Ergys Alushi/ Kontributi i Brigadës së V-të Sulmuese në çlirimin e trojeve shqiptare

986

Nuk ishte rastësi që dita e 28 nëntorit, festa kombëtare e pavarësisë, ju ka shërbyer shqiptarëve, si dita simbol për zhvillimin e protestave kundër pushtuesve të huaj. Duke protestuar në këtë ditë e në këtë festë, shqiptarët jepnin mesazhe të forta se ishin kundër pushtimit, ishin të etur për liri dhe se ishin gati të derdhnin gjakun si të parët e tyre, për ta bërë vendin të lirë e të pavarur. Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, janë të njohura protestat e mëdha të zhvilluara në qytetin e Vlorës, në 28 nëntor të viteve 1941, 1942 e 1843, të cilat arritën deri në përleshje me pushtuesit dhe lirimin e të burgosurve vlonjat prej tyre. Pikërisht në një 28 nëntor dhe pikërisht në 28 nëntor të vitit 1943, do të krijohej në Gumenicë të Vlorës, brigada e 5-ë sulmuese, e cila do të përbëhej nga të rinj e të reja nga Vlora dhe fshatrat e saj. Vlora, do të ishte rrethi i vetëm në Shqipëri që do të krijonte një brigadë të vetën, me luftëtarë nga qyteti dhe fshatrat e saj, duke qenë ky tregues i sakrificave të mëdha dhe i faktit sesa shumë i ka dhënë luftës çlirimtare rrethi i Vlorës. Baza e formimit të brigadës do të ishin dy batalionet “Halim Xhelo”dhe “Ismail Qemali”, me një efektiv prej më shumë se 500 vetash, me komandat Abas Shehun e komisar Hysni Kapon. Në fshatin Gumenicë është lapidari që përkujton ditën e krijimit të brigadës së ë sulmuese. Lart në kodër, kupton menjëherë se është një vend strategjik, nga ku vëzhgon të gjithë zonën përreth. Nga aty lart, kishe mundësinë të ndiqje të gjitha lëvizjet e forcat armike që lëviznin në ndjekje të formacioneve partizane të zonës. Qysh ditën e formimit të saj në fshatin Gumenicë dhe deri në ditën e inaugurimit në Bramyshnje të Tërbacit, më 20 janar 1944, Brigada e Pestë Sulmuese partizane, jo vetëm e theu me sukses operacionin gjerman të dimrit 1943, por zhvilloi edhe një veprimtari të gjerë në popull,duke nxjerrë luftëtarë të tjerë të shumtë për plotësimin e pesë batalioneve të saj. Pas vrasjes së komandantit Abaz Shehu, në datën 7 dhjetor në një betejë kundër gjermanëve në fshatin Gjorm, Brigada do të riorganizohej në 20 janar të vitit 1944, në Bramyshje të fshatit Tërbac, me komandat Shefqet Pecin e komisar, Hysni Kapon. Në luftën kundër okupatorëve nazistë gjermanë, Brigada e Pestë Sulmuese ka shkruar faqe të lavdishme në luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, si pjesëtar i denjë i koalicionit antifashist botëror. Në ditën e inaugurimit, ende pa u prishur rreshtimi i saj, komandantët e batalioneve morën detyrat luftarake për të përballuar ofensivën e madhe që ndërmorën gjermanët në dimrin e 1943-1944 kundër Ushtrisë Nacionalçlirimtare për asgjësimin e saj. Urdhri i luftimeve që lëshoi Shtabi i Brigadës i vendoste forcat në këtë mënyrë: Batalionet e dytë e të katërt mbeteshin për mbrojtjen e krahinave të Vlorës, batalioni i tretë në mbrojtje të Bregdetit, kurse batalioni i parë e i pestë në mbrojtje të Kurveleshit të Sipërm nga Kaparieli deri në Salari, ku vepronte bashkë me ta edhe batalioni “Perlat Rexhepi”. Brigada zhvilloi njëzet beteja të rëndësishme dhe qindra luftime e aksione të tjera, duke i shkaktuar armikut dëme të shumta në teknikën luftarake dhe mbi pesë mijë të vrarë e të zënë robër. Përballimi i operacionit armik të Dimrit 1943-1944 në kushtet e motit të keq, lodhjes, urisë dhe mungesës së municioneve, qe një provë e madhe e aftësisë së saj luftarake. Me manovrime, ajo e goditi armikun rëndë edhe në Qishbardhë afër Vlorës, ku vritet edhe zëvendës komandanti i korpusit njëzet, gjeneral Leitnant Dojc. Edhe operacionet e tjerë dështuan me humbje të rënda për armikun. Më 31 Mars Brigada u hodh në sulm të përgjithshëm në “frontin Tokësor” (kështu e quanin gjermanët vijën Penkovë-Mavrovë, meqë prisnim një zbarkim të mundshëm aleat nga deti) duke u shkaktuar atyre shumë dëme. Për hakmarrje gjermanët në prill organizuan një operacion tjetër, që u prit kudo me luftë dhe që përfundoi me disfatën e tyre në Kuç. Vetë komanda gjermane pohonte për repartin e saj se “trupa me një fuqi 380 vetë ,me 26 mitralozë, duke mbetur siç duket pa komandë unike u shpartallua”. Në muajin Maj, brigada kaloi në qarkun e Gjirokastrës dhe të Përmetit, më 3 maj ajo goditi dislokimin e formacioneve gjermane gjatë rrugës Follorinë-Janinë. Luftime të rrepta u zhvilluan në datat 9.10.11 Maj, sidomos në fushën e Çarshovës, ku midis shumë të vrarëve u zunë edhe 25 gjermanë robër. Goditjet vazhduan gati çdo natë mbi forcat armike:ne Leskovik, Fushë kabash, Gostivisht, Qafëzezë etj, duke e mbajtur armikun të gozhduar gati një muaj. Në fillim të qershorit pas një marshimi të rrufeshëm, brigada nisi sulmin mbi armikun në qafën e Gjarprit tek Guri i Prerë Shemberdhenj të Gramshit e në Qafë Dardhë të Beratit. Luftimet në Qafën e Gjarprit që u zhvilluan trup më trup dhe ku armiku la 150 të vrarë e ku u detyrua të ndryshonte drejtimin e të mos shkelte dot Tomorricën. Komandanti i regjimentit të parë Alpin, i krahason këto luftime me ato të frontit të Lindjes, tek thotë:”Që prej Harkovit nuk është zhvilluar asnjë luftim analog natën”. Me thyerjen e Operacionit armik të Qershorit, brigada u nis për në Shqipërinë e mesme dhe të veriut. Pas luftimesh të ashpra, më 16 korrik u çlirua edhe Macukulli. Të nesërmen forca të tjera të Brigadës u hodhën në sulm në Qafë Muhur, mbi trupat gjermane, që vinin nga Dibra, për të rrethuar dhe asgjësuar brigadën, por ajo me një manovër të madhe për dy jave rresht, me luftime të ashpra çau përpara në krahë e në shpinë të armikut, në drejtim të krahinës së Dibrës. Pas luftimeve, armiku u shpartallua përfundimisht e pas kësaj u çlirua Peshkopia. Në muajin gusht, gjermanët që ishin tërhequr në Dibër, organizuan një operacion të gjerë duke u nisur me forca të mëdha nga Dibra e madhe, Gostivari e Korabi, kundër brigadës së 5 sulmuese. Pas luftimeve të përgjakshme, natën e 22 -23 gushtit, me një sulm të përqendruar në lartësinë Korabit, forcat gjermane u thyen keqas. Komandanti gjerman mbas kësaj disfate vrau veten. Trofe të shumta e robër gjerman, ranë në dorë të brigadës. Kjo fitore u kurorëzua në çlirimin e rrethit të Dibrës. Në 25 gusht armiku u thye në Maqellarë. Në 2 shtator u çlirua edhe Dibra e Madhe. Në brigadë u rreshtuan 100 luftëtarë dibranë. Në pritat Kukës-Prizren, nga shkatërrimi i një autokolone gjermane u vra dhe një kolonel gjerman, duke qenë kjo një fitore tjetër e brigadës. Luftime të tjera u zhvilluan në rrethin e Kukësit, kudo forcat partizane shpartalluan rëndë gjermanët. nga rrethi i Kukësit, u bashkuan me brigadën 150 luftëtarë. Në fillim të tetorit, brigade kaloi kufirin afër Shishtavecit e shkatërroi trupat gjermane e ato mercenare, në Gllohoshicë e Dragash dhe zuri rob të gjithë shtabin gjerman, që komandonte këto forca. Në Kosovë, në bashkëveprim edhe me forcat partizane kosovare, brigade e 5 çliroi Gjakovën, Prizrenin dhe gjithë Kosovën. në radhët e saj hynë qindra vullnetarë kosovarë. Pas riorganizimit të saj me 6 batalione, brigade e 5 sulmuese, marshoi në ndjekje të armikut për ta shpartalluar atë ku të gjendej deri në çlirimin e sanxhakut. Brigada e 5-të ka përshkruar në luftë 2900 kilometra, ka 368 dëshmorë të atdheut e 13 heronj populli. Brigada ka zhvilluar luftime në Vajzë, Palasë, Vuno, Pilur, Salari, në Roje të Kongresit të Përmetit, Qafë të Gjarprit, Tufinë, Qafë Bardhë, kaloi Shkumbinin, Labinot, Elbasan, Tiranë, çliroi Matin, Peshkopinë, Dibrën e Madhe, Kukësin, Gjakovën, Junikun, Deçanin, Prizrenin, Sinicën, Sanxhakun. Në 1945 u kthye në Atdhe, u dekorua “Hero i Popullit”, duke pasur si drejtues, komandat Shefqet Peci e komisar Hysni Kapo.

Som

“Brigada e 5-të ka përshkruar në luftë 2900 kilometra, ka 368 dëshmorë të atdheut e 13 heronj populli. Brigada ka zhvilluar luftime në Vajzë, Palasë, Vuno, Pilur, Salari, në Roje të Kongresit të Përmetit, Qafë të Gjarprit, Tufinë, Qafë Bardhë, kaloi Shkumbinin, Labinot, Elbasan, Tiranë, çliroi Matin, Peshkopinë, Dibrën e Madhe, Kukësin, Gjakovën, Junikun, Deçanin, Prizrenin, Sinicën, Sanxhakun. Në 1945 u kthye në Atdhe, u dekorua “Hero i Popullit”, duke pasur si drejtues, komandat Shefqet Peci e komisar Hysni Kapo”