Sigal

Kur më provokuan: Enveri e hëngri në Konferencën e Tiranës

Leonard VEIZI

(vijon nga numri i kaluar)

Pas çlirimit të vendit, Abaz Hoxha studimet e larta i kreu në Pragë (Rep. Çeke) dhe u diplomua si inxhiner elektronik në vitin 1954. Paralelisht kreu një kurs pasuniversitar dy-vjeçar për Teknikën e Studiove të Radios, Filmit dhe Televizionit e posaçërisht për optikën dhe akustikën. U emërua fillimisht si inxhinier zëri dhe për 10 vjet kryeinxhinier i kinostudios “Shqipëria e Re”. Më vonë, për 7 vjet, si drejtues i sektorit të kinemave, të distribucionit, përkthimit dhe shpërndarjes së filmave. Nga viti 1972-1990 themeloi dhe drejtoi Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit.

Cilat kanë qenë ngjarjet që të kanë impresionuar më shumë në vitet e ndërtimit socialist të vendit?

Ishim në prag të Konferencës së Partisë për Tiranën. Në të gjitha organizatat e Partisë po bëheshin mbledhjet për dhënie llogari dhe zgjedhje të sekretarëve, byrove dhe delegatëve për në Konferencën e Partisë. Kishte një farë ndikimi edhe nga lart për të folur hapur, “për t’ia thënë Partisë të gjitha mendimet dhe shqetësimet”. Më vonë u pa se kjo ishte një përpjekje djallëzore për të zbuluar mendimet dhe “për të hapur dosjet”. U mblodh Organizata e Partisë së Kinostudios në dhomën e redaksisë. Isha ulur te hyrja pranë derës nga e djathta. Dikush (A.Furtuzi ose S.Musha) më propozuan për në Byro. Nuk kisha ndonjë pretendim për të qenë në byro, bile asnjëherë nuk kisha qenë në forumet drejtuese të Partisë, ndonëse isha anëtar partie që në moshën 14 -vjeçare. Megjithatë e quajta një vlerësim. Në anën tjetër të derës, në të majtë, ishin ulur E.K. dhe V.S. veteranë dhe shokë lufte. E pashë që reaguan ndaj propozimit dhe diçka po bisedonin kokë më kokë. Më në fund njeri prej tyre u ngrit dhe më bëri tre pyetje: – Cila është origjina shoqërore? – Çfarë qëndrimi ka mbajtur babai gjatë luftës? – Ku ndodhet babai sot…?

Përse u bënë këto pyetje?

U çudita dhe u revoltova njëkohësisht mbasi dukesh qartë se pyetjet bëheshin me qëllim diskreditimi, mbasi që të dy ata që po flisnin kokë më kokë, kishin punuar mbas luftës në Seksionin Politik të Divizionit të Pestë në Gjirokastër me gradat N/Toger dhe eprori i tyre ishte im vëlla me gradën Kapiten i Parë. Pra përgjigjet e pyetjeve i dinin, por donin t’i thoshnin organizatës: “..Ja kush është ky që doni të zgjidhni në byro”. Ne e mbrojmë partinë nga elementi armik!! U ngrita dhe u përgjigja shkurt dhe prerë duke i theksuar më shumë “anët negative të familjes sime”: – Rrjedh nga një familje shumë e pasur fshatare, (që nuk ishte shumë e pasur). – Babai im ka qenë nga krerët kryesorë të Ballit Kombëtar,- (që nuk ishte nga kuadrot kryesore). – Sot ndodhet në burgun e Burrelit ku janë armiqtë më të rrezikshëm të pushtetit.

Çfarë do të ndodhte pas kësaj përgjigje?

Kjo përgjigje e prerë dhe e vendosur jo vetëm që nuk ndikoi për keq por bëri që unë të zgjidhesha për herë të parë dhe të fundit në byro. Delegat për në Konferencën e Partisë u zgjodh Nesti Zoto, ish- drejtor i kinostudios. Një javë më vonë erdhi porosi nga Komiteti i Partisë që të mblidheshin organizatat dhe të jepnin mendimet dhe shqetësimet e tyre për të ja dërguar Konferencës së Partisë nëpërmjet të delegatëve. Kjo u duk një frymë e sinqertë dhe liberalizuese, pra një sinjal se edhe tek ne duhet të bëhen disa ndryshime ashtu sikurse në vendet e tjera. Këtu shpërthyen diskutimet e debatet dhe filloi secili “t’i hapte zëmrën partisë”. Ky ishte edhe synimi i atyre porosive që u dhanë nga lart. Çuditërisht njeri nga ata që e mbrojti vijën në mbledhjen e parë për ta ruajtur partinë nga elementi armik, këtu doli me pyetje dhe kërkesa më të avancuara që ishin krejtësisht në kundërshtim jo vetëm me parimet, por edhe me deklarimet zyrtare të tij si një mbrojtës i flaktë i vijës. Unë ngrita çështjen e Sejfulla Malëshovës. Të tjerë shkuan edhe më tej duke atakuar vijën e partisë, por edhe drejtuesit kryesorë të saj si njerëz të privilegjuar që jetojnë në luks dhe nuk i shikojnë “të uriturit” ku fusnin edhe veten e tyre ndonëse ishin më të privilegjuarit në kinostudio me nivelin relativisht mesatar më të lartë ekonomik dhe ishin po ata nga më militantët në mbrojtje të asaj vije që tashti po e kritikonin.

Si do të zhvilloheshin punimet e Konferencës?

Ditën që filloi punimet Konferenca e Partisë të Tiranës erdhën lajme tronditëse. Beqir Balluku që ishte i deleguar i KQ, ishte vënë në bangën e të akuzuarit dhe kish kërkuar ndihmën e E. Hoxhës që ishte duke bërë pushimet në Vlorë. Ai erdhi urgjent dhe me zgjuarsi e mori kalanë nga brenda. Kish bërë thirrje në konferencë që të flisnin hapur se Partia donte mendimin e lirë të komunistëve, por nga ana tjetër kish bindur njërin nga ata që folën me vrull e pasion kundër, një ish- kuadër i lartë i Ministrisë së Brendshme, që të thoshte se ishte i nxitur nga një agjent i Ambasadës Jugosllave në Tiranë me të cilin ishte takuar rastësisht në rrugën Tiranë-Durrës dhe ai pa e ditur kush ishte kish hipur në makinën e tij. Për këtë i kishin premtuar se nuk do të kishte asnjë pasojë për ato që foli në Konferencën e Partisë se mbrojti Partinë nga agjenturat e revizionizmit jugosllav. Por ky denoncim i tij ndodhi në seancën e pasdites, ndërsa në mëngjes në prezencë të Enverit të gjithë “ja kishin hapur zemrën Partisë” për të denoncuar gjithë të këqijat.

A pati reagime të tjera ndaj Konferencës?

Aty rreth orës 4 të mbasdites takova përballë hotel “Dajtit” njërin nga ata që e mbronin më shumë vijën dhe deshën ta mbronin atë “nga elementi armik” në mbledhjen për zgjedhjet. Sapo më pa ndaloi dhe më tha: “E more vesh çfarë ndodhi?” –“Jo,- i thashë- ku e ke fjalën?” – “Ja thyen hundët atij në Konferencën e Tiranës.” – “Kujt, -i thashë” – Enverit, – m’u përgjigj ai”. E shikova mirë në sy. – “Mirë”, – thashë, pa ia zgjatur dhe vazhdova rrugën drejt Ministrisë së Mbrojtjes. Kur, papritur më del përpara një n/kolonel i Ministrisë së Brendshme, i cili më thotë të njëjtën gjë. E njihja atë si një ekstremist të majtë, që nga funksioni i tij në organet e Punëve të Brendshme ku punonte u kish bërë gjëmën shumë familjeve, përveç të tjerave, pas çlirimit në Vlorë, në emër të shtetit kish përvetësuar shuma të mëdha florinjsh të ish- tregtarëve. Ky njeri më hiqesh i përzemërt e dashamirës si ish- bashkëluftëtar, por unë e dija që shtiresh. Ai nga njëra anë intrigonte për origjinën time familjare dhe nga ana tjetër, kur mbarova shkollën e lartë, donte të më jepte të motrën për grua të cilën unë nuk e pranova ndonëse ajo nuk ishte fajtore. Pra, ndonëse ai ish një bashkëluftëtari im, në shpirt më urrente dhe në pikëpamje ishte i dyzuar. Hiqesh si parimor, por ishte dallkauk që mund të linte në baltë kur të duash. Prandaj kur ma përsëriti edhe ai atë për E.Hoxhën, mendova që ky ishte një provokacion dhe si një argument denoncimi të mëvonshëm. Edhe atij i fola ftohtë, e vazhdova rrugën.

Si dolët nga këto provokacione?

Ngjarjet që më kishin ndodhur në vitin 1948 kur vazhdoja studimet në shkollën teknike, më kishin bërë më të kujdesshëm dhe u ruhesha provokacioneve. Dhe E.Hoxha, duke përdorur armën më të fortë që i prekte të gjithë, se ajo që ndodhi në Konferencën e Partisë ishte veprimtari minuese e agjentëve të revizionistëve jugosllavë, ndërmori fushatën e represionit për të “spastruar partinë nga elementi armik”. Dhe të gjithë i kishte në dorë se “ia kishin hapur zemrën Partisë”. U evidentuan kryesisht disa intelektualë si Pajo Islami, N.Zotom, të cilët mund të bëheshin më të rrezikshëm, ndërsa të tjerëve ja u shënoi në dosje “zullumet” për t’jua mbajtur vëth në vesh. Dhe u organizuan mbledhjet e organizatave për demaskimin e atyre si vegla të agjenturës jugosllave kundër Partisë dhe unitetit të saj, gjë që i prekte më shumë komunistët dhe të gjithë popullin. U bë mbledhja e byrosë në Kinostudio. I deleguar i Komitetit të Partisë ishte V.Aristidhi, të cilin në atë kohë nuk e njihja, por që më vonë do të më shkaktonte shumë telashe. Edhe aty u bë thirrje që “të hapesh zemra”, çfarë kishin dëgjuar dhe çfarë na kishin thënë ata që akuzoheshin për ngjarjet. U duk qartë se ishin piketuar qysh më parë personat për të cilët do të merreshin masa ekstreme. Sytë e të deleguarit dhe të sekretarit të Partisë u përqendruan tek unë. Kuptova se ata i dinin ato që më kishin thënë në takimet para hotel “Dajti” për E.Hoxhën. Nuk ishte vetëm shoku im i punës, por edhe një n/kolonel i Ministrisë së Brendshme. Dyshova për një provokim të ri. Në rast se nuk denoncoja, ata më kishin në dorë. Argumenti: Isha i biri i Tahir Hoxhës i burgosur politik në Burrel.

Çfarë bëtë në një rast të tillë?

Isha në dilemë, midis ndërgjegjes dhe presionit që po më bëhesh. Por, thashë me vete, edhe sikur unë të mos denoncoj, këta e dinë dhe do të jetë më e rëndë për mua. Prandaj thashë ato që më kishin thënë. Këtë e përsërita edhe në mbledhjen e organizatës, ku kish ardhur si i deleguar Manush Myftiu. Por fjalën më të ashpër në organizatë e mbajta karshi një njeriu me dy faqe, hileqari e dallkauku që hedh gurin e fsheh dorën. Ndërsa për N.Zoton, ndonëse kisha marrëdhënie shumë të ftohta me të, u përpoqa që ta mbroja dhe nuk isha dakord që të përjashtohesh nga partia si një kuadër i përgatitur që ishte. Mbrojtja ime shkaktoi habi edhe te vetë Nesti, ndërsa M.Myftiun e pashë që ishte i pakënaqur nga fjalët e mia për Nestin. Por më e çuditshme u duk kur ai që po betohesh për ndershmëri dhe mbrojtje të Partisë u vu i pari kundër Nestit, që ishte shoku më i ngushtë i tij dhe së bashku bënin ligjin në Kinostudio.

Ku do të përqendrohej diskutimi juaj?

Diskutimi im në organizatën e Partisë u përqendrua kryesisht në adresë të atij që mori përsipër flamurin e mbrojtjes të Partisë dhe u vërsul kundër shokëve më të ngushtë duke dashur të krijonte përshtypjen që po të kishte qenë ai nuk do ndodhte asgjë në mbledhjen e partisë. Ai m’u duk si ata njerëzit që në një miting të madh çajnë me supe për të dalë në krye të turmës së irrituar dhe për të marrë flamurin e shpëtimtarit, gjë të cilën e shpreha tekstualisht në mbledhje dhe ai për këtë nuk e harroi për tërë jetën dhe më organizoi shumë intriga e mbrapaskena. Kritika ime karshi atij që po merrte përsipër me zjarr mbrojtjen e vijës së Partisë u duk shumë e çuditshme dhe si një farë kundërvënie të qëllimit të mbledhjes. Por mbledhjet tona në kinostudio që ndodhën para, gjatë dhe pas Konferencës së Partisë së Tiranës shpallën një alarm, një rrezik të ri që do të futesh si ai krimbi që bren nga brenda një mollë të bukur nga jashtë dhe do të minonte atmosferën e asaj pranvere të hershme, që lulëzonte në atë dimër të vitit 1954 për të cilin kam shkruar. Ajo mbledhje zbuloi në sytë e të gjithëve se brenda ishte futur djallëzia e pabesia, dyfaqësia dhe hipokrizia që pas disa vjetësh do të ishin fenomene që do të nxiteshin e ushqeheshin edhe nga organet më të larta nëpërmjet “ambasadorëve” të tyre mbasi kjo frymë u interesonte për të futur frikën si dhe për të krijuar një rrjet të tërë survejimi që të kontrollonte plotësisht mendimet e secilit.

Fitorja

Enveri shpartallon “armiqtë”

“Për E.Hoxhën Konferenca e Partisë së Tiranës u kthye në një fitore si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Nëpërmjet alibisë së veprimtarisë armiqësore të jugosllavëve prekte në plagë komunistët dhe dilte para popullit me flamurin e mbrojtjes së interesave kombëtare, nxiste urrejtjen kundër Titos dhe justifikonte qëndrimin karshi tij që të kishte besimin e popullit. Në këtë mënyrë ai mbrohesh edhe karshi N.Hrushovit dhe i jepte të kuptonte atij se nuk mund të pajtohesh me Titon, sikurse i gjithë populli shqiptar, që provonte çdo ditë pabesinë e jugosllavëve. Në këtë aspekt ai arriti një fitore në interes të brendshëm dhe të jashtëm. Kështu që “alibia” e veprimtarisë armiqësore jugosllave në Shqipëri bëri që politika hrushoviane e liberalizimit dhe e luftës kundër kultit të individit, që kishte si qëllim përfundimtar eliminimin e gjithë udhëheqësve stalinianë në të gjitha partitë komuniste dhe punëtore dhe vënien e kësaj lëvizjeje nën kontrollin e tij, në Shqipëri, të mos kishte suksesin e duhur. Prandaj u duk se ai, Hrushovi, përkohësisht ndërroi rrugë, në formën e lajkave dhe krijimin e disa privilegjeve në fushën ekonomike, të cilat u shfaqën menjëherë në tregun shqiptar me një përmirësim të dukshëm të tij. Nga ana ekonomike, Shqipëria kishte nivel të ulët, por ajo filloi të rritesh gradualisht deri në vitin 1961. Tregu filloi të furnizohej edhe me mallra industriale. Në “MAPO” erdhën televizorët dhe motoçikletat e para, filluan të organizoheshin panaire tregtare çeke e gjermane, parada mode etj.. Në rrugët e Tiranës u duk edhe një vajzë që ngiste motoçikletën që ishte një gjë e rrallë në 1958. Në Tiranë filluan vizitat pa mbarim të udhëheqësve kryesorë të ish- vendeve të Demokracive Popullore, përkrahës të N.Hrushovit, të cilët priteshin me ceremoni madhështore si shenja përzemërsie e sinqeriteti, ndërsa të dy palët ia kishin me hile njëri- tjetrit”.

EPILOGU

Kështu që Shqipëria thelloi rrugën e saj komuniste totalitare ndërsa në shtetet e tjera socialiste shpërthyen revoltat kundër regjimit, të cilat arritën kulmin me kryengritjen hungareze në vjeshtën e vitit 1956 që u quajt “Kundërrevolucioni hungarez”.

KAMPI

Ngjarjet Tronditëse

“Ngjarje të rëndësishme dhe tronditëse kishin ndodhur në Kampin Socialist. Në BS po ndodhnin gjëra të pakonceptueshme për atë kohë. Nikita Hrushovi ishte ngritur kundër Stalinit “kundër kultit të individit”. Në Shqipëri kjo kishte shkaktuar habi, por edhe pakënaqësi e mosaprovim. Stalini dhe BS-ja ishin bërë për ne shpresa e çdo aveniri. Arsyeja tjetër e pakënaqësisë sonë ishte vizita e N. Hrushovit në Jugosllavi dhe rehabilitimi i J.B.Titos. Të gjithë ne kishim një urrejtje për shovinizmin serb, jo vetëm për krimet në Kosovë, por edhe për ngjarjet që kishin të bënin me ta gjatë dhe pas Luftës që mbasi na zhveshën nga çdo pasuri që trashëguam donin ta kthenin edhe Shqipërinë në një republikë të 7-të të tyre. Megjithatë dënimi i disa ish -kuadrove drejtuese të luftës antifashiste dhe ndikimi hrushovian për rehabilitimin e tyre filloi të ndihesh dhe të quhesh i padrejtë. Për mua personalisht kishte lënë një shije të hidhur dënimi, izolimi dhe internimi i Sejfulla Malëshovës që ishte një intelektual i mirëfilltë. Unë me Sejfullain isha takuar vetëm një herë, rastësisht kur ishte ministër i Shtypit Propagandës dhe Kulturës Popullore në vitin 1945, por kisha një adhurim për të nëpërmjet të poezive të luftës, të cilat i mbaja përmendsh. Kështu që dënimet e disa kuadrove si Tuk Jakova, Bedri Spahiu ose Koci Xoxe, ndonëse unë për këtë të fundit nuk kisha asnjë simpati, bile e quaja me vend dënimin e tij si një njeri i rëndomtë, kishin filluar të trazonin mendjet tona dhe kërkonin një rishikim. Megjithatë ngjarjet në B. Sovjetik dhe presionet që bënte Hrushovi për të ushtruar ndikimin në të gjithë Kampin Socialist gjeti një përkrahje të heshtur që gradualisht po formohej si një dizidencë kundër kreut të regjimit dhe kërkohesh që edhe ne të rehabilitonim disa ish kuadro që ishin lidhur me ngjarje të rëndësishme të luftës”.