ISH-SHEF I KATEDRËS SË ZBULIMIT NË AKADEMINË USHTARAKE

934
Albert Z. ZHOLI

Ushtria shqiptare ishte e shpërndarë në çdo cep të Atdheut 
Flet Xhemil Çelaj, ish-ushtarak i lartë: Si u katandis ushtria e kryekomandant Berishës në marsin e egër të 1977-s, Nën dritën e zhvillimeve të 5 ditëve të para të gjendjes së jashtëzakonshme, nga 2 – 7 mars 1997
Xhemil Çelajka qenë shefi i degëssë zbulimit në Korpusin e Shkodrës. Ish shef i Katedrës së zbulimit në Akademinë Ushtarake deri në pension.
Si do ta cilësoni ushtrinë e një vendi? 
Në çdo sistem ekonomik-shoqëror dhe në çdo shtet, ushtria ka qenë dhe mbetet një nga segmentet më të qenësishme, më të qëndrueshme të një shteti të organizuar e modern për kohën. Qëndrimi i shtetit, i partive politike, qytetarëve dhe i të gjitha organizmave dhe institucioneve shoqërore ndaj ushtrisë, është shprehje e drejtpërdrejtë e unitetit të çdo vendi, të popullit dhe të institucioneve politike, administrative e shoqërore. Ky unitet i domosdoshëm, por edhe i mundshëm, në mendim dhe në veprim në problemet kryesore, buron nga vetë funksioni i ushtrisë: mbrojtje e paprekshmërisë së territoreve të vendit, si detyrim ligjor, kushtetues e moral i çdo force politike dhe shtetari. Edhe pse mund të ketë mendime të ndryshme për rrugët e realizimit të këtij misioni, duke qenë se qëllimi është i njëjtë, mundësitë për njësim mendimi e veprimi, për kompromise, janë shumë më të lehta se për problemet e tjera. Gjykoj se është e rëndësishme që partitë politike që lozin rol në jetën e vendit, ta vlerësojnë realisht njëra tjetrën duke pasur besim në sigurimin e mbrojtjen e vendit me alternativat përkatëse. Kjo kërkon emancipim demokratik të klasës politike të vendit. Një shembull të drejtpërdrejtë, me sa më kujtohet e, nëse nuk gaboj, unë e pashë pas zgjedhjeve të fundit në SHBA. Presidenti i ri i vendit funksionin e ministrit të dikasterit të Mbrojtjes ia besoi partisë kundërshtare, edhe pse ushtria amerikane do t’i nënshtrohej reformave të rëndësishme për t’iu përshtatur zhvillimeve bashkëkohore në Evropë dhe në botë.

Besoj kështu do të dëshironim të ishte edhe për ushtrinë shqiptare? 
Natyrisht, për vetë shkallën e emancipimit demokratik të klasës politike, nuk prisja dhe nuk mendoja që ky dikaster t’i jepej partisë opozitare. Madje ajo nuk iu dha as partive të koalicionit. Gjithsesi, mendoja e mendoj se partia në pushtet, edhe pse në kushtet e një lufte të ashpër politike me rivalët e saj, duhet të tregonte sadopak dashamirësi në sinqeritetin e programeve të tyre në fushën ushtarake, të ndërtimit dhe të funksionimit të ushtrisë. Të gjitha forcat politike deklaronin se ishin për reformim rrënjësor të FA. Gjykoj se, partia në pushtet, duke marrë nismën, duhet të organizonte debate të gjera krahas me partitë politike, faktorin ndërkombëtar dhe me specialistë ushtarakë për të tërhequr, pa paragjykime, mendimet e tyre të kualifikuara. Pa mëdyshje edhe të ushtarakëve në pension, rezervë a të liruar. Nuk duhej mjaftuar vetëm në mendimin e disa ushtarakëve servilë politikë e të dashuruar pas karriges. Ata, edhe pse mes tyre ka ushtarakë të aftë, profesionalisht kanë një përvojë minimale karriere e sidomos të detyrave të larta që u janë besuar, ku edhe hartohen reformat, por që kishin një përvojë minimale.

Po vetë si e kujtoni përkushtimin ndaj ushtrisë?
Si qytetar që i jam përkushtuar ushtrisë dhe mbrojtjes së vendit që nga mosha 12 vjeçare e deri sa dola në pension, duke shërbyer në kuptimin më të drejtpërdrejtë të fjalës në çdo cep të Atdheut, sipas parullës së kohës “Ku ka nevojë Atdheu” si dhe shumë të tjerë, mbrojtja e vendit dhe reformimi i ushtrisë më ka tërhequr dhe i kam ndjekur e ndjek me vëmendje. Ecurinë e tyre, edhe gjatë kohës më shumë se një-vjeçare që gjendem në Greqi, i kam ndjekur më vëmendje, deri sot, më dt. 8 Mars 1997 që po shkruaj këto radhë. Personalisht më shtyn të shkruaj keqardhja e madhe që ndjej për gjendjen tepër të mjeruar ku u katandis ushtria e vendit tim. Për të, bashkë me shokët, sakrifikuam gjithë jetën. E kam të vështirë të pranoj, edhe thellë në ndërgjegjen time, se tashmë nuk kemi ushtri. Realiteti, edhe pse i hidhur, sikurse tregoi java e parë e muajit Mars 1997, është i tillë. Të jem i gabuar?! Kështu do dëshiroja të ishte. Por shkalla ime e njohjes së zhvillimeve në Shqipëri e aftësitë analizuese e përgjithësuese, më shtyjnë në përfundime të tilla të dhimbshme.

Si po rrokullisej ushtria shqiptare në ato ditë të marsit 1997? Po në retrospektivë si do ta përkufizonit ushtrinë tonë?
Gjendja ku po rrokullisej ushtria shqiptare ato ditë, parë në dritën e diellit, më bën që të kthej vështrimin pas, të ndalem pak në historinë, kryesisht personale ushtarake që natyrisht e njoh dhe e përjetoj më fuqishëm. Pastaj të mundohem të radhit edhe ndonjë mendim për zhvillimet e viteve të fundit në ushtri, deri në ditët e sotme. Kthej vështrimin pas, pasi shpërbërja, me sa duket e pandalshme e ushtrisë, nuk është një veprim i menjëhershëm i zhvillimeve drithëruese të muajve shkurt-mars. Ushtria e sotme shqiptare, pavarësisht qëndrimeve politike mohuese të ditëve të pluralizmit, është vazhduese e drejtpërdrejtë e UNÇSH dhe më pas, sikurse u quajt ajo që pasoi, Ushtrisë Popullore. Ushtria e mbretit Zog, edhe pse krijoi një farë tradite të pamohueshme të ushtrisë së kazermës (natyrisht me kufizimet e saj), me braktisjen nga komanda e lartë ushtarake dhe vetë mbreti që ditën e parë të sulmit italian për pushtimin e vendit, më 7 Prill 1939 në kundërshtim me moralin që duhet të përcillnin nga ky kënd, ajo u shpërbë si kripa në ujë. Asaj nuk i mbeti, as nami e as nishani si strukturë organizative, pa folur për komandën e lartë që u arratis apo u bashkua me pushtuesin. Atë që u organizua dhe u përfshi në përbërje të FA pushtuese italiane, sikurse deklaron, fatkeqësisht edhe ndonjë ushtarak, unë nuk mund ta quaj ushtri shqiptare. Ajo është një turp tjetër i gjithë atyre që u bënë pjesë e asaj ushtrie mercenare, veçanërisht e kuadrove ushtarake të saj. Në kushtet e pushtimit fashist të vendit, për ngritjen e ushtrisë shqiptare, çdo gjë u fillua nga embrioni, nga njësitet e vogla guerile. Të vjen për të qeshur me disa të ashtuquajtur historianë ushtarakë, që duke u vënë në shërbim të një politike të dyshimtë, ndërsa nga njëra anë duan të “vërtetojnë” se UNÇSH “trashëgoi” nga ushtria e Zogut, si bazë të saj, disa kuadro dhe ndonjë armatim. Kjo as mund të mohohet e as duhet të ngrihet në piedestal. Por këta pseudo-historianë mohojnë deri në skajshmëri se ushtria e këtyre viteve të tranzicionit të ketë trashëguar, qoftë edhe një majë gjilpëre nga Ushtria Popullore, ushtri që mbrojti me dinjitet vendin për mbi 40 vjet. Koha do të vërtetojë e do të flasë realisht, jashtë pasioneve e presioneve të politikës së ditës, se kush dhe çfarë ka trashëguar ajo nga të dy sistemet e kaluara.

Si u riorganizua ushtria jonë pas çlirimit të vendit nga pushtuesit e bashkëpunëtorët e tij?
Menjëherë pas çlirimit të vendit nga pushtuesit e bashkëpunëtorët e tij, Ushtria Partizane Nacional Çlirimtare, me shumë mundime e sakrifica, më shumë e bazuar në pasionin, përkushtimin e sakrificat e panumërta të kuadrove thuajse të të gjitha shkallëve se sa në dije, po transformohej në një ushtri të rregullt, moderne të kohës. Shkallë shkallë, krahas këmbësorisë, artilerisë, shërbimit informativ e ndonjë arme e shërbimi tjetër të krijuar e zhvilluar që gjatë LANÇ-it, lindën e u përsosën edhe llojet e armëve e të shërbimeve të domosdoshme për një ushtri të paracaktuar për një luftë moderne. Krahas Forcave Tokësore me gjithë përbërësit e vet, lindën dhe dy përbërësit e tjerë të ushtrisë: Forcat Ushtarake Detare dhe ato Ajrore. Ushtria, nga viti në vit pajisej, jo vetëm me armatim por edhe me teknikë luftarake e materiale të kohës. Mbështetur në politikën që ndiqte udhëheqja politike e ushtarake e vendit dhe të marrëdhënieve ndërshtetërore që vendoste, armatimi, në fillim ishte sovjetik e më pas kinez. Megjithatë, duhet thënë se armatimi e pajisjet ishin të të njëjtit tip dhe nuk kishte përzierje. Veçanërisht armatimi i këmbësorisë dhe një pjesë e atij të artilerisë, ishte i një niveli bashkëkohor dhe tepër i bollshëm në sasi e cilësi.

Sipas jush, ushtrinë, në vlerat e saj, para së gjithash e bëjnë njerëzit? 
Rol parësor luajnë kuadrot ushtarak. Në përgatitjen e tyre (përzgjedhja bëhej nga kënde të ngushta politike por më kritere të shëndosha profesionale), u ndoqën dy rrugë: përgatitja brenda vendit dhe dërgimi për studime jashtë shtetit, në fillim në Jugosllavi dhe më pas në Bashkimi Sovjetik. Për përgatitjen e tyre brenda vendit kujdes iu kushtua hapjes, funksionimit e përsosjes së të gjitha hallkave të sistemit arsimor ushtarak, fillimisht me kurse afatshkurtra, afatmesme për të kaluar në shkolla ushtarake dy e tre vjeçare. Si model, fillimisht u mor ai i vendeve me të cilat kishte lidhje ushtarake. Më pas u bënë përpjekje të mëdha e serioze për t’iu përshtatur kushteve konkrete të vendit dhe rreziqeve që i kanoseshin atij në kushtet e zhvillimeve ndërkombëtare, të ndarjes së botës në dy sisteme e blloqe ushtarake si dhe të Luftës së Ftohtë.

Që në Nëntor 1944, u hap Kursi i parë i përgatitjes së oficerëve? 
Ai u organizua në funksion të përgatitjes së kuadrove të shkallës së ulët të komandimit, si një nevojë imediate për përgatitjen e ushtrisë partizane që do të futej në kushte kazerme. Më pas Kursi u ngrit në shkollë të përgatitjes së oficerëve si dhe u hapën edhe Kurse të Larta për përgatitjen edhe të kuadrove të shkallës së mesme. Në fund të viteve ’50-të, me prishjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, u ngrit arsimi i lartë ushtarak në shkallë akademie e kursesh pas akademie. Në vitet ’60-të e më pas, u arrit që në tërësi kuadrot e të gjitha specialiteteve dhe për të gjitha shkallët e komandimit e të drejtimit, të përgatiteshin në vend. U krijua dhe u përsos një personel i kualifikuar pedagogjik në tërë sistemin e kualifikimit ushtarak të të gjitha strukturave të mbrojtjes së vendit, përfshi edhe ato të FUD, FUA e të MPBr. Ashtu sikurse kryekomandanti i sotëm i FA, z. Sali dhe politikanët e tjerë shqiptarë, vijuan shkallët e arsimit shqiptar deri atë të lartë dhe u formuan intelektualisht e profesionalisht duke u bërë njerëz të aftë në profesion sikurse edhe duke zënë sot vend në majat e politikës shqiptare, nuk duhet të harrojnë se të tillë ishin edhe shumica e kuadrove ushtarakë që mbaruan shkallët e ndryshme të arsimit ushtarak shqiptar. Ata mbajtën mbi supet e tyre, pa u përlyer e turpëruar para atdheut, barrën e rëndë të një ushtrie të madhe, mbarë popullore. Por fatkeqësisht, aftësitë profesionale të tyre, përkushtimi e përvoja, në një moment kyç, sikurse ishte ai i reformimit të thellë të ushtrisë shqiptare në kuadrin e periudhës së tranzicionit, jo vetëm nuk u mbajtën në vëmendje, por edhe u përçmuan, u shkelën brutalisht me këmbë. Si ushtarakë ndjenim kënaqësi për arritjet në gjithë fushat e veprimtarisë sonë. Këtë kënaqësi, duke e zhveshur nga politizimet e kohës së atëhershme, por edhe të kohës berishiane, e ndjej edhe sot ende të gjallë, madje të freskët. Pasi mbarova vetë të gjitha shkallët e arsimimit ushtarak, përfshi edhe atë të Lartë, në 12 vitet e fundit të jetës ushtarake punova si pedagog e punonjës shkencor në institucionin më të lartë ushtarako-shkencor të vendit, në Akademinë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm. Në këtë mënyrë m’u dha rasti të jem vetë pjesëtarë i trupit pedagogjik ushtarak. Me kënaqësi mund të them se, me përqendrim maksimal, kryesisht të potencialit intelektual të trupit pedagogjik si dhe të studentëve e të kuadrove, edhe pse me kufizime, shpesh edhe të theksuara të bazës materiale didaktike mësimore, kryesisht të asaj bashkëkohore si dhe të kushteve të jetesës, arritëm të përgatisnim kuadro të aftë profesionalisht, të përgjegjshëm politikisht e atdhetarisht për misionin, por edhe tepër të ndërgjegjshëm për të sfiduar vështirësitë e shumta të kohës. Dihet se për shkak të Politikës së Sigurisë dhe të Mbrojtjes që ndiqte në atë kohë shteti shqiptar, ushtria shqiptare ishte e shpërndarë në çdo cep të Atdheut, në çdo skaj të kufirit shtetëror, në çdo drejtim, jo vetëm operativ e strategjik, por edhe taktik të dorës së dytë apo rajone të desantimit ajror të shkallës taktike. Këtë e shoqëroi edhe shpërndarja e armatimit dhe e municionit pranë kontingjentit që i përkiste. Në rastin që po flasim nuk më duhet dhe nuk analizoj politikën dhe ideologjinë e kohës, ashtu sikurse nuk mohoj edhe ndikimet që ajo ka pasur edhe në zhvillimet ushtarake. Kjo përbën një temë tjetër që, po pata mundësi edhe do t’i kthehem më vonë. Problemin e shikoj thjesht nga ana teknike e ushtarake. Sot janë thënë e mund të thuhet gjithçka për Ushtrinë Popullore, deri edhe në ndërrimin e emrit të saj aq kuptimplotë.

Veç një gjë nuk mund të mohohet: 
Edhe pse e shpërndarë (efektivi e armatimi) në të gjithë vendin, gati në çdo majë mali e fshat, ushtria nuk pati asnjë problem serioz në gatishmërinë luftarake, në jetesën e efektivave. Edhe pse më vështirësi jo të pakta për kushtet e jetesës e të punës së kuadrove; nuk pati asnjë problem për ruajtjen, mirëadministrimin e mirëmbajtjen e armatimit e të teknikës së shumtë luftarake. Mbi të gjitha nuk pati, moskuptim apo kundërvënie të ndërsjellë me popullsinë vendase. Në të kundërt ushtri-popull, qëndronin kompakt në funksion të misionit fisnik të përbashkët – mbrojtjen e atdheut. Ajo që na jepte kënaqësi të veçantë dhe që shpërfillnim lodhjen, sakrificat e privacionet, ishte lidhja e ngushtë, mirëkuptimi dhe bashkëveprimi i efektivave të reparteve e njësive ushtarake, deri në zonat më të largëta, me popullsinë vendase. Sidomos për garnizonet e largëta ushtarake e të izoluara, këto lidhje përbënin edhe garancinë më të madhe për ruajtjen e territoreve të tyre, të objekteve në to deri edhe të teknikës e të armatimit të shumtë. Në këtë parashtrim ritheksoj, se nuk synoj të marr në mbrojtje politikën dhe ideologjinë e kohës. Në këto momente tepër të hidhura për mua, si për çdo ish-ushtarak, lidhur me gjendjen ku është katandisur ushtria shqiptare, e ngritur me aq mund, djersë e sakrifica nga populli dhe kuadrot ushtarake të të gjitha shkallëve, më duhet që profesionalisht të vë në vëmendje faktin: Ndërsa atëherë populli mbronte magazinat ushtarake, armatimin e teknikën luftarake, në ditët e sotme, në të ashtuquajturin “shtet demokratikas” ai, populli, të paktën deri tani e kryesisht në zonën e Labërisë, por që gjasat janë të zgjerohet hapësira në gjithë vendin ku funksionon e ashtuquajtura “gjendje e jashtëzakonshme”, i sulmoi depot dhe armatimin e teknikën, i mori nën administrimin e vet. Fatkeqësisht kjo duket se është gjendja në Jug të vendit.

Vijon nesër…
Sigal