Kastriot Bezati/ At Stath Melani, dëshmor i madh i Shqipërisë shpallet “Nderi i Kombit”

1833
“S’ka zemër shqiptari të mos pikëllohet, s’ka sy shqiptarësh të mos lëshojë lumë lotësh për të ndjerin, për të pavdekshmin hero dhe dëshmor të madh të Shqipërisë, At Stath Melani”, – ka shkruar në gazetën “Albania” të datës 16 mars 1918, burri i shtetit, poeti, dramaturgu, publicisti dhe përkthyesi, historiani dhe muzikologu, Fan Stiljan Noli. Vlerën e njeriut e tregon atdhetarizmi, ndaj dhe At Stath Melani është i pavdekshëm, sepse emri i tij të sjell pranë, të flet dhe të rrënjos më thellë në ndërgjegjen e Atdheut.
“Nderi i Kombit”
Më 23.05.2014, Presidenti i Republikës, Z. Bujar Nishani, nisur nga propozimet e Shoqatës “AK Përmeti” më 30.09.2012 dhe më 17.04.2013, me Dekretin Nr. 8574, e shpalli At Stath Melanin “Nderi i Kombit”. Motivacioni: “Luftëtar dhe atdhetar i flaktë, i cili dha jetën për mbrojtjen e trojeve dhe të drejtave të kombësisë shqiptare, si dhe për ndihmesën e dhënë në përhapjen e gjuhës së njësuar letrare shqipe”. Dekorata e lartë iu dorëzua Znj. Suzana Mero, stërmbesës së At Stath Melanit, nga vetë Presidenti i Republikës më 25 maj 2014 në Frashër, para busteve të Vëllezërve Frashëri, Abdylit, Naimit dhe Samiut. Të pranishëm ndër shumë të tjerë ishin edhe kryetari i Kuvendit, Z. Ilir Meta, Kryegjyshi i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Haxhi Baba Edmond Brahimaj, deputetë, profesorë e akademikë, titullarë e punonjës së masmedias dhe miq e studiues nga Kosova.
Jetëshkrimi
At Stath Melani, u lind më 18 shtator 1858 në Melan të Shqerisë së Përmetit, krahinë ku nga treva e Përmetit përveç Melanit bëjnë pjesë edhe fshatrat Kreshovë, Delvinë, Izgar, Ogdunan, Lipivan, Trebozisht, Lushnjë dhe Grabovë, ndërsa disa fshatra të tjerë i merr sot Kolonja. Në vitet ’20 të shekullit XX, fshati kishte tre lagje ku ngriheshin edhe 8 kisha dhe shtëpia e At Stathit ndodhej në Lagjen e Sipërme të Melanit, i cili lartësohej në veriperëndim të malit të Postenanit. Stathi ishte djali i vetëm i prindërve: Kostandinit dhe Zoicës dhe vëllai i tri motrave: Marinës, Eftalisë dhe Anastasisë. Babai i tij, Kostandini disa vite pasi emigroi në Stamboll, në vitet 1876 – 1877, morri edhe të birin ku, Stathi, edhe mësonte edhe punonte, mësonte në një nga shkollat dhe punonte si shpërndarës letrash, punë që i ati ia siguroi me ndihmën e atdhetarëve shqiptarë, që ishin të shumtë në ato vite në Stamboll. Stathi u aktivizua edhe në shpërndarjen e librave shqip, që vinin sidomos nga Bukureshti, së bashku me Stefan Pellazgun apo, si quhej ndryshe, Stefan Shqiptarin, i cili ishte nga Postenani i Shqerisë. Në vitin 1888 u martua me Kostandine Logon nga Izgari i Shqerisë dhe nga kjo martesë, bashkëshortët patën 9 fëmijë, 5 djem dhe 4 vajza: Olimbia (Limbja), Kici, Manthua, Eftimia (Thimia), Koçua, Çimua, Jorgua (Gogua), Margarita dhe Elpiniqi (Elpoja). Jo shumë kohë pas martesës Stathi shkon në Amerikë ku, më 1899, u shugurua prift në Kishën e Shën Mërisë së Woçesterit dhe, po atë vit, me petkun e priftit u kthye në Shqipëri.
Në rrugën e atdhetarëve, që u ngritën e luftuan për komb e për flamur
At Stath Melani eci në rrugën e atdhetarëve, që u ngritën e luftuan për komb e për flamur, luftuan dhe derdhën gjakun për mbrojtjen e hapësirës territoriale të vendit, për gjuhën e shkollën shqipe, për lirinë, pavarësinë e çlirimin e Shqipërisë, eci në rrugën e Budit, Dhaskal Todhrit, Jani Evstrat Vithkuqarit, Num Veqilharxhit, Anastas Kulluriotit, Pandeli Sotirit, Koto Hoxhit, Papa Kristo Negovanit e Petro Nini Luarasit. Shkrimtari dhe kleriku i lartë, Pjetër Budi, në dhjetorin e vitit 1622, u mbyt në lumin Drin nga qarqet antishqiptare, sepse luftonte kundër pushtuesit të Portës së Lartë dhe kundër klerit të huaj në Shqipëri. “Zoti kërkon që besimtarëve t’iu flitet në gjuhën amtare” dhe “Klerikët duhet t’i bëjnë meshat shqip”, – thoshte Pjetër Budi. U vra kleriku dhe mësuesi atdhetar Dhaskal Todhri, më 1805 në Dhiavat të Resnjës së Maqedonisë nga njerëzit e Patrikanës greke të Stambollit. Nga njerëzit e vënë nga kjo Patrikanë u vra më 1822 edhe mësuesi e profesori i njohur Jani Evstrat Vithkuqari. Naun Veqilharxhi, ideologu i parë i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, i cili më 1844 botoi të parën abetare të shqipes, “Evetarin” me 33 shkronja, vdiq i helmuar më 1854 nga kisha greke në selinë e Patrikanës së Stambollit. Eliminimi i Veqilharxhit u shoqërua edhe me syrgjynosjen në Kretë të sekretarit të Mitrlopolisë së Korçës, atdhetarit Athanas Paskali, gjyshi i Odhise Paskalit. U helmua atdhetari Anastas Kullurioti nga Patrikana greke e Stambollit dhe, Pandeli Sotiri, drejtori i parë i Mësonjëtores së Parë Shqipe të Korçës, u helmua më 1891 nga gruaja e tij greke në bashkëpunim me Patrikanën greke të Stambollit dhe, pas helmimit, trupin e tij e hodhën nga penxherja e katit të 3-të të shtëpisë, ku ai banonte në Stamboll. U vra barbarisht, më 1895 pishtari i diturisë e shkronjave shqipe Koto Hoxhi nga njerëzit e Portës së Lartë dhe të Patrikanës së Stambollit. Papa Kristo Negovani, mësuesi, kleriku dhe shkrimtari, shenjtori i shkrimit shqip, i cili thoshte “shkronjat e bëjnë kombin të quhet komb”, më 12 shkurt 1905, u vra barbarisht, me thika, hanxharë e sëpata, nga andartët grekë në Negovan dhe u ther me thika edhe vëllai i tij, prifti Papa Theodhosi. Petro Nini Luarasi, martiri i gjuhës shqipe, atdhetari që u dërgoi fjalët e njohura bejlerëve të Qafëzezit: “Vramëni, po mblidhmani gjakun, se do t’u duhet nipërve tuaj të shkruajnë gjuhën e nënës”, u helmua nga shovinistët grekë më 17 gusht 1911 në Gostivisht të Kolonjës, në shtëpinë e kushërirës Paro Vasil Kita, të cilën, 2 vjet më vonë, së bashku me babanë, grekët e therën te Kisha e Shën Thanasit. 
Strehë e luftëtarëve të lirisë
Në vitet kur luftohej për Shpalljen e Pavarësisë, shtëpia e tij në Melan u bë strehë e luftëtarëve të lirisë. “Kur ishim maleve me të pavdekshmin Çerçiz Topulli në shtëpinë e At Stathit gjenim prehje dhe përkrahje”, – ka shkruar Mihal Gramenua. E shoqia e Stathit, Kostandina, përkujdesaj “si për bijtë e saj duke na gostitur dhe mbuluar”, – tregon më tej për këtë nënë atdhetare, Mihali. S’do të kalonte shumë kohë dhe At Stathi, në vitet 1911 – 1912, me luftëtarë nga Shqeria, Përmeti, Leskoviku e Barmashi, do të krijoi çetën e vet kryengritëse, ku u rreshtua si luftëtar edhe djali i tij, Manthua. At Stathi ishte për vëllazërimin ndërfetar të luftëtarëve, gjë që e tregon fakti se në çetën e tij shumicën e luftëtarëve e përbënin myslimanët. Forca lëvizëse e çdo shqiptari, qoftë mysliman apo qoftë i krishterë, është dashuria për Atdheun. Në krye të çetës së tij, At Stathi mori pjesë në kryengritjen e përgjithshme të 1912-ës dhe përshëndeti Kuvendin Kombëtar të Vlorës. Qeveria e Ismail Qemalit e caktoi komandant ushtrie në Shqeri, – shkruhet në gazetën “Dielli”, të 18 nëntorit 1914. Në vitet 1913 – 1914 u kryen masakra nga ushtria dhe bandat shoviniste të Greqisë në Shqipërinë e Jugut. Në trevën e Përmetit u dogjën tërësisht ose pjesërisht 46 fshatra, u bënë shkrumb e hi 1258 shtëpi dhe u lanë pa strehë 6409 banorë. U kryen masakra te përbindshme si për shembull në Kuqar e Pacomit ku u masakruan 97 fëmijë e burra, nga të cilët 75 burra u masakruan me thika barbarisht në Kosinë. Qazime Iljaz Murati, vajzë nga Kreshova martuar në Ogren, më 1914, për t’i shpëtuar çnderimit nga bishat greke, u hodh në humnerën e Përroit të Ormaneve në Ogren duke u shndërruar në simbol të nderit, bukurisë e trimërisë së Përmetit. Ushtria shoviniste greke shkoi edhe në fshatin Melan. At Stathit i dogjën shtëpinë, i arrestuan gruan me dy fëmijët që kishte në Melan, të cilët i burgosën në Përmet. Edhe vetë At Stathi, në vitet 1910 dhe 1913, nga autoritetet turke e shovinistët grekë, ishte torturuar e burgosur në Përmet, Leskovik e Janinë. “Më muar dy herë në Përmet, ku të parën herë si më rrahën mirë e mirë më mbajtën edhe katër ditë në burg. Radhën e dytë më mbajtën tre ditë. Përsëri më thirrën në Leskovik, ku pasi më rrahën më fort dhe më mbajtën nëntë ditë në burg, më dërguan në Janinë”, – thuhet në intervistën e At Stathit dhënë gazetës “Dielli” në Berat, më 26 maj 1914. At Stathi, në vitet 1913-1914, në krye të çetës së tij luftoi kundra ushtrive pushtuese greke që synonin aneksimin e Shqipërisë së Jugut. “Greqia kërkonte me çdo kusht që Shqipëria e Jugut të bashkohej me Greqinë”, – shkruante francezja Eleonora de Vila. At Stathi me çetën e tij morri pjesë në shumë beteja kundër andartëve grekë, si në Melan, Delvinë, Postenan, Frashër dhe deri në Sinjë të Beratit kundër rebelëve të Esat Pashë Toptanit, të cilët synonin pushtimin e Vlorës dhe rrëzimin e Qeverisë së Ismail Qemalit. Në fillim të gushtit 1914, At Stathi së bashku me forcat e tij u ndodh në fshatin Sinjë të Beratit. Më 6 gusht, ditën e Shën Sotirit, thërriti fshatarët në kishë dhe zhvilloi një meshë në gjuhën shqipe që i “mallëngjeu të gjithë”, – shkruan Apostol Kotani. Pas meshës, në Agjiodhimë, veshi rrobat e luftëtarit, doli para të pranishmëve dhe, ndër të tjera, si thuhet në gazetën “Albania” të 14 marsit 1918, u tha: “Djema! Më shihni prift ortodoks, por nuk u linda kësisoj, u linda shqiptar dhe shqiptar dua të vdes. Prandaj kush është për Shqipërinë, unë përpara dhe ju pas meje, të mbrojmë kombin dhe tërësinë tokësore të Shqipërisë”. “Guximi dhe trimëria e At Stath Melanit ishin të pakufishme. Qëndronte si një kapedan në mes të ushtrisë dhe luftonte si një dragua”, – shkruante bashkëluftëtari i tij Kopi Tushemishti në gazetën “Albania” të 14 marsit 1918. Në gazetën “Dielli” të 2 dhjetorit 1914 thuhet se At Stathin e arrestuan përsëri së bashku me djalin, Manthon. Në fund të nëntorit 1914 dolën nga burgu dhe, të dy, disa ditë më vonë, me financimin e shoqërisë kishtare të Shën Gjergjit në Boston, nga Vlora u hodhën në Bari të Italisë dhe në fillim të dhjetorit 1944 arritën në Amerikë. Dy vjet më vonë, më 19 mars 1916, në meshën shqip që mbajti në kishën ruse të Shën Vasilit me shqiptarët ortodoksë të Neu Yorkut, At Stathi ndër të tjera tha: “I krishterë i mirë mund të jetë vetëm ai që do vëllezërit, nënën e tij dhe vendin e tij”, – thuhet në gazetën “Dielli” të 27 marsit 1916. Në fillim të vitit 1917, At Stathi, nga Amerika u nis përsëri për në Shqipëri. Kush e “këshillonte” që të mos kthehej në Shqipëri por të qëndronte në Amerikë, At Stathi i përgjigjej: “Pasuria e gjithë botës s’janë gjësendi për mua, lumturinë e kësaj bote do ta fitoj kur të kthehem në Shqipëri”, – thuhet në gazetën “Albania” të 21 marsit 1918. Mihal Gramenua në tregimin e tij “Pleqtë” ndër të tjera shkruan: “Dallgët…dhe furtuna e Atllantikut e të Mesdheut, po i përçan një vapor i madh! Udhëtarët, ca nga frika e dallgëve, ca nga tmerri i nëndetëses gjermane, dridhen dhe të tmerruar mbyllen nëpër dhomat dhe hambarët. Fytyra e tyre tregon tmerrin e vdekjes. Vetëm një plak i thinjur me leshrat dhe mjekrën të bardhë, qëndron përjashta mbi vapor duke vështruar përpara dhe përpara! Fytyra e qeshur dhe simpatike tregon që plaku është i kënaqur nga udhëtimi. Ku e ku, një nënqeshje shfaqet në buzët e tij dhe nga gëzimi fërkon duart. Duket që frika, tmerri dhe dëshpërimi nuk gjejnë vend në zëmër të plakut. Nuk gjejnë se plaku është nga pleqtë e Shqipërisë. Është nga kombëtarët e vjetër dhe shumë i vuajtur, prandaj e ka zemrën të çeliktë… Plaku që tregojmë, quhet At Stath Melani”. 
Më 24 dhjetor 1917, banda e Josif Soropullit i preu kokën
Më 24 dhjetor të vitit 1917 At Stath Melani do të shkonte në fshatin e tij, në Melan, për të kremtuar lindjen e Krishtit. Me të marrë vesh këtë udhëtim armiqtë i zunë pusi në të tri rrugët që të çonin në Melan: njërën në të përpjetën e Lushnjës, te Balta e Kuqe e Lipivanit, të rrugës Përmet – Petran – Lushnjë – Lipivan – Melan, të dytën te Qafa e Trebozishtit të rrugës Përmet – Petran – Lushnjë – Trebozisht – Melan dhe, të tretën, tek varret e Melanit në rrugën Përmet – Petran – Devojkar – Trebozisht – Melan. Tek Balta e Kuqe i kishte zënë pritë Josif Soropulli, një hajdut e grekofil, që kishte qenë edhe në krye të një grupi andartësh grekë kur ata pushtuan Jugun e Shqipërisë. Me të, nisur nga të dhëna të siguruara nga banorë të Shqerisë e Rëzës së Përmetit, ishin edhe Josif Stërmbeci dhe Vangjel Radimishti, të cilët, sipas gazetës “Ballkan” të datës 23.09.2015, në vitet ’30 të shekullit XX, pasi ishin arratisur nga Shqipëria kishin hyrë në radhët e agjenturës së Greqisë. At Stathi nga shtëpia e tij, qe ai kishte në qytetin e Përmetit, u nis drejt Melanit nga rruga Përmet – Petran – Lushnjë – Lipivan – Melan. Qëndroi për pak kohë në fshatin Lushnjë, në fillim në shtëpinë e Selman Lushnjës, ku i bëri kafen dhe i shërbeu e zonja e shtëpisë, Xhevria, pastaj shkoi, qëndroi dhe hëngri drekën në shtëpinë e Xhemal Gurit. Nga Lushnja u nis drejt Melanit. Kur arriti në vendin e quajtur Balta e Kuqe të Lipivanit, rreth 500 metra më lart nga Qafa e Lushnjës, banda e Josif Soropullit e qëlloi në befasi me një breshëri armësh, teksa ishte i hipur në mushkë, pastaj më 24 dhjetor 1917 i prenë kokën dhe e çuan tek Fanari në Greqi. Nga krismat menjëherë në vendin e ngjarjes së kobshme mbërritën me shpejtësi fshatarë nga Lipivani e Lushnja, Trebozishti e Melani, të cilët të pikëlluar e morën trupin e tij pa kokë, e mbështollën me flamur kombëtar dhe e çuan në Përmet, ku u prit dhe u varros me nderime të mëdha nga populli në Kishën e Shën Kollit. Populli nuk e la të gjallë vrasësin e At Stath Melanit. Nga disa të dhëna të siguruara në Shqeri, Josif Soropullin e vrau Thanas Budo, te Stani i Kamellarëve në Shën Pjetër të Postenanit, më 13 dhjetor 1920.
Sigal