Mit’hat Frashëri, si i kërkoi Athinës të mos shpërngulte shqiptarët në Turqi

1197
Leonard Veizi

ARKIVA I / Detaje nga letërkëmbimi i ministrit të parë fuqiplotë shqiptar në Greqi 

Pritja që i bënë shqiptarët. Notat e protestës për termin “origjinë albanaise”. Takimi me mbretin Jorgo. 

Si iu parashtrua qeverisë greke lirimi i të burgosurve shqiptarë për propagandë 
Mit’hat Frashëri i shkruan me urgjencë Tiranës zyrtare për ta njohur me një fakt të ri që bëhet i ditur nga qarqet e qeverisë greke. Është pikërisht termi “origjinë albanaise”, ku qeveria greke kërkon të njohë si shqiptarë vetëm ata që kanë lindur në Shqipëri.
Çështja e parë me të cilën u përball kryediplomati shqiptar i Athinës, Mit’hat Frashëri, ishte ajo e pajisjes së shqiptarëve që jetonin në shtetin fqinj me certifikata kombëtare, gjë që padyshim deri në ato momente ishte penguar rregullisht nga qarqet greke.
Jetëshkrimi
Kush ishte Mit’hat Frashëri?
Mit’hat Frashëri lindi në Janinë më 1880. Ai ishte djali i rilindasit Abdyl Frashëri. Në moshën trevjeçare shpërngulet me familjen në Stamboll, ku shkollohet dhe kaloi rininë. Njihet si një ndër formuluesit dhe misionarët e frymës dhe lëvizjes së shqiptarizmit, ku ka pasur një aktivitet të ngjeshur politik. Ishte Kryetar i Kuvendit në Kongresin e Manastirit më 1908 dhe pas Shpalljes së Pavarësisë u bë ministër i Punëve të Jashtme. Gjithashtu, mori pjesë dhe në Konferencën e Paqes në Paris. Konsiderohet si një ndër më të diturit e brezit të tij. Veprimtaria e tij është e shumanshme. Në shtypin e kohës përdorte pseudonimin, Lumo Skëndo. Ka shkruar dhe botuar në shqip e frëngjisht dhe ka përkthyer në shqip “Robinson Kruzo” dhe “Gijom Tel”. Ndër veprat e tij më të njohura janë: Enciklopedia “Kalendari Kombjar”, fletorja “Liria”, revista “Dituria”, jetëshkrimi “Naim bej Frashëri” dhe esetë “Pritmi i Shqipërisë” dhe “Plagët tona”. Është njohur si kundërshtar i monarkisë së Ahmet Zogut, por dhe regjimit të Enver Hoxhës. Vetëm 16 ditë pas pushtimit të Shqipërisë themelon organizatën nacionaliste “Balli Kombëtar”. Njihet gjithashtu dhe si hartusi i platformës “Nacionalizma Shqiptare”. Në vitin 1943 largohet në Itali dhe që andej vendoset në SHBA, ku vazhdon të punojë për bashkimin e shqiptarëve në emigracion. Vdes në vitin 1949 në Nju-Jork, nga infarkti miokardik. 
Ishte koha kur marrëdhëniet Shqipëri-Greqi ende nuk kishin njohur notat e deklaratave zyrtare, të përshëndetjeve të ndërsjellta apo të protestave nëpërmjet zyrave konsullore. Në fakt shteti shqiptar kishte vetëm 11 vjet që kishte dalë nga strukturat e perandorisë otomane dhe marrëdhëniet me fqinjet ende nuk ishin konsoliduar, përderisa edhe kufijtë ishin trazuar herë pas here. Gjithsesi, në fillimvitin 1923, qeveria e atëhershme shqiptare vendosi të emëronte në kryeqytetin grek një ambasador.

“Shkëlqesia e Tij, Mit’hat Frashëri asht i dërguar i përkohshëm i Ngarkuar me Mision me që ishte Ambasador në Uashiongton, por lusim që të na e lënë për gjithmonë këtu me në na lidh ma fort ndjenja e ditës gazmore t’ardhjes Tij”. Kështu është shkruar në gazetën shqiptare “Politika”, më 15 mars të vitit 1923, sapo u publikua lajmi se Mit’hat Frashëri do të drejtonte legatën shqiptare në Athinë. Gjithashtu, edhe të rinjtë e Vunoit, nëpërmjet një letre, shprehën entuziazmin e brezit të ri për emërimin e Mit’hat Frashërit si ambasador të shtetit shqiptar në Greqi.
Shqiptarët pajisen me certifikata kombëtare
Çështja e parë me të cilën u përball kryediplomati shqiptar i Athinës, Mit’hat Frashëri, ishte ajo e pajisjes së shqiptarëve që jetonin në shtetin fqinj me certifikata kombëtare, gjë që pa dyshim deri në ato momente ishte penguar rregullisht nga qarqet greke. Në telegramet e këmbyera të asaj kohe, ministri i Jashtëm shqiptar Pandeli Vangjeli i kërkon Mit’hat Frashërit, që ai të jetë aktiv në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve. “Sikundër se e dini, në Greqi ndodhen shumë shqiptarë orgjinarë nga viset e Shqipërisë së 1913-s. Shumic’e këtyreve kanë lënë vendet e tyre nga shkaku i ngjarjeve të 1914-s, por këta janë nënshtetas shqiptarë. Pra është e domosdoshme që këtyre t’u jepet Certifikate de Nacionalitet, që kësisoj të drejtat e tyre të mos merren ndër këmbë. Kështu dhe Turqia ju njojti pa as një kundërshtim nënshtetësinë shqiptare gjithë shqiptarëve që banojnë në Turqi dhe janë nga viset e Shqipërisë të 1913-ës”. Në një gazetë të kohës, të titulluar “Shqiptari i Amerikës” dhe që botohej në Korçë, thuhej se mbërritja në Greqi e ministrit fuqiplotë të Shqipërisë është pritur me gëzim të madh, pasi në këtë mënyrë ata shpëtuan nga grabitjet që u bënte pala greke, duke shtuar se kishte dhe detyrimet artificiale për të nxjerrë pasaportat. “Z. Ministër u zu nga puna dhe po vepron duke dhënë pasaporta dhe duke visuar të tilla dhe duke dhënë certifikata nënshtetësie: kështu u mbyll përgjithmonë fabrika që u jepte “pistopiotika” të rrema dhe i milte që të rrojnë dy a tri të papunëshme nga djersa e punëtorëve”, shkruhej në këtë gazetë.
Shqiptarët vuajnë në burgjet greke
Në një informacion të vazhdueshëm mes Mit’hat Frashërit dhe Ministrisë së Jashtme, qeveria shqiptare vihet në dijeni për kushtet e rënda në të cilën ndodheshin të burgosurit shqiptarë në Greqi. Në një telegram Mit’hat Frashëri shkruan se nga ana e autoriteteve greke janë të dënuar disa figura të njohura të popullsisë çame. Xhevat Merushi, Ymer bej Çapari, Musa Demi, Mufti Mehmet Zeqeria dhe Haki Musa janë dënuar apo akuzuar për vetë faktin si propagandistë shqiptarë. Në këtë mënyrë zyrtarët e Athinës kërkonin t’u mbyllnin gojën shumë prej inicuesve të mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve përtej kufijve shtetërorë. Një pjesë e tyre ishin përfshirë në luftimet e Greqisë me Turqinë. Në këto kushte Mit’hat Frashëri merr iniciativën për t’i dërguar një letër ministrit të Punëve të Jashtme të Greqisë, ku i kërkohej lirimi i 20 të burgosurve shqiptarë. Në letër thuhet: “Ashtu siç do të vërë re Shkëlqesia Juaj, pjesa më e madhe e këtyre të burgosurve gjenden në burgje qysh më 1912-ën; ndonjë prej tyre është paditur për krime të kryera përpara amnistisë së shpallur për krimet që kanë të bëjnë me luftën greko-turke”. Mit’hat Frashëri i argumenton ministrit të Jashtëm grek se, meqenëse të dënuarit ndodhen të burgosur prej shumë vitesh, dhe se e kishin kryer pjesën më të madhe të dënimit, ishin bërë të denjë për të fituar mëshirën e qeverisë greke. Sipas Mit’hat Frashërit, akti i lirimit të tyre do të tregonte shpirtmadhësinë e shtetit grek ndaj të burgosurve shqiptarë dhe kjo do të kontribuonte më shumë për të forcuar lidhjet e miqësisë që i bashkonte të dy popujt.
Athina nuk njeh origjinën shqiptare
Një vit pas marrjes së detyrës si ministër fuqiplotë, më 23 janar 1924, Mit’hat Frashëri i shkruan me urgjencë Tiranës zyrtare për ta njohur me një fakt të ri që bëhet i ditur nga qarqet e qeverisë greke. Është pikërisht termi “origjinë albanaise”, ku qeveria greke kërkon të njohë si shqiptarë vetëm ata që kanë lindur në Shqipëri. Me anë të këtij termi qeveria greke nuk donte të njihte ata shqiptarë që kishin lindur dhe jetonin jashtë kufijve shqiptarë, madje kërkonte t’i shpërngulte ata në Turqi. Për të arritur këtë synim, qeveria greke u mbështet tek Konferenca e Lozanës, e cila synonte thjesht të bënte dallimin mes muslimanëve të racës shqiptare dhe muslimanëve të racës turke, si dhe të dallonte ortodoksët shqiptarë me banim në Turqi nga ortodoksët apo të krishterët e tjerë. Në këtë mënyrë pjesa tjetër e shqiptarëve kishte rrezik të konsiderohej thjesht si muslimane dhe të dëbohej nga territori grek. Mit’hat Frashëri i dërgon një notë proteste kryetarit të Komisionit Mikst të Athinës për këtë çështje, ku i shpjegon se lufta është bërë midis grekëve dhe turqve dhe jo midis muslimanëve dhe të krishterëve, e si rrjedhim bëhet fjalë për racën dhe jo për fenë. “Pra çdo përmendje e origjinës shqiptare duhet marrë me kuptimin individ me origjinë nga raca shqiptare”, shpjegoi ndër të tjera Mit’hat Frashëri, i cili më pas i bëri të ditur kryetarit të Komisionit të Miksit se dallimi midis turqve dhe shqiptarëve u bë i nevojshëm nga përdorimi i termit të përgjithshëm musliman, pra ishte e qartë që duhej bërë dallimi mes fesë dhe racës. “Është e vështirë të pranohet që në një traktat midis Turqisë dhe Greqisë të jetë pretenduar të vendoset për fatin e muslimanëve shqiptarë, e në rast se do të kishte qenë synimi i Greqisë të dëbonte nga territori i saj shqiptarët e fesë myslimane, kjo duhej të ishte bërë objekt i një marrëveshjeje midis Greqisë dhe Shqipërisë dhe jo midis qeverisë greke dhe Ankarasë”, shprehet Mithat Frashëri në notën e tij të protestës.
Komisioni që detyronte shqiptarët të ktheheshin në grekë
Një Komision i quajtur “Mikst” vepronte mes Athinës dhe Ankarasë, në vitet ’20 të shekullit të kaluar. Komisioni në fjalë, mes të tjerash, merrej dhe me të drejtat e popullsisë greke e turke në të dyja anë e kufirit, por në kurriz të popullsisë shqiptare. Fushata kishte për qëllim shpërnguljen e muslimanëve shqiptarë në brendësi të shtetit turk, duke i emërtuar ata thjesht si popullsi me fe të kundërt që nuk kishin pse të bashkëjetonin me komunitetin ortodoks grek. Por ministri fuqiplotë i Shqipërisë në Athinë, Mit’hat Frashëri, denoncoi pranë kryetarit të Komisionit Mikst punën e nënkomisioneve që vepruan në Selanik, Allosonë e Kozanë duke e cilësuar atë si abuzive e duke detyruar të kthejë në detyrim subjektet shqiptare muslimane në subjekte greke dhe nuk pranon të japë certifikata mosndërrimi. “Lutemi të jepni urdhër urgjent që të lëshojnë certifikata mosndërrimi pa detyruar të kthejnë origjinën e tyre nga shqiptarë në grekë”. Por Ministria e Jashtme e Greqisë shprehet se bëhej fjalë për një keqkuptim, pasi nënkomisionet nuk kishin detyruar cilindo që të ndërronte kombësi. Por Mit’hat Frashëri insiston se Komisioni Mikst duhet të lëshojë certifikata moskëmbimi për popullsinë shqiptare me qëllim normalizimin e situatës së tyre. “Besoj se është detyra ime t’i lutem Komisionit Mikst të rikthehet në vendimin e tij dhe të lëshojë këto certifikata. Kjo nuk i krijon asnjë punë komisionit, por i bën një shërbim të madh shqiptarëve”, thuhet në notën që Mithat Frashëri i dërgonte kryetarit të Komisionit Mikst, z. Ekstrad.

Legata shqiptare nën vrojtimin e spiunazhit grek
Pasi ka marrë informacione të pakundërshtueshme, ministri fuqiplotë i Shqipërisë në Athinë, Mit’hat Frashëri njofton Tiranën zyrtare se legata shqiptare është vënë në vrojtimin dhe përgjimin e shërbimit të fshehtë grek. “Kam kohë që kam vërejtur se rreth legatës s’ime sillenë spiunë për të ndiekurë cilët hyjnë e dalin. Kam dhe mësuar se një shërbim espiunazhi ekzersohet edhe në legatat e tjera”, raporton ministri fuqiplotë për Ministrinë e Jashtme. Por në një takim që ai ka patur me drejtorin politik në Ministrinë e Jashtme të Greqisë, ky i fundit e ka mohur një fakt të tillë duke u shprehur se një shërbim i tillë nuk ekzistonte në Greqi. Gjithsesi, intensifikimi i vrojtimit të Legatës Shqiptare erdhi pas një serie notash proteste të dërguara nga ministri fiqiplotë Mit’hat Frashëri kundër terrorizmit që bëhej nga qarqet greke mbi popullsinë çame, mbi shkaqet që detyronin shqiptarët e Epirit të iknin nga vendi i tyre dhe pas një kërkese të ardhur nga pala greke për rishikimin e kufirit me Korçën, gjë që më pas u anulua.

PRITJA 
Mbreti Jorgo, audiencë me ambasadorin shqiptar
Më 20 mars të vitit 1923, i dërguari i Shqipërisë Mit’hat Frashëri u prit në një audiencë të veçantë edhe nga mbreti 33-vjeçar i Greqisë, Georges II. Gjatë bisedës mbreti Georges, (Jorgo) jo vetëm ka treguar interes për forcimin e miqësisë me Shqipërinë, por është shprehur se kishte dëshirë që të mësonte dhe gjuhën shqipe. Ndërsa në 22 mars 1923 qeveria shqiptare bën të njohur pëlqimin e saj që z. Panurjas të emërohet si ministër fuqiplotë i Greqisë në Tiranë. Ngjarja e rëndësishme e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve fqinje është pasqyruar gjerësisht edhe nga gazetat e asaj kohe për të dy vendet. 
(Vijon nesër)
Sigal