Flet Gani Elezi ish komisari i brigadës së 22 të këmsorisë në Korpusin e Burrelit

1352
Sigal

Leonard VEIZI

(Vijon nga numri i kaluar)

Në vazhdim të intervistës së tij për “Telegraf” Gani Elezi ish komisari i brigadës së 22 të këmsorisë në Korpusin e Burrelit thotë se: Stërvitja me trupa “Shebeniku –80” ishte stërvitja më e madhe në të cilën kishte marrë pjesë, bile nga më të mëdhatë e ushtrisë sonë, por edhe stërvitja nga e cila ka mbresa dhe kujtime të veçanta, si për idenë e veprimeve luftarake dhe objektivin e saj, për forcat pjesëmarrëse në të, ashtu edhe për vështiresitë e terrenit dhe të motit në të cilën u zhvillua ajo.

Përse u organizua një stërvitje me të tilla përmasa?

Ideja e kësaj stërvitje ishte ”Organizimi dhe zhvillimi i kundërmësymjes së forcave të Komandës së Përgjithshme për rrethimin dhe asgjësimin e forcave të kundërshtarit, që kishin mundur të shpërthenin mbrojtjen tonë dhe kishin dalë në vija të fortifikuara në thellësi të territorit të vendit tonë”. Për këtë arsye, operacioni i kundërmësymjes u organizua dhe u drejtua nga një grup operativ i Komandës së Përgjithshme, i cili ishte vendosur në rajonin e Librazhdit. Në këtë operacion merrnin pjesë mjaft njësi të mëdha, si korpusi i Burrelit, grupimi operativ i Elbasanit, ai i Tiranës, si dhe njësi të tjera autonome të ushtrisë. Gjithashtu, në këtë stërvitje morën pjesë një sasi e madhe e forcave vullnetare të vetëmbrojtjes popullore dhe formacione të tjera të mbrojtjes civile, forca të rinisë shkollore etj. Në kuadrin e kësaj stërvitje, pjesa më e madhe e njësive të korpusit të Burrelit luanin rolin e kundërshtarit, i cili “kishte arritur të shpërthente brezin e parë të mbrojtjes sonë dhe të dilte në vijën Stërblevë-Lunik- Librazhd-përgjatë brigjeve të lumit Shkumbin-Qafë Thanë dhe kishte organizuar një mbrojtje tepër të fortifikuar, duke u mbështetur veçanërisht në pengesen ujore që krijonte e gjithë rrjedha e lumit Shkumbin”. Ndërkohë, brigada e 22-të e këmbësorisë, e cila ishte në përbërje të këtij korpusi, në këtë stërvitje iu dha në dispozicion grupimit Operativ të Tiranës, i cili realizonte detyrën kryesore të operacionit kundërmësymës, mësymjen për rrethimin dhe asgjësimin e kundërshtarit në drejtimin e përgjithshëm Zdrajsh-qafa e Shapkës-Shebenik-kufiri shtetëror. Në të njëjtin drejtim me brigadën tonë vepronte brigada e 1-rë e grupimit të Tiranës, e cila vinte në këtë stërvitje pas një përvoje mjaft të hidhur të një viti më parë, kur gjatë një stërvitje taktike pati mjaft të humbur si pasojë e kushteve të këqia të motit dhe të terrenit, por edhe për arsye të mungesës së kontrollit dhe të disiplinës gjatë kryerjes së veprimeve luftarake.

Kur filloi kjo stërvitje?

Stërvitja filloi më 20 mars 1980. Repartet e brigadës në përgjithësi u mobilizuan dhe u kompletuan në afatet e përcaktuara, meqenëse data e stërvitjes pothuajse dihej nga të gjithë efektivat, aktivë dhe rezervistë, si dhe nga organet e partisë, të pushtetit dhe të ekonomisë në rrethe. Në orët e para të datës 20 mars deri nga mesdita, koha ishte mjaft e mirë, kështu që edhe veprimet e reparteve gjatë mobilizimit, kompletimit dhe fazës së parë të marshimit, u kryen në kushte normale dhe pa probleme. Vështirësitë filluan në mbasditen e datës 20, kur filloi të bjerë dëborë, gati në të gjithë zonën ku repartet e brigadës kryenin marshimin për në rajonet e detyrave luftarake. Si rezultat i një kohe të tillë, në rajonin e Ballenjës u krijua një situatë mjaft e vështirë. Pas mobilizimit dhe kompletimit, repartet e brigadës arritën të kryejnë marshimin në rrugëkalimin Burrel-Qafë Bualli-Krastë-Ballenjë, për të dalë më tej në Qafën e Himës, nga ku do të kalonin në rajonet e detyrave luftarake, në zonën e Çermenikës, në Fushë Studen, mbi Lunik etj. Nga Krasta në Ballenjë, marshimi u krye në rrugën e hapur nga forcat e korpusit të Burrelit, ndërsa marshimi i mëtejshëm do të bëhej në rrugën Qafë Himë –Studen, të cilën duhej ta hapte grupimi i Tiranës, detyrë që nuk e plotësoi në kohë. Mosplotësimi i kësaj detyre u bë shkak për bllokimin e reparteve të brigadës në Ballenjë. Kështu, gradualisht, në këtë rajon u bllokuan repartet e artilerisë të tërhequra me mjete transporti, entet e prapavijës dhe shërbime të tjera, që kishin të domosdoshme një trase minimale për të kaluar në rajonin e detyrave luftarake. Orë pas ore, këtu mbërritën repartet e këmbësorisë, të cilët kishin, edhe këto, artileri të mbartur me kafshë, siç ishte grupi i mortajave 107 mm, bateritë e mortajave 82 mm të batalioneve, bateritë e topave 75 mm, etj.

Si u veprua në kushte të tilla?

Bllokimi i rrugës nga repartet e artilerisë, nga entet e prapavijës, si dhe nga kolonat e kafshëve të batalioneve të këmbësorisë, kushtet e natës dhe të reshjeve të dëborës, nuk lejuan as repartet e këmbësorisë të vazhdonin rrugën për të dalë në rajonin e detyrave luftarake, duke bërë që i gjithë efektivi i brigadës të përqendrohet, i bllokuar, në një rajon tepër të ngushtë dhe të mbuluar tërësisht me dëborë. Intensifikimi i reshjeve të dëborës, sidomos suferina që e shoqëronte, krijoi një situatë tepër të vështirë për efektivat e brigadës, për komandën e saj dhe për komandat e reparteve, të cilët nuk kishin parashikuar një situatë të tillë. Unë mbërrita në rajon natën vonë, meqenëse kisha ndjekur dhe shoqëruar veprimet e batalionit të Derjanit, mbasi ky kishte për të kryer një marshim shumë më të gjatë se repartet e tjera pjesëmarrëse në stërvitje. Gjeta një situatë të rëndë. Një pjesë e efektivave të reparteve të brigadës, si ato të artilerisë, të këmbësorisë, entet e prapavijës dhe të furnizimit material e teknik, ishin ndaluar dhe ishin vendosur në kushte shumë të vështira, duke shfrytëzuar disa objekte fortifikimi të papërfunduara në anë të rrugës dhe disa objekte të ndërmarrjes pyjore të Ballenjës. Por pjesa më e madhe e efektivave të tyre ishin ndalur në të dy anët e rrugës, duke shfrytëzuar vetëm karaxhatat e krijuara nga hapja e rrugës me dëborë, si dhe makinat që kishte artileria, prapavija dhe entet e tjera të brigadës. Në këto kushte, kishte premisa të ndodhnin ngjarje të rënda, si për jetën e njerëzve, ashtu edhe në drejtim të ruajtjes së armatimit dhe të teknikës luftarake. Menjëherë mora kontakt me kuadrot e shtabit të brigadës dhe të komandave të reparteve, që ishin në këtë rajon. Analizuam situatën dhe vendosëm që efektivi i brigadës ta kalojë natën në rajonin e Ballenjës, duke marrë masa shumë të forta që të ruhej jeta e njerëzve nga i ftohti i madh dhe rreshjet e dëborës, si dhe të bëhej maksimumi për të mos lejuar dëmtime të armatimit dhe të teknikës luftarake.

A u normalizua situata?

Në fakt të gjithë ne ishim të shqetësuar për këtë situatë, por më i shqetësuar ishte Sali Dibra, komisari i aviacionit, anëtar i Komitetit Qendror të PPSH, i cili ishte caktuar ndërmjetës pranë komisarit të brigadës në këtë stërvitje, pra pranë meje. Ai i druhej shumë përvojës së hidhur të brigadës së Parë, një vit më parë, e cila po në të njëjtën situatë dhe në të njëjtin rajon, kishte patur të humbur dhe shumë dëmtime në teknikë dhe armatim, ngjarje me të cilën ishte marrë udhëheqja e lartë e shtetit dhe e partisë, në mënyrë të veçantë Mehmet Shehu. Më shumë për ta qetësuar, jo se unë nuk i druhesha një situate të tillë, i thoja: -“Komisar Saliu, mos u merakos se asgjë e keqe nuk do të na ndodhë. Efektivat tanë janë nga zonat malore dhe janë mësuar të lëvizin, të punojnë dhe të jetojnë në kushte të tilla të terrenit dhe të motit dhe dinë ta ruajnë veten”. Dhe në fakt asgjë nuk ndodhi. Efektivat e brigadës e kaluan me sukses situatën e rëndë që u krijua në Ballenjë, plotësisht në gjendje për të vazhduar realizimin e detyrës së marrë në kuadrin e stërvitjes.

SË PARI, ajo presupozonte një operacion kundërmësymës të shkallës operativostrategjike, i cili kryhej në kushte tepër të vështira për mbrojtjen tonë. Në këtë situatë, armiku “kishte arritur të shpërthente zonën e mbrojtjes së korpuseve të skalionit të parë dhe të pushtonte hapësira të konsiderueshme të sistemit tonë të mbrojtjes, të organizonte mbrojtjen e tij në masive të fuqishme malore, siç ishte Shebeniku dhe lartësi të tjera në krah të tij”. Në këto kushte “asgjësimi në kohë i forcave të kundërshtarit dhe rivendosja sa më shpejt e situatës në kufirin shtetëror ishte domosdoshmëri për suksesin e mbrojtjes sonë strategjike”. Në të kundërt, rrezikohej që kundërshtari “të fuste në luftim forca të reja, të vazhdonte mësymjen, të merrte Elbasanin, Lushnjën e të ndante në dysh teatrin tonë të veprimeve luftarake, duke rrezikuar sistemin e mbrojtjes në shkallë vendi”.

SË DYTI, në këtë stërvitje merrnin pjesë një sasi e madhe forcash dhe mjetesh (rreth 60000 vetë), angazhoheshin njësi të shumta të ushtrisë dhe të strukturave të tjera të mbrojtjes e të MCR-së, gjë që kërkonte një bashkërendim të veprimeve luftarake të të gjithë njësive pjesëmarrëse në operacion. Çështja e përcaktimit të drejtë të detyrave për çdo njësi, për çdo repart, për çdo lloj arme dhe shërbimi dhe për struktura të tjera të mbrojtjes, si për forcat vullnetare të vetëmbrojtjes popullore, për rininë shkollore të armatosur, për organikat e MCR-së, të organeve të pushtetit dhe të ekonomisë në kohë lufte, ishte me rëndësi të madhe që në përgatitjen e metodikave të stërvitjes. Në krye të grupit për organizimin dhe bashkërendimin e detyrave të këtij operacioni ishte shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë Veli Llaka.

SË TRETI, stërvitja u zhvillua në kushte shumë të vështira të terrenit dhe veçanërisht në kushte shumë të vështira të motit. Përveç faktit se e gjithë zona ku do të zhvilloheshin “veprimet luftarake” ishte e mbuluar me dëborë, gjatë gjithë stërvitjes, që nga dita e parë dhe deri në ditën e fundit, pati vazhdimisht reshje dëbore dhe shiu, gjë që e bëri më të vështirë stërvitjen. Në këto kushte, duheshin marrë masa të rrepta për sigurimin e jetës së efektivave pjesëmarrës në stërvitje. Pavarësisht nga vështirësitë e thëna më lart, brigada e 22-të e realizoi plotësisht objektivin e përcaktuar në kuadrin e kësaj stërvitje, duke treguar se ishte një njësi ushtarake e aftë të kryente veprime luftarake të suksesshme, në çdo kusht të terrenit dhe të motit, qofshin këto edhe tepër të vështira, si në këtë stërvitje.

KOMANDANT – KOMISARI

“Pjesëmarrja në stërvitje “Shebeniku-80” për mua ishte disi e veçantë sepse, meqenese mungonte komandanti i brigadës, më duhej të kryeja në të njëjtën kohë dy detyra, atë të komisarit politik, detyrë të cilën e mbuloja edhe funksionalisht, dhe detyrën e komandantit të brigadës. Një fakt i tillë më ka mbajtur në një tension tepër të lartë gjatë gjithë stërvitjes. E gjithë stërvitja, realizimi i objektivave të saj, ishte një përpjekje kolektive e të gjithëve, efektivave dhe kuadrove, për të plotësuar me sukses detyrat e përcaktuara në planin e veprimeve luftarake, duke përballuar në të njëjtën kohë edhe vështirësitë e shumta të terrenit dhe të motit”.

STËRVITJA /  “Shebeniku –80”, organizimi dhe zhvillimi i kundërmësymjes

 Ç’më tha Mehmet Shehu në telefonatën e papritur

Nga kjo stërvitje kam një kujtim që lidhet me bisedën telefonike që pata me Mehmet Shehun, në atë kohë kryeministër i Shqipërisë, që kishte ardhur për të ndjekur këtë stërvitje nga afër. Ndërkohë që isha në pikën e drejtimit të brigadës, duke dhënë udhëzimet e fundit, para se të fillonte “mësymja”, më merr në telefon Nazar Berberi, zëvendësministër i mbrojtjes dhe drejtues kryesor i kësaj stërvitje. Pasi më pyeti për gjendjen e reparteve të brigadës dhe gatishmërinë e tyre për fillimin e veprimeve “mësymëse”, më thotë:

– “Gani, kërkon të të flasë një shoku ynë”.

Në fakt, më habiti njoftimi që donte të më fliste ”një shoku ynë”, pra i zëvendësministrit, dhe që po ma jepte në lidhje pikërisht ai dhe jo ndonjë centralist, siç ndodhte në këto raste. Ndërsa hamendësoja se kush do të ishte ky “shoku ynë”, në telefon dëgjova:

– ”Jam Mehmet Shehu. Gani, ti je?”

Nuk më njihte, por si duket ishte informuar për emrin dhe detyrën që kryeja në njësi dhe në këtë stërvitje. Ata që ishin në pikën e drejtimit, e vunë re që në fillim u “trondita” disi (në atë kohë ishte një gjë e rrallë të flisje me kryeministrin e vendit dhe aq më shumë me Mehmet Shehun. Tani nuk është më kështu). Por, megjithëkëtë, shpejt e mora veten dhe u përgjigja:

– “…Po, unë jam, komisari i brigadës 22 të këmbësorisë”.

Nuk arrita të flas me kodin e caktuar për stërvitje, sepse ai foli hapur. Më pyeti se ku ishin repartet e brigadës dhe unë i raportova për gjendjen e tyre, pozicionet që ata kishin aktualisht, para fillimit të veprimeve luftarake, si dhe për gatishmërinë për të filluar veprimet “mësymëse” në bazë të detyrave të caktuara. Ndërkohë, Mehmeti vazhdoi me një pyetje tjetër:

– “ Po artilerinë ku e ke?”

Si duket, ishte informuar se artileria e brigadës sonë, për arsye të mos hapjes së rrugës, ishte kthyer në vendislokimet e përhershme, për ta bërë stërvitjen në një kohë tjetër. I shpjegova se kishim një pjesë të artilerisë së batalioneve dhe se gjatë veprimeve luftarake do të mbështëteshim nga një pjesë e konsiderueshme e artilerisë së Komandës së Përgjithshme, pra nga artileria e grupimit të Tiranës. Si duket, duke bërë shaka, më tha:

– ”…Dashke të luftosh me artilerinë e të tjerëve”, – dhe më tej vazhdoi, -“mirë, mirë, edhe kështu mirë e paske zgjidhur, edhe kështu mund të luftohet e të fitohet, por kij kujdes mos të të mbytet ndonjë ushtar”, – dhe e mbylli bisedën.

Mehmet Shehu nuk donte në asnjë mënyrë që në këtë stërvitje të përsëritej përvoja e hidhur e brigadës së parë, pra nuk donte të kishte asnjë ngjarje të jashtëzakonshme gjatë stërvitjes. Më vonë, gjatë dinamikës së stërvitjes, mora njoftim se Mehmet Shehu kishte takuar efektivin e batalionit të Klosit. Isha në merak se si kishte qenë gjendja e këtij batalioni, të paktën nga ana displinore dhe e pamjes së jashtme. Pasi kontaktova një pjesë të këtij efektivi, të cilët më informuan se kryeministri i kishte pyetur për problemet e ekonomisë dhe çështje të tjera të zonës së tyre, u qetësova dhe vazhdova plotësimin e detyrave të ngarkuara në kuadrin e stërvitjes me trupa. I përmenda këto dy momente, si dy kujtime të mia në këtë stërvitje, jo se janë më të rëndësishmit në aktivitetin e saj, por për të treguar se sa rëndësi i kushtohej problemeve të përgatitjes luftarake nga ana e udhëheqjes së larte të shtetit, gjë që është e domosdoshme të ndodhë në çdo kohë dhe në çdo situatë politike, pra duhet të ndodhë edhe sot e më tej.

(Vijon)