Divizionet aleate në Normadi

790
Sigal

Humbjet për gjermanët llogariten në 250.000 njerëz dhe 39 divizione të asgjësuara dhe humbjet për aleatët në rreth 170.000 njerëz

Divizionet e Armatës së Parë Amerikane, duke vijuar mësymjen, më 27 qershor çliruan Portin e Sherburgut dhe zunë 25.000 robër dhe më 1 korrik kishin nën kontroll gadishullin Kontanten. Me kapjen e kryeurës, në fillim të muajit korrik forcat aleate kishin zbarkuar 25 divizione, ndërkohë, gjermanët kishin 15 divizione, por dhe gjatë luftimeve kishin pësuar humbje. Armata e 15 me 19 divizionet e saj ishin në brigjet e Pa de Kalesë. Për të çliruar Kanën, Armata e Dytë Angleze më 7 korrik kaloi në mësymje me një grupim prej tre divizionesh këmbësorie dhe tre brigada tankiste. Në mbrëmjen e 9 korrikut forcat e saj kapën pjesën verilindore të qytetit. U krijua dhe një grupim, i përbërë nga katër divizione këmbësorie e tre divizione tankiste. Këta pas tri ditë luftimesh (18-21 korrik) mundën të çlirojnë qytetin. Kështu rruga për në Paris ishte e hapur. Armata e Parë Amerikane, me çlirimin e Kontantës, lëvizi në drejtim të Sent Lo duke e çliruar. Bashkë me forcat e tjera aleate, më 24 korrik dolën në vijën Lesaj-Sent Lo-Komon-Tili-Kanë-Uistrean dhe krijuan kryeurën operative me gjerësi 100 km dhe thellësi 30-50 km. Kjo kryeurë i lejoi komandës aleate të përqendrojë forca për të vijuar operacionet mësymëse në brendësi të Francës. Me 48 ditë luftime operacioni “Overlord” i kishte plotësuar detyrën.

Operacionet mësymëse më tej morën pamjen e ndjekjes së armikut, i cili po tërhiqej. Përpjekjet e komandës gjermane për të penguar mësymjen e forcave aleate me anë të kundërsulmeve dështuan. Trupat aleate përparuar me shpejtësi dhe zunë vijën Brest-Rene-Nantë. Kështu, forca të shumta gjermane po rrethoheshin në Arzhantan dhe në mbrëmjen e 18 gushtit, mundën të dalin nga rrethimi 40.000 forca gjermane, 50.000 u zunë robër dhe 10.000 u vranë. Me kalimin e lumit Sena, aleatët mësynë në front të gjerë. Në formë marshimi, trupat britanike lëvizën në drejtim të Belgjikës dhe më 3 shtator çliruan Brukselin, e më 4 shtator Anversën. Forcat amerikane çliruan më 19 gusht Parisin, më tej kaluan lumin Marne, duke u gjendur në ditët e para të shtatorit në kufirin gjerman.
Me zhvillimin e operacionit “Overlord” Normandia u kthye në skenën e serive më të mëdha të operacioneve desante detare në histori. Rreth 2 milionë njerëz në të dy krahët luftonin për një vendim brenda pak javësh dhe në një hapësirë të kufizuar. Aleatët përqendruan në Normandi 34 divizione. Efektivi i zbarkuar arriti në 1 milion e 361 mijë (770 mijë trupa amerikane dhe 591 mijë trupa angleze e kanadeze). Gjermanët këtu përqendruan 26 divizione nga 60 që kishin në Frontin Perëndimor. Dhe më 21 gusht, që ishte dhe përfundimi i fushatës së Normandisë, të dy palët i rritën forcat. Humbjet për gjermanët llogariten në 250.000 njerëz dhe 39 divizione të asgjësuara dhe humbjet për aleatët në rreth 170.000 njerëz.