Sigal

INTERVISTA/ Rrëfimi i Jani Priftit, tankisti i hekurt i Pocestës. Shërbimi 30-vjeçar në repart special, nga të cilët 17 vjet komisar i tij. Si u shkatërrua reparti i armatimit të rëndë

Pëllumb Çuni

Tanket e Pocestës tani janë kthyer në histori dhe kujtime. Tanket e Pocestës nuk janë më të gjallë. Përbindëshit e çeliktë, krenaria e ushtrisë sonë të dikurshme tani jetojnë vetëm në kujtimet e ushtarëve që shërbyen për t’i mbajtur në gatishmëri, bënë stërvitje e qitje. Tani tanket mbeten kujtime në sytë e oficerëve që tretën vite jete mes tankeve. Si për të shuar mallin derdhin sytë në fotot e bëra në ato vite, se tanket kanë mbetur veç në fotografitë që ata bënë.

Jani Priftit, oficerit me mustaqe, që në moshën 18-vjeçare, tanket e Pocestës i hëngrën plot 30 vite shërbimi, gatishmërie e komandimi. Po ai numëron si vite me tanket 34 vite. Uniformën ushtarake e veshi që në moshën 11 vjeçare. U rrit me tanket.

– Si e nisët jetën me tanket?

– Si u miqësova me tanket, më thuaj. Kam qenë oficer i ri me mustaqe, të cilat nuk i hoqa, edhe pse Fiqirete Shehu dhe Kadri Hazbiu më kërkuan që t’i shkulja, t’i rruaja. Unë me kokëfortësinë time i mbajta. Mustaqet, të cilat i kam dhe sot dhe janë të vetmet që më kanë mbetur nga jeta ime prej ushtaraku tankist. Ne, tankistëve na flakën shpejt, na larguan nga ushtria jo me meritat që na takonin, në të tilla raste, pas mbarimit të karrierës ushtarake. Unë kam qenë 34 vjet oficer tankesh dhe marr një pensin sa gjysma e kapterit që del sot në pension. Nuk ka qenë e lehtë komandimi dhe shërbimi në repartet e tankeve. Rrezikun e kishe të pranishëm në çdo pëllëmbë të repartit. Një pakujdesi e vogël dhe mund të merrje veten në qafë dhe shokët. Një pakujdesi dhe dëmi do të qe tepër i madh dhe me pasoja.

– Konkretisht, diçka nga jeta apo mbani ende sekrete. Nga pyetja e parë sikur më devijuat?

-Tanku do manovrim. Po nuk e manovrove tanku të hedh në kanal. Do forcë krahu dhe mendje të freskët. Apo kur shkreh predhat. Anë teknike që ne nuk gabuam. Gabime pati, por jo të dëmshme si për ushtarët dhe civilët. Që në moshën 11-vjeçare vesha uniformën ushtarake. Si mbarova klasën e 6-të në qytetin e Ersekës shkova në shkollën ushtarake “Skënderbej”, ku aty përfundova 7-vjeçaren dhe të mesmen. Më mbrapa ndoqa dy vjet kursant për oficer tankist.

-Sa zgjati jeta juaj me tanke?

-Plot 34, pa shkëputje. Edhe tani që më sheh në këtë moshë më hanë duart të ngas tankun. Po ku e ke, më thuaj? Katër vjet i kalova në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe që nga viti 1960 në tanket e repartit të Pocestës së Korçës, deri në vitin 1990.

-Kur kanë ardhur për herë të parë tanket në Korçë?

-Për herë të parë erdhën në vitin 1949. Ishin tanke rusë të dalë nga Lufta. Vendet ku kishin marrë plagë ua kishin mbushur me çelik dhe pastaj i kishin lyer me bojë. Po dalloheshin po t’i vështroje mirë. Më vonë tanket rusë u zëvendësuan me tanke kinezë që ishin të rinj dhe më të shpejtë. Tanket e Pocestës qëndruan me predhën në fole, në gatishmëri të lartë dhe në siguri po të tillë.

-Patët ndonjë incident?

– Sigurisht që patëm, por që i neutralizuam me gatishmërinë dhe vullnetin si të ushtarëve dhe oficerëve. Ushtari që bënte shërbimin shkrehu gabimisht automatikun dhe plumbi depërtoi në një predhë tanku në depo. Në depo kishim njëmijë predha. Po të shpërthenin ato rrafshonin qytetin e Maliqit dhe të Korçës. Ushtarët të thirrur në alarm, me shpejtësi nxorën predhat jashtë, izoluan predhën e ndezur. Ushtarët dhe oficerët shpëtuan predhat, tanket dhe veten e tyre. Sot digjen pyje dhe nuk çajnë kokë. Po tanket morën goditje vdekjeprurëse.

-Kur e morën goditjen tanket?

-Në vitin 1997 ra lavdia e tankeve të Pocestës. Unë kisha 5 vjet që më kishin nxjerrë në pension. Pas afro 50 vitesh reparti i Pocestës u çarmatos. Ra gatishmëria dhe tanket u shpërndanë kanaleve dhe një pjesë i morën banorët për në shtëpitë e tyre. Pasi mora vesh, pas dy ditësh shkova në Pocestë. Tanket i gjeta nëpër kanale. I kishin zhveshur. M’u mbushën sytë me lot. Më vonë i mblodhëm dhe i futëm në strehim ashtu të gjymtuar një pjesë. Por nuk i pashë më që nga ajo ditë, nuk e di se ku shkoi ai çelik.

-Mundet të na tregoni ndonjë gjë të veçantë nga ditari jetës së tankeve?

-Po të flas për një aventurë që u bë në një stërvitje, ku i nxorëm tanket nga tunelet, më 15 shkurt dhe i nisëm kodrave, drejt komunës së Voskopojës, në vendin e quajtur Bode, mbi fshatin Shipskë. Ajo stërvitje na i shkatërroi tanket. U kthyen në bazë me shumë defekte dhe na u desh shumë punë për t’i riparuar. Temperatura arriti në minus 19 gradë celsius. Na u fundosën pesë tanke. Në muajin maj i kemi nxjerrë nga groposja. Një komandë e dhënë gabim në lëvizje, pa e njohur dhe studiuar terrenin desh na i groposi të gjithë tanket. Pesë tanket e parë u mbytën në baltë duke na rrezikuar dhe ekuipazhin. Tanket e tjerë nuk i lamë që të ecnin në atë drejtim. Në këtë stërvitje i nxorëm që të gjithë tanket në “luftë”. Një stërvitje tjetër po në dëborë e në mot të keq ishte dhe ajo që bëmë në malin e Orenit. Tankistët tanë kishin mësuar nga “lufta” e Bodesë tani. Në fillim tanket i drejtonin ushtarët që bënin 36 muaj ushtri. Më vonë morën tankistë me rrogë. Me tanket dolëm dhe jashtë Korçës. Kaluam majën e Çervenakës dhe zbritëm në fushën e Domosdovës. Edhe ky marshim u bë në një mot me shi dhe furtunë. Stërvitjet bëheshin të planifikuara. Moti si të qëllonte. Nuk kishte kthim të stërvitjes së programuar.

-Kush e vizitoi nga të mëdhenjtë e kohës repartin tuaj?

– Në repartin e tankeve të Pocestës që mbante emrin e koduar “Çeliku”, ishte repart special erdhën për vizitë Hysni Kapo, Beqir Balluku, Simon Stefani. Me qindra fletë-lavdërimi dhe vlerësime të tjera morale u dhanë tankistëve si dhe oficerëve. Unë për 17 vjet kam qenë komisar i këtij reparti special. Por asnjëherë nuk e lashë stërvitjen dhe pa e ngarë tankun tim, ku mësova kursantë dhe oficerë të rinj. Për 30 vjet që unë hëngra në repartin e Pocestës, na ndodhi vetëm një vetëvrasje ushtari. Një ushtar na e vrau veten, pse i kishte dhënë një gisht graso zetoristit të fermës. Tani korrupsioni shqyen si ujku. Nuk po na japin ne ushtarakëve vlerësimin që na takon.

-Po incidente të tjera patët?

-Një incident na ndodhi në fshatin Shëngjergj. Tanku rrëzoi një banesë, por për fat të mirë nuk pati viktima në njerëz. Kishte ardhur për të ndjekur stërvitjen Petrit Dumja, shef i Shtabit të Ushtrisë. U nxorën tanket për t’u ngjitur në Malin e Thatë. Njëri prej tankeve gjatë zbritjes mori superxhiro. Pesha e tij ishte 36 ton. Tanku hyri në shtëpinë e një banori dhe e bëri shesh. Me fondet e ushtrisë për një muaj e gjysmë ia ngritëm shtëpinë në këmbë dhe hyri brenda. Po nuk do të lë pa përmendur dhe vështirësitë që përballonin ushtarët, të cilët gjatë punës për të siguruar vendkalimet mes kanaleve punoni të zhytur në ujë, në baltë, në vapë, si t’i zinte radha e punës dhe si të ishte moti.

-Sa tanke kishte reparti i Pocestës?

-Aty tek 63 copë me sa më kujtohet. Por sot nuk ka asnjë sa për ta mbajtur si kujtim. Reparti është ngritur, por pa tanke. Unë shkoj për mall. Tani atje kanë mbetur hije e kujtime tankesh. U zhdukën tonelata çeliku special, tytat e topave, mitralozat e rëndë, bunkeri me të cilët ata ishin ngarkuar.

-Dukeni në formë për moshën si e ruani këtë shëndet?

-Në mëngjes vete në palestrën e doktor Isuf Saliçes. Aty stërvitem dy orë. Pastaj kthehem e pi kafe. Nuk më gjen asnjëherë vetëm në tavolinë. O do të më gjesh me një ish-ushtar tankist, o me një oficer, o me një prind të tyre. Jam 71 vjeç, por kam aq forca sa të drejtoj përsëri tankun. Një pjesë e mirë e shokëve na kanë lënë. Një pjesë kanë mërguar dhe na çojnë të fala. Jetoj me kujtimet e tankeve. Ka net që më ushtojnë veshët dhe më duket sikur me thërresin tanket.

-Si dolët në pension?

-Në fakt më pushuan drejtuesit e rinj që erdhën në Divizionin e Korçës, për kokëfortësinë time, sepse nuk rashë dakord me idetë e tyre. Tani dhe divizioni është shkërmoqur. Ata që erdhën në drejtim kujtuan se do ta kishin të gjatë që të qëndronin në ushtri. Edhe ata i zuri reforma e mëpasme. Unë mbusha 34 vjet mes tankeve, po të kisha qëndruar dhe dy vite deri sa dola në pension më bëheshin 36 vite pranë përbindëshave të hekurt. Nuk është ushtri ajo që nuk ka tanke, që nuk ka avionë. Ne kemi ushtarakë, pa ushtri. Unë mbetem tankist. Jeta prej ushtaraku që ne kaluam i ngjan personazhit të romanit të Dino Buzzatit “Shkretëtira e Tartarëve”.

Mekanizimi

Si u armatos ushtria me 1200 tanke

Ushtria shqiptare në fund të vitit 1980 dispononte më shumë se 1200 tanke e mjete të blinduara lëvizëse në arsenalin e saj ushtarak. Kompania e parë e tankeve u krijua, më 1 prill 1946 me tanket e mbetura si trofe nga Lufta e Dytë Botërore, ku të binte në sy kryesisht tanku i prodhimit italian, tip “Spali”. Ndërsa, në prill të 1948-s u krijua Regjimenti i parë i tankeve me emrin “Vojo Kushi”. Në këtë regjiment u përfshinë tipet T-34 dhe AVL-76 m/m, të cilat ishin një prodhim i viteve të Luftës, por këtë herë të ardhura nga Bashkimi Sovjetik. Ky regjiment fillimisht u drejtua nga Myslym Keta, Koli Mborja, Adnan Qatipi dhe komisarët Rexhep Doda e Andrea Ziu. Brigada e Parë e Tankeve u krijua, më 24 prill 1963 e në përbërje të të cilës ishin tanket tip T-59 të prodhimit kinez. Drejtuesit e parë të brigadës kanë qenë, respektivisht: kolonel Adnan Qatipi, gjeneralmajor Abaz Fejzo dhe më pas Estref Musabelli, Kujtim Dalani etj. Kjo brigadë u u bë burimi i furnizimit të brigadave të tjera tankiste të ushtrisë shqiptare, të ngritura në vitet 1965-1980. Në vitet ’70 ushtria shqiptare kishte 10 brigada tankiste me nga 100 tanke të tipeve T-59 (54), T-62, si dhe disa batalione autonome me drejtime të caktuara dhe me tanke tip T-34, AVL-76 dhe 100 m/m. Përveç tankeve, ushtria shqiptare zotëronte dhe 3-4 batalione të mekanizuara me transportues të blinduar, të gjitha të prodhimit kinez. Repartet dhe njësitë tankiste zhvillonin stërvitje e përgatitje intensive të niveleve të larta, të gatshme për të kryer veprime luftarake në të gjitha llojet e luftimeve, të terrenit e motit, në zona bregdetare e deri në lartësitë 2000 metra. Si shembull mund të merren stërvitjet e mëdha “Bodeja-68” “Kaptina-73”, “Shebreniku-80” etj.