Dr. Osman JONUZI, babai i Kirurgjisë dhe Gjinekologjisë Shqiptare, themeluesi i spitalit të Tiranës 1920

301

Prof. Dr. Flamur TARTARI

Duke marrë shkas nga përurimi i spitalit të ri kirurgjikal, në Tiranë, nga ana e kryeministrit të Shqipërisë, zotit Edi Rama, unë si kirurg i vjetër prej 52-vitesh, e kam të drejtën morale të them disa fjalë, për historikun e spitalit të Tiranës, të cilët i kam shkruar në disa libra të mi. Ky spital i ri që do të bëhet është një dhuratë e madhe për qytetarët e Tiranës dhe Shqipërisë, në shërbim të popullit. Unë personalisht e falënderoj qeverinë për këtë nismë të madhe që ka ndërmarrë, sepse ka 86 vite që kirurgjia vazhdon të jetë në spitalin e ndërtuar 82 vite më parë. Ka ardhur koha që edhe kirurgjia shqiptare, e cila ka një traditë të vjetër dhe shumë të mirë, me një zhvillim shumë të madh, të jetë bashkëkohore. Kam një sugjerim që duhet parë, që në këtë spital të ri, të bëhet edhe një pavion i vogël, me 1 ose 2 salla operacioni për transplantin e veshkave, mëlçisë dhe të palcës së kockës, gjë e cila mungon, sepse investimet e bëra disa vite më parë nga qeveria italiane, nuk ia arritën qëllimit, pasi u realizuan vetëm 2 transplante të veshkës, kur, në të njëjtën kohë në spitalin amerikan, janë bërë rreth 190 transplante me sukses. Duke qenë se, nuk mungon kuadri përkatës, sepse mjekët tanë janë shumë të aftë për të kryer ndërhyrje të tilla, prandaj mendoj se ka ardhur koha që të bëhet një gjë e tillë, pasi vendet e tjera fqinje kanë vite që e kanë realizuar, prandaj Shqipëria i ka të gjitha kualitetet përkatëse, por duhet vetëm dashamirësia, prandaj ia sugjeroj kryeministrit tonë, i cili mendoj se i vlerëson këto gjëra.

Dr. Osman Jonuzi është një ndër mjekët më të vjetër patriotë që punoi pa u lodhur deri në fund të jetës së tij si pionier i kirurgjisë shqiptare. Ai lindi në Gjirokastër më 1879 në një familje të varfër qytetare që për arsye ekonomike emigroi në Greqi (Janinë) ku mbaroi shkollën fillore dhe më vonë në Manastir, ku doli shkëlqyeshëm në mësime, duke mbaruar shkollën e mesme (liceun), e cila i dha përparësi për të vazhduar në Stamboll Fakultetin e Mjekësisë. Qysh në bankat e shkollës ai pati si qëllim që t’i shërbente atdheut të tij. Ai bënte pjesë në grupin e të rinjve përparimtarë shqiptarë që mendonin për atdheun e tyre, Shqipërinë, sepse “Shqipëria,-thoshte profesori i tyre shqiptar, Rifat Frashëri, kërkon nga ju të mësoni mirë dhe të mendoni gjithnjë për mëmëdhenë e popullin, sepse ka nevojë të madhe për ju, prandaj duhet të shkoni patjetër atje për ndihmë”. Vetë profesori i tyre e realizoi i pari këtë detyrë, duke u ardhur në ndihmë me dijet e tij si mikrobiolog që ishte. Dr. Osmani, pasi mbaroi Fakultetin e Mjekësisë në Stamboll, në fillim të shekullit XX u detyrua të shërbente në ushtrinë turke në Mekë e më vonë ne Jemen. Atje qëndroi gati një vit dhe ndihmoi me dijet e tij dhe shumë shqiptarë (sipas kujtimeve të një veterani që kishte qenë vetë ushtar 6 vjet). Sidomos në kohën e fushatave ushtarake, për t’iu shmangur pikës së diellit nga temperatura e lartë, ai u bënte klizma me ujë të ftohtë si dhe i mblidhte me çarçafë të lagur. Në 1912 dr. Osmani me gradën toger i ushtrisë turke si mjek në Tuniz, por pikërisht në atë kohë Shqipëria shpalli pavarësinë me në krye plakun patriot Ismail Qemali, i cili ngriti flamurin në Vlorë dhe dr. Osmani si patriot, atdhetar e përparimtar, u arratis nga Tunizi e shkoi në Maltë e, prej andej, me vështirësi erdhi në Vlorë, ku u vu në shërbim të popullit e qeverisë së Vlorës. Nga ky gjest i doktorit qeveria turke e shpalli person të padëshiruar në Turqi. Në Vlorë ai dha dijet mjekësore sidomos duke mjekuar popullin dhe ushtrinë e qeverisë së Vlorës. Qëndroi gati një vit në Vlorë dhe nga mesi i vitit 1913 shkoi në Berat deri në vitin 1915- 1916 ku, megjithëse kishte fëmijët shumë të sëmurë (dy fëmijë binjakë të vegjël), ashtu si shumë patriotë të tjerë shkuan në Korçë me Mihal Gramenon për të ndaluar andartët grekë që sulmuan zonën e Korçës, duke bërë krime mbi popullsinë e pafajshme. Dhe doktori mori pjesë së bashku me disa mjekë korçarë, si Vasil Polena, në çetën vullnetare të Gramenos etj., duke dhënë një ndihmesë të veçantë në mjekimin e të plagosurve. Ky gjest doktorit i kushtoi shtrenjtë në aspektin familjar, sepse kur u kthye pas 6 muajve në Berat i gjeti të dy fëmijët të vdekur nga lija. Më pas, në vitin 1917 e gjejmë doktor Osmanin si mjek bashkie dhe kirurg në Tiranë, por pa spital. Ai bënte mikrokirurgjinë në një ambulancë të vogël vetëm me dy-tre pinca, me një palë gërshërë, jodio e alkool, por ishte entuziast në punën e tij, ku gjithmonë në biseda me shokët e tij thoshte, që mjeku që dëshiron t’i shërbejë popullit e fillon nga hiçi, duke dhënë disa shembuj të ndryshëm nga mjekë të vjetër shqiptarë dhe kish besim për të ardhmen, gjë që e arriti më vonë si themelues i kirurgjisë shqiptare. Dr. Osman Jonuzi me të drejtë quhet sot babai i kirurgjisë shqiptare.

Megjithëse në Shqipëri kish qendra të veçanta si spitale të vegjël apo ambulanca të ndryshme e që bënin atë pak kirurgji të vogël si ndihmesë për popullin, është meritë e dr. Osmanit që me vetëmohim i vuri vetes si qëllim të hapej shërbimi i kirurgjisë në Shqipëri në një qendër të madhe (si spitali), sepse edhe kushtet politike në atë kohë në vitet ’20 ishin për shërbimin ndaj Shqipërisë për popullin fill pas Kongresit të Lushnjës në Tiranën e caktuar kryeqytet, mjekë patriotë, përparimtarë, të gjithë shqiptarë hapën spitalin tek Hani i Pashës (sot lulishte “Drini” tek Sahati). Drejtor i parë i tij dhe kirurg u caktua dr. Osman Jonuzi dhe bërthama e parë ishte ndihmëse e Kryqit të Kuq amerikan në Shqipëri. Detyra të mëdha i dolën mjekut patriot përparimtar me atë gjendje varfërie ekonomike, feudalizmi, feja dhe forcat reaksionare nuk e ndihmuan këtë hap përpara që u bë në atë kohë. Iu desh doktorit me shokët e tjerë mjekë që të merreshin edhe me punët më të rëndomta për përmirësimin e kushteve në spital. Doc. Hamdi Sulçebe – kujton me dhembshuri punën e palodhur të dr. Osmanit, megjithëse material d. m. th. kish shumë të sëmurë që pritnin radhën por mjete nuk kish. Ja si e përshkruan sallën e operacionit dr. Sulçebe: “Ishte një dhomë 3 x 4, pa çati, me një tavolinë operacioni primitive, me pak instrumente të mbledhur nga vetë mjekët e personeli mjekësor. Dr. Osmanit i asistonim ne mjekët gjatë operacioneve kur mungonte kirurgu Ruzhdi Bobrati, por ai e bënte shumë shpejt dhe mirë operacionin… Drita ishte prej një feneri me vajguri dhe në vend të çatisë dr. Osmani para operacionit vendoste një çarçaf të madh që të mos binin pluhurat, mizat apo dhe minjtë e shumtë që ishin në tavan. Nuk kishte as oksigjen dhe si lëndë anestetike doktori përdorte kloroformin që e jepte me maskë (infermieri që e jepte narkozën ose ndonjë mjek tjetër përgatitej nga vetë dr. Osmani)”. Në këto kushte shumë të vështira ai kreu shumë operacione për vite me radhë, duke bërë 100-150 operacione në vit të llojeve të ndryshme (si absese të ndryshme, mjekim frakturash, thyerje të kockave të trupit, apendiciti, heqje gurësh nga fshikëza e urinës, heqje veshke etj. Shumë operacione mbajnë vulën e dr. Osmanit të bëra për herë të parë në Shqipëri. Për herë të parë ai bëri ndërhyrje kirurgjikale në mushkëri, në gjinekologji, histerektomi etj. Të pashlyeshme do të mbeten në patriotët dhe popullin shqiptar, vrasja prapa krahëve e birit revolucionar, heroit të popullit shqiptar, Avni Rustemi. Menjëherë posa erdhi në spitalin ku ishte dr. Osmani dhe dr. Tefiku, u habitën ata si mjekë për guximin dhe kurajën e madhe që kish Avniu, që megjithëse ishte rëndë, kish besim tek djelmëria shqiptare revolucionare. Dr. Osmani më vonë kujtonte: – “Megjithëse e këshilloja Avniun që të mos fliste, të çlodhej se humbiste gjak, ai përsëri mendonte për Shqipërinë, fliste për pabesinë e Zogut, i cili i vriste njerëzit prapa krahëve, dhe për revolucionin e ardhshëm, duke duruar edhe mjekimin e plagëve. Dr. Osmani, si mjek humanitar, i ndenji 24 orë te koka trimit Avni Rustemi, duke ia ndërruar plagën shpesh për të ndaluar hemorragjinë. Dr. Osmani dhe personeli i tij mjekësor i qëndruan heroit 48 orë tek shtrati, por dora gjakatare e kishte goditur për vdekje heroin. Dr. Osmani në shënimet e tij gjithmonë i kujton fjalët e fundit të Avni Rustemit që megjithëse ishte shumë i dobët, ai i zverdhur nga humbja e gjakut, gjente ende fuqi për të shprehur idealin e tij duke thënë: “S’ka gjë që unë do të vdes, por shokët, duajeni gjithmonë Shqipërinë, luftoni që të jetoni të lirë, të lumtur, të fortë si malet tonë!”. Fletorja politike e përjavshme e Shoqërisë “Bashkimi” – gazeta Tirana, më 27 prill 1924 shkruante: “I plagosuri Avni Rustemi u çua në spital, ku iu dha ndihma e parë se plumbi mund të mos bënte shumë, por hemorragjia e brendshme vazhdonte për 48 orë. Plumbi kish shpuar mëlçinë e bardhë (mushkëritë) tejpërtej pankreasin, shpretkën dhe vazat e gjakut si dhe stomakun”.

Pas dy ditëve të plagosjes trimi Avni Rustemi vdiq, në orën 2 të datës 22. 4. 1924. Djelmënia shqiptare përparimtare dhe i gjithë populli ia kërkoi me guxim doktorit zemrën e Avniut, duke menduar që ta kishte gjithmonë pranë atë dhe dr. Osmani, megjithëse ishte kirurg, këtë kërkesë të popullit e plotësoi duke patur parasysh gjithmonë, që kjo zemër e ruajtur do të ishte shkëndijë për revolucionarët e rinj. Ai e nxori zemrën e Avniut dhe e futi në solucion fiziologjik, ku zemra me automatizimin e saj filloi të bëjë disa tkurrje që u panë me adhurim të madh nga populli (djelmënia shqiptare). Zemra e Avniut ishte edhe kjo një shkëndijë tjetër krahasuar kushteve historike – ekonomike – politike të asaj kohe për shpërthimin e revolucionit demokratik – borgjez. Dr. Osmani e përqafoi këtë revolucion me punën e tij në spital duke mjekuar e operuar krahas njerëzve të thjeshtë edhe ushtarët e oficerët e Nolit (të qeverisë demokratike borgjeze). Nuk mund të lihen pa përmendur për punën dhe jetën e dr. Osmanit edhe disa kujtime nga veteranë të ndryshëm. Më kanë bërë përshtypje lidhur me këtë problem, kujtimet e fjalët me plot pasion të tyre, që ndër të tjera kujtojnë. Dr. Osmani si njeri përparimtar e patriot, si shok e mik i ngushtë i Hasan Prishtinës, Aqif pashë Elbasanit, Hoxhë Kadrisë, Bajo Topullit, dr. Fari Rashidit, Riza. Cerovës etj., ngriti menjëherë pas Kongresit të Lushnjës në një godinë afër Sahatit, spitalin e parë shqiptar, ku i jepej ndihma popullit të varfër. Ky spital i vogël, pa mjetet e duhura, u ngrit me ndihmën e popullit të varfër dhe të forcave përparimtare të asaj kohe. Ishte një hap përpara në detyrat e vendimet e Kongresit të Lushnjës dhe një grusht për armiqtë e forcat reaksionare të asaj kohe. Në të u mblodhën disa mjekë të vjetër në fillim e më vonë të rinj shqiptarë. Aty dr. Osmani filloi të bëjë operacionet e para që shtoheshin nga viti në vit. Ndër të tjera ata kujtojnë me admirim punën e dr. Osmanit gjatë vrasjes së Avni Rustemit si dhe për mjekimin e parë që i ka bërë heroinës së popullit Shote Galica (për këtë ka folur gjatë edhe nëna patriote, Fatime Hoxha që i ka shërbyer shumë Shotës së plagosur). Dr. Osmani si mjek i besës së Hasan Prishtinës (ky i fundit ia besoi heroinën Shotë të plagosur nga shovinistët serbë dhe që e kërkonin spiunët e Zogut kudo). Për ta mjekuar, doktori patriot e shtroi me guxim në spitalin ku ai drejtonte dhe në derën pranë saj la dy roje kosovarë të veshur si ushtarë të Zogut për ta ruajtur atë dhe e mjekoi për disa kohë Shotën aty deri sa puna e tij ra në sy të spiunëve të serbëve dhe ai menjëherë e largoi nga Fushë- Kruja. “Shpesh, – kujton nënë Fatimja, – e shihnim doktorin shtatlartë e të mbushur në trup, trim që, me gjithë gjurmimet e shumta të spiunëve të Zogut, herë në këmbë e herë përmes lumit të Tiranës, me orë të tëra pa u lodhur aspak, herë me kalë ose me karrocë, e merrnin doktorin dhe me kurajo mjekonte plagët e thella e të shumta të Shotës. Vetë doktori habitej me kurajon e Shotës dhe me mposhtjen me vullnet të dhimbjeve të plagëve gjatë mjekimit, sa më pas ai e merrte si shembull këtë kurajo të madhe të trimëreshës kosovare.

Kudo ku ai ishte më vonë, edhe në rrethe të ngushta shokësh e familjesh, vazhdon nënë Fatimja, dr. Osmani fliste me admirim të madh për vajzën kosovare, Shote Galica, e cila vdiq në duart e doktorit. Me gjithë përpjekjet e tij, infeksioni i kishte hyrë në gjak e kocka. Ai gjithmonë kujtonte fjalët e fundit të saj, kur ajo, megjithëse ishte duke vdekur, e falënderonte atë për lodhjen e guximin që kish treguar doktori, bile i qante edhe hallin për persekutimin që mund t’i bëhej edhe nga armiqtë e vendit. “Por asnjëherë dr. Osmani nuk u përkul dhe në vitet e mëpastajme karakteri i tij mbetej gjithmonë si trim e guximtar në jetë, një punë që e fillonte nuk e linte në mes të rrugës. Ai ishte shumë trim, bile në një rast mbaj mend isha i ri dhe më ka bërë përshtypje për besën e tij, për besën e shqiptarit që ai ia dha Fan Nolit për oficerin e tij besnik që luftoi heroikisht kundër ushtrisë së Zogut, duke rezistuar deri në fund së bashku me ushtarët e tij, kapiteni i Nolit Ahmet Demin. Dr. Osmani nuk e lejoi Zogun të vriste të plagosurin, i cili erdhi në spital së bashku me ushtarët e tij për ta kapur këtë oficer besnik të qeverisë demokratike borgjeze të Nolit. Doktori zuri derën e dhomës dhe, në mes të gjithë të pranishmëve, personelit shëndetësor dhe njerëzve pacientë e ushtarëve të Zogut, duke i thënë këtij të fundit: “Nuk vriten njerëzit e plagosur në spital: janë ligje ndërkombëtare këto. Dhe për më tepër unë kam dhënë besën e shqiptarit dhe kam betimin e Hipokratit, për ta mbrojtur, prandaj më vra në fillim mua dhe pastaj Ahmet Demin. Zogu u mbraps nga guximi dhe vendosmëria e doktorit gjigant që e kish zënë të gjithë derën dhe kështu Ahmet Demi shpëtoi. Vite më vonë Zogu e ruajti këtë kokëfortësi të doktorit, megjithëse e bëri pas R. Frashërit, drejtor të shëndetësisë, ku dr. Osmani kërkonte rregull e investime, shante edhe qeveritarët, bile edhe duke i bërë atentat dhe më 1935 e futi në burg disa kohë. Më vonë ai u largua nga puna zyrtare deri në çlirimin e vendit. Gjatë kohës së okupacionit, si italianët dhe gjermanët i ofruan poste në shëndetësi, por ai nuk pranoi. Tiranasit, hallet për anën mjekësore i zgjidhnin me dr. Osmanin, dr. Jorgonin, dr. Tartarin, etj. Çdo gjë që kishim në rrezik ne lajmëronim këta mjekë patriotë kujtojnë tiranasit e vjetër në ato vite, që ndihmuan pa u kursyer Luftën NaÇl. Zogu asnjëherë nuk ia falte doktorit gjestet përparimtare, shoqërinë e ngushtë me Hasan Prishtinën, por në të njëjtën kohë kish frikë edhe në personalitetin e mjekut që gëzonte në popull si mjek i zoti e zemërmirë që sillej shumë mirë, sidomos me njerëzit e thjeshtë, duke i dënuar bejlerët në lidhje me sjelljen, vjedhjet që bënin në kurriz të popullit. Miqtë e tij përparimtarë, porsa hipi Zogu në fuqi, e dërguan dr. Osmanin në Paris, ku qëndroi më shumë se 1 vit, e u specializua për kirurgji e gjinekologji. Gjatë kësaj kohe ata përgatitën terrenin për rikthimin e tij, sepse ia kishin nevojën, por, në radhë të parë, ia kish nevojën populli. Në Francë ai mori edhe familjen, gruan dhe dy fëmijët e tij. Shpesh flet mësuesi veteran Avni Zajmi në kujtimet e tij sot: Doktori edhe këtu në Paris mendonte për zhvillimin e kirurgjisë në Shqipëri. Bile një ditë ishim duke pirë një kafe së bashku, na vijnë edhe dy shqiptarë të tjerë që ndër të tjera i folën doktorit për Shqipërinë, por edhe vetë ata ishin të lëkundur për kthimin në Shqipëri, duke e ditur edhe armiqësinë e Zogut ndaj tij, por edhe kokëfortësinë e dr. Osmanit. Vetë doktori u indinjua, thotë Avni Zajmi, saqë u ngrit dhe i tha: “Duke i shërbyer popullit duhet edhe atdheu, Shqipëria jonë e shumëvuajtur, prandaj, hajde, shokë, të kthehemi dhe të punojmë sa të mundemi.” Është një meritë e madhe në ato vite kur dr. Osmani në Paris në nënshkroi aktin e hyrjes së Shqipërisë në organizatën botërore të shëndetësisë, më 18 Qershor të vitit 1926, ku Shqipëri përfitoi shumë ndihma në pajisje mjekësore, bursa studimi dhe specializime mjekësh etj. Menjëherë sapo u kthye në atdhe nga specializimi si kirurg, ai me shumë mundime bleu edhe disa vegla të ndryshme operacioni, filloi të punojë duke bërë operacione, megjithëse kushtet higjienosanitare ishin për tokë. Me punën e tij ai fitoi një autoritet të madh në atë kohë në popull dhe në rrethet përparimtare, megjithëse Zogu nuk ia harronte këtij mjeku perparimtar mjekimin e Shote Galices apo të Ani Rustemit etj., deklaroi pas nënshkrimit të konventës së hyrjes se vendit tone OBSh., që dr. Osman Jonuzi është një patriot i madh dhe bëri shumë për vendin e tij Shqipërinë Pas mjekimit dhe ndihmës që ai dha fillimisht në momentin e plagosjes së Avni Rustemit disa qeveritarë nuk e shinin me sy të mirë këtë mjek trim sa që edhe motrat e tij (të mbretit nuk e donin se ai nuk ia plotësonte dëshirat për të shkuar jashtë për kurime me paret e shtetit, kur mund të mjekoheshin në vend. Dhe në shumë biseda me to për shumë gjera ai thoshte me thjeshtësi që mjekët kudo i mbron populli se ata kanë shumë shokë e miq që i ruajnë. Doktori ishte njeri familjar, gjithmonë punonte vetë në shtëpi, ishte armik i pijeve alkoolike dhe i cigares, bënte një jetë të rregullt familjare, e donte muzikën e, sidomos, i pëlqenin këngët kosovare. Kishte adhurim për artin e pikturës, të cilën e donte e entuziazmohej pas pikturës së Piktorit të Popullit, Vangjush Mio, që e njihte personalisht. “Ky, thoshte doktori, që edhe vetë bënte pak pikturë, është një nga të paktët artistë që ka si qëllim të paraqesë kudo natyrën e bukur shqiptare, si Naimi në vjershat e tij, prandaj duhet ta adhurojmë mëmëdhenë.” Njohja me Odise Paskalin e entuziazmoni këtë të fundit dhe ky me të drejtë i bëri maskën në bronz, që edhe sot e kësaj dite familjarët e doktorit e ruajnë si një kujtim të paharruar. Edhe në ato pak vite si titullar i shëndetësisë që ndenji, ai më shumë në rrethet e lartë krijoi armiq, por njerëzit e thjeshtë, populli dhe përparimtarët e adhuronin pa masë për guximin që ai kish. Ai ishte progresist për të renë, kërkonte të dinte gjërat realiste, mendonte shumë për zhvillimin e shëndetësisë dhe të kirurgjisë shqiptare. Ai bëhet objekt për qeverinë e Zogut në shumë aspekte të jetës, sidomos kur fondet e tij personale që titullarët e tjerë i merrnin e i futnin në xhep, ky i përdorte për të blerë literaturë mjekësore dhe bursa për studimet në Francë të dr. Hiqmet Dibrës, dr. Reshat. Kapshticës dhe dr. Shefqet Ndroqit. Kjo ndihmë e madhe e dr. Osmanit thotë prof. Sh. Ndroqi na dha një kurajo të madhe që ne t’i mbaronim shkëlqyeshëm mësimet e të ktheheshim në Shqipëri për t’i shërbyer popullit. Gjithashtu, ai ndihmoi shumë që studenti F. Shiroka në Austri të vazhdonte shkollën dhe specializimin si kirurg, duke i dhënë bursë speciale dhe i madhi Shiroka nuk ia harroi asnjëherë. Ai, porsa erdhi, shkoi dhe e takoi atë në shtëpi, në vitin 1935. Gjithashtu ai ndihmoi të specializohej edhe dr. Enver Zazani në Francë.

vijon nesër