të përfundojmë një marrëveshje të përcaktuar mbi formën dhe rëndësinë e ndihmës së menjëhershme dhe efektive që secila nga palët është e aftë t’i jepte tjetrës, si dhe fuqive të vogla të kërcënuara nga agresioni”.

Molotovi deklaroi se bisedimet me perëndimin nuk do të thoshin që Rusia hiqte dorë nga “lidhjet tregtare të dobishme” me Gjermaninë dhe Italinë dhe deklaroi: “Nuk përjashtohet një rifillim i bisedimeve tregtare me Gjermaninë”.

Hitleri dhe Stalini

Hitleri, bazuar në dokumente sekrete të arkivave të Ministrisë së Punëve të Jashtme Gjermane, donte të përfundonte me Stalinin një pakt ekonomik, kurse Stalini donte të kishte një pakt politik. Dokumentet flasin për iniciativën e sovjetikëve për përgatitjen e këtij pakti. Kështu, më 20 maj 1939, propozimit të ambasadorit gjerman në Moskë, kontit Shulenburg, që të fillonin bisedimet ekonomike (tregtare) midis Berlinit dhe Moskës, Molotovi iu përgjigj se përpara përfundimit të çështjeve ekonomike, duhet të krijohej baza politike. Shulemburgu e kuptoi se propozimi i Molotovit për krijimin e “bazës politike” ishte jo një lojë në diplomaci, por një sinjal serioz, mbi mundësinë e një kthese në politikën e jashtme të Kremlinit në anën e shteteve të Boshtit Gjermani-Itali-Japoni. Kështu, udhëheqësit e Rajhut të Tretë filluan të vepronin fshehurazi. Në fillim, ata bënë çmos që të shtonin në Kremlin dëshirën që ta përgatisnin popullin gjerman për të pranuar faktin e mundësisë së ndërprerjes së një lufte ideologjike të mëpasme kundër bolshevizmit.

Më 25 maj Vejczeri dhe Fridrih Gaus, drejtor i drejtorisë juridike në Ministrinë e Punëve të Jashtme Gjermane, u thirrën nga Ribbentropi, i cili i urdhëroi që të shkonin në Moskë, duke i ngarkuar me mision që të normalizonin marrëdhëniet ndërmjet Gjermanisë dhe Bashkimit Sovjetik. Ai u dha atyre një projekt udhëzimesh për Shulenburgun, që ai t’i bënte Molotovit sugjerimin e mëposhtëm: “Ndërmjet Gjermanisë dhe Rusisë nuk ekziston asnjë kundërshtim i vërtetë interesash në fushën e politikës së jashtme. Ka ardhur koha për të parashikuar zbutjen dhe normalizimin e marrëdhënieve diplomatike Gjermano-Sovjetike. Aleanca Italo-Gjermane nuk drejtohet kundër Bashkimit Sovjetik, por, kryesisht, kundër koalicionit anglo-francez. Nëse, kundër dëshirave tona, vjen puna të luftojmë kundër Polonisë, ne jemi vendosmërisht të bindur se edhe një rast i tillë nuk duhet të çojë kurrsesi në fërkim interesash me Rusinë Sovjetike. Ne mund të themi, madje, që, duke zgjidhur problemin gjermano-polak, në çfarëdo mënyre që të bëhet kjo, ne, do të përpiqemi, aq sa është e mundur, të marrim parasysh interesat sovjetike. Ne, nuk kuptojmë vetëm se çfarë mund ta nxisë Rusinë që të luajë një rol aktiv në praktikën e rrethimit të zbatuar nga anglezët. Kjo do të ishte njëlloj sikur Bashkimi Sovjetik të merrte përsipër detyrime të njëanshme, pa asnjë shpërblim britanik të vlefshëm. Anglia nuk është aspak në gjendje t’i japë Bashkimit Sovjetik një shpërblim të tillë. Çdo formë ndihme në Evropë është bërë e pamundur nga “Vestali” (vija Zigfrid). Pra, ne jemi të bindur, se Anglia do t’i përmbahet sërish politikës së vet tradicionale: t’i nxjerrë gështenjat nga zjarri me duart e fuqive të tjera”.

Sipas këtyre udhëzimeve Shulenburgu duhej të bindte Bashkimin Sovjetik se Gjermania nuk kishte asnjë qëllim agresiv kundër Rusisë dhe së fundi mori urdhrin që ta njoftonte Molotovin se Gjermania ishte e gatshme të diskutonte me Bashkimin Sovjetik, jo vetëm për probleme ekonomike, por edhe “Për një normalizim të marrëdhënieve politike”.

Më 15 qershor 1939 ambasadori sovjetik në Berlin Astahovi, takoi të dërguarin bullgar Draganov, pasi Bullgaria ishte në lidhje të ngushta me Gjermaninë dhe Kremlini e dinte mirë që përmbajtja e këtyre bisedave do t’i bëhej e ditur Ribbentropit. Astahovi i tha Draganovit: “Bashkimi Sovjetik, në situatën ndërkombëtare të krijuar, mundet ose të nënshkruajë pakt me Francën dhe Anglinë ose t’i zgjasë bisedimet me to që të vendosë marrëdhënie miqësore me Gjermaninë”. Dëshirën e Kremlinit Astahovi e shprehu shumë qartë: “Në qoftë se Gjermania shpall zyrtarisht se nuk do ta sulmojë Bashkimin Sovjetik, ose nënshkruan një pakt mossulmimi me BRSS, atëherë, BRSS, ka mundësi, të tërhiqet nga nënshkrimi i marrëveshjes me Anglinë”.

 

Bisedimet tregtare dhe financiare midis Gjermanisë dhe Bashkimit Sovjetik.

Sipas A. Avtorhanovit, bisedimet ekonomike shkuan aq larg, sa më 22 qershor 1939 në gazetat sovjetike u bë e ditur se në Berlin u mbyllën me sukses bisedimet tregtare dhe financiare midis Gjermanisë dhe Bashkimit Sovjetik. Pas 5 ditësh, më 27 qershor, Astahovi u thirr në Ministrinë e Punëve të Jashtme Gjermane, ku doktor Shnure i bëri të ditur se sipas mendimit të Berlinit, marrëdhëniet sovjeto-gjermane do të kalonin në tre stade: në mbylljen e marrëdhënieve tregtare; në normalizimin e marrëdhënieve politike dhe në kthimin te pakti i vjetër i 24 prillit 1926, mbi miqësinë dhe neutralitetin midis Gjermanisë dhe Bashkimit Sovjetik, që do të çonte me mbylljen e një pakti të ri. Në fund, Shnure, bashkëpunëtori i ngushtë i Ribbentropit, bëri të ditur identifikimin e ideologjisë bolshevike me atë të fashizmit dhe nacional-socializmit sa më poshtë: “Ka një gjë, që e përgjithshmja në ideologjinë e Gjermanisë, Italisë dhe BRSS, është opozita kundër demokracisë kapitaliste. As ne, as Italia, nuk kemi asgjë të përbashkët me kapitalizmin perëndimor, prandaj neve na u duk më se paradoksale, nëse BRSS si shtet socialist, do të ishte në anën e demokracive perëndimore”.

Dy ditë më vonë, Astahovi, bëri kërkesën në Berlin: “Nëse është dakord Qeveria Gjermane që të dy vendet e interesuara problemet t’i shikojnë në një nivel më të lartë”.

Më 28 qershor, Shulemburgu pati një takim të gjatë me Molotovin. Më 18 korrik 1939 E. Babarini, atasheu tregtar sovjetik në Berlin, i shoqëruar nga dy bashkëpunëtorë, shkoi të takonte Shnuren në Ministrinë e Punëve të Jashtme Gjermane për ta njoftuar se Bashkimi Sovjetik do të kishte kënaqësinë të zhvillonte dhe të thellonte marrëdhëniet ekonomike gjermano-sovjetike. Më 22 korrik, filluan bisedimet tregtare në Berlin. Më 26 korrik, Astahovi deklaroi: “Një afrim gjermano-sovjetik përputhet me interesat jetike të të dyja vendeve dhe se në Moskë nuk e kanë kuptuar përse Gjermania naziste tregonte një armiqësi të tillë kundrejt Bashkimit Sovjetik”.

 

Më 4 gusht Ribbentropi i bëri të ditur Astahovit se Berlini është dakord që t’i përmirësonte marrëdhëniet me Moskën. Ndërsa Hitleri më 11 gusht 1939, përpara se Ribbentropi të shkonte në Moskë, i tha një të huaji: “Ky pakt me shejtanin, bëhet që të largojmë djallin. Gjithçka që unë bëj është drejtuar kundër Bashkimit Sovjetik. Nëse perëndimi është tepër budalla dhe miop, që mos ta kuptojë këtë, atëherë unë jam i detyruar që të merrem vesh me rusët, të shkatërroj perëndimin, dhe pastaj, pas shkatërrimit të tij, do të mbledh të gjitha forcat dhe do t’i hedh kundër Bashkimit Sovjetik”.

 

 

 

 

 

 

Nesër do të lexoni:

20 gusht 1939, Hitleri letër Stalinit ku përshëndet lidhjen e marrëveshjes tregtare gjermano-sovjetike

-Stalini letër Hitlerit: Marrëveshja gjermano-sovjetike për mossulmimin,do të shënojë kthesë të marrëdhënieve midis dy vendeve tona

Më 23 gusht 1939, firmoset pakti i madh i mossulmimit Gjermani-BS, firmosur nga Ribbentrop            dhe                                                                  Molotov