Prof. Bernard Zotaj: Si u bë copëtimi dhe pushtimi i Shqipërisë nga fqinjët gjatë Luftës së I-ë Botërore?

1000
Lufta e Parë Botërore (1914-1918) për Shqipërinë ishte një nga periudhat më të koklavitura dhe më të ngjeshura me ngjarje. Kjo periudhë është dhe më pak e studiuar nga historiografia e përgjithshme, por dhe ushtarake. Në truallin shqiptar shkelën dhe e pushtuan shtatë ushtri të huaja dhe e kthyen në zonë të operacioneve ushtarake ndërmjet grupimeve ndërluftuese. Dy grupimet ndërluftuese në planeve të tyre të luftës e të pasluftës i përdorën territoret e Shqipërisë, si pjesë këmbimi për të kënaqur shtetet fqinje. Ishte hera e tretë që pushtohej gjerësisht tërësia territoriale e Shqipërisë, në periudhën e krizës Lindore të viteve 1878-1881 dhe të Luftërave Ballkanike të viteve 1912-1913. Rolin parësor për copëtimin e territorit shqiptar e luajtën si gjithmonë shovinizmi ballkanik, i cili si në prag të luftës dhe me fillimin e saj, tre monarkitë ballkanike, ishin më të dukshme. Gjendja e vështirë e popullit shqiptar, problemet e tij të brendshme, lufta për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe të territoreve të tij nuk rreshti. Kjo luftë u zhvillua në kushte politike të veçanta, por dhe të armatosur, e cila u drejtua kundër fuqive ballkanike dhe fuqive të Adriatikut dhe Francës.
Ushtritë ballkanike, drejt Shqipërisë
Në frontin e luftimeve të Ballkanit nga fundi i vitit 1915 ndodhen ndryshime të mëdha. Bullgaria e paangazhuar u rreshtua përkrah fuqive të Bllokut Qendror. Kështu veprimet luftarake në Ballkan rifilluan duke i shpallur luftë Serbisë. Më 6 tetor 1915, ushtria austro-gjermane nisi sulmin kundër Serbisë nga veriu. Ajo kaloi lumenjtë Drina, Sava, e Danub dhe pushtoi pjesë të territorit serb. Pas një jave u fut në luftim ushtria bullgare, e cila e nisi sulmin kundër Serbinë nga Lindja. Ushtria serbe u rrethua nga ushtritë e Bllokut Qendror. Nisur nga kjo gjendje e vështirë qeveria serbe kërkoi ndihmë ushtarake nga Antanta. Kjo vet ishte e angazhuar me trupat aleate që do të zbarkonin në Selanik, ndaj ushtria serbe duhej të rezistonte. Në fillim të tetorit 1915, Antata zbarkoi në Selanik me kontigjente të vogla të ardhura nga front i Dardaneleve. Kontigjenti u quajt “Armata e Lindjes”. Kjo komandohej nga gjenerali francez Saraj. Ai mori Komandën e tre Divizioneve (Div. 57, 122 e 156). Në Selanik ndodhej dhe Div. 10 Anglez. Qëllimi i tyre ishte kërcënimi i kufirit jugor të Bullgarisë, për t’u bashkuar gjatë Vardarit me ushtrinë serbe. Vardari në këtë kohë shërbente si linjë komunikimi dhe Selaniku quhej bazë operative. Por sido të paraqitej situata serbët nuk duhej të largoheshin nga Gadishulli i Ballkanik. Ushtria serbe qëndresën fillimisht e bëri në brigjet e lumenjve Danub, Sava, Drina dhe më tej në zonën Valievo-Rudnik. Një armatë u caktua të luftonte forcat bullgare, të cilat sulmuan nga lugina e Moravës, për të bashkëvepruar me forcat e Antantës e për të shkuar për ndihmë nga Selaniku në Shkup. Ushtritë e Bllokut Qendror, në fushatën kundër Serbisë u vunë nën Komandën e Marshallit gjerman Makensen, i cili komandonte Armatën e III Austriake dhe Armatën e XI Gjermane. Ushtria bullgare kishte mobilizoi tre armata. Forcat mësymëse shkonin në rreth 500.000 vetë, ndërsa ushtria serbe me malazezët shkonte në rreth 350.000 vetë nën komandën e Vojvodës Putnik. Qëndresa serbe në fillim ishte e fortë dhe e organizuar mirë, dhe përparimi bullgar ishte i ngadalë, kjo e ndikuar dhe nga gjendja e keqe e rrugëve për lëvizje. Ky ishte momenti kyç për bashkëveprimin midis trupave serbe dhe aleatëve të “Armatës së Lindjes”. Forcat bullgare me manovër të shkathët e të fuqishme dolën në prapavijë të serbëve. Ato prenë rrugën e bashkimit, si dhe të tërheqjes në “Armatën e Lindjes”. Përpjekjet e “Armatës së Lindjes” ishin të kota. Në kampin e Atantës u dha sinjali për të shpëtuar serbët. Por, e vetmja rrugë shpëtimi për ushtrinë serbe ishte nëpërmjet Shqipërisë, nga portet e saj të Shëngjinit, Durrësit dhe Vlorës. “Armata e Lindjes” u tërhoq në Selanik, në transhetë, të cilat i fortifikoi dhe prej tyre doli shumë vonë. Për qëndrimin e trupave aleate në Selanik u zhvillua një debat i ashpër. Anglia kërkonte tërheqje, ndërsa Franca kërkonte qëndrimin e tyre dhe ja arriti qëllimit. Trupat ushtarakegjermano-bullgare përparuan në drejtim të Selanikut, por arsyet politiko-ushtarake i ndalën në kufirin grek. Qeveria greke vazhdonte t’i premtonte Serbisë për ndihmë ushtarake, sipas traktatit të Aleancës serbo-greke. Kështu, ajo nuk bëri vetë as përpjekjen më të vogël dhe i pengoi trupat e Aleatëve dhe favorizoi Fuqitë Qendrore. Greqia jo vetëm që nuk e bëri këtë, por e lodhur nga presionet e Serbisë më 10 tetor i bëri të ditur qeverisë serbe se refuzonte në mënyrë kategorike t’i jepte ndihmën ushtarake. Pas disfatës së ushtrisë serbe, në fund të vitit 1915 në Ballkan raporti i forcave ndryshoi. Fronti i veprimeve luftarake po zhvendosej drejt Jugut të Ballkanit, në Shqipëri. Në këtë periudhë kemi vendosjen e një ekuilibri të ri, por me elemente të vjetër.
Pushtimi i territoreve shqiptare
Konkretizimi i planeve dhe qëllimeve të shtetet u kalua në veprime ushtarake pushtuese në Shqipëri. Në sulm u hodh e para Greqia, e cila pushtimin e Shqipërisë së Jugut e bëri me miratimin e të dy blloqeve ndërluftuese. Ky pushtim prej Greqisë ishte thjesht formal, sepse Forcat e Armatosura greke ishin të pranishme në Shqipërinë e Jugut, të maskuara në ushtrisë “autonomiste”. Dhe konsujt e huaj në Janinë e në Korfuz kishin njoftuar vazhdimisht qeveritë e tyre. Mjetet e propagandës greke theksonin pushtim të “përkohshëm”. Këtë çështje e mbylli lëvizja e trupave dhe zëvendësimi i forcave “autonomiste” e kthimi i tyre në ushtri të rregull.
Me pushtimin e Jugut të Shqipërisë mori fund dhe shteti autonom i “Vorio-Epirit”, i cili kishte sjellë dëme njerëzore e materiale të popullsisë. Në fund të tetorit 1914, Italia i filloi veprimet e saj pushtuese në territorin e Shqipërisë. Ajo dërgoi një kontigjent të vogël ushtarak në ishullin e Sazanit. Në Vlorë fillimisht erdhi një “mision sanitar” që drejtohej nga një nënkolonel, për të kontrolluar situatën. Dërgimi i forcave ushtarake në Vlorë, sipas gjeneralit Kadorna, s’ishte e pakëshillueshme. Italianët donin të merrnin Vlorën pa ndonjë rezistencë, si dhe prisnin një situatë të përshtatshme dhe pa ndonjë incident. Anijet ushtarake italiane që patrullonin në ujërat pranë Vlorës, bënin kujdes duke mbrojtur idenë e Kadornës dhe filluan në mënyrë graduale rritjen e forcave. Konsulli italian në Vlorë, theksonte se me dy batalione, nuk ishte këshillueshme pushtimi i Vlorës. Italia ishte e shqetësuar në lidhje me zhvillimin e situatës ndërkombëtare në rajonin e Mesdheut. Në këtë kohë Turqia doli nga neutraliteti dhe u afrua me Bllokun Qendror. Ajo hyri në luftë kundër fuqive të Antantës më 1 nëntor. Qeveria Italiane në këtë situatë vendosi që anijet luftarake të saj të kontrollonte ujërat bregdetare të Shqipërisë. Kështu Italia po përforconte pozitat e saj dhe po krijonte pikëmbështetje detare e tokësore në Gjirin e Vlorës. Pushtimi i Vlorës u bë më 25 dhjetor, kur rreth 1 mijë ushtarë zbarkoi në Skelë. Këto forca ishin të barabarta me një batalion të marinës italiane. Armatim i tyre ishin topa dhe mitraloza, dhe pas disa ditësh zbarkon në Vlorë dhe Regjimenti Bersalierëve, duke arritur në 2 mijë ushtarë. Pushtimi i Vlorës u shoqërua dhe me zgjerimin e zonës së pushtimit në periferi të saj. Serbia në qershor 1915 pushtoi Shqipërinë e Mesme dhe Mali i Zi Veriun e saj. Ajo kishte bërë një përqendrim të forcave të ushtrisë në kufirin shqiptar dhe këto forca shkonin nga 10 deri 20 mijë ushtarë. Këto komandoheshin nga gjenerali Damian Popoviçi, një ultrashovinist i shoqërisë “Dora e zezë”. Në historinë e ushtrisë serbe këto forca janë quajtur “Ekspedita shqiptare”. Grupimi ushtarak i forcave serbe përbëhej nga grupimi i Prizrenit, i Drinit dhe i Ohrit. Këto grupime kaluan në sulm në kufirin shqiptar në tre drejtime të rëndësishme dhe depërtuan në thellësi të vendit. Pushtimi serb u bë në kundërshtim me objektivat e Fuqive. Komanda serbe u përpoq të justifikonte pushtimin, me pretekstin se bënte sigurimin e krahëve të Shqipërisë. Pushtuesi serb arriti deri në veri të lumit Shkumbin, duke iu përmbajtur marrëveshjes së majit 1913 me Greqinë, ku vija ndarëse në Shqipëri ishte lumi Shkumbin.


Shkrimi u botua nëgazetën “Telegraf” të datës 07.01.2016
Sigal