Dr.Nuri Dragoj: Ministri i Jashtëm francez presion Abdyl Frashërit

1201
Sigal

140 vjet më parë (sipas arkivave gjermane)

 Ministri i jashtëm i Francës Vadington, presion Abdyl Bej Frashërit:

 Takimi ndërpritet, nëse nuk flasim greqisht

-Abdyli: Vërtetë në Artë flitet greqisht, por flitet edhe shqip, ndërsa në Prevezë përdoret vetëm shqipja

(Me rastin e 190 vjetorit të lindjes së Abdyl Frashërit, 17 gusht 1839 – 17 gusht 2019)

Nga Nuri Dragoj, doktor i shkencave historike

Më 24 prill 1877, Rusia i shpalli luftë qeverisë osmane. Abdylhamiti II u kërkoi evropianëve të shkonin në ndihmë të tij, bazuar në traktatin e Parisit, por asnjë nuk iu përgjigj pozitivisht. Ushtria ruse përparoi me shpejtësi duke masakruar popullsinë myslimane në vendet e pushtuara dhe mbërriti në Vidin e Plevne, ku kërcënohej seriozisht Stambolli. Flota britanike bllokoi ngushticën e Dardaneleve dhe qëndroi në Stamboll. Më pas rusët mbërritën në Çatallxha, iu afrua fshatit Shën Stefan, më pak se 20 km larg Stambollit dhe pushtuan Besarabinë jugore.

Duke shfrytëzuar prag-agoninë e Perandorisë Osmane, Rusia u përpoq të realizonte dëshirat e klientëve të saj sllavë, në dëm të komuniteteve jo sllave. Krijimi i Bullgarisë së madhe ishte dëshirë e hershme e carëve rus, me synim, dominimin e Ballkanit. Qeveria osmane pranoi humbjen dhe u bënë tratativa për një traktat paqeje, i cili u mundësua më 3 mars të vitit 1878. Rusia u përfaqësua nga Nikolla Ignatiev dhe Aleksandër Nelidov, ndërsa Perandoria Osmane me ministrin e Punëve të Jashtme, Safet Pasha dhe Sedullah Beun, ambasador në oborrin Perandorak të Gjermanisë. Sipas këtij traktati, Perandorisë Osmane i hiqeshin rreth 80% e sipërfaqes së saj në gadishullin e Ballkanit. Përfitimet më të mëdha i kishte Bullgaria, territori i së cilës zgjerohej në dëm të shqiptarëve, ndërsa Serbia, Mali i Zi dhe Rumania, deri në atë kohë në varësi të perandorisë, fitonin të drejtën e pavarësisë. Me këtë traktat sipërfaqja e Malit të zi gati trefishohej, ndërsa Serbia përfitonte 15 000 km katrore.

Me anë të Paqes së Shën Stefanit, Rusia synonte të merrte në dorë çelësat e Ballkanit, pikërisht të territorit ku përplaseshin përherë Perëndimi me Lindjen. Zmadhimi i Bullgarisë e realizonte plotësisht qëllimin e saj. Austro-Hungaria dhe në mënyrë të veçantë Italia ishin tronditur, pasi po të zbatohej traktati i paqes së Shën Stefanit, u mbylleshin tërësisht dyert në këtë pjesë të Evropës. Gjermania për momentin nuk paraqiste interes të drejtpërdrejt në Ballkan, ndërsa Anglia nuk përjashtonte as konfliktin e armatosur me Rusinë. Për të forcuar radhët Austro-Hungaria e ftoi në aleancë për t’i bërë ballë revanshit rus, duke bërë të pamundur realizimin e marrëveshjes së Shën Stefanit.

Ky traktat u prit me zemërim të madh në të gjitha trojet shqiptare. Ambasadori gjerman në Stamboll, Hasfield, i shkruante kancelarit Bismark, me 6 prill 1878, se shqiptarët ishin të vendosur t’i luftonin vendimet e Shën Stefanit me të gjitha forcat e tyre. Madje intelektualët ishin duke përgatitur një memorandum të gjerë për t’ua dërguar fuqive evropiane. Të njëjtën gjë njoftonte më 12 prill edhe konsulli gjerman në Athinë, Brink, sipas të cilit shqiptarët po përgatiteshin, po të qe nevoja, edhe për luftë të armatosur. Në të njëjtën ditë ambasadori gjerman Hasfieldi, shkruante për Bizmark nga Stambolli, se shqiptarët ishin në prag të formimit të komiteteve për mbrojtjen e territoreve, që Traktati i Shën Stefanit ia u jepte Bullgarisë, Serbisë e Malit të Zi, si dhe për t’u çliruar nga kthetrat e “miletit-osman”. Ata dëshironin ta hidhnin tej statusin “mileti osman” dhe të kërkonin të drejtën e kombësisë, por një gjë e tillë ishte refuzuar kategorikisht nga Porta e Lartë, nga frika e krijimit të një shteti të pavarur shqiptar dhe të shkëputjes së tij nga Perandoria.

 

Mirëpo, me projektin e vet, cari godiste edhe grekët, sepse qytetet Serez, Kavalla, Edessa, Follorina, Kosturi etj., i kalonin Bullgarisë. Në të vërtetë këto territore qenë shqiptare, por bënin pjesë në planin grek të aneksimit dhe ata përfitonin nga fakti që, Shën Petërburgu, nuk i trajtoi shqiptarët si komb, por si milet osman, duke venë në diskutim qenien shqiptare. Me t’u njohur me projektin e Traktatit të Shën Stefanit, pa u realizuar takimi, thuhej se qeveria greke nisi një delegacion për te ministri i jashtëm Francez, Vadingron, i cili u quajt jo zyrtar. Ata kishin përgatitu një “dhuratë” për Vadington dhe dy profesor do të ishin në dispozicion për sa kohë të qe nevoja, për t’i mësuar ministrit të jashtëm francez gjuhën greke.

Pas kësaj Vadington mori përsipër drejtimin e punës për caktimin e kufirit greko-osman, në dëm të shqiptarëve, duke bindur fuqitë e mëdha në Berlin të mbështetnin çështjen greke. Përpjekjet e tij që Greqia të paraqitej në kongres me delegacionin e vet kanë qenë të jashtëzakonshme. Dhe ia arriti qëllimit.

Mirëpo shqiptarët nuk i pranuan vendimet e Berlinit, qershor 1878.

Dhjetëra peticione e memorandume mbërrinin në tryezën e Bismark, por shqiptarët nuk u mbështetën. Ankimet vijuan dhe pas vendimit, pasi do të bëhej zbatimi në praktikë i tij. Paria e trevave jugore të Shqipërisë, më 28 shkurt 1879, i dërgonin një protestë qeverisë italiane, kundër copëtimit territorial shqiptar. Ata shkruanin se Shqipërisë i ishte krijuar një gjendje e trishtuar, pas lajmit se do t’i aneksoheshin Greqisë një pjesë e territorit të saj. Ky shihej si një copëtim tepër i dëmshëm, që do t’i detyronte shqiptarët ta kundërshtonin me të gjitha mjetet, “pa përjashtuar ato që do të na diktoheshin nga dëshpërimi”. Ata shprehnin mendimin, se ende nuk besonin që Evropa e kulturuar të punonte për zmadhimin e Greqisë në dëm të Shqipërisë, “duke shtyrë greqizimin deri në atë pikë, sa të sakrifikoj një kombësi që ka, njëlloj si Greqia, vullnet dhe të drejtë për të jetuar”. Sipas tyre, niveli i ulët i arsimimit të shqiptarëve, në raport me grekët, nuk ishte arsye që kauza e tyre “të jetë më pak e shtrenjtë dhe më pak e meritueshme për interesimin e popujve të qytetëruar”. Populli shqiptar i drejtohej ndërgjegjes evropiane dhe dëshironte me këmbëngulje njohjen e parimit të madh të kombësisë, fal të cilit edhe vet Greqia gëzon qenien e saj, duke iu lutur burrave të shtetit që kanë në duart e tyre fatet e botës, që të mos lejojnë shkatërrimin e kombësisë shqiptare.

Patriotët shqiptarë e kishin kuptuar se pa gjuhë, pa dije, nuk mund të kishte përparim dhe as qëndrueshmëri të kombit, ndaj iu përvishen mësimit të gjuhës dhe premtonin të bënin gjithçka për përparimin e vendit. Edhe nëse Porta e Lartë do të pranonte t’i jepte Greqisë nga tokat shqiptare, ata ishin të vendosur që të bëheshin fli, në altarin e atdheut. Greqisë nuk do t’i jepnin asnjë pëllëmbë tokë, veçse një fushë të gjerë gjakderdhjeje, e cila edhe atë çast avullonte nga gjaku i bijve kombit të nëpërkëmbur shqiptar.

Greqia ishte trembur, mos Austria orvatej të zgjeronte ndikimin e saj në Shqipëri.

Konsulli i Francës në Selanik, më 5 mars 1879, informonte Ministrinë e Punëve të Jashtme në Paris, për të bërë çfarë mundej në shmangen apo minimizimin e interesit austriak. Por Vadington i qetësonte politikanët e Athinës dhe i këshillonte të mos nxitoheshin. Pas kësaj, Mbreti i Greqisë deklaronte se nuk do të bënte asnjë veprim pa u konsultuar me Francën. Ministri i Francës në Athinë, Tisó, më 9 mars 1879, njoftonte kryeministrin e vet, se Mbreti i Greqisë qe takuar me perandorin austriak, Franc Jozef, i cili pati thënë se “askush nuk mund t’i kundërshtonte me arsye të drejtat e Greqisë mbi Epirin dhe Thesalinë”. Ndërkohë, gazeta “Zëri i Shqipërisë” që botohej në Athinë, nga A. Kullurioti, në muajin mars të vitit 1879, shkruante se, qeveria greke kishte detyrim për të ndihmuar Shqipërinë në shpalljen e autonomisë dhe pavarësisë së saj, pasi shqiptarët kishin derdhur gjak për të.

Udhëtimi diplomatik i politikanëve shqiptarë

 Zëvendëskonsulli i Francës në Janinë, Moró, më 21 mars 1879 njoftonte Vadington, lidhur me vendimin e marrë nga shqiptarët, për të dërguar pranë kancelarive të mëdha, dy delegatë, Abdyl Bej Frashërin dhe Mehmet Ali Vrionin. Abdyli qe takuar me konsullin Moró dhe i kërkoi ndihmë për të realizuar këto takime, por Moró iu shmang kërkesës së tij, nga frika mos grekët do ta shihnin si njeri me dy fytyra. Ndërkohë, të krishterët e Janinës, sipas porosisë së marrë nga Athina, kishin vendosur të dërgonin delegatët e tyre në kryeqytetet e Evropës, për të kërkuar zgjerimin e trojeve greke. Ata ishin organizuar nën drejtimin e drejtorit të Liceut grek, Manaris dhe doktor Hakiotis. Zëvendëskonsulli i Francës në Janinë, Moró, më 18 prill 1879, sqaronte Vadington që ky veprim bëhej si kundërpeshë e delegatëve shqiptarë, që ishin nisur në kryeqytetet evropiane.

Krerët e popullsisë shqiptare të jugut, më 3 maj 1879, i dërgonin një memorandum kryeministrit të Francës, kundër aneksimit të truallit shqiptar ndaj Greqisë. Në atë dokument ata shpreheshin se Greqia, që nga dita e shpalljes së pavarësisë, ka bërë të gjitha përpjekjet për të marrë Epirin dhe greqizuar popullin shqiptar. Ajo ka përdorur edhe banditë [andartët] për të nxitur banorët e krishterë kundër qeverisë osmane. Më tej, në memorandum i kujtohej kryeministrit francez, se populli shqiptar është më i vjetër se ai grek dhe se Epiri, në kohët e lashta, ka qenë populluar vetëm nga shqiptarë. A nuk ka qenë asnjëherë pjesë e pandarë e Shqipërisë dhe asnjëherë kjo krahinë nuk ka qenë e pushtuar nga grekët. Kjo lexohet edhe në punimet e historianëve të famshëm të lashtësisë, Herodoti, Tukididi, Straboni etj. Për më tepër, një nga pretendimet absurde të politikës greke, është se, banorët që popullojnë Janinën dhe Artën, përdorin gjuhën greke. Sipas kësaj mendësie duhet të konsideroheshin grekë. “Mirëpo nga 650 mijë banorë të Epirit, vetëm 74 mijë flasin greqisht dhe kjo për shkak të tregtisë dhe fqinjësisë, të marrëdhënieve reciproke.

Abdyl Bej Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni e ndërmorën udhëtimin diplomatik në qendrat kryesore evropiane, për të treguar të vërtetën e çështjes shqiptare, më komplekses dhe më të ndërlikuarës në rajon, pa zgjidhjen e së cilës nuk mund të kishte stabilitet në Ballkan. Në memorandumet e tyre trajtoheshin kryesisht problemet në jug të Shqipërisë. Nuk dihet saktësisht arsyeja e kësaj ndarjeje, por mbase nga fakti që çështja e veriut ishte vendosur në mënyrë të prerë dhe miratuar nga Perandoria Osmane. Dhënia e tokave shqiptare në favor të Malit të Zi e Serbisë, pasqyrohej saktë në vendimet e Kongresit të Berlinit, ndërsa në jug ishte lenë të vendosej me marrëveshje midis palëve. Në veri, Lidhja Shqiptare pati vendosur të mobilizonte popullin në luftë për të mos i dorëzuar trojet shqiptare, ndërsa në jug kishte ende shpresë të arrihej diçka me rrugë diplomatike. Gjithsesi, në memorandum bëhej fjalë për autonominë e shqiptarëve, e cila në thelb përbënte krijimin e shtetit të ardhshëm të shqiptar. Në kohën kur Abdyl Bej Frashëri dhe Mehmet Ali Vrioni kishin mbërritur në Itali, ambasadori i qverisë osmane në Romë, Turhan Hysni Beu, mori një telegram nga ministri i Punëve të Jashtme, Karatheodhor Pasha. Ai e porosiste ambasadorin që të këshillonte dy diplomatët shqiptarë, të hiqnin dorë nga misioni që kishin marrë përsipër, pasi nuk qenë të autorizuar të hynin në marrëdhënie politike të drejtpërdrejta me qeveritë e huaja dhe se këtë detyrë po e kryente vet qeveria perandorake. Të njëjtin telegram ia dërgonte dhe Safet Pashës, ambasador i qeverisë osmane në Paris. Turhan Beu thirri diplomatët shqiptarë dhe u tha porosinë e ministrit.

-Ne e dimë se qeveria perandorake bën ç’është e mundur për këtë problem, – tha Abdyl Frashëri, – por mos harroni që ajo flet si qeveri, ndërsa ne flasim si shtetas. Pastaj, në një farë mënyre, qeveria është e lidhur me Traktatin e Berlinit. Ne kemi ardhur t’i themi Evropës, se preferojmë të vdesim të gjithë me armë në dorë, duke luftuar kundër atyre që duan të pushtojnë vendin tonë.

Qeveria italiane ishte e mendimit se Kongresi i Berlinit kishte gabuar në qëndrimin ndaj çështjes së Epirit dhe se Italia po punonte në favor të çështjes sonë, – tha Mehmet Vrioni. Edhe Francesco Krispi qe shprehur në favorin tonë, ndonëse u tregua i ashpër ndaj qeverisë perandorake.

Më 2 maj 1879, Abdyl Frashëri dhe Mehmet Vrioni u pritën nga Vaddington. Ai i pyeti: Nga cila zonë e Shqipërisë jini dhe kë rreth përfaqësoni?

-Jemi njëri nga Frashëri dhe tjetri nga Berati, por vijmë si përfaqësues të Lidhjes Shqiptare, përfaqësojmë gjithë Shqipërinë, – i tha Abdyli.

-Ju dëgjoj, – tha Vaddington, dhe sytë i përqendroi mbi Abdylin.

-Jemi të ngarkuar të sqarojmë qeveritë evropiane, se vendimi i Berlinit ka sjell shqetësime të mëdha për shqiptarët. Me një të rënë të kalemit, i shkëputen Shqipërisë tokat më prodhuese, qytetet me tregti dhe industri më të zhvilluar, portet më të sigurta dhe më të zhvilluara. Politika greke nuk ndalet në kërkesat e saj. Duke marrë gjithë këto pika strategjike, shqiptarët do të mbeteshin në mëshirën e grekëve. Shumë shpejt, Greqia do të pushtoj dhe pjesën tjetër të Shqipërisë.

-Nuk ju kuptoj mirë, – tha Vadingron. – Mbase nuk e njihni si duhet frëngjishten.

-Mua më thonë se e flet frëngjishten më mirë se parisienët, – tha Abdyli, tërë dyshim në fjalët e funksionarit të lartë francez.

-Nuk ju kuptoj mirë, përsëriti Vadinton.

-Mund të merrni një përkthyes, – ndërhyri Mehmet Vrioni.

-Jo, le të flasim në një gjuhë tjetër, – këmbënguli Vadington.

-Po mirë, – tha menjëherë Abdyli, – flasim osmanisht, persisht, arabisht, italisht, gjermanisht.

-Flasim greqisht, – tha zyrtari i lartë francez në mënyrë të prerë. – Unë e njoh mirë gjuhën greke, si edhe ju. Ndaj vazhdojmë të bisedojmë në atë gjuhë, meqë ju nuk e njihnin mirë frëngjishten, në të kundërt takimi s’mund të vazhdojë.

Diplomatët shqiptarë pranuan. E rëndësishme ishte të mos largoheshin pa shtruar problemin. Ndaj e përsëritën edhe një herë qëllimin e takimit të tyre.

-Qeveria franceze u ka kërkuar Fuqive të Mëdha ta shtrojnë çështjen për zgjidhje në konferencën e Konstandinopojës, – tha Vaddington, por pa thënë asgjë konkrete. – Ju mund t’i drejtoheni kësaj konference, – përfundoi frazën ai.

-Do të dëshironim të dinin për mendimin e Francës? – tha papritur Mehmet Vrioni.

-Vaddinton u përgjigj qetësisht, duke thënë se aneksimi i Prevezës dhe Artës nga Greqia, nuk do të shkaktojë asnjë kundërshtim nga popullsia, pjesa më e madhe e së cilës flet greqisht dhe është e fesë greke.

-Vërtetë në Artë flitet greqisht, – tha Abdyli, por flitet edhe shqip. Ndërsa në Prevezë përdoret vetëm shqipja. Pastaj këtu nuk është fjala për gjuhën dhe aq më pak për fenë, por vetëm për kombësinë. Nëse do të pranohet parimi i gjuhës dhe besimit, atëherë duhet të përmbyset e gjitha harta e Evropës,- përfundoi Abdyli.

-Epiri ka 650 000 banorë dhe vetëm 70 mijë flasin greqisht, – shtoi Mehmeti.- Kjo nuk është arsye për të sakrifikuar gjithë vendin.

Vaddington përsëriti mendimin e vet, se aneksimi nga Greqia nuk do të shkaktonte shqetësime. Për këtë mori si shembull shqiptarët që banonin në Specia, Hidra e në rrethinat e Athinës, apo pjesë të tjera të vendit. Sipas tij, do të jepej garanci për të drejtat e popullsisë që aneksohet, për pronat, besimin dhe zakonet.

Duke u larguar nga Vaddington Abdyli hodhi një vështrim hetues ndaj Mehmeti Vrionit.

-Franca duket që favorizon Greqinë, – tha Mehmeti. – Më kot kemi shpresuar te francezët. Ajo u pa kur dhe biseda u bë në greqisht. Na u desh të mbronin interesat tona në greqisht, gjë që është e dhimbshme.

-Dheu nuk më tret, – i tha Abdyli. – Jemi të zbuluar si nga perandoria osmane dhe nga fuqitë e mëdha…

Abdyl Bej Frashëri dhe Mehmeti Ali Bej Vrioni mbërritën në Londër më 8 maj 1879. Duhej të takonin funksionarë të lartë britanik, por nuk qe e lehtë. Ambasadori i Turqisë në Londër, Mysyr Pasha, luante rolin e ndërmjetësit. Ai u takua me Lord Selisbor dhe Draving Room të mbretëreshës.

-Kam ardhur t’ju kërkoj, që të prisni në takim dy përfaqësues të popullit shqiptar, – u tha ai. – Katër ditë më parë u pritën edhe nga Vaddington, – shtoi ambasadori.

-Nuk mund t’i presim, – tha në mënyrë të prerë Selisbor, – pasi nuk pritëm as përfaqësuesit bullgar. -Vaddington i priti, sepse priti edhe bullgarët.

Pas një dialogu të gjatë, zyrtarët anglez pranuan. Takimi nuk u bë në Foreign Office, por në shtëpinë e Lord Selisborit. Dy shqiptarët i shtruan shqetësimin e popullit të vet dhe në fund i dorëzuan një memorandum për këtë çështje. Pas kësaj, morën rrugën për në Berlin.

Gjatë përpjekjeve të dy diplomatëve shqiptarë për ndërgjegjësimin e kancelarive evropiane, shtypi gjerman ishte në krah të tyre. Gazeta Kölnische Zeitung, e datës 15 maj 1879, shkruante se ata duhej të priteshin nga Bismarku dhe të bisedonte shtruar me ta, në mënyrë që të shmangej përplasja me armë midis shqiptarëve dhe grekëve, dy popuj të lashtë, të cilët kanë luftuar së bashku kundër osmanëve, por edhe për pavarësinë e Greqisë, ku kanë rënë numër i madh shqiptarësh.

Diplomatët shqiptarë mbërritën në Berlin, më 15 maj të vitit 1879, dhe u vendosën në hotel “Roma”. Ata dorëzuan memorandumin e tyre, shkruar me dorë në frëngjisht, prej 10 faqesh, por nuk u pritën nga Bismarku, madje dhe përgjigjen e letrës nuk e morën, pasi vazhduan udhëtimin për në Vjenë. Qeveria osmane, edhe pse u pati dhënë leje diplomatëve shqiptarë për të kryer udhëtimin e tyre diplomatik, ndërroi mendje. Ambasadori osman në Berlin, Abdulla Beu, më 16 maj 1879, njoftonte Stambollin se dy delegatët shqiptar kishin mbërritur në Berlin dhe kërkonin të takonin ministrin e Punëve të Jashtme, për t’i dorëzuar një promemorie, në emër të popullit shqiptar. Porta e Lartë urdhëroi që të shmangej takimi i tyre me politikanë të lartë të Berlinit.

E njëjta gjë ndodhi edhe në Austri. Ambasador i Perandorisë Osmane në Vjenë, Ethem Pasha, i kërkonte ministrit të Punëve të Jashtme në Stamboll, ta këshillonte për mënyrën e sjelljes me dy diplomatët shqiptarë. Karatheodhor Pasha i përgjigjej se, misionet zyrtare u parashtrojnë qeverive të huaja argumente në dobi të Perandorisë, pra çështja shtrohet në forma të ndryshme, nga ç’mund ta bëjnë këtë dy shqiptarët, për të cilët bëhet fjalë, ndaj të mos lejohen.