Enveri, makina e tij për misionin amerikan

Ditar i Misionit Special për Shqipërinë
Pas marrjes së telegramit të Departamentit të Shtetit nr.308, të 7 prillit të vitit 1945, në orën 7 të pasdites, adresuar AMPOLAD në Kaserta, direkt për mua që të shkoja në Tiranë, për të raportuar mbi situatën atje në lidhje me çështjen e njohjes, unë fillova të përgatis oficerët dhe nëpunësit e mi për të shkuar në Tiranë. Në notën e datës 10 prill 1945, e cila iu dërgua gjeneral-kolonel Enver Hoxhës nëpërmjet OSS (The Office of Strategic Services - Zyra e Shërbimeve Strategjike - H. K.) u përcollën emrat e pjestarëve të grupit dhe kërkesa për lejet e hyrjes, së bashku me pasuritë, furnizimet, pajisjet dhe mjetet e transportit. Më 13 prill 1945, unë mora një telegram nga përfaqësuesit e OSS në Tiranë, të cilët më bënë të ditur se, misioni im ishte i lirë të hynte në Shqipëri. Pas kësaj, ngjarjet më të rëndësishme janë treguar kronologjikisht më poshtë:

18 prill, 1945:
Tok me zotin William M. Lauman dhe nënoficerin Craves të OSS, udhëtuam për në Bari me një xhip të marrë hua, duke e lënë Kasertan, këtë mëngjes, të shoqëruar nga tri kamionë (me shoferë të ushtrisë) me pajisje zyrash, mobilie dhe dy arka me dosje të zyrës së vjetër të Tiranës, të cilat, siç rezultuan më vonë, ishin dosjet e vizave. Ishte planifikuar që këto pajisje, së bashku me ca furnizime nafte diezel dhe gazoline për ndriçimin elektrik, të niseshin nga Bari në Durrës.

1 maj 1945:
Pas vështirësive të shumta që hasëm gjatë përgatitjes së ngarkesave tona për në mol, së fundi ato u ngarkuan në dy barka britanike me nr. 347 dhe 455, të cilat lundruan për në Durrës rreth mesnatës, ndërsa ishte planifikuar ora 5 e pasdites. Pas mbërritjes në vend, Zoti Lauman raportoi se për shkak të transportimit pa kujdes në Brindisi, dy valixhet me materiale qeveritare, të paketuara në konsullatën e Napolit, njëra në formë tubi e cila i përkiste z. Hoffman, së bashku me disa valixhe të tjera, gjithashtu pronë personale të tij, humbën ose u vodhën. Furnizimet tona me naftë ishin ngarkuar gjithashtu në këto barka.

2 dhe 3 maj 1945:
Barkat LCT arritën në Durrës më 2 maj dhe gjatë dy ditëve pasuese z. Lauman ishte i zënë me përgatitjen e furnizimeve dhe pajisjeve të tjera, përveç 25 barelave me naftë diezel, transportimi i të cilave u shty pothuajse edhe një javë tjetër, për shkak të vështirësive të hasura gjatë rrugës Tiranë – Durrës, si rezultat i urdhrave të qeverisë.

8 maj, 1945:
Pasi morëm vesh që zotërinjtë Lauman, Hoffman dhe Stevens, së bashku me furnizimet dhe pajisjet kishin mbërritur në Tiranë, unë e lashë aeroportin e Kapodiçinos të Napolit, në orën 8 e 15 minuta të paradites dhe udhëtova me një aeroplan ATC, të pilotuar nga leitnant-kolonel Nelson David dhe leitnant-kolonel C.D. Reckanagle, dy anëtarë të ekuipazhit dhe të leitnantit Fruter. Këta dy pilotë të një rangu të lartë u dërguan nga ATC, sepse fluturimi ishte i rëndësishëm dhe kolonelët donin të tregoheshin të kujdesshëm deri sa të uleshim në aeroportin e Tiranës. Grupi im përbëhej nga zonja Jacobs, unë, asistenti special Harry T. Fultz dhe nëpunësit Janet Barker, Marry T. Chiavarini dhe Barbara Johnson, e cila ishte caktuar përkohësisht deri në mbritjen e nëpunëses së përhershme të kodit, si dhe të korierit Thomas Valenxa. Aeroplani arriti në Tiranë në orën 10 e një çerek të paradites. Ne u pritëm në aeroport nga anëtarët e stafit tim, të cilët më paraprinin mua, si dhe nga personat e mëposhtëm: Dr. Medar Shtylla, ministër i Ekonomisë, përfaqësues i gjeneral Enver Hoxhës, leitnant-kolonel Hysni Kapo, përfaqësues i Shtabit të Përgjithshëm, Dhimitër Vangjeli, përfaqësues i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Koço Tashko, përfaqësues i Këshillit të Frontit, major Pupo Shyti, përfaqësues i Ushtrisë (ANLA - The Albanian National Liberation Army, H.K), kapiten Thomas Stefan dhe leitnant Nick R. Cooky përfaqësues të OSS, leitnant- kolonel John Breckinridge dhe leitnant – kolonel Stanley Merril, përfaqësues të Ndërlidhjes Ushtarake (Military Liaison), majorët Eliot Watrous dhe Victor Smith, përfaqësonin brigadierin Hodgson të Misionit Ushtarak Britanik, i cili gjendej në Korçë. U nisëm për në ish-pronën e legatës me makinën e Enver Hoxhës, e cila ishte dërguar në aeroport posaçërisht për ne, të shoqëruar nga leitnant - kolonel Hysni Kapo. Në udhëzimet që më ishin dhënë, mua më ishte bërë e qartë se, nëse do të ishte e mundur, unë duhej të lëvizja me mjetet tona të transportit. Por, ishte e pamundur ta refuzoja këtë gjest, pa i fyer ata. Përgjatë rrugës nga aeroporti për në ndërtesën e legatës kishte mjaft njerëz, të cilët dukeshin shumë miqësor dhe kohë pas kohe përsëritnin kërkesën e tyre për “ njohje”. Në ndërtesën e legatës u shërbye një koktejl për personat që kishin qenë me mua në aeroport dhe që më shoqëruan deri në legatë. Rreth mesit të ditës një turmë e madhe demonstruesish arriti tek porta e legatës duke brohoritur për Shtete e Bashkuara dhe presidentin Truman. Gjithashtu, u dëgjuan edhe vërejtje në lidhje me njohjen dhe përpjekjet e dështuara për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Konferencën e San Franciskos. Një përfaqësi e këtij grupi, e përbërë nga 12 persona dhe e drejtuar nga Llazar Treska, më takoi mua në emër të tyre. Ky grup, pasi shprehu kënaqësinë për arritjen time, si një përfaqësi civile, theksuan se ata mbështetnin qeverinë aktuale dhe shpresonin që ne ta njihnim atë. Unë i fola diçka turmës duke u shprehur kënaqësinë për ardhjen në Shqipëri dhe qëllimin tonë miqësor ndaj aspiratave kombëtare të popullit shqiptar. Në orën një ne shtruam një drekë për anëtarët e stafit, pilotët, oficerët e OSS si kapiten Stefanin, leitnant Cooky dhe Courier Valenza. Aeroplani u kthye në Napoli në orën 4 të pasdites dhe ne kërkuam që të vinte në Tiranë çdo të premte, por për çdo udhëtim duhej të merrnim paraprakisht miratimin e autoriteteve shqiptare. Ndërtesa e legatës ishte në gjendje të mirë dhe po ashtu edhe mobilimi. Vumë re që kishte nevojë për një pastrim rrënjësor, por edhe për disa riparime të domosdoshme, të cilat ishin të kuptueshme për shkak të kohës së gjatë që nga vera e vitit 1939 e gjer në maj të vitit 1945, kohë gjatë së cilës ndërtesa kishte qenë e pa banuar. Pas kësaj ne duhet t’i kushtonim vëmendje të menjëhershme kushteve të banimit, ndaj dhe pak më vonë nisëm për këtë qëllim zotin Lauman në Napoli.

9 maj, 1945:
Këtë mëngjes në orën 11, unë prita një delegacion nga sekti i bektashinjve, të përbërë nga kolonel Baba Faja Martaneshi, gjysh Myrteza Kruja, Xhelal Rusi dhe major Haxhi Seseri, të cilët shprehën kënaqësinë që kishin një përfaqësi civile të Shteteve të Bashkuara në Tiranë, ndërsa fjala “civile” u theksua. Ata më informuan mua se, Këshilli i Përgjithshëm i Komunitetit të Bektashinjve e njihte Qeverinë Demokratike të Shqipërisë dhe Shqipëria duhej të ftohej që të merrte pjesë në Konferencën e San Franciskos. Grupi ishte i përzemërt në qëndrimin e tij dhe gjatë gjithë kohës më shprehën ndjenjat e tyre miqësore ndaj Shteteve të Bashkuara. Në orën 11 e gjysmë, unë vizitova gjeneral Enver Hoxhën, kryetar i Këshillit të Ministrave të Qeverisë Demokratike të Shqipërisë. Ai kishte si përkthyes Koço Tashkon, të cilin unë e kisha takuar ditën e mëparshme në aeroport, ndërsa me mua ishte kapiten Thomas Stefani i OSS. Edhe më vonë unë kisha si përkthyes kapiten Stefanin, leitnant Nick R. Cooky apo rreshter Stephen Peters, të gjithë të OSS, sepse unë nuk kisha ndonjë përkthyes plotësisht, të kualifikuar për gjuhën shqipe në stafin tim. Gjenerali më uroi mirëseardhjen me përzemërsi por, pa humbur kohë më bëri të ditur që ai dhe qeveria e tij dëshironin të njiheshin nga Shtetet e Bashkuara dhe se ai ishte i brengosur dhe nuk e aprovonte faktin që Shqipëria nuk ishte ftuar të merrte pjesë në Konferencën e San Franciskos. Ai i nënvizoi arsyet se pse Shqipëria kishte të drejtë të njihej dhe sepse ajo duhej të kishte qenë e ftuar në këtë konferencë, arsye të cilat na u përsëritën herë pas here edhe nga anëtarët e tjerë të qeverisë, me të cilët unë bisedova më vonë.

Vijon