Bedri ALIMEHMETI/ Prishja me Rusët, Dritëroi dhe ne djemtë e Broduejit

137

Vitet 60-të, ai që nuk i mban mënd nuk duhet t’i këtë jetuar, një kohë që nuk kthehet më

Për rusët, ose më saktë për sovjetikët, pas vitit 1961 në Shqipëri e sidomos në Tiranë, as që flitej fare. Për vendin e sovjetëve e të parit shtet komunist në botë, për atdheun e Leninit e Stalinit nuk donte t’ia dinte kush më. Por, i çuditshëm ishte fakti, që për Stalinin, të cilin edhe pse vetë rusët e kishin bërë lanet, ne shqiptarët, natyrisht  sipas direktivave të partisë “mëmë” e kishim aq për zemër dhe i mbronim me mjaft fanatizëm gjithë makabritetet, mbrapshtitë e poshtërsitë që kishte bërë. Ndodhte kështu padyshim falë kujdesit të “nënës parti”, që si gjithnjë abuzonte padrejtësisht mbi dhuntinë sublime të popullit tonë, besën e shqiptarit të cilën e identifikonin me sloganin marksist. “Një herë ia kemi dhënë fjalën Stalinit dhe nuk e kthejmë më kurrë”, duke na bërë në këtë aspekt ne banorët e vendit të Arbrit më të flaktët në dashurinë për ‘të, se sa bashkëkombësit e tij, që nuk denjonin madje as ti dëgjonin emrin. Ndaj edhe jo më kot ia kishin flakur atë nga të gjitha institucionet apo objektet social-kulturore që e mbanin. Tashmë edhe Stalingradi quhej Vollgagrad. Përfundimisht për Bashkimin e lavdishëm Sovjetik, nuk guxonte më kush të thoshte një fjalë të mirë. Për miqësinë e madhe, të përjetshme e të pathyeshme me vendin e sovjetëve nuk pipëtinte asnjë. Ata pak punonjës të ambasadës së BRSS, që kishin mbetur për të kryer veprimet e fundit në lidhje me dorëzimin e godinës, ishin nën survejimin e plotë e të rreptë të sigurimit. Ata lëviznin nëpër Tiranë për të psonisur me një autobus “ZIS” ushtarak, nga ato me “turi” që deri vonë i ka përdorur aviacioni. Edhe libraria në rrugën “28 Nëntori”, nuk quhej më “Libri Sovjetik” por, “Libri ndërkombëtar”. Gjithë ajo dashuri e pakufishme për vendin e sovjetëve ishte shndërruar në një urrejtje plot mllef, që nga dita në ditë rritej gjithnjë e më shumë, aq më tepër kur gjithë specialistët rusë që punonin dhe jepnin ndihmesën e tyre të pamatë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, industrisë, arsimit e ushtrisë me urdhër nga Kremlini, ishin larguar me urgjencë drejt BS. Të njëjtin fat, por, në të kundërt kishin pësuar studentët shqiptarë që studionin atje ose në vendet e tjerë të demokracive popullore (kështu i quanim në atë kohë Poloninë, RD Gjermaninë, Cekosllovakinë, Rumaninë e Bullgarinë, vendet e ish-kampit socialist), të cilët më 1961, erdhën për pushimet e verës dhe nuk u kthyen më në auditorët e universiteteve ku kishin mësuar. Në ditët e para të shtatorit, pikërisht në atë kohë kur duhej të kishin filluar vitin e ri akademik, me ta u organizua një takim në korpusin kryesor të universitetit të Tiranës, ku iu komunikua, që nuk do të shkonin më për studime në ato vende. Për të gjithë ata, ajo ditë qe me të vërtetë tejet e tmerrshme. Pati nga ata, që në atë mbledhje shtruan si kërkesë të paktën të shkonin sërish vetëm sa për të marrë librat, fletoret e leksioneve, pse jo edhe teshat e trupit, palltot e mëdha pasi dimri po afronte. Të dashurat askush nuk guxonte t’i përmendte, ndërkohë në pikëpyetje të madhe ishte vënë vijueshmëria e lidhjes martesore të dhjetëra e dhjetëra grave ruse apo nga vende të tjera të demokracive popullore, që kishin formuar familje me djem nga Shqipëria. Por, gjithçka ra në vesh të shurdhët. Prishja me rusët tashmë ishte një realitet i prekshëm dhe për hir të së vërtetës duhet thënë se, pak kush kishte menduar, që gjithë ajo miqësi e madhe me vendin e sovjetëve, do të shuhej aq shpejt dhe aq më tepër në Moskë. Pas krisjes që kishte nisur në Moskë, Nikita Hrushovi miku i përjetshëm i shqiptarëve, i cili në vizitën e tij të parë e të fundit në Shqipëri (maj 1959) ishte shpallur edhe “Qytetar Nderi” i Tiranës, në mitingjet e panumërt që organizoheshin nëpër qendra pune, kooperativa, reparte ushtarake, shkolla etj quhej demagogu e renegati Hrushov (!). Edhe në gjimnazin tonë thuajse për ditë në kohën e pushimit të madh, rektorë grafomanë te KQPPSH, vinin e na mbanin “leksione”, në thelb të të cilëve ishte denigrimi i figurës së Hrushovit, bashkëpunëtorëve të tij dhe në mënyrë të veçantë të rusëve. Mbledhjet zhvilloheshin në palestër dhe në rreshtin e parë zinin vend mësuesit, pas tyre ishim ne nxënësit. Nuk diskutohet që ovacionet për PPSH dhe thirrjet tona kundër Hrushovit dhe klikës së tij renegate, gjatë gjithë kohës ishin të fuqishme e të panumërta. Por, ajo ç’ ka tërhiqte më shumë vëmendjen time në ato çaste, nuk ishte aspak zelli i disave për të dalë mbi të tjerët me britmat e tyre, por pjesëmarrjen e detyruar aty pse jo edhe të kushtëzuar të Nina Agollit (bashkëshortes ruse të gazetarit e poetit Dritëro Agolli), që në atë kohë jepte mësimin e gjuhës ruse në gjimnazin tonë “10 Korriku”. Realisht më duhet të them se nuk më tërhiqte aspak fakti, që në ato çaste ishte e detyruar edhe ajo të duartrokiste për PPSH dhe E.H., por më së shumti doja të dija se ç’ndjente vallë në ato çaste kur urrejtja gati-gati histerike e asaj turme të indoktrinuar arrinte kulmin duke ulëritur e shfryrë kundër vendit e popullit të saj. Pak kush, them duhet të ketë përjetuar çaste të tilla, siç i qëlloi Ninës së Dritëroit, padyshim një nga ruset më të bukura, madje në mënyrë të padiskutueshme njëshi mes atyre dhjetërave, që e kishin lidhur jetën me shqiptarë. Flokëverdhë, sy bojëqielli, e përsosur e rrezëtitëse në gjithë kurmin e saj, ajo kishte një ngjasim tejet të habitshëm me Merilin Monron, yllin numër një të seksit femëror, artisten e njohur amerikane, që ishte martuar me dramaturgun e madh Artur Miler. Dritëroi ynë, të cilit në atë kohë i kishim lexuar, “Në rrugë dola” dhe “Hapat e mia në asfalt”, si në poezi ishte treguar mjeshtër edhe në përzgjedhjen që kishte bërë për shoqen e jetës. Jo vetëm në shkollë, por edhe mbasditeve, kur dilte të shëtiste me Dritëroin në trotuaret e “Broduejit” apo edhe të bulevardit “Zog I”, që në atë kohë quhej “Stalin”, ku kishin edhe apartamentin e tyre në godinën që aktualisht rezulton të jetë ende përballë ministrisë së drejtësisë (ish hotel “Arberise”), silueta e nordikës Nina (kështu e quanim mes nesh) binte në sy që larg, aq më tepër që në atë periudhë, cilësuar “koha e najlonit”, ngaqë kishin vërshuar në treg metrazhet sintetike dhe përdorohej shumë nga vajzat e gratë në fustanet që vishnin sipas modës me zhupon. Por, nuk do të vononte shumë dhe një ditë Nina nuk do të ishte më pjesë e peizazhit tonë broduejn. Si edhe shumë bashkatdhetarë të tjerë nën kërcënimin e reprezaljeve e të syrgjynosjes së familjes në humbëtirat e Siberisë, Nina qe detyruar të linte Shqipërinë. Për “dasvidanijat” (lamtumirat) ulëritëse deri në kupë të qiellit, për ndarjet e dramat e përditshme që ndodhnin në aeroportin e Rinasit, ku bashkëshort të përçudnuar nga ky divorcim i detyruar, sa i pakuptimtë dhe unikal në llojin e vet përcillnin gratë e fëmijët e tyre të shtrenjtë, flitej çdo natë në Broduej. Këtë fat sigurisht e kishte pësuar e vuajtur jo pak edhe Dritëroi ynë. Bashkë me Ninën, atij i kishin marrë me dhunë edhe një pjesë të shpirtit, djalin. Ndaj ato ditë tek e shihnim mëngjeseve kur shkonim në shkollë, ndërkohë që ai ngjitej në redaksinë e “ZP”, ku punonte të tymoste duhan aq shumë, gati pambarimisht. Ndërkohe që jo rrallë e shihnim të ndalej nëpër  baret e “Broduejt” e të kthente ndonjë gotë fërnetë. Në atë kohë ai botoi në faqet e “Dritës” poemën “Dashuri dhe ferrobeton”. Edhe pse në fasadë kjo poemë sinteze evokonte arritjet e një sistemi socialist, ne kuptonim mirë se Dritëroi, në një farë mënyre që në titull e kishte goditur atë sistem, të cilit më shumë do t’i vërsulej në tregimet e botuara në përmbledhjen “Zhurmat e erërave të dikurshme”, të cilën shumë shpejt vetëm pak kohë pas botimit do i’ a ndalonin qarkullimin. Gjithsesi, nisur nga ajo ç’ ka pësuan ato gra ruse, që nuk u larguan nga Shqipëria, shumë nga të cilat përfunduan nëpër burgje si “agjente” të KGB, për ne Nina kishte bërë mirë që ishte larguar, sepse një kalvar të gjatë vuajtjesh, internimesh  e persekutimesh vuajtën edhe bashkëshortët e fëmijët e këtyre grave, disa nga të cilët jo vetëm u dënuan por edhe u pushkatuan si “armiq”. Kur përfundoi së ndërtuari në “zemër” të Broduejt pallati i projektuar nga Maks Velo edhe Dritëroi e la apartamentin në bulevardin “Zog I” dhe erdhi e u bë banor i Broduejit (një kat më poshtë se Kadareja), duke mbetur përgjithmonë pjesë e peizazhit broduejan.  Jo më kot rrugës “Dibra” në Tiranë ai prej kohesh i kishte kushtuar një poezi shumë të bukur.