Ndeshja e futbollit që shkatërroi iniciativën e Mehmetit

1076
Sigal

Leonard VEIZI

(vijon nga numri i kaluar)

INTERVISTA II/ Rrëfen Tomor Voda, ish -shefi i Stërvitjes së Grupimit të Tiranës

Askush nuk e mendonte se njësia elitë e ushtrisë shqiptare, e mbiquajtur Brigada e Parë do të dështonte në marshimin e saj stërvitor, në një imitim lufte pikërisht në kohën e paqes. Tomor Voda, ish-shefi i Stërvitjes së Grupimit të Tiranës rrëfen për ditët e stërvitjes në Bizë të Martaneshit dhe “odisenë” e kthimit të Brigadës së Parë, në efektivin e së cilës numëroheshin të paktën 5 mijë burra.

Kur u bë nisja e Brigadës?

Reparti që shoqëroja ndodhej në Vaqarr. Prej andej u nisëm rreth orës 14:00 të mesditës së 29 janarit. U anashkalua hyrja e trupave ushtarake nëpër rrugët e Tiranës. Gjëja e parë që vura re ishte se rezervistët filluan të lëshonin rrugës pjesë të pajimeve, për t’u lehtësuar dhe se u bënë grupe-grupe sipas shoqërisë. Ecëm përgjatë gjithë natës dhe, në mëngjesin e datës 30 janar, Brigada ndodhej në Qafë Mollë-Shën Mëri. Patëm vetëm dy raste ku na u dëmtuan dy ushtarë. Ndërsa për të gjitha rastet e thyerjes së disiplinës u bënë mbledhje të shkurtra.

A premtonte situata që stërvitja t’ia arrinte qëllimit?

Unë isha i shqetësuar dhe, kur u binda përfundimisht që puna nuk po ecte siç duhet, iu drejtova komandantit të Grupimit, Bejto Isufit, për t’i thënë: “Shoku komandant. Në këtë gjendje që ndodhet Brigada, nuk mund ta kryejë dot detyrën”. Pasi u ndesha me habinë e eprorit propozova: “Brigada të vendoset në Bizë, të kryejë 5-7 ditë stërvitje kompaktësuese dhe më pas të realizojë detyrën”. Pasi u informua mbi gjendjen morale të trupave të Brigadës, Komandanti i Grupimit, Bejto Isufi mori një takim me zëvendësministrin e Mbrojtjes, Maliq Sadushin, që gjithashtu ndodhej në ekipin stërvitor. Pas konsultës u dha urdhri që të bëheshin analiza të shkurtra dhe të propozoheshin shkarkime konkrete dhe ndjekje penale për të gjithë ata që nuk zbatonin urdhrat. Ky ishte dhe një presion që bëhej mbi ushtarakët që kishin filluar të lëshoheshin.
Për sa kohë moti nuk ju favorizoi?

Në datën 30 janar Brigada mori rrugën nga Qafë Molla për në Bizë. Ishte një kohë e ftohtë, më shumë se 15 gradë nën zero. Gjatë një udhëtimi me shtabin temperaturat kishin arritur dhe 24 gradë nën zero. Megjithatë ishte një natë vërtetë e tmerrshme. Dëgjoheshin bubullima që nuk ishin të zakonshme për ditë dimri. Vazhdimisht binte borë. Megjithatë Brigada arriti në afërsi të Bizës. U dha urdhri për fushim. Por nuk mund të ndizej asnjë zjarr, edhe pse ushtarët, kundër të gjitha rregullave, përdorën flakëhedhësit. Në këtë mënyrë, ata filluan që në mënyrë të pavarur të drejtoheshin për nga qyteza e Bizës. Shfrytëzova një automjet dhe mbërrita në Shtabin e Grupimit, ku raportova për gjendjen. “Cila është tendenca e rezervistëve, të kthehen mbrapa apo të ecin përpara”, më pyeti Bejto Isufi. “Të ecin përpara” i thashë. Po atë natë komanda dhe pushteti lokal i Bizës, dha urdhër që të gjitha ambientet shtetërore të viheshin në dispozicion të ushtrisë. Në këtë mënyrë u hapën dyert e shkollave, kopshteve, çerdheve, spitalit, kinemasë dhe hangarëve. Ushtarët u shtrinë nëpër korridore dhe nuk pyesnin më për asgjë.

Kur do të arrinit në vend-fushim?

Në datë 31 Brigada merr urdhër për të lëvizur rreth mesditës për në Bize e Qafën e Përvallës. Megjithëse rruga automobilistike ishte hapur nga trupat e artilerisë, që kishin kaluar dy ditë më parë, sërish ajo ishte zënë nga bora e madhe. Mbrëmja i gjeti trupat ushtarake në Qafë të Përvallit. Një pjesë e trupave zunë tunelet ushtarake të artilerisë, ndërsa pjesa më e madhe mbeti në dëborë. Problem ishte batalioni III i këmbësorisë, që s’dinte ku të vendosej. Kishte filluar një demoralizim i madh ndër ushtarë e rezervistë. Mbaj mend që disa nga rezervistët e rraskapitur bërtisnin: “S’mundemi më. Më mirë na vrisni”. Në këto kushte disa rezervistë me origjinë nga Kukësi e Tropoja na mësuan si të ndiznim zjarret.

U realizua stërvitja e parapërgatitur?

Data 1 shkurt ’79, ndryshe nga ditët e tjera, gdhiu me qiell të pastër dhe diell ku reflektimi i dëborës të verbonte sytë. Në këtë mënyrë u bë disi më i lehtë organizimi i stërvitjes luftarake. Kjo ditë e shfrytëzua për njohjen e terrenit dhe zënien e pozicioneve. Ndërsa në datë 2 shkurt u realizua stërvitja në mësymje. Kjo stërvitje vazhdoi deri në orët e mbasdites kur u dha sinjali për përfundimin e veprimeve luftarake. “Megjithë mangësitë, stërvitja u cilësua e realizuar. Po atë mbasdite u dha urdhri që repartet të ktheheshin për fushim në Qafën e Përvallit.

Çfarë mbeti pa bërë nga kjo stërvitje?

Sipas idesë së ngritur në planin metodik, brigada, në bashkëpunim me fqinjët, duhet të rivendoste situatën në kufirin shtetëror me ish-Jugosllavinë, (Maqedoninë). Por për arsye të problemeve që mund të lindnin në të dyja anë e kufirit, kjo pjesë e programit nuk u realizua dhe stërvitja u cilësua e plotësuar në vijën Sterblevë-Fushë Studë. Urdhrin për mbarimin e stërvitjes dhe të kthimit në mënyrë të organizuar, unë, për batalionin e 3-të, pata mundësi që ta dëgjoja nga ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Veli Llakaj, i cili në atë kohë ndodhej atje ku takohet rruga e Qafës së Përvallit me atë të Sterblevës e Fushë Studës. Ishte data 2 shkurt 1979. Pas kësaj brigada filloi të dilte jashtë kontrollit e drejtimit të komandës. U neglizhuan kontrollet, analizat e konkluzionet paraprake, si dhe urdhrat dhe udhëzimet plotësuese për rikthimin e brigadës në drejtimin nga kishte ardhur.

DËSHMIA/ Kontrolli pëllëmbë për pëllëmbë e gjithë zona stërvitore për gjetjen e kufomave

Si vdiqën rezervistët në dëborë

Por si do të ndodhte kthimi? Tomor Voda, ish shefi i stërvitjes së Grupimit të Tiranës sqaron: “Disa nga repartet ngjanin me turma njerëzish pa drejtim. Artileria dhe mjetet tërheqëse filluan të lëviznin përpara kohe dhe bllokuan rrugët. Dëbora e shkelur i ktheu rrugët në pista akulli, duke vështirësuar lëvizjen. Urdhri për përqendrimin e brigadës në rajonin e Përvallit u dha evaziv, por drejtuesit nuk u angazhuan dhe, për pasojë, urdhri nuk u zbatua. Vihej re tendenca për të shfrytëzuar automjetet tërheqëse të artilerisë. Pra, brigada, pa filluar mirë rrugën e kthimit, u nda në dy drejtime kryesore: artileria dhe prapavija ndoqën rrugën Përvall-Lunik-Librazhd-Elbasan-Tiranë. Ndërsa forcat e këmbësorisë: Përvall-Kostenjë-Fushë Bizë-Tiranë. Hallkat komanduese në nënreparte, (skuadër-togë-kompani) kishin dalë plotësisht jashtë loje”, tregon ish-shefi i stërvitjes. Sipas tij çështja e hallkave të ulëta komanduese ishte një problem që ushtria shqiptare do ta vuante gjatë, deri në shpartallimin e plotë të saj, në mars 1997. Megjithatë, deri në këtë moment, nuk ishte evidentuar asnjë rast i jashtëzakonshëm me njerëzit, pavarësisht se shërbimi shëndetësor kishte dalë jashtë funksionit. Ndërsa për prapavijën, Tomor Voda thotë se arriti të shpërndante një drekë me ushqim të ngrohtë, ndërsa vaktet e tjera ishin ushqim i thatë dhe që u shpërnda në ecje e sipër. “Rreth orës 20.00 të datës 2 shkurt, brigada ishte kthyer në një grumbull njerëzish, që bënin presion mbi drejtuesit dhe që kishin tendencë për të vazhduar ecjen dhe jo për t’u grumbulluar në rajonin e përcaktuar dhe për të kaluar natën në rajonin e Përvallit. Në urdhrin e komandës thuhej së Fushë Biza ishte vendi i grumbullimit dhe evidentimit të gjendjes së reparteve. Por nga presioni i ushtarakëve, nga drejtuesit u ra në kompromis që grumbullimi i trupave të bëhej në Fushë të Bizës. Por urdhrat e dala nga Komanda e Grupimit ishin jo konkrete dhe binin ndesh me njëri-tjetrin. Një komandant batalioni, L. Z. u dorëzua përpara kësaj gjendjeje the iu drejtua rezervistëve: “Bëni ç’të doni, se mua s’më pyet njeri!” Megjithëse, deri në atë kohë, nuk kishte ende viktima, parandjehej se diçka jo e zakontë do të ndodhte”, rrëfen Tomor Voda. Ish-shefi i Stërvitjes së Grupimit shprehet se, pas mesnate, një grumbull i madh rezervistësh mbërriti në Kostenjë. Ata shpërthyen magazinat e ushqimit dhe të veshmbathjeve, si dhe lokalin e fshatit. Ishin të pangrënë dhe kërkonin të vishnin diçka më tepër për të mos pasur ftohtë. Magazinat u përdorën si fjetore, ku u shtrinë për të pushuar qindra rezervistë. Një pjesë tjetër i vuri zjarrin dy mullarëve me bar. Tomor Voda kujton se një nga fshatarët bërtiste me të madhe: “A ka oficerë këtu!? Këtë që po bëni ju nuk na e kanë bërë as gjermanët e ballistët gjatë Luftës”. Pas ndërhyrjes së drejtuesve gjendja u normalizua disi. Megjithatë, një pjesë e efektivave, duke menduar se gjetën një rrugë të shkurtër, morën drejtimin: Kostenjë-Librazhd, ku mendonin se do të kapnin trenin për të mbërritur në Tiranë. “Kjo ishte një lëvizje e rrezikshme, pasi pylli kishte shumë egërsira dhe vendi ishte krejt i panjohur. Por, duke qenë bashkudhëtar i kësaj lëvizjeje të çrregullt, si dhe dëshmitar okular i saj, dua të them se nga pjerrësitë perëndimore të malit të Ferajt, në mëngjesin e 3 shkurtit, në Fushën e Bizës shiheshin rezervistë të shkëputur që vazhdonin lëvizjen pa u ndalur. U përpoqa që të lidhesha me Komandën e Grupimit për të raportuar gjendjen. Me ndihmoi shkolla e Zall Herrit, që në atë kohë ndodhej për fushim dimëror në Bizë, por nuk u lidha dot me komandën. Pjesa më e madhe e forcave, (sidomos të rinjtë) po manifestonin padurueshmëri dhe kërkonin të ktheheshin sa më shpejt në kryeqytet, pasi atë ditë luhej edhe ndeshja Tirana-Dinamo”.

 

Përkeqësimi

Situata jashtë kontrollit

Në orën 11.00 të datës 3 shkurt komandanti i Grupimit, Bejto Isufi mbërrin në Bizë me një diagaç. Tomor Voda thotë se ai krijoi një atmosferë optimiste, ndërkohë që kishte arritur të mbyllte edhe problemet e mëdha që rezervistët kishin hapur në Kostenjë me shpërthimin e magazinave. “Në rajonin e Kroit të Kuq, në 3 nga repartet e brigades, u bë një kontroll i imët, ku rezultoi një mungesë prej 35-40 % e efektivit. Rrugëkalimi për të paktën 3 reparte u dha i qartë. Mbasi të mbërrinin në qendër të Shëngjergjit, të dilnin sërish në rrugën automobilistike që të çonte në aksin Qafë Priskë-Tiranë. Këtu disa kuadro udhëhoqën keq dhe orientuan trupat në drejtim të Erzenit. Një pjesë të efektivave nata i zuri duke kaluar lumin e Erzenit. Ndërkohë koha ishte përkeqësuar. Por lodhja dhe terreni i panjohur bëri që trupat të shkoqiteshin krejt. Filluan lëvizjet me grupe të vogla. Të gjithë bënin përpjekje për të kaluar natën si të mundnin. Do të theksoja kalimin e një pjese të reparteve në një segment rruge tepër të rrezikshme. Ishte një rrugë dhish e kaprojsh. Poshtë ishte lumi dhe një humnerë. Vendasit e quanin: “Rruga e hoxhës”. U munduam që të shmangeshim nga kjo rrugë dhe nga kalimi i përroit të rrëmbyeshëm. Por nata dhe shiu i dendur nuk na lejonin që ta mbanim çdo gjë nën kontroll. Vlen të theksohet se banorët e zonës së Shëngjergjit, ashtu si dhe në kohën e Luftës, i hapën dyert cilitdo që trokiti. Në atë kohë edhe unë pata një përkeqësim të shëndetit. Mbas 30 vjetësh, mund të falënderoj ish-kryetarin e Këshillit të fashtit Façesht, pasi, së bashku me 10 perona të tjerë, na strehoi në shtëpinë e tij. Unë vetë isha goxha i sëmurë pasi nga lodhja, djersët dhe të ftohtët, kalova në një paralizë të pjesshme. Që prej asaj kohe u trajtova si oficer me aftësi të kufizuara. Ndërsa aktualisht jam invalid i Grupit të Dytë”, tregon Tomor Voda, për vuajtjet e atyre netëve të gjata dimri.

Paniku

Në mëngjesin e 4 shkurtit informacionet ishin tragjike. Tomor Voda thotë se kishte shumë të dhëna kontradiktore për të vdekur e të mbytur, ndërsa efektivi ishte shpartalluar tërësisht. Për armatimin as që bëhej fjalë. Shumë prej pushkëve dhe automatikëve ishin hedhur. Që nga ai çast, qeveria dha urdhër që, në dispozicion të trupave të mbetura të viheshin të gjitha mjetet e Parkut të Tiranës. Gjendja e panikut kishte përfshirë, jo vetëm drejuesit e ushtrisë, por dhe banorët e kryeqytetit, që interesoheshin për fatin e njerëzve të tyre të afërt. Datat 4 dhe 5 shkurt të vitit 1979 u përdorën për të grumbulluar forcat ushtarake të mbetura në fshatrat e Tiranës. “Në datën 5 erdhi urdhri nga Mehmet Shehu, që asnjë person të mos largohet nga njësia. Të gjithë të grumbulloheshin në pikat e tyre të hapjes dhe në mëngjesin e datës 6 të ndodheshin të rreshtuar në Komandën e Brigadës së Parë”, rrëfen impresionet e tij për një ngjarje të paharruar, ish-shefi i Stërvitjes së Grupimit të Tiranës, Tomor Voda.

(Vijon nesër)

NESËR DO TË LEXONI

-Kryeministri i cilësoi rezervistët si ushtarët e Haxhi Qamilit

-Furtuna e dënimeve, për të ruajtur “nderin e humbur”