Prof. Dr. Alfred Frashëri/ Kuvendet e Frashërit në ditën e Naimit çdo 25 maj

1392
Sigal

Konferenca organizohet nga shoqata atdhetare kulturore “Përmeti” dhe Kryegjyshata Botërore Bektashiane

Frashëri në ditët tona

 “O atdhe, më je i dashur sa më s’ka,

Më je nënë, më je motër, më je vëlla,

Nga ç’ka rrotull, më i shtrenjti ti më je,

Je m’i miri nga çdo gjë që ka ky dhe.

Naim Frashëri

 Çdo 25 maj Frashëri është qendra e Komunës në Dangëlli. Edhe në kushtet e zbrazjes së Frashërit dhe të fshatrave përreth, një punë energjike për të vazhduar traditën e Frashërit bën kjo Komunë. Dangëllia ka qenë krahinë autonome, me vojvodë në krye, që në kohën e shthurjes së regjimit feudal-ushtarak otoman dhe në fundin e viteve tridhjetë të shekullit të XIX; në Frashër ishte vendosur një kadi qeveritar për gjithë krahinën e Dangëllisë. Prandaj është e lavdërueshme puna pasionante që ka bërë ndër vite Komuna dhe Kryesia e Këshillit për të mbajtur gjallë jetën sot në Frashër dhe në Komunë. Veprimtaria kryesore atdhetare shkencore dhe kulturoro-muzakale e përvitshme kanë qenë Kuvendet e Frashërit në ditën e Naimit çdo 25 maj, duke filluar nga viti 2004 e deri më sot, që Komuna e Frashërit, së bashku me Qendrën Kulturore Përmet e drejtuar nga historiani Kastriot Bezati, i cili qysh në vitin 2004 ideoi këtë aktivitet, me mbështetjen e disa institucioneve dhe shoqatave, si edhe përgjigjes që thirrjes së Komunës i bënë dhjetëra studiues dhe shkencëtarë nga më në zë nga Shqipëria dhe Kosova. Këto kuvende u zhvilluan për të përkujtuar me veneracion veprën atdhetare madhore të rilindësve të shquar, mbi të gjithë të Vëllezërve Frashëri, Abdylit, Naimit, Samiut, sipas tematikës:

Viti 2004: Sami Frashëri, emblema e diturisë.

Viti 2005: Vepra e Naim Frashërit e gjallë, udhërrëfyese, emblematike.

Viti 2006: Abdyl Frashëri dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit.

Viti 2007: Mit’hat Frashëri, erudit, publicist, punëtor i palodhur i kulturës shqiptare.

Viti 2008: Frashëri dhe Prizreni, vatra madhore të historisë kombëtare.

Viti 2009: Shqipja dhe Frashërillinjtë një vepër madhore për kombin.

Viti 2010: Naim Frashëri, emblema e identitetit dhe krenarisë kombëtare. Drejtuesi Kuvendit Kastriot Bezati.

Viti2011: Abdyl Frashëri dhe Baba Alushi në vitet e stuhishme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Të gjitha kumtesat e mbajtura në të shtatë Kuvendet e Frashërit janë përmbledhur në librin “Kuvendet Shkencore në Frashër, 2004-2010”, të botuar nga Komuna e Frashërit në vitin 2010.

Viti 2012: u organizua një pelegrinazh në Shtëpinë Muze të Vëllezërve Frashëri

dhe në Teqenë historike të Frashërit, si edhe një montazh muziko-letrar nga nxënësit.

Viti 2013, Shoqata  “Atdhetare Kulturore Mbarëkombëtare Vëllezërit Frashëri” organizoi në Frashër Konferencën Shkencore “Kontributi madhor i vëllezërve Frashëri në krijimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”.

Në ditën e Naimit më 25 maj 2014, në Frashër do të mbahet Konferenca Shkencore me temë:

“Frashëri, vatër e  pavdekshme e  atdhetarizmit në  Shqipëri”.

Konferenca organizohet nga shoqata atdhetare kulturore “Përmeti” dhe Kryegjyshata Botërore Bektashiane, së bashku me shoqatat atdhetare kulturore “Dangëllia”, “Dëshnica”, “Malëshova”, “Vëllezërit Frashëri” mbështetur nga Komuna Frashër, nën kujdesin e z. Ilir Meta, Kryetar i Parlamentit të Shqipërisë. Drejtuesi Konferencës Kastriot Bezati, Kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore “Përmeti”. “Dita e Naimit”, me veprimtarinë shkencore dhe kulturore këtë vit organizohet për të parashtruar idetë se si mund të rimëkëmbet Frashëri, fshati që lindi dhe rriti pishtarët e mëdhenj të Kombit Shqiptar, Vëllezërit Abdyl, Naim dhe Sami Frashëri  dhe qendër e Komunës në Dangëlli, që ka vlera kombëtare historike, kulturore, natyrore, turistike, shëndetësore, bujqësore dhe blegtorale, në kujtesë të njëqind vjetorit të fitores së mësimeve të Rilindësve të mëdhenj Abdyl, Naim dhe Sami Frashëri dhe ringjalljen e fshatit Frashër si Feniksi nga hiri i zjarrit mëkatar të andartëve grekë, si edhe në nderim të 72 vjetorit të çlirimit të Frashërit, më 11 tetor 1942. Dymbëdhjetë kumtesat do të mbahen nga historianë dhe studiues të njohur në vendin tonë në katër drejtime:

1.Frashëri dhe frashërllinjtë në historinë e Shqipërisë në periudhën 1431-1944, nga Kastriot  Bezati, Paskal Milo, Marenglen Verli, Laurant Bica, Nuri Dragoj dhe Orhan Frashëri. Në këto kumtesa do të vihet theksi në kontributin e vëllezërve Abdyl, Naim dhe Sami Frashëri për ndërgjegjësimin e shqiptarëve kudo ku ndodheshin për luftën për liri e pavarësi, ndërtimin e shtetit shqiptar dhe gjuhën shqipe. Frashërllinjtë ndër vite kanë dhënë një kontribut me vlerë për kombin shqiptar dhe Shqipërinë, për kulturën dhe shkencën, për emancipimin e shoqërisë shqiptare, përparimin e kombit shqiptar dhe ndërtimin e shtetit. U treguan edhe të huajve se cilët ishin shqiptarët dhe të drejtat e tyre për liri e pavarësi. Në këto gjurma ecën ndër vite shumë frashërllinj, duke nderuar veten dhe vendin që i lindi. Kontributet e atyre frashërllinjve dhe veprat e tyre, të cilat kanë qenë rezultat i punës dhe përpjekjeve të mëdha, janë të botuara në 593 libra, të cilat i kanë depozituar në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, si edhe në ato të Institucioneve Shkencore, duke i vënë në shërbim të brezave të djeshëm, të sotëm dhe të atyre që do të vijnë. Bota akademike e Frashërit përfaqësohet nga të paktën 36 persona te arsimuar në shkolla të larta nga viti 1912-1944, por dyfishi i tyre, 69 persona nga viti 1944 deri në ditët tona. Midis tyre janë 35 doktorë shkencash, nga të cilët 19 profesorë dhe 6 akademikë. Këto shifra tregojnë se, Frashëri nuk është rrënuar siç thotë ndonjë. Fshatrat dhe qytetet i bëjnë njerëzit, jo muret dhe frashërllinjtë sot mbajnë me krenari mbiemrin Frashëri dhe punojnë me shpirt për Shqipërinë, si të parët e tyre, kudo ku ndodhen.

2. Teqeja historike e Frashërit dhe atdhetarizmi i bektashinjve.

Baba Hekuran Nikollari, Beqir Meta paraqitën kontributin atdhetar të bektashinjve, veçanërisht të Teqesë historike të Frashërit, që u bë vatër e përpjekjeve të shqiptarëve për pavarësi, si edhe gjatë luftës Nacional Çlirimtare, për mësimin dhe ndërgjegjësimin për të mësuar fëmijët gjuhën dhe dijet.

3. Rilindja Kombëtare doli fitimtare dhe Frashëri u ringjall si Feniksi nga hiri i zjarrit mëkatar të andartëve grekë,

Albert Frasheri, Irakli Koçollari dhe Pëllumb Xhufi treguan për zjarrin mëkatar dhe drita e Frashërit, për lëvizja vorio -epiriote dhe masakra e shovinistëve grekë në Shqipërinë e Jugut, (1913-1914), si edhe për jehonën ndërkombëtare të këtyre masakrave.

4. Zhvillimi i Frashërit

Alfred Frashëri, duke analizuar detyrën atdhetare të brezit të sotëm të frashërllinjve për të kontribuar për rimëkëmbjen e Frashërit parashtroi mundësitë dhe domosdoshmërinë e zhvillimit të Frashërit si një qendër  historike, turistike, shëndetësore, blegtorale dhe bujqësore për mbajtjen gjallë te ideve madhore të Vëllezërve Frashëri dhe zhvillimin ekonomik të trevës. Komuna e Frashërit, e mbështetur edhe nga personalitete me zë të kulturës dhe shkencës shqiptare kanë hartuar gjithashtu projekt për shndërrimin e Frashërit në një qendër historike-kulturore dhe turistike të rëndësishme, si edhe janë hartuar tre promemorie dhe letra dërguar organeve më të larta qeveritare të shtetit në periudhën 10 tetor 2007, 1 shkurt 2009, 5 prill 2010, me propozime konkrete për Frashërin, të cilat për fat të keq kanë rënë në vesh të shurdhër. Komuna e Frashërit dhe kryepleqtë e të fshatrave të Dangëllisë, të mbështetur nga një grup intelektualësh, më 26 mars 2014 u drejtuan krerëve të Shtetit Shqiptar z. Bujar NISHANI – President i Republikës së Shqipërisë, z. Ilir META –  Kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, z.Edi RAMA – Kryeministër i Republikës së Shqipërisë me letrën “HISTORIA E KOMBIT SHQIPTAR NUK E PRANON SHKRIRJEN E KOMUNĒS SĒ FRASHĒRIT”. Le të shpresojmë se këtë vit, në vitin Rilindjes do të dëgjohet zëri ynë.

PROGRAMI I DITËS SË NAIMIT

 Ora 10:00, vizitë në Shtëpinë Muze Vëllezërit Frashëri.

•      Ora 11:00, Konferenca Shkencore, në Shkollën e Frashërit.

•      Ora 12:00, Vizitë në Teqenë historike të Frashërit.

•      Ora  12:45, Montazh Muziko – Letrar para busteve të Vëllezërve Frashëri.

KONFERENCA

Fjala e hapjes: Kastriot Bezati, Kryetar i Shoqatës AK “Përmeti”.

Përshëndetje: Përfaqësuesit e Institucioneve shtetërore, Kryegjyshata, Deputetët, Bashkia e Prizrenit, Kryetarët e Shoqatave Atdhetare Kulturore të trevës së Përmetit.

Kumtesat:

1.    Ecuria historike, ngjarjet, figurat dhe familjet e shquara të Frashërit (1431-1944).

Kastriot  Bezati

2.    Pavarësia dhe vëllezërit Frashëri.

Prof. Dr. Paskal Milo

3.    Kontributi i klerikëve të teqeve të Përmetit në lëvizjen kombëtare shqiptare.

Baba Hekuran Nikollari

4. Një kryengritje e panjohur e danglliasve kundër Perandorisë Osmane.

     Prof. dr. Irakli Koçollari

5. Zjarri mëkatar dhe drita e Frashërit.

Prof. dr. Albert Frasheri

6. Rilindja Kombëtare, Vëllezërit Frashëri dhe Kosova

Akad. Marenglen Verli

7. Vëllezërit Frashëri dhe Çamëria

Prof. dr. Laurant Bica

8. Betashizmi, vlerë e madhe kombëtare

Akad. Beqir Meta

9. Lëvizja vorio- epiriote dhe masakra e shovinistëve grekë në Shqipërinë e Jugut, (1913-1914).

Dr. Nuri Dragoj

10. Jehona  ndërkombëtare e masakrave  të shovinistëve grekë më 1914 në Shqipërinë e Jugut.

Prof. Dr. Pëllumb Xhufi

11) 11 tetor 1942 – çlirimi i Frashërit

Orhan Frashëri

12. Mundësitë dhe domosdoshmëria e zhvillimit të Frashërit si një qendër  historike, turistike  dhe shëndetësore,   për mbajtjen gjallë te ideve madhore të Vëllezërve Frashëri

Prof. Dr. Alfred Frashëri

Diskutime.

Konkluzionet e Konferencës:                       Prof. Dr. Alfred Frashëri

Koncerti: nga Grupi Folklorik “Vëllezërit Frashëri” i Shoqatës AK “Përmeti”. Regjisor: Pandi Duka.

Udhëheqës Artistik: Ylli Muço.