Nuredin DUSHANI*/ Brigada VIII, një tjetër yll i Lirisë

1619
Plot 71 vjet më parë, pikërisht më 25 prill të vitit 1944 në Sheper të Zagorisë, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, u formua Brigada VIII Sulmuese Partizane. Për organizimin dhe krijimin e saj u ngarkua militanti, Qazim Kondi, një nga kuadrot e shquar të LANÇ. Ky mbeti edhe komisar i saj, që, së bashku me komandantin e kësaj njësie të lavdishme, Asaf Dragoti, drejtuan marshimet dhe luftimet e përgjakshme deri në çlirimin e kryeqytetit. Efektivi i kësaj Brigade u krijua nga partizanë të hershëm, të regjur në luftime heroike, ardhur nga formacione të njohura luftarake që kishin lënë gjurmë gjaku dhe heroizmi në përpjekjet e shumta që kishin zhvilluar në luftimet e deriatëhershme. Të tillë ishin ata të batalioneve “Çamëria”, “Perlat Rexhepi”, ‘Thanas Ziko”, “Koto Hoxhi”, “Dishnica”, “Misto Mame”, një pjesë nga të Grupit I Partizan të Kurveleshit dhe të Grupit III Partizan të Mallakastrës. Përbërja e Brigadës ishte e larmishme; nga 915 partizanë, 66 ishin shoqe, të ardhura nga disa rrethe të jugut të vendit.
E krijuar vetëm një muaj para Kongresit të Përmetit dhe po kaq edhe para fillimit të Operacionit armik të Qershorit, Brigadës i ngarkoheshin detyra shumë të rëndësishme dhe tepër të vështira. Detyra numër një ishte ajo e mbrojtjes së punimeve të atij Kongresi historik. Për të kryer këtë mision, asaj iu shtrua detyra që të zinte pozicione mbrojtëse në rajonet Kakavi – Libohovë, Stegopull – Pogon, Çajup – Gryka e Këlcyrës me detyrë që të neutralizonte veprimet e mundshme të armikut. Dhe këtë detyrë ajo e kreu me shumë sukses. Në periudhën në vazhdim kjo njësi e lavdishme e UNÇSH kreu veprime të guximshme e fitimtare në një front të gjatë, që fillonte nga Tri Urat e deri në Konispol. Dhe mbas kësaj do të niste marshimin e pandalshëm, me luftime të pandërprera, nisur nga kjo zonë e vazhduar deri në Vishegrad.
Verës së vitit 1944 nazistët gjermanë nisën Operacionin e tyre të Qershorit të emërtuar “Kaprolli i egër”. Gjatë luftimeve të Brigadës spikati heroizmi i pashoqë i luftëtarëve të kësaj njësie të lavdishme. Ardhur nga Janina e Greqisë, nazistët bën përpjekje që t’i rrethonin e t’i asgjësonin forcat e kësaj Brigade, por nuk mundën t’ia arrinin qellimit. Luftime të tilla, vërtet të përgjakshme, u zhvilluan në Sopik, Skore, Pogon, Glinë, Çarshovë dhe në Zhep. Falë edhe aftësive drejtuese të komandantëve e të komisarëve të batalioneve të Brigadës VIII Sulmuese u kryen edhe luftime me elementë të luftës në front të rregullt. Batalioni i tretë në Skore zhvilloi luftime ndeshës, i dyti kaloi në prapavija të forcave armike, ndërsa batalioni i parë vazhdoi në Grykën e Selckës. Historike mbetën edhe luftimet e zhvilluara në Qafën e Çajupit, që u karakterizuan nga goditje të befasishme. Po kështu, dalja nga rrethimi armik që në fazën e dytë të Operacionit ka mbetur një shëmbull me vlera të veçanta të zbatimit të parimit “nuk ka rrethim pa dalje”. Kuptohet, merita u takon të gjithë partizanëve, por, në radhë të parë, i takon komandës së brigadës që mundi të hartojë e të zbatojë një plan të studiuar taktiko – operativo – strategjik. Në fund të të gjithë këtyre luftimeve, mbetën yje të pashuar 29 partizanë.
Ditët, javët e muajt kalonin dhe Brigada, në zbatim të urdhërit të lëshuar nga Komandanti i Përgjithshëm i UNÇSH, Enver Hoxha, kaloi në veprime të tjera, tashmë për të spastruar krejt zonën, duke i detyruar nazistët dhe bashkëpunëtorët e tyre, ballistët, që të strukeshin nëpër qytete. Gjykuar nga këto rrethana, Komanda e Brigadës hartoi planin që armikun ta godiste brënda në Gjirokastër. Sulmi – rrufe filloi natën e 18 korrikut në të gdhirë të 19 korrikut. Sinjali ishte një e shtënë mortaje dhe hedhja e disa raketave shënjëhedhëse. Duke e pasur të qartë detyrën, grupi i sulmit i komanduar nga trimi i pashoqë Hito Gaço, krejt i maskuar hyri më përpara në qytet dhe zuri derën e Kalasë. Me fillimin e sulmit, hapi zjarr në befasi me automatik dhe me bomba mbi forcat gjermane e balliste. 
Në zbatim të planit të hartuar, sulmi i befasishëm dhe i fuqishëm i organizuar nga të gjitha drejtimet, e thyen mbrojtjen gjermane. Nisur nga Grehoti, për tridhjetë minuta batalioni i tretë mori kodrën e Teqesë dhe doli para Gjimnazit dhe Spitalit. Batalioni i dytë dhe i katërt përparuan nga lindja dhe juglindja e qytetit, ndërsa batalioni i parë kapi rrugën Janinë – Gjirokastër në Goranci për të mos lejuar forcat gjermane të kalonin në qytet. Të nesërmen forcat e shumta dhe të freskëta gjermane të Divizionit të Parë Malor erdhën nga Janina dhe u futën në luftim në drejtim të Gjirokastrës. Përleshjet e forcave tona ishin të jashtëzakonshme dhe heroizmi i tyre qe i pashoqë, por mbas 12 – 14 orë luftimesh të ashpra ata mundën të hynin në qytet dhe Brigada u tërhoq jashtë qytetit për të ruajtur forcat dhe për të goditur përsëri. 
Në ndjekje të armikut, më 17 gusht 1944 Brigada u nis për në Konispol, ku sulmoi forcat gjermano – balliste dhe çliroi qytetin. Mbas kësaj ajo nisi marshimin e gjatë për çlirimin e Beratit. Më 11 shtator arriti në afërsi të këtij qyteti. Aty vazhdonte të luftohej nga trimat e Brigadës VII Sulmuese. Mbas shtatë – tetë orë luftimesh të përgjakshme qyteti u çlirua. Edhe përpjekja tjetër që bën nazistët për të rimarrë qytetin dështoi. Nga këtej nazistët kaluan në Kuçovë, pranë Aeroportit dhe deri te Ura e Hasan Beut. Edhe në këto pozicione armiku u godit prej forcave të Brigadës. Dëmtime veçanërisht të rënda iu shkaktuan armikut edhe gjatë lëvizjes në rrugët Berat – Lushnjë dhe Fier – Lushnjë. Gjatë këtyre luftimeve u vranë 88 gjermanë, u zunë rob 15 të tjerë dhe u plagosën mbi 50 të tjerë. Ndërkohë, iu dëmtuan mbi 30 automjete, 4 topa, shumë municione, kuaj e karroca.
Luftime zhvilloi Brigada VIII Sulmuese edhe për çlirimin e qytetit të Lushnjës dhe nga këtu marshoi në drejtim të kryeqytetit për çlirimin e tij. Kuptohet, ishte vjeshta e vitit 1944, kështu që kalimi i lumit Shkumbin paraqiste vështirësi. Ura e lumit qe hedhur në erë. Në Rrogozhinë iu bë pritë një autokolone të gjatë naziste. Armikut iu shkatërruan shumë mjete, pjesa tjetër u kthye për në Elbasan. Me luftime Brigada vazhdoi marshimin për në Tiranë. Ditën tjetër ajo u gjënd në Arbanë. Shtabi Operativ i ngritur posaçërisht për çlirimin e kryeqytetit lëshoi urdhërin luftarak, që Brigada VIII Sulmuese të futej menjëherë në luftime për çlirimin e Tiranës. Lufta për çlirimin e kryeqytetit ishte një epope më vete. Më 10 nëntor Brigada sulmoi me tre batalione nga ana e Yzberishtit për të marrë Tiranën e Re dhe Aerodromin. Gjatë shtatë ditëve me luftime të ashpra, shumë herë rrugicë më rrugicë, shtëpi më shtëpi e deri trup më trup e asgjësuan armikun duke e plotësuar me nder detyrën. Kuadro e partizanë treguan heroizëm të pashoqë. Dy batalione të kësaj Brigade morën pjesë në luftimet e zhvilluara në Mushqeta – Ura e Farkës, duke asgjësuar forcat e kolonës gjermane që vinin nga Elbasani. Në këto luftime ranë heroikisht 19 partizanë të Brigadës sonë. Mes këtyre ishte dhe trimi Demir Dhrimo dhe Sose Musaj nga Bolena e të tjerë.
Gjatë tërë periudhës së veprimtarisë, filluar nga dita e krijimit e deri sa u çlirua Tirana Brigadën e komanduan Qazim Kondi e Asaf Dragoti, ndërsa nga Tirana – në Vishegrad dhe deri sa u kthye në atdhe ajo u komandua nga Feti Smokthina e Rasim Bazo. Mbas parakalimit në Tiranë më 28 Nëntor 1944, Brigada jonë mori urdhër që të marshonte në drejtim të Shkodrës, për ta ndjekur armkun edhe jashtë kufirit shtetëror, tashmë e përfshirë në përbërje të Divizionit VI Sulmues. Më shumë se njëzet ditë Brigada u angazhua në luftime të ashpra në fshatrat Ulbi, Momçe, Bërskut etj., duke asgjësuar forca gjermane dhe duke bllokuar rrugët e tërheqjes së armikut. Në këto beteja që shkonin deri edhe trup më trup, ra edhe Theodhori Mastora-Hero i Popullit, bashkë me Kiço Joanidhin, Xhaferr Llapin, Hamit Pulën e mjaft të tjerë. 
Luftimet përgjatë tërë itinerarit të marshimit të gjatë deri në Vishegrad u zhvilluan në kushte shumë të vështira terreni e moti, në kushte mungesash të mëdha të ushqimit e të veshjeve. Marshohej e luftohej në të ftohtë e në kushte terreni të mbuluar me dëborë. Kishte të drejtë një oficer gjerman që shkruante në ditarin e vetë, se “Me sa duket, ata (partizanët – shënimi im) nuk e njohin frikën, nuk i përfillin vuajtjet, madje po të doni t’ju them – e përbuzin vdekjen”. Luftimet në rrethinat e Vishegradit e, sidomos, sulmi mbi qytet ishte një dëshmi e gjallë e këtij vlerësimi të lartë. Luftimet për çlirimin e këtij qyteti nisën më 3 shkurt 1944 dhe vazhduan deri në agim të 14 shkurtit. Si dhe të tjerë, edhe partizanët e kësaj Brigade u futën si çlirimtarë në këtë qytet. Qyteti ishte i minuar gjithandej. Në një nga shpërthimet e befasishme të këtyre minave u plagos komisari i batalionit të tretë, Pano Xhixho.
Teksa kujtojmë 71 vjetorin e krijimit të Brigadës VIII Sulmuese nderojmë me shumë respekt veprën e trimave të kësaj njësie të lavdishme të UNÇSH, sikundër përulemi me veneracion para tërë atyre që dhuruan gjakun e tyre të pastër për çlirimin e Atdheut.
*Ish- kuadër i Brigadës VIII Sulmuese Partizane
Sigal