Eduard ABAZi/ Haziz Lila, delegat i Kongresit të Manastirit dhe i Aktit të Pavarësisë

599

Më 7 qershor të vitit 1915, patrioti dhe ideologu Haziz Lila, u vra në pritë nga serbët në afërsi të kufirit në Steblevë

Hazis Lila, ose siç njihet nga shtypi kohës Hazis Efendiu ose Hoxhë Lila  u lind në Steblevë të Dibrës në vitin 1875 në një familje të mesme fshatare me tradita patriotike. Mësimet e para në shqip dhe turqisht i mori i në fshatin e tij nga Imer Hoxha, i cili përveçse kryente shërbimet fetare në xhami si hoxhë, jepte mësim në Mejtepin e fshatit në gjuhën turke dhe fshehurazi edhe gjuhën shqipe  nëpërmjet një abetareje që e kishte futur në Shqipëri që në vitin 1890 patrioti Dervish Zharri nga Bërzeshta. Studimet i mesme i kreu në Selanik, ndërsa studimet e larta i kreu në Stamboll për Teologji. Pasi kreu me sukses studimet e larta për teologji u specializua për filozofi dhe astrologji në Francë. Ai ishte njohës i shkëlqyer i arabishtes, turqishtes, persishtes dhe frëngjishtes. Me mbarimin e studimeve në Francë, kthehet në Shqipëri në moshën 30- vjeçare dhe emërohet profesor për gjuhën frënge në Gostivar  dhe më vonë drejtor i shkollës së mesme turke në Dibër të Madhe. Në këtë qytet ai njihet dhe futet në veprimtari të përbashkët me Vehbi Dibrën, Hoxhë Moglicën, Said Najdenin etj..

MËSUES NË GOSTIVAR E STRUGË
Në agim të shekullit XX një Hafiz i ri nga Stebleva e Gollobordës, i porsaardhur nga studimet që kishte bërë në Stamboll e Francë u emërua mësues i frëngjishtes në Gostivar, në Strugë e më pas drejtor i shkollës “Idadije” në qytetin e Dibrës. Haziz Lila, më vonë do të bëhej myfti, dhe zhvilloi një aktivitet të gjerë fetar dhe patriotik në periudhën para shpalljes së Pavarësisë.  Ishte përkrahës i shkronjave shqipe sidomos para mbajtjes së Kongresit të Dibrës, ku e bindte masën e gjerë se vetëm shkronjat që krijojnë shkrimin shqip do të mund të përparojnë shqiptarët, gjuha shqipe jo vetëm është e dashur por është gjuhë e shpirtit.  “Ju e dini sa vështirë këndohet e mësohen shkronjat arabçe sa vite u duhet atyre që të lexojnë dhe përsëri nuk mund ta mësojnë.” Ai solli me vete mjaft libra në gjuhën shqipe dhe i shpërndau ato fshehurazi, përhapi alfabetin shqip kudo dhe mbi të gjitha, propagandoi frymën patriotike dhe mospajtimin me politikën serbe, iu kundërvu propagandës serbe dhe përpjekjeve për pushtimin e tokave shqiptare. Aktiviteti patriotik dhe antisllav i tij i ra në sy naçallnikëve serbë, të cilët e arrestonin dhe i bënin presion për të ndërprerë aktivitetin patriotik kombëtar.  Mori pjesë në Kongresin e Dibrës dhe në Kongresin e Manastirit (1908). Në fund të vitit 1909 pas kthimit nga Kongresi i Manastirit, së bashku me Hoxhë Moglicën, mblodhën kuvende të ndryshme për të përhapur idetë e këtij kongresi. Autoritetet turke dërguan forca ushtarake për të shtypur veprimtarinë e tyre. Në luftimet që pasuan, morën pjesë patriotë të shquar dibranë si: Avdi Hoxha Sallai, Qazim Duka, Haziz Lila e të tjerë. Ai bëhet anëtar i klubit “Bashkimi” të Manastirit në korrik 1908 dhe në nëntor 1908 merr pjesë si delegat  i Kongresit të Manastirit, ose Kongresit të njësimit të gjuhës shqipe, përkrah me 50 burra të shquar të kombit shqiptar si Luigj Gurakuqi, Shahin Kolonja, Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Mihal Grameno, Sotir Peci, Hilë Mosi, Mati Logoreci, Bajo Topulli, Gjergj Qiriazi etj.. Edhe pse ishte nëpunës i shtetit turk, drejtor i shkollës së mesme turke me titull Hafuz, ai kishte përqafuar idetë iluministe franceze, ku kishte studiuar si dhe idetë e rilindësve tanë. Ai është pjesëmarrës si të gjitha takimeve dhe kuvendeve për zgjim kombëtar, liri dhe pavarësi.  Ai ishte anëtar i shoqërisë patriotike “Bashkim e Përparim” që ishte e përhapur pothuajse në të gjithë Shqipërinë.  Në kuadrin e përhapjes së këtyre ideve dhe veprimtarive ai krijoi “Grupin Patriotik të Gollobordës“ me qendër në Steblevë.

Ai bashkëpunoi me patriotët e zonës si Hoxhë Hasan Moglicën nga Moglica e Okshtunit, me Elez Koçin nga Ostreni, me Islam Lamën nga Stebleva, me Vasil Pleushkun nga Klenja, me Murat Qolin nga Zabzuni etj.. Këta merreshin me organizimin e shkollave shqipe dhe përhapjen e gjuhës shqipe, shpërndarjen e librave shqip në Steblevë, Okshtun, Klenjë, Trebisht, Ostren etj.. Librat shqip prodhoheshin në Stamboll nga shoqata patriotike shqiptare dhe silleshin në Shqipëri dhe konkretisht në Gollobordë nëpërmjet tregtarëve vendas. Libra shqip vinin edhe nga shoqëritë shqiptare të Sofies dhe Bukureshtit.
Veprimtaria patriotike e Hoxhë Hazis Lilës ra në sy të autoriteteve turke, të xhonturqve, të cilët ndonëse më liberalë se paraardhësit e tyre ndaj shqiptarëve ishin prepotentë dhe aspak tolerantë e dashamirës për lejimin e gjuhës shqipe. Ata e transferojnë Hoxhë Lilën në Ohër dhe më pas në Manastir si mësues i thjeshtë në shkollat turke. Por ky transferim nuk e ndali aspak veprimtarinë patriotike të tij, përkundrazi e forcoi atë.

NË KONGRESIN E MANASTIRIT

Në korrik 1908 ai bë anëtar i Klubit Patriotik „Bashkimi“ të Manastirit. Ai merr pjesë në Kongresin e Manastirit si delegat i Bërzeshtës dhe Steblevës që u zhvillua nga data 14-22 nëntor 1908 dhe më vonë në Kongresin e Elbasanit më 2-8 shtator 1909, që u finalizua me hapjen e Shkollës Normale për përgatitjen e arsimtarëve të gjuhës shqipe. Së bashku me Seit Najdenin (Hoxhë Vokrrin) dhe Hoxhë Hasan Moglicën hartuan edhe planin e lëvizjes së armatosur për shporrjen e turqve nga zona e Gollobordës.  Në vitin 1911 Hoxhë Lila së bashku me fshatarët dhe shokët e tij organizoi djegien e mejtepeve turke në të gjithë krahinën e Gollobordës si në Steblevë, Trebisht, Ostren i Madh, Okshtun i Madh etj.. Në vitet 1911-1912 organizon revoltat popullore kundër pushtimit turk.. Si veprimtar i spikatur  Hazis Lila do të jetë përkrah Ismail Qemalit më 28 nëntor 1912 në momentin e shpalljes së pavarësisë. Në vlerësim të kontributit që dha ai u emërua nga qeveria e Ismail Qemal si krahinar për gjithë krahinën e Gollobordës.
Hazis Lila shfrytëzoi të gjitha lidhjet që kishte me personalitetet e kohës si me Prefektin e Elbasanit, Aqif Pashë Biçakun (Elbasanin). Me t’u kthyer nga Vlora ai shpalli bashkimin e krahinës së Gollobordës me Qeverinë e Vlorës dhe ngriti flamurin shqiptar në krahinë. Me ndihmën e Aqif Pashës ai ngriti dhe ndërtoi administratën e krahinës në kushte tashmë terrori sepse menjëherë pas shpalljes së pavarësisë kemi ndërhyrjen ushtarake serbe në krahinë për të depërtuar deri në Shkumbin. Hazis Lila së bashku me shokët e tij patriotë të krahinës dhe të fshatit Steblevë kurrë nuk u pajtua me vendimin e 1913 për copëtimin e kufijve të Shqipërisë. Deri në dorëheqjen e Qeverisë së Vlorës me 22 janar 1914 ai ruajti tërësinë territoriale të krahinës duke mos lejuar copëtimin e mëtejshëm. Pas vendosjes së kufijve të vitit 1913 , ushtritë serbe u përqendruan në fshatin Llabunisht të Strugës, duke pritur momentin e përshtatshëm për të sulmuar përsëri fshatrat shqiptarë brenda kufijve të vitit 1913. Në këto kushte krahinari Hazis Lila organizoi një forcë të armatosur prej 100 vetë të komanduar nga Ahmet Bejtaga , komandant i xhandarmërisë i emëruar nga qeveria e Vlorës.

VRASJA NGA SERBËT
Ai do ta vazhdojë luftën e tij pandërprerë me të gjitha mundësitë dhe në shumë fronte. Tashmë të bindur serbët, se ai nuk tërhiqej nga aktiviteti patriotik dhe ideali kombëtar, pasi e arrestuan e shoqëruan me një njësit ushtarësh prej tetë vetash deri në kufirin shtetëror (të kontestuar para komisionit) që padrejtësisht në 1913 ndante tokat e Steblevës, pabesisht e qëllojnë mbas shpine duke e vrarë në vendin e quajtur Llakavicë, “Gezden” të Steblevës, më 7 qershor 1915. Kështu u nda vetëm fizikisht intelektuali dhe patrioti i spikatur, famulltari dhe pishtari i përhapjes së dijes në trevat shqiptare, biri i Steblevës duke u bërë simbol i krahinës dhe i mbarë Shqipërisë.

Ndaj me krenari themi se Haziz Lila i përket martirëve të gjuhës dhe të shkollës shqipe.