Dossier nga Hyqmet Zane/ Të pathënat për Bilal Xhaferrin dhe deponimi i Feçorr Shehut për arratisjen e tij. Si u ekzekutua në Çikago nga një i burgosur shqiptar dhe intervistat e Kadaresë, Agollit, Koreshit etj. Ja shënimet për Hysni Kapon

1183
Sigal

Feçor Shehu ka sqaruar saktë në procesverbalin e mbajtur dhe të raportuar për arratisjen e Bilal Xhaferrit

 

-Bilal Xhaferi dhe vepra e tij janë dëshmia e gjenisë së shkrimtarit të etnisë

-Ismail Kadare: Kam qenë një nga ata që e kam ndihmuar deri në fund edhe për jetën e tij materiale, Bilali s’u dënua se më kritikoi mua

Ekzekutimi i Bilal Xhaferit është bërë në spital të Çikagos nga një njeri i dërguar nga sigurimi enkas për eliminimin e tij

H. P. nga një fshat i Kukësit ka qenë ish-i burgosur për disa vrasje u dërgua për vrasjen e Bilal Xhaferrit

– Vrasja është bërë në bashkëpunim, me një mjek serb që punonte në këtë spital, pas operacionit të Bilalit

 

Nga Hyqmet ZANE

Polemikat e shumta që krijojnë njerëzit e sigurimit të shtetit që edhe në pleqërinë e tyre nuk rrinë pa shpifur për figurën e shkrimtarit të Çamërisë Bilal Xhaferi, nuk janë për t’u konsideruar e as për t’u shqetësuar. Modeli i sigurimit të shtetit ishte i qartë, hidh baltë mbi një personalitet që ta denigrosh, ta nënshtrosh apo poshtërosh që të mos konsiderohet si personalitet.

Skenarët ndaj intelektualëve çamë

 

Por në rastin e Bilal Xhaferit, ka një tejkalim të ligësisë dhe vjelljes së vrerit, po aq sa edhe të survejimit dhe presionit ndaj një shkrimtari me cilësi të larta të gjenisë së tij. Mua më duket si një skenar që paska mbetur çuditërisht në sirtar si skenari ndaj Hilmi Seitit, ndaj Taho dhe Teme Sejkos, Tahir Demit dhe pjesëtarëve të tjerë çamë me të të ashtuquajturit “grup armiqësor”, por që nuk ishte vetëm çam se kishte edhe shumë vlleh dhe ortodoksë, por që me një qëllim të caktuar thuhet se, ishte grupi çam?

Ndërsa në rastin e Teme Sejkos dhe Tahir Demit, kemi të bëjmë edhe me një ndjesi antishqiptare që zbuloi vetë diktatori ndaj kombit të tij, ndërsa sigurimi i shtetit ishte tërësisht i uzurpuar nga UDB-ja dhe KGB-ja dhe dihet tashmë se modelet e tyre ishin nga më të zbatuarat ndaj shqiptarëve. Filozofia anti-çame e Enver Hoxhës, ushqehej dhe nga grekët e Byrosë që ishin pjesë e antishqiptarizmit që përshkoi si një fill i kuq qeverisjen e një kaste kriminelësh që mbolli vetëm zi.

Feçor Shehu për arratisjen e Bilal Xhaferrit

 

Se çfarë kurdisej dhe thuhej për një shkrimtar nga Sigurimi i Shtetit, këtë më mirë na e jep vetë Feçor Shehu në procesverbalin e mbajtur dhe të raportuar për arratisjen e Bilal Xhaferrit, duke hedhur poshtë të ashtuquajtura rrëfenja intrigante të atyre që dinë vetëm të bëjnë pis me baltë pastërtinë e figurës së Bilal Xhafeit dhe që duken sikur botohen për herë të pare një herë nga Dashnor Kaloçi, një herë nga Meto Kondi dhe së fundi nga Sefer Pasha. Nga burime të besueshme thuhet se Bilal Xhaferi është ndjekur gjatë gjithë jetës së tij nga sigurimsat që e ruanin dhe e spiunonin se çfarë bënte. Ikja e tij u dogji shumë atyre siç edhe e thotë vetë Drejtori i Parë i Drejtorisë së Hetimit, Feçor Shehu.

 

  1. P. nga një fshat i Kukësit ka qenë ish-i burgosur për disa vrasje u dërgua për vrasjen e Bilal Xhaferrit

 

Ndërkohë që kam dëgjuar në formën e thashethemeve që kanë baza të vërteta se ekzekutimi i Bilal Xhaferit është bërë në spital të Çikagos nga një njeri i dërguar nga sigurimi enkas për eliminimin e tij. Sipas të thënave, personi në fjalë me inicialet H. P. nga një fshat i Kukësit ka qenë ish-i burgosur për disa vrasje dhe që me kusht është nxjerrë nga burgu dhe i është besuar misioni i rëndësishëm. Për të realizuar “arratisjen” jashtë shtetit me shërbimin ndaj shtetit diktatorial, ai është stërvitur në luginën e Semanit në Fier ku thuhej se ishte baza e stërvitjes të të gjithë atyre që dërgoheshin me misione jashtë shtetit për vepra kriminale. Më pas për të krijuar alibitë e tyre, e shtrojnë në spitalin psikiatrik në Elbasan dhe më në fund e dërgojnë me misionin ekstra në SHBA. Pasi ka studiuar rrethanat e punës së Bilalit, në bashkëpunim edhe me njerëz të tjerë të sigurimit që jetonin në këtë qytet dhe që e njihnin mirë Bilalin, e realizon vrasjen e tij në kohën kur Bilali ishte i shtruar në spital, pas një operacioni. Në bashkëpunim, siç është thënë, me një mjek serb që punonte në këtë spital, personi në fjalë është futur në dhomën ku ishte Bilali dhe e ka goditur atë me një send të fortë hekuri në kokë, pikërisht në vendin ku ishte bërë operacion, duke i shkaktuar vdekjen e plotë. Thuhet nga burime në Çikago se mjeku serb dhe vrasësi nga Shqipëria janë kapur dhe për shqiptarin, meqë kishte kartelë psikiatrie e kanë lënë të lirë, ndërsa mjekun serb e kanë dënuar me burgim të përjetshëm. Të gjitha këto dihen nga rrethe të ngushta të shkrimtarëve, por nuk thuhen për shkaqe personale, por që autori i kësaj vrasjeje sot jeton në një kryeqytet të afërt me Shqipërinë të vendeve Evropiane. Ndoshta në të ardhmen do të dalin të vërtetat e cituara më sipër dhe do të sqarohen të gjitha enigmat e të vërtetave ndaj Bilal Xhaferit.

Është rasti të themi se shkrimtarët e njohur të vendit tonë që nga Dritëro Agolli dhe Ismail Kadare, Teodor Laço, por edhe Moikom Zeqo, po aq sa mbahet mend se janë shprehur edhe Vath Koreshi dhe Adriatik Kallulli etj., do të duhet të flisnin më shumë dhe më gjerë për Bilal Xhaferin, se kanë qenë edhe njerëzit që e kanë mbështetur atë dhe e kanë konsideruar mik të mirë. E ardhmja pret për këtë sepse, në një kohë që në mediat shqiptare dalin lloj-lloj historish banale me sigurimsa, të flasësh për Bilal Xhaferin është detyrim dhe nder që i bëjnë vetes së tyre për një shkrimtar të madh dhe një meteor që ishte njëherazi edhe një kundërshtar i regjimit që në gjen.

Cila është jeta reale e Bilal Xhaferrit

Bilal Xhaferri u lind në fshatin Ninat të Konispolit, më 2 nëntor 1935, në fisin e Hasan Tahsinit.

Kur ishte 7 vjeç i vdes e ëma, ndërsa më 1944 i pushkatohet i ati si nacionalist. Kështu mbeti jetim me tri motrat. Bilali, mbiemrin e familjes e kishte Hoxha. Mirëpo për mall, dashuri e nderim për të atin, emrin e tij Xhaferr e bëri mbiemër të vetin: Bilal Xhaferri. Për të siguruar jetën dhe për t’u shpëtuar ndjekjeve si bir nacionalisti, largohet prej vendlindjes dhe punon korrier në Sarandë. Kryen një shkollë teknike për ndërtim, punon në Fushë Krujë në ndërmarrjen Rruga-Ura në ndërtimin e hidrocentraleve në Veri. Jeton në Shijak tek të afërmit, internohet në fshatin Hamallaj të Durrësit.

Në gusht të vitit 1969 largohet fshehurazi prej Shqipërisë, sepse rrezikohej për t’u burgosur. Kalon në Greqi nëpërmjet Janinës, pastaj vendoset në SHBA. Dy vjet punon në gazetën “Dielli” të shqiptarëve të Amerikës. Në tetor të vitit 1974 nxjerr numrin e parë të revistës “Krahu i Shqiponjës” që botonte Lidhja Çame në Çikago. Ai e themeloi dhe e drejtoi këtë revistë në të gjitha vitet e daljes, 1974 deri në vitin 1986. Revista mbahej kryesisht me shkrime publicistike, poezitë, tregimet dhe shënimet e tij. Nxori 39 numra të revistës. Më 25 nëntor të vitit 1978 në New Jork plagoset me thikë prej njerëzish të panjohur, para se të shkonte në kremtimin e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit dhe ditës së Flamurit. Në këtë kremtim, Bilali duhej të mbante referatin.

Më 1981, ia djegin redaksinë e revistës “Krahu i Shqiponjës” me të gjithë dorëshkrimet e tij dhe shkrimet e tjera. Në 14 tetor 1986, pas një operacioni vdes në Çikago në SHBA. Më 6 maj 1995 eshtrat e tij sillen ë Shqipëri dhe varrosen në Sarandë. Bilal Xhaferri për të gjallë kishte bërë gati për shtyp këta libra :

“Njerëz të rinj, tokë e lashtë”, Tiranë, 1966

“Lirishta e kuqe”, Tiranë, 1967

“Krasta Kraus”, Tiranë, 1967, i botuar në Tiranë vetëm më 1993.

Në Prishtinë më 1995 u botuan veprat e tij letrare të botuara më parë dhe të mbetura në dorëshkrim në tri vëllime :

“Eja trishtim”, poezi, Prishtinë, 1995,

“Njerëz të rinj, tokë e lashtë”, tregime, Prishtinë 1995,

“Ra Berati”, roman, Prishtinë, 1

Letra e Feçor Shehut për Hysni Kapon dhe Degët e Punëve të Brendshme

 

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzeml.Nr.2

DREJTORIA E I-rë

Nr. 2198 Prot.                                                    Tiranë, më 11 / X / 1969

KOMITETIT QENDROR TË PP SHQIPËRISË

SHOKUT HYSNI KAPO

T I R A N Ë

Më 31 Gusht 1969 u arratis në Greqi Bilal Xhaferi, duke marrë me vehte edhe Selfo Hoxhën ( burrin e motrës ), ish i dënuar dhe internuar si armik dhe Bajram Shuaipin, të dy nga Markati i Sarandës. Nga analiza që ju bë këtij problemi del se:

Bilal Xhaferi, lindur ne Ninat të Konispolit në 1935, banonte në rrethin e Durrësit, me punë në fermën e Sukthit. Babai i tij është pushkatuar mbas çlirimit, si kriminel lufte. Bilali pasi kreu 2 klasë të shkollës së mesme, ka punuar si teknik e punëtor dhe gjatë kësaj kohe është marrë edhe me letërsi. Megjithëse dihej që kish babanë të pushkatuar si armik, i janë botuar artikuj në gazeta e revista dhe vëllime me vjersha e tregime nga ndërmarrja e botimeve. Në këtë mënyrë u popullarizua padrejtësisht, si “talent letrar”, sidomos për një roman mbi Skënderbeun që kishte dhënë për botim.

Organet tona, duke pasur parasysh biografinë e tij dhe lidhjet e dyshimta me disa të internuar në Mirditë si dhe qëndrimin jo të mirë gjatë kohës që kryente shërbimin ushtarak në Berat, qysh në vitin 1964 Bilalin e kishin marrë në ndjekje si element armik.

Mbas diskutimit armiqësor që bëri Bilali në klubin e shkrimtarëve, Ministria i vuri detyrë Degës së Durrësit, për ta ndjekur këtë objekt si përpunim kryesor dhe të arrihej në arrestimin e tij në një kohe sa më të shkurtër. Por Dega e Durrësit punoi keq. Shkaku i këtij qëndrimi, është nënvleftësimi i armikut të klasës dhe për rrjedhim mungesa e theksuar e vigjilencës që nga kryetari e deri tek punëtori operativ që e ndiqte këtë çështje. Kjo mungesë vigjilence karakterizon edhe veprimet e Degës së Punëve të Brendshme Sarandë dhe të batalionit të kufirit, të cilët edhe pse u vunë në dijeni për vajtjen e Bilal Xhaferrit në Sarandë dhe kishin sinjalizime për rrezikshmërinë e tij dhe tendencën e arratisjes, nuk e vlerësuan dhe nuk morën masat e nevojshme.

Kjo ngjarje nxori në pah edhe një metodë shumë burokratike bashkëpunimi midis të dy degëve (Durrës-Sarandë) për ndjekjen e këtij objekti, për faktin se dega e Durrësit, nuk dërgoi një njeri kompetent që të koordinonte masat me Sarandën gjatë qëndrimit të Bilalit në Sarandë, por ajo u mjaftua vetëm me dërgimin e një telegrami të thatë. Kurse Dega e Sarandës nënvleftësoi krejtësisht masat ne kufi, gjë që i dhanë mundësi këtij armiku, të realizojë më lehtë tradhtinë e tij.

Të metat e radhitura më sipër flasin edhe për dobësitë e aparatit qendror, i cili në rastin e dhënë duhet të kish qenë me rigoroze në zbatimin e detyrave të vëna për këtë problem.

Konkluzionet e nxjerra nga kjo ngjarje do të punohen me të gjitha kuadrot e Drejtorisë dhe të degëve të punëve të brendshme, njëkohësisht u dhanë udhëzime për një koordinim më të mirë midis degëve të brendshme, për rastet kur elementët që janë në përpunim për aktivitet armiqësor lëvizin nga një rreth në tjetrin. Në Sarandë ky problem u analizua në organizatën e partisë dhe ndaj kuadrove që kishin përgjegjësinë kryesore u morën masa ndëshkimore: Zv. Kryetarit të degës iu dha vërejtje e rëndë, ndërsa shefit të seksionit dhe punëtorit operativ vërejtje me shënim në kartën e regjistrim. Në rrugë shtetërore për këto kuadro, mendojmë të mos marrim masa te tjera. Ndërsa problemin e Degës së Durrësit, jemi duke e analizuar në kompleks edhe për disa dobësi të tjera që janë konstatuar aty.

Ismail Kadare për Bilal Xhaferrin në një intervistë

 

Intervista që i kam marrë drejtpërdrejt Kadaresë në Elbasan, ashtu si edhe në rastet e tjera, kanë pasur si substancë se Ismail Kadare nuk është njeriu që i ka bërë keq Bilal Xhaferrit, por ishte diktatura që merrte përsipër poshtërimin e shkrimtarëve si edhe për vetë Bilalin.

Pyetje – Duke qenë se jam me orgjinë çame, ju kujtoj se Bilal Xhaferri ka qenë bashkëkohësi juaj. Ç’mund të thoni diçka të veçantë ?

Kadare – Me Bilal Xhaferrin është bërë një ndër spekulimet më të shumta.

Pyetje – Te gazeta “Drita” kam lexuar diçka nga Frederik Reshpja se “mermerin e bardhë të Ismail Kadaresë e gërvishti çami i jashtëzakonshëm Bilal Xhaferri.

Kadare – Frederik Reshpja ka dezinformuar. Është një ndër spekulimet më mizerabël dhe një gënjeshtër. Unë Bilal Xhaferrin e kam njohur shumë mirë. Kam qenë një nga ata që e kam ndihmuar deri në fund. Jam interesuar që jo vetëm të botojë, por edhe për jetën e tij materiale. Ai pa pritur në një mbledhje bëri një kritikë për mua. E pa shpjegueshme kjo kritikë, se bëhej nga pozita të majta (?!). “Ismail Kadare në këtë vepër (romani “Dasma”) po sjell një modernizëm në Shqipëri që s’na duhet” (!?!) Ai ishte një i persekutuar nga regjimi dhe bën një kritikë të majtë. Kjo lloj kritike bëhet nga një njeri që do të dalë nga një siklet dhe u tha e thuhet akoma që mjaftoi që i bëri një kritikë Ismail Kadaresë dhe se ai (Bilali) u dënua. Ju e dini fare mirë se, nëse ka shkrimtar që është kritikuar në Shqipëri, jam unë. Nuk ka shkrimtar që i është hedhur baltë në atë kohë si mua. Antisocialist jam quajtur, dekadent, modernist etj. Kush nuk shkruante, por në shtyp kanë dalë shumë pak. Zakonisht shteti shqiptar nxiste kritikën kundër shkrimtarëve. Goditini!, – u thuhej, – mos e çani kokën. Dhe është e vërtetë se kurrkush nuk dënohej se godiste një shkrimtar. Është absurditeti më i madh të mendohet që një shkrimtar që bën një kritikë të majtë të dënohet. Kjo është për të qeshur. Çdo njeri, çdo nxënës shkolle, po të shkonte atje, merrte guximin të sulmonte. Pse ke shkruar kështu, pse nuk ke shkruar për punëtorët, pse këtë, pse s’bëre atë. Ishte një rrugaçëri, një terrorizëm i ndyrë komunist në të gjithë Lindjen. Shkrimtari ishte fajtori gjithmonë. Çdo njeri duhet t’i shante shkrimtarët. Dhe shteti i përkrahte se vetëm udhëheqësit e shtetit duhet të nderoheshin. Prandaj është absurde të mendohet se mund të dënohet dikush se kritikoi një shkrimtar. Aq më pak të dënohej Bilal Xhaferri se më kritikoi mua. Unë nuk i njoh këto prapaskena të ndyra. Bilal Xhaferri shkoi në Amerikë. Ka qenë një shkrimtar i talentuar. Atje nuk botoi ndonjë gjë të madhe. Bilal Xhaferri është shkrimtar që doli i lirë dhe i pari. Ishte shkrimtar i aftë. Për mua është habi që ai krejtësisht i lirë dhe nuk botoi diçka për Shqipërinë. (!?!) Dhe jo vetëm ai, por edhe shumë shkrimtarë që janë në diasporë në Amerikë nuk kanë shkruar ndonjë gjë të madhe. Nuk besoj që sigurimi i shtetit shqiptar të ketë pasur në dorë Amerikën për të ndaluar këta që të shkruanin. Sigurimi shqiptar ishte i tmerrshëm brenda territorit shqiptar, kurse jashtë ka qenë qesharak në dimensionet botërore. Vetë ata i përhapnin këto gjëra. Ç’është ky spekulim? Përse bëhet? Çdo njeri me mend në kohë nuk e beson një gjë të tillë dhe, në fund të fundit, ju e bëni një pyetje: Ju çamët ankoheni me të drejtë se nuk jeni parë me atë dashamirësinë që duhet të shikohet, jeni parë si çdo pakicë që ka mbetur jashtë kufijve. Çdo vend ka një prirje të keqe ndaj pjesës tjetër jashtë kufirit, ka ftohtësi. Edhe çamët e kanë pësuar dhe kanë vuajtur nga kjo gjë. Një izolim ka ekzistuar për ta, një prirje veçimi. Tani ju keni një shkrimtar të shquar, më të shquarin shkrimtar çam. Atëherë pse kjo këmbëngulje që këtë shkrimtar pa tjetër ta vëmë në kundërvënie me një shkrimtar tjetër? Unë jam më i njohur se ai. Prapë duhet izolim nga ju? Kjo lloj pseudo-armiqësie artificiale bën që fanatikët e rinj të vihen kundër fanatikëve të vjetër. Nuk kuptoj se çfarë kërkohet në këtë gjë? Pse duhet krijuar veçime përsëri Kjo për mua nuk ekziston. Edhe unë në mbledhje kam qenë. U ngrit Fadil Paçrami dhe i tha: “Na dole ti me baba të pushkatuar të na mësosh partishmërinë neve”. Këto të thëna në mënyrë arrogante, sigurisht. Ja kjo qe e gjitha. Në këtë mënyrë, kur sulmoheshin shkrimtarët, shteti duartrokiste. As që mund të konceptohej që shteti të mbronte shkrimtarët në atë kohë. Ata ishin si gjysmë të internuar. Dhe as që mund të mendohet se Bilal Xhaferri u persekutua se kritikoi Ismail Kadarenë. Kjo është një gënjeshtër. Kjo është e gjitha.

Pyetje- I vetmi rast që unë kam konsideruar që është folur për këtë gjë, është Frederik Reshpja.

Kadare – Jo, s’është e vërtetë. Këta janë spekulantë. Nuk e di se ç’llogari bëjnë ata që kanë mendje të errët. Frederikut unë s’ia marr për keq, por të tjerë janë dashakeqës.

Nesër do të lexoni:

-Bedri Myftari: Unë dhe Lirie Lubonja i thamë Bilalit se kritika e romanit “Dasma” nuk ishte e përshtatshme në kohë

Veprën “Krastakraus” e ka shkruar në shtëpinë time

– Vath Koreshi ishte krijuesi që kishte më shumë besim te pena e Bilalit

– Kadri Hazbiu në lidhjen e shkrimtarëve disa ditë pasi ai iku Bilali: Nëse nuk do ta vras, nuk do të më tresë dheu.

-Pas mbledhjes Ismail Kadare i thotë Fadil Paçramit: Boll më i bëmë të gjithë armiq!

– Qamil Buxheli ishte shkrimtari që i ka botuar për herë të parë krijimet e Bilalit, dhe pse me cen në biografi

– Dritëro Agolli e donte shumë, bile ka shkruar edhe një shkrim për të

– Todi Lubonjës ia thanë edhe në akuzë atëherë, se ke përkrahur një njeri me baba të pushkatuar