Sipas kujtimeve të ish-burgosurit politik Xhemak Bali, i dënuar me 26 vite burg

2268
Sigal

Si e tregonte Hulusi Spahiu vizitën e Enver Hoxhës në Beograd

Xhemal Bali ka kryer plot 26 vite e 28 ditë burg në burgjet më famëkeqe të Shqipërisë. Ai është mik i gazetës”Telegraf” se ka botuar një pjesë të kujtimeve të tij. I famshëm për ridënimin e tij për promemorien që i dërgoi byrosë politike dhe i kushtoi 10 vite burg ridënim nga prokurori i çështjes Njazi Jaho. Xhemal Bali, personalitet i pritur nga të gjithë politikanët dhe kryeministrat e shtetit shqiptar të demokracisë ka vënë në dispozicion dorëshkrimet e tij të kujtimeve dhe refleksioneve për gazetën “Telegraf” duke e quajtur si gazetën më demokratike që vendosi të botojë për here të pare intervistën e tij. Para se të botohen kujtimet e tij, vendosëm të botojmë kujtimet fragmentare ku ish i burgosuri Hulusi Spahiu tregon për vizitën e pare të Enver Hoxhës në Beograd. Në numrat e ardhshëm do të gjeni kujtime rrëqethëse, të vërteta të pabesueshme, por edhe qëndrime korrekte ndaj qeverisjes së sotme.

Xhemal Bali tregon:- “Ja se ç’ farë na thoshte Hulusi Spahiu, ndër të tjera, gjatë viteve të burgut: Në vitin 1947 një delegacion qeveritar i përbërë nga Enver Hoxha, Nako Spiru, Koçi Xoxe, Hulusi Spahiu dhe shumë të tjerë, shkuan për vizitë në Jugosllavi për tu takuar me Titon dhe për të marrë udhëzime. Na pritën përfaqësuesit e Parties Komuniste Jugosllave Kardeli, Rankoviçi, Moshe Pijade, e shumë udhëheqës të tjerë. Na akomoduan në Hotel “Internacional” të Beogradit për të pushuar natën që shkuam, vijonte Hulusiu tregimin, qëndruam aty. Të nesërmen në orën 10 paradite do të takoheshim me Titon. Si delegacion shkuam në rezidencën e Titos. Kaluam një labirint të tërë të shoqëruar nga oficerë madhor. Mbërritëm në kabinetin e Titos. Sa hymë në derë pamë Titon, një burrë i madh dhe hije rëndë. Në gishtat e duarve vezullonin unaza brilante dhe shumëngjyrëshe. Ishte tamam si një sulltan i një perandorie të madhe. Por çudia më e madhe qe se në të dy krahët e Titos qëndronin dy qen të mëdhenj, nga të cilët një ja kishte falur mbretëresha e Anglisë dhe një mbretëresha e Danimarkës. Të bëje lëvizjen më të vogël në drejtim të Titos, të shqyenin qentë fare. Me gjithë salltanetet që pamë, ne bëmë ritualin politik konfidencial. Titua nuk u ngrit nga vendi fare. I pari përshëndeti Enver Hoxha. I dha dorën, por para se ti jepte dorën bëri një përkulje përtokë, tamam si përkuljet e eunukve para sulltanëve. Ne të të tjerët i dhamë dorën Titos, si zakonisht kur takohen dy njerëz me njëri-tjetrin ose grupe njerëzish. Kur pashë përkuljen servile të Enverit ndaj Titos, ndjeva se mbi mua u shemb gjithë godina, po kështu edhe shokët e tjerë.  Filloi biseda me Titon. Na pyeti si ecnin punët në Shqipëri dhe për probleme politike dhe ekonomike. Ne në Shqipëri,-tha Tito, -kemi njerëzit tanë. Komunikoni me ata. Ne do tu ndihmojmë me sa mundësi që të kemi, por nuk duhet të prisni kaq shumë, se dhe Jugosllavia kaloi rrebesh të madh lufte dhe është e dëmtuar. Rreth këtyre mendimeve u mbyll takimi ynë që zgjati rreth 15 minuta, ndryshe nga parashikimi ynë si delegacion se do ishte një takim miqësor disa orësh. U kthyem përsëri në hotel,-vijonte rrëfimin Hulusiu,-por na brente përbrenda dhe nuk na mbante vendi nga servilizmi që i bëri Enveri Titos. I them Enver Hoxhës, -vijon Hulusiu, -Shoku Enver, do të them diçka. Thuaje, o Ulso, mos ki droje nga mua, më tha Enveri. Ne jemi vëllezër me njëri-tjetrin, jemi në radhë të pare gjirokastritë, jemi rritur si jemi rritur që në fëmijëri në kalldrëmet e sokakeve të Gjirokastrës. Ne nuk na lidhin vetëm idealet e luftës dhe fitoret tona të përbashkëta, por na lidh vëllazëria dhe Gjirokastra, prandaj fol hapur me mua. Dua të them, -tregonte Hulusiu bisedën, – se kur shkuam për takim tek Titua, pse i bërë një përulje aq servile? U përkule gati në dysheme. Enveri ma ktheu: Ooo, për këtë je bërë merak, o Ulo? Unë të kam vlerësuar si njeri të zgjuar. Pse i bëra unë një përkulje Titos sot, që ta kemi mire me ta e të marrim ndonjë gjë prej tyre. Nesër po të prishemi, lozim edhe gurin e fundit kundra tyre,- përfundoi Enveri. Hulusiu thotë se ju përgjigj:-Të të them të vërtetën Enver, nuk më erdhi mire. Por Enveri ia kthen se nuk duhej të bëhej merak po të flinte rehat. Por Hulusiu e pyet se ç’ farë i kishte gjithë ato salltanete Titua? Enveri, përsëri i qetë, ia kthen:- Epo Jugosllavia është shtet i madh dhe ka potencë të madhe, mos shiko ti tek neve. Ne kemi shumë mungesa që të arrijmë nivele të larta. Me kaq u mbyll biseda, -kujton Hulusi Spahiu me shokët e burgut. Po kush qe Hulusi Spahiu? Ishte gjirokastrit. Ushtarak me akademi. Gjeneral, major dhe shkollën ushtarake të mbaruar ne Itali. Luftëtar i Spanjës dhe shok me Mehmet Sheun në brigadat internacionale të kësaj lufte. Në 1956 përjashtohet nga partia dhe burgoset për shumë vite.

SHËNIM: Kjo pjesë e pare e këtyre kujtimeve, ekskluzivisht për gazetën”Telegraf” është paraqitur para lexuesit në përputhje me origjinalin e tekstit, pasi kjo është edhe kërkesa e autorit të kujtimeve, Xhemal Bali.

Agron MEMA