Trocki: Diktatura është e domosdoshme, sidomos kur bëhet fjalë për ndryshime jo të pjesshme

966
Spiro Mëhilli
“Në një luftë civile, çdo parti lufton për ekzistencën e saj, ai që dështon është kërcënuar nga një zhdukje e plotë. Eshtë kjo arsyeja që i bën luftrat civile kaq të egra”.
Vijon nga numri i kaluar

JETË E VËSHTIRË
Trocki kishte ide të fortë të përgjithësonte rastin e Luftës Civile dhe ta interpretonte në mënyrën më monstruoze. 

“Mund dhe duhet të bëjmë të kuptohet se në kohë lufte civile ne do të shfarosim ushtarët e bardhë, me qëllim që ata mos të shfarosin punëtorët. Pra, qëllimi ynë nuk është të heqim jetë njerëzish, por t’i ruajmë. Armiku duhet të vihet në një gjendje që nuk mund të bëjë më keq, dhe kjo që në kohë lufte, nuk do të thotë vetëm zhdukja e tij. Në revolucion, si në luftë, qëllimi është të thyesh dëshirën e armikut, të bësh të kapitullojë dhe të pranojë kushtet e fituesit…Çështja e vendosjes se kujt i përket pushteti në vend, pra borgjezia duhet të jetojë apo të vdes, zgjidhet jo duke ju referuar neneve të Kushtetutës, por duke përdorur të gjitha format e dhunës”. 

Trocki, sipas Courtois, dy vitet e para pas grushtit të shtetit, pranoi se liria e shtypit në Rusi duhej të ndalohej. Në këtë pikë nevralgjike, në kundërshtim me Leninin, që ishte përfundimisht kundër lirisë së fjalës dhe të shtypit, ai do shprehej:

“Në kohën e luftës të gjitha institucionet, të gjitha organet e pushtetit drejtues dhe të opinionit publik, kanë lidhje të drejtpërdrejt ose të tërthortë, me zhvillimin e luftës. Kjo të rishikojë para së gjithash shtypin. Asnjë qeveri, që zhvillon një luftë serioze, nuk mundet të lejojë përhapjen, në territorin e saj, të publikimeve që hapur ose jo mbështesin armikun. Për më tepër në periudhën e luftës civile. Natyra e kësaj të fundit është e tillë që të dy kampet në luftë kanë të tyre popullata prapavijën e trupave të tyre popullata që kanë kauza të përbashkëta me armikun. Në luftë, ku vdekja përcakton suksesin dhe mossuksesin, agjentët armiq që kanë mundur të infiltrohen në prapavijat e ushtrisë, duhet menjëherë të dënohen me vdekje. Pa dyshim ligj jo human, por asnjë nuk e ka konsideruar luftën si një shkollë humanizmin, dhe aq më tepër luftën civile”. 

Po atë vit, kur diskutohej nëse Rusia ishte gati të vazhdonte rrugën e socializmit, që sipas Leninit ishte sigurimi i pushtetit absolut për të vënë në jetë një doktrinë eksperimentale, Trocki në vitin 1920 do të thoshte: 

“Mbi të gjitha është e qartë se, në rast se vëmë për detyrë heqjen e pronës private në mënyrën e prodhimit, nuk ka rrugë tjetër për t’ia arritur këtij qëllimi, përveçse me përqendrimin e gjithë pushtetit shtetëror në duart e proletariatit dhe krijimin e një regjimi të përkohshëm gjatë periudhës tranzitore. Diktatura është e domosdoshme sidomos kur bëhet fjalë jo për ndryshime të pjesshme, por të vetë ekzistencës së borgjezisë. Mbi këtë bazë, nuk është i nevojshëm asnjë mirëkuptim, vetëm forca mund ta vendosë. Kush dëshiron fundin, nuk mundet të heqë dorë në mes të rrugës”.

Karl Kautski, udhëheqësi kryesor dhe teoricien i socializmit gjerman, sipas Courtois, do shkruante:

“Luftës duhet t’i atribuojmë shkakun kryesor të këtij transformimi të tendencave njerëzore, në një tendencë brutaliteti…Gjatë katër viteve, lufta botërore gllabëroi pothuajse të gjithë popullsinë e shëndoshë të seksit mashkull, tendencat brutale të militarizmit arritën kulmin e pandjeshmërisë dhe kafshërisë dhe vetë proletariati nuk i shpëtoi dot kësaj influence. Ai u kontaminua në shkallën më të lartë dhe doli i trullosur nga të gjitha pikëpamjet. Ata që ktheheshin ishin shumë të predispozuar, nga zakonet e luftës për të mbrojtur në kohë paqeje kërkesat e tyre dhe interesat me anë të veprimeve të përgjakshme dhe të dhunës ndaj bashkëqytetarëve të tyre. Ky ishte një nga elementët e luftës civile”.

Por ai për sa i përket Luftës Civile, do të dilte në konkluzion.
“Në një luftë civile, çdo parti lufton për ekzistencën e saj, ai që dështon është kërcënuar nga një zhdukje e plotë. Është kjo arsyeja që i bën luftërat civile kaq të egra”.
Lufta Civile mbaroi, por Ushtria e Kuqe nuk u çmobilizua. Për pasojë, ekonomia e luftës vazhdoi. Me urdhër të Trockit, në fillimin e vitit 1920, një numër i madh njësish të Ushtrisë së Kuqe, u transformuan në ushtri të punës dhe u hodhën në ndihmë të ekonomisë kombëtare.
***
Më 28 shkurt 1921 në Kronshtad shpërtheu një revoltë e madhe. Po atë ditë në ora 23 Zinovievi lajmëroi Leninin: 
“Dy koracatat kryesore “Petropavllovsk” dhe “Sevastopol” kanë aprovuar dhe dorëzuar një rezolutë të përbashkët me social-revolucionarët dhe kanë dhënë një ultimatum, të cilit duhet t’u përgjigjemi brenda 24 orëve. Në Petrograd ndërmarrjet e mëdha janë në grevë. Mendojmë se eserët do të përshpejtojnë lëvizjen. Kërkohet rizgjedhja e sovjetëve me votim të fshehtë; të lihet e lirë liria e fjalës dhe e shtypit; barazi e racionit të ushqimeve për të gjithë; lirimi i të gjithë të burgosurve politikë anëtarë të partisë socialiste, të të gjithë punëtorëve e fshatarëve, ushtarëve, marinarëve e të burgosurve për arsye të aktivitetit të tyre në lëvizjen punëtore e fshatare; krijimi i një komisioni të ngarkuar për të ekzaminuar rastet e të burgosurve në burgje dhe në kampet e përqendrimit; heqja e tatimeve; shkrirja e skuadrave të çeka-s; liri absolute për fshatarët për të bërë çfarë të duan në tokën e tyre dhe të rrisin bagëtitë e tyre me kusht që t’ia dalin vetë për çdo gjë”. 
Më 1 mars 1921 në Kronshtad u mbajt një miting i madh, ku morën pjesë 15.000 veta, ose 1/4 e popullsisë civile dhe ushtarake e bazës detare. Në miting ndodhej dhe Mihail Kalinini. Të nesërmen kryengritësit bashkë me 1000 komunistë, afërsisht gjysma e tyre në qytet, formuan një komision revolucionar provizor, i cili tentoi të lidhej me grevistët dhe ushtarët e Petrogradit. Lenin sapo u informua i shkroi Xherxhinskit: 

“Arrestoni menjëherë inteligjencien anarkiste, menshevike dhe socialiste revolucionare. Kini parasysh ata persona që punojnë në komisariatin e popullit për bujqësinë dhe së dyti arrestoni të gjithë menshevikët, socialistët revolucionarë dhe anarkistët që punojnë në fabrika”. 
Për të neutralizuar lëvizjen në Petrograd, më 7 mars 1921 Çeka-ja e Petrogradit u hodh në veprim dhe arrestoi brenda 48 orëve mbi 2000 punëtorë, simpatizantë, menshevikë apo socialistë. Ndërkohë, në Moskë kishte filluar punimet Kongresi X i Partisë Bolshevike (8-16 mars 1921), pra në kohën e kryengritjes së Kronshtadit. Lenini dha tonin:

“Shokë, ne nuk kemi nevojë për opozitë, nuk është momenti. Rrini këtu ose atje (në Kronshtad) me një pushkë, por jo në opozitë. Në rast se më kritikoni, kjo nuk do të shërbejë për asgjë, kështu rrjedhin gjërat. S’ka me opozitë, Shokë! Dhe sipas mendimit tim, duhet që kongresi të vijë në konkluzion se ka ardhur koha t’i japim fund opozitës, të vendoset një perde mbi këtë problem. Ne kemi shumë opozitë”.

Në ditën e dytë të tij, Lenini shtoi: 
“Shokë! Tani nuk ka kohë për kundërshtime, ose në këtë anë, ose në anën tjetër, nga Kronshtadi. Me një pushtet dhe jo me opozitë”.
Sipas Leninit, të rebeluarit e Kronshtadit ishin mashtruar nga socialistët revolucionarë, të cilët ishin agjentë të fuqive kapitaliste të huaja. Trupat e Ushtrisë Kuqe me uniformat të bardha duke marshuar mbi akull shkuan drejt veriut të qytetit, të drejtuara nga Trocki, Mihail Tukashevski dhe Voroshillovi. Ishulli u rrethua nga të gjitha anët me trupa të Ushtrisë së Kuqe. Operacionet filluan më 8 mars dhe më 18 mars Kronshtadi u pushtua. Dhjetë ditë luftime të përgjakshme. Luftohej në porte, në rrugë, në rrugica e në çdo shtëpi. Në të dyja palët me mijëra të vrarë. Peters, komandanti i gardës së Kremlinit në Kronshtad në dy javë pushkatoi 1000 veta. Në fillim të prillit Lenini shkroi: 

“Në qoftë se menshevikët dhe social-revolucionarët mbajnë akoma hundën përpjetë, i pushkatoni pa mëshirë”.
Nga prilli deri në qershor 1921, në Kronshtad u pushkatuan 2013 veta, ku kryesorët ishin kryetarët e revoltës, kurse 6459 veta u dërguan në internim me punë të sforcuar në Uhta, në veriun e largët të Rusisë. Në dy varre masive u groposën rreth 800 veta. Në hapësirat e pafundme të Baltikut të mbuluar nga akulli gati në shkrirje, duke vënë kokën në rrezik të dytë, u arratisën me fëmijë në krahë për në Finlandë mbi 8000 veta dhe u strehuan në kampet kalimtarë në Terijoki, Viborg dhe Ino.
Në lidhje me revoltën, Trocki u shpreh: 
“Shkaku i lëvizjes nuk duhet kërkuar aq shumë në gjendjen ekonomike, por në mosfunksionimin e rregullt të organeve administrative të shtetit”.
Sipas Amis Martin, ai mendonte se “tani fshatari i mesëm flet me topat e anijeve”.
Kryengritësit u përgjakën me trupat qeveritare dhe të revoltuar thërrisnin në kor:

“Të gjithëve, të gjithëve, të gjithëve!…I zhytur deri në brez me gjakun e vëllezërve punëtorë, gjakatari, marshal Trocki, ka hapur i pari zjarr kundër Kronshtadit revolucionar, sepse është ngritur kundër sundimit të komunistëve, për të rivendosur pushtetin e vërtetë të sovjetëve…Komunistët kanë mbytur në këtë det gjaku, të gjithë premtimet e mëdha, të shkëlqyera dhe parullat e revolucionit punëtor…Jeta nën zgjedhë është bërë më e tmerrshme se vdekja…Këtu në Kronshtad është vendosur guri i parë për revolucionin e Tretë…që do të hapë një rrugë të re, të gjerë, për një aktivitet krijues në frymën e socializmit”.
Atë vit, Lenini propozoi NEP-in, Politikën e Re Ekonomike, që të “zhdukte” komunizmin e luftës së ashpër dhe të vendoste në njëfarë mënyre tregtinë private dhe kapitalizmin në Rusi, e t’i hapte rrugë rindërtimit. “Ne bëmë një hap prapa, që të mundim më vonë të bëjmë dy hapa përpara”, u shpreh ai. Kur e kuptoi që NEP-i dilte kundër vet sistemit që ai donte të ndërtonte, Trocki iu kundërvu duke lajmëruar fundin e pushtetit sovjetik. 
-Vijon në numrin e ardhshëm…
Sigal