Harallamb Kota/ Sekretet e 17 dhjetorit 1920, kur Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve

876
Atdhetarët shqiptar menjëherë pa humbur kohë, filluan të punonin për zgjedhjen e delegatëve për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar. Në datën 5 nëntor 1912 Ismail Qemali së bashku me Luigj Gurakuqin, në mbledhjen që organizuan me koloninë shqiptare në Bukuresht, vendosën të krijojnë “një komitet drejtonjës”, që të merrte në dorë qeverisjen e vendit. Sondazhet e bëra nga Ismail Qemali në qarqet diplomatike të Vjenës, vërtetonin se opinioni mbizotërues në kancelaritë e Fuqive të Mëdha, ishte në favor të një Shqipërie autonome. Grupi i atdhetarëve shqiptar i kryesuar nga Ismail Qemali, kërkonte të arrinte qëllimin maksimal, shpalljen e pavarësisë dhe zgjedhjen e një qeverie të përkohshme nga një kuvend kombëtar. Si vend i mbledhjes u caktua Vlora, për ku ishin drejtuar delegatët nga krahina të ndryshme të vendit.
Më 28 nëntor të motit 1912 në Vlorë, në rrethana të ndërlikuara kur kishte filluar lufta ballkanike dhe tokave shqiptare u kanosej rreziku i aneksimit nga monarkitë fqinje të Ballkanit, u mblodh Kuvendi Kombëtar i Vlorës. Shqiptarët sapo kishin përfunduar kryengritjen e e tyre të përgjithshme kundër sundimit osman, u vunë përsëri në lëvizje për të shpëtuar atdheun. Qysh në ditën e parë, të 37 delegatët zgjodhën kryetar Ismail Qemal Vlorën dhe në bazë të propozimit të tij, Kuvendi mori vendimin historik: “Shqipëria me sot të bahet më vehte, e lirë e mosvarme”. Në ballkonin e selisë së Kuvendit Kombëtar të Vlorës, u ngrit flamuri kombëtar. Me shpalljen e pavarësisë Kuvendi Kombëtar i Vlorës kreu një akt me rëndësi jetike për popullin shqiptar, që kurorëzonte luftërat shekullore të tij për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë. Më 4 dhjetor Kuvendi i përbërë nga 63 veta, që përfaqësonin të gjitha trevat shqiptare prej Shkodrës, Rafshit të Dukagjinit e Kosovës, Dibrës. Ohrit, Strugës dhe Çamërisë, zgjodhi Qeverinë e Përkohshme të kryesuar nga Ismail Qemali me nënkryetar Nikoll Kaçorrin dhe anëtarë: Abdi Toptani, M.Derallën, Luigj Gurakuqin, Pandeli Çalen, Mehdi Frashëri, Lef Nosin, M.Libohovën e P.Pogën. Pleqësia e zgjedhur e kryesuar nga V.Agolli, do të ishte një “mëkëmbëse” e kuvendit, do të bashkëpunonte me Qeverinë e Përkohshme, do ta kontrollonte e do ta këshillonte atë kur të ishte nevoja. Të drejtën e rrëzimit të qeverisë e kishte vetëm Kuvendi Kombëtar. Në “Konferencën e Ambasadorëve në Londër”, që nisi më 17 dhjetor 1912, u vendos që të krijohej një “Shqipëri Autonome” (Principatë), nën sovranitetin e sulltanit, që vihej: “në garancinë e kontrollin ekskluziv të gjashtë fuqive” dhe të shpallej asnjanëse, gjë e cila shënonte një hap prapa me Kuvendin e Vlorës dhe vinte në kundërshtim të hapët me zhvillimin e ngjarjeve në Shqipëri. Në “Principatën Shqiptare” u përfshi vetëm gjysma e trojeve dhe e popullsisë shqiptare. Nga trungu i Shqipërisë u shkëputën krahinat më pjellore, që ishin edhe vatrat e rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Aleatët e koalicionit ballkanik, filluan të grinden për të ndarë plaçkën e luftës. Për zgjidhjen e kësaj situate, Qeveria e Përkohshme caktoi një delegacion, që ta përfaqësonte në “Konferencën e Londrës”. Në mars të vitit 1913, shkoi në Londër Kryetari i Qeverisë së Përkohshme Ismail Qemali i shoqëruar nga Isa Boletini dhe Luigj Gurakuqi, i cili paraqiti pranë komisionit të Fuqive të Mëdha, kërkesat për pavarësinë dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë, të cilat ranë në veshin e shurdhët të diplomacisë Europiane. Më 13 qershor 1913, filloi Lufta e II Ballkanike, e cila i ngjante luftës së çakejve për të shqyer një copë mish. Por Shqipërisë: “i qe trashur kocka” dhe nuk e gëlltisnin dot. Çakejtë i silleshin rrotull, e kafshonin anash, e gjakosnin dhe i nduknin pjesë nga trupi i saj. Lëngata shqiptare ishte më e dhimbshmja në kasaphanën njerëzore të asaj lufte që vazhdoi deri më 10 gusht 1913. Në krye të shtetit turk erdhi “triumvirati i turqve të rinj”, i lidhur ngushtë me Gjermaninë, me të cilën kishin përfunduar dhe një aleancë ushtarake.
ANËTARËSIMI NË LIDHJEN E KOMBEVE
Pas mbarimit të Luftës së Parë botërore, sapo filloi “Konferenca e Paqes” në Paris, më 18 janar 1919, “Partia Politike Kombëtare” e shqiptarëve me qendër në SHBA, caktoi Ismail Qemalin si përfaqësuesin e sajë, për të marë pjesë në “Konferencën e Paqes” në Paris. Por Ismail Qemali vdes papritur në rrethana tepër të dyshimta dhe në ënd të tij, ajo dërgoi në Paris’ Parashqevi Qiriazin, Mihal Gramenon dhe Nuredin Vlorën. Ndërkohë në Shqipëri në qytetin e Shkodrës, “Partia Kombëtare” shqiptare në fillim të vitit 1919, nën drejtimin e Sali Nivicës botoi gazetën “Populli”. Anëtarët e saj luanin një rol të rëndësishëm në përgatitjen e Kongresit të Lushnjës, pasi akti i pavarësisë së Shqipërisë, i kurorëzuar në Kuvendin e Vlorës, drejtuar nga Burri i Madh i Kombit Shqiptar, patrioti dhe atdhetari i shquar Ismail Qemal Vlora, ishte vënë në rrezik. Në vitet e luftërave ballkanike dhe luftës së parë botërore, sovraniteti i shtetit shqiptar ishte cenuar rëndë dhe tërësia e territoreve të tij ishin vënë në rrezik. Për të rikonfirmuar edhe njëherë para fuqive të mëdha, ekzistencën e shtetit shqiptar, patriotët shqiptarë, në 21 janar të vitit 1920, thirrën në Lushnjë një mbledhje mbarëshqiptare, “Kongresin e Lushnjës”. Populli kishte zgjedhur delegatët e tij. Nga Gjirokastra ishte zgjedhur: Kasëm Radovickën, Kiço Koçi, Veli Hashorva, Shezai Çomo, Spiro J.Qarroqi, Ali Këlcyra, Rasim Babameto, Dervish Seid dhe Arshi Shehu. Nga Korça:Eshref Frashëri, Koço Kota, Shaban Blloshmi, Gjokë Dinika Gusho, Idhomen Kosturi, Sali Butka,Ferit Frashëri, Beqir Rusi. Vlora:Qazim Kokoshi, Ymer Radhima, Myqerem Hamzaraj,Dhimitër Qypi. Nga Berati:Sheh Ibrahim Karbunara, Llazar Bozo, Iliaz Vrioni, Bektash Cakrani, Llazar Goxhomani, Kamber Belishova, Spiro Papa, Hysein Nikolica. Nga Elbasani: Aqif pashë Elbasani, Kasem Sejdini, Filip Papajani, Adem Gjinishi, Qazim Dyrmishi, Asllan Shahini, Sali Çeka. Durrësi: Xhafar Ypi, Irfan Ohri, Shezivar Alltuni, Mytesim Këlliçi, Abdi Toptani. Rrexhep Jella. Shkodra: Xhemal Naibi, Mati Logoreci, Hoxha Kadri, Ndoc Çoba, Rrexhep Shala, Ejup Sabri. Dibra: Ahmet Zogu, Dine dema, Ramiz Daci, Dine Nasufi. Nga Malësia Gjakovës: Hasan Batusha, Xhemal beg Bushati dhe Nga Diaspora: Sotir Peci. Kongresi vendosi unanimisht të shpallë të shkarkuar Qeverinë e Përkohshme të Durrësit, bashkë me të’ edhe delegacionin zyrtar të dërguar prej saj në “Konferencën e Paqes” dhe në vend të tij, caktoi një delegacion të ri’ të përbërë nga: Luigj Bumçi, Mehmet bej Konica dhe Mihal Turtulli. Kongresi mori në shqyrtim planet e “Konferencës së Paqes” të mbajtur në Paris në lidhje me Shqipërinë, duke i quajtur ato të papranueshme dhe u shpreh për pavarësinë e plotë të Shqipërisë, kundër çdo mandati të huaj.
Mbledhja e kombit miratoi aktin kushtetues, ku sanksionohej sovraniteti plotë i shtetit shqiptar dhe kjo u shpreh me organet që ngriti:-Këshillin e Lartë me 4 anëtarë, që do përfaqësonte kolegjialisht kryetarin e shtetit shqiptar, derisa të përcaktohej përfundimisht forma e regjimit’ prej një asambleje kushtetuese, -Këshillin Kombëtar si parlament të parë me 37 anëtarë, -Qeverinë e re, të kryesuara nga Sulejman Delvina. Kongresi i Lushnjës caktoi Tiranën kryeqytet të Shqipërisë. Qeveria e Sulejman Delvinës u vendos në Tiranë më 11 shkurt 1920, duke ushtruar pushtetin në territorin e përgjysmuar të Shqipërisë, në hapësirat gjeografike të caktuara nga Fuqitë e Mëdha. Vlora, kryeqyteti i pavarësisë dhe i ngritjes së flamurit shqiptar të Skënderbeut, bashkë me rrethinat e sajë ishte e pushtuar nga ushtritë italiane. Në këto kushte, përfaqësuesit e krahinës të mbledhur në “Kuvendin e Barçallait” më 29 maj 1920, vendosën fillimin e luftës. Për organizimin e drejtimin e saj u zgjodh Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” me kryetar O. Haxhiun dhe komisioni ushtarak me Ahmet Lepenicën në krye. Pas një ultimatumi dërguar forcave ushtarake italiane dhe refuzimit të tij, lufta u zhvillua në mënyrë frontale. Forcat shqiptare që arrinin deri në 4 mijë vetë, të përbëra nga vullnetarë të ardhur nga të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe të mbështetura nga qeveria e Tiranës, u vunë përballë dy divizioneve italiane dhe i detyruan të tërhiqen në qytetin e Vlorës. Në kohën që shqiptarët luftonin për të çliruar Vlorën, Esat pashë Toptani organizonte turbullira në popull dhe sulmonte qeverinë shqiptare para shteteve perëndimore. Në këto kushte, patrioti Avni Rustemi më 13 qershor 1920, kreu në Paris vrasjen e Esat pashë Toptanit. Për këtë ngjarje, është shprehur edhe intelektuali e patrioti shqiptar Mustafa Kruja, i cili thotë: “Vrasja e Esadit, ishte i vetmi mjet për ta shpëtuar vendin prej kaosit të esadizmit”. Pas vrasjes së Esadit, shumë vullnetarë shqiptar shkuan të luftojnë në Koplik të Shkodrës, për të përballuar agresionin e armatosur jugosllav që nisi më 26 korrik 1920. Vullnetarët shqiptar prej 400 vetash qëndruan në bregun e Bunës, për t’iu kundërvënë një sulmi të mundshëm jugosllav. Ndërkohë, komiteti “Mbrojtja Kombëtare” organizoi sulmin frontal për marrjen e Vlorës. Pas shumë luftimesh ku mbeti i vrarë patrioti Selam Musai, në datën 2 gusht 1920 italianët u tërhoqën nga Vlora dhe lufta mbaroi. Fitorja e Luftës së Vlorës, krijoi kushtet e favorshme për të filluar në 13 gusht të atij viti “Luftën e Dibrës”, kundër reparteve serbo-malazeze, që kishin pushtuar tokat e krahinës së Dibrë,kishin hyrë thellë në tokat shqiptare duke iu afruan kryeqytetit . Krerët e luftës, nën drejtimin e E. Isufit të ndihmuar nga mijëra vullnetarë që iu përgjigjën thirrjes së qeverisë shqiptare, çliruan Peshkopinë dhe i detyruan pushtuesit të tërhiqen në kufirin e caktuar në vitin 1913. Pas tre luftërave, qeveria shqiptare mori kontrollin e plotë mbi të gjitha krahinat. Në 15 gusht 1920, në Lushnjë u mbajt “Kongresi Kombëtar i Arsimit”, i cili përcaktoi fizionominë dhe frymën kombëtare të arsimit në shtetin e pavarur shqiptar. Pak muaj më vonë, Qeveria Delvina paraqiti kërkesën e pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Për këtë qëllim,në tetor 1920 u dërgua në Gjenevë Fan.S.Noli., i cili para nisjes deklaroi: “…me shpresën e zotit, do të kthehem në Tiranë, duke sjellë me vete edhe vendin e Shqipërisë në bashkësinë e përparuar e duke i siguruar asaj, një vend në atë tavolinë që i takon prej kohësh”. Pas mbarimit të punimeve Noli kthehet fitimtar dhe deklaron: “Më 17 dhjetor 1920, Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve dhe tash e tutje ajo është e njohur si shtet sovran”.
Sigal