Dhimitër Lala: Ju tregoj Spaçin dhe njohjen me Lubonjën, Velon dhe Ngjelën. Ja ç’mendonin të burgosurit

1424
Sigal

Intervista/ Rrëfen një ndër operatorët e parë shqiptarë z. Dhimitër Lala:

Fatos Lubonja u thoshte policëve:- Mos më kërkoni të shkoj në minierë të punoj, unë jam u dënuar politik. 

Albert Z. ZHOLI

-Në këto burgje ka pasur shumë personalitete, intelektualë. Me cilët keni pasur aftin të bisedoni apo të komunikoni. Si i mbani mend ata në kujtimet tuaja?

Në burgun ku isha unë ka pasur shumë, shumë intelektualë me emër, të cilët janë burgosur kot së koti. Janë burgosur për një fjalë goje, po ka pasur nga ata që e kanë kundërshtuar regjimin dhe ishin të ndërgjegjshëm se do burgoseshin. Unë mund të përmend shumë por do të veçoj së pari Spartak Ngjelën. Ashtu ishte dhe në burg krenar, dhe studiues. Ishte njeri i ditur dhe lexonte shumë. Po ashtu do të veçoj fatos Lubonjën. Një intelektual i spikatur, Një njeri që nuk nënshtrohej dhe i thoshte troç ato që ndjente. Fatosi debatonte me policët dhe sigurmisat. Mbaj mend në një debat u thoshte: -Mos më kërkoni të shkoj në minierë të punoj. Unë jam i dënuar politik. I dënuari politik nuk ka pse të punojë. Ua mbyllte gojën policëve dhe gardianëve. Ata nga inati e fusnin në birucë, por ai prapë nuk përulej. Më bënte shumë përshtypje. Njeri interesant ka qenë dhe Maks Velo. I ditur, i lexuar. Kishte një krenari të natyrshme. Habitesha me këta njerëz të ditur se si i kishin rrasur brenda.

-Po kur u liruat nga burgu ku punuat? Në çfarë viti dolët?

Dola nga burgu në vitin 1984. Ishin vite që ekonomia shqiptare kishte marrë të tatëpjetën. Ku të punoja? Hamall! Ai ishte zanati i atyre që dilnin nga burgu. Pra, punova në uzinën “Dajti” punëtor ngarkim shkarkimi, afërsisht dy vjet. Sa isha rraskapitur në burg tani prapë hamall. Pastaj më 1986 punova në uzinën në “Misto Mame” po punëtor ngarkim-shkarkimi deri në vitin 1987 që dola në pension. Pra, vetëm hamall. Kur dola në pension akoma më keq. Ku të shkoja si ta kaloja ditën? Nuk ishin hapur ende dyert e demokracisë. Po diçka shikohej në horizont. Regjimi s’i kishte ditët e gjata. Dhe 1990 erdhi dhe për ne doli drita e shumë pritur.

Burgu i Spaçit

Burgu i Spaçit ishte një burg politik i sigurisë së lartë, që ishte aktiv gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri. Burgu gjendet (gjendej) në fshatin Spaç. Në vitin 1973 në Burgun e Spaçit pati një rebelim të të burgosurve, të cilët arritën të ngrinin një flamur jo-komunist. Një rebelim i ngjashëm u krye edhe në Burgun e Qafë Barit në vitin 1984 ku shpërthyen të njëjtat dufe e u ngritën kërkesa e dëshira për liri, që u shtypën njëlloj me dhunë e gjak. Në burgun e Spaçit kanë vuajtur dënimet politike disa intelektualë të famshëm, ndër të cilët edhe Fatos Lubonja. Kohët e fundit ka pasur plane që Burgu i Spaçit të kthehej në një muzeum, por deri më sot, asnjë hap i mëtejshëm nuk është bërë në këtë drejtim. Burgu i Spaçit është një monument i trashëgimisë kulturore në Spac, rrethi i Mirditës, në qarkun e LezhësShqipëri [4]. Ky monument është i llojit “Arkitekture”, i miratuar me numër “656/DT 05.12.2007“. Ky burg është hapur në vitin 1968 dhe ka funksionuar deri në vitin 1988, e sipas të dhënave ka pasur mbi 1000 të burgosur. I ndërtuar për shfrytëzimin e Minierës së Spaçit ku nxirrej bakër dhe pirit. Janë rreth 7 godina që janë pjesë e burgut, por më tej ka edhe godina të tjera që kanë shërbyer si kampe për të burgosurit, por edhe ambientet që shërbenin si mjedis pune për njerëz të zonës. Ka qenë një kompleks minierash ku punonin jo vetëm të dënuarit. Aktualisht është në një gjendje tërësisht të shkatërruar. Ka një arkitekturë tipike të periudhës komuniste me forma të rregullta.

Kanë thënë për Dhimitër Lalën:

Endri Keko
Kam bashkëpunuar me të shumë herë dhe e çmoj për forcën dhe energjinë si askënd tjetër nga operatorët e kinokronikës, ndaj nuk hezitova ditët e para të shkurtit 1966 t’i propozoja të shkonim në një udhëtim të gjatë.

Dritëro Agolli
“Vera sa më e vjetër të jetë, aq më e mirë është”. Kjo thënie e lashtë, do të përshtatej edhe për kronikat e dokumentarët kinematografikë dhe televizive të operatorit të talentuar Dhimitër Lala, njërit nga themeluesit e kinematografisë shqiptare.

Ylli Pepo
Dhimitër Lalën e kam njohur nga afër në vitin 1971, kur së bashku me tre kolegë të shquar erdhën në TVSH, i cili sapo hidhte hapat e parë drejt profesionalizmit. Ai ishte një profesionist. Më shumë se çdo fjalë flasin filmat që ruhen në arkiva e që përbëjnë një thesar të madh për breza të tërë.

Elvira Diamanti
Falë punës e kontributit të tij të çmuar, në Arkiv kemi pamje të rralla, të cilat kanë vlera të mëdha artistike, historike e dokumentare.

Bujar Kapexhiu
Kronikat e filmat dokumentarë janë skeduar në Arkivin Shtetëror si dëshmitarë të një pune të madhe e të palodhur të këtij kineasti të talentuar. Ai Dhimitër Lala meriton të kujtohet, të vlerësohet dhe të falënderohet për kontributin e tij të shquar në kinematografi.

Pirro Milkani
Më shumë se kushdo tjetër për Lalën, flasin ato mijëra metra filma kronikalë e dokumentarë që realizoi dora e tij.

Mevlan Shanaj
Njohja e gjatë me të më ka ngulitur në mendje se ky njeri është shembulli i pasionit për punën dhe, nëse do të doja të portretizoja një kineast punëtor, nuk do të kërkoja model tjetër.