Bazat e para të stërvitjes së UÇK-së

1065
Sigal

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Të ndihmohen djemtë e Kosovës

Në kuadrin e përgatitjes dhe zhvillimit të Luftës së Kosovës, pas përmbysjes së sistemit në ish-Jugosllavi, populli shqiptar dhe kosovar shfaqën dhe afirmuan mjaft përvoja dhe dukuri të reja, si dhe konfirmuan angazhim për ndihmesë, organizim dhe përgatitje të luftëtarëve të lirisë. Si fillim afirmuan më me forcë dëshirën për çlirim kombëtar nga pushtimi shekullor serbo-sllav. Pastaj se këtej lindte dhe u vu në rendin e ditës edhe nevoja e përgatitjes së kuadrove për drejtimin e luftës. Rënia e sistemit në Shqipëri u shoqërua me tronditje e dëme të mëdha: Me djegie e shkatërrime barbare dhe eksode masive. Fuqia e shtetit shqiptar po shteronte, rinia që përbënte forcën e ushtrisë, po braktiste atdheun. Kështu në kohën kur ne duhej të ishim më të fuqishëm se kurrë për t’i dhënë Kosovës ndihmën konkrete maksimale, u gjendem më të dobët se kurrë.

Presidenti shqiptar i atëhershëm, Ramiz Alia, me sa duket kishte arritur në përfundim se Kosova duhej ndihmuar me çdo kusht, sepse kishte ardhur momenti më i volitshëm dhe i papërsëritshëm për ta. Shpërbërja e Jugosllavisë dobësonte fuqinë e saj ushtarake sepse shpërqendronte fuqinë ushtarake jugosllave për ruajtjen e tërësisë territoriale në gjithë republikat e Federatës tashmë po shpërbëhej, që edhe Kosova të ngrihej e të kërkonte të drejtat e veta, njëlloj si kombet e tjerë të Jugosllavisë. Në cilësinë e Kryetarit të Shtetit, në një fjalim që mbajti në OKB në shtator 1990, paralajmëroi Bashkësinë Ndërkombëtare për padrejtësitë që i ishin bërë kombit shqiptar, duke shtruar problemin e rishikimit të këtyre padrejtësive historike. Ai paralajmëroi se shqiptarët e Kosovës nuk kërkojnë asnjë të drejtë më shumë nga ç’kërkojnë serbët, sllovenët, kroatët, apo maqedonasit. Ndërsa në vitin 1991, në funksionin e Komandantit të Përgjithshëm, mori mbi vete përgjegjësinë dhe urdhëroi dikasterin përkatës, që të ndihmoheshin djemtë e Kosovës me gjithçka të mundshme për t’u stërvitur ushtarakisht e për t’u armatosur e pajisur me qëllim që të fillonin luftën çlirimtare në Kosovë në një kohë me republikat e tjera veriore të Jugosllavisë.

Grupet themeluese të luftëtarëve të UÇK-së

Dy grupet themeluese të luftëtarëve të UÇK-së, në Shqipëri erdhën në tremujorin e katërt të vitit 1991. Grupi i parë ishte grupi i Zahir Pajazitit, i cili u përgatit në Elbasan dhe përbëhej nga rreth 54 veta. Ndërsa grupi i dytë kryesohej nga Adem Jasharit dhe përbëhej nga 34 vetë. Ai u përgatit në Tiranë, përkatësisht në Surrel, në malin e Dajtit. Ato u përgatitën për rreth një muaj secili, përkatësisht në tetor dhe dhjetor të vitit 1991.

Grupi i Adem Jasharit është përgatitur dhe stërvitur nga ushtarakët shqiptarë Hysen Ymeri, Agron Dhimarko, Ylli Mici dhe Kastriot Hoxha. Përgatita e tyre u mor përsipër nga shteti shqiptar dhe u realizua nga grupe me oficerë aktivë e të liruar, por me formim të lartë profesional edhe për luftën guerile. Këta përgatitën në mënyrë të organizuar prej shtetit shqiptar djemtë e parë të Kosovës, nga pikëpamja ushtarake. Trajnimi i këtyre grupeve konsistonte në përgatitjen e zjarrit, në përgatitjen fizike, në elemente të luftës guerile dhe elementë të tjerë të luftimit në terrenit etj. Oficerët e ngarkuar e mirëpritën detyrën. E konsideruan dhe e vlerësuan si një nder të madh, që u bëhej duke u besuar të stërvitin kontingjentet e para që do të nisnin luftën çlirimtare në Kosovën e pushtuar nga Serbia. Këta e kryen me nder misionin, nuk ndjenë lodhje, duke zhvilluar stërvitje nga 16 orë në ditë. Këta ushtarakë shqiptarë ju mësuan të gjitha armët e lehta të këmbësorisë që nga pistoleta, pushka, automatiku, mitralozi i lehtë dhe i rëndë si dhe granatahedhësin dhe mortajën 60 mm dhe 120 mm. Instruktorët shqiptarë kishin si qëllim t’i çlironim nga emocionet e luftës, t’i mësonim me krismat e luftës, por dhe me disiplinën e zjarrit kolektiv dhe të rrisnin besimin në armatimin e tyre luftarak të ardhshëm duke u marrë atyre maksimumin e mundshëm të rendimentit luftarak e në terrene e situata të larmishme luftarake e sa më të përafërta me ato të luftës nëpër fushëbeteja. Kështu Shqipëria po kthehej në një bazë të sigurt e të besueshme jo vetëm për përgatitjen e grupeve të luftëtarëve të ardhshëm të lirisë, por edhe për takime vetjake mes luftëtarëve të ardhshëm.

Adem Jashari përsëri në Shqipëri

Në vitit 1993, duke qenë ilegal, Adem Jashari vjen përsëri në Shqipëri, për të takuar vëllain e tij, Rifatin, që vinte nga Gjermania. Ndërkohë, mori pjesë dhe në ceremoninë e diplomimit të anëtarit të celulave të UÇK-së, Kadri Veselit, që studionte në Tiranë. Ngaqë në Shqipëri vinin ilegalisht, ata e për masa sigurie e ruajtje të fshehtësisë, megjithëse e kishin të ndaluar të lëviznin në vende publike dhe të pa kontrolluara. Adem Jashari dhe shokët e tij, gjatë kohës që përgatiteshin në Tiranë, zhvillonin dhe një aktivitet të gjerë në interes të objektivit për të cilin përgatiteshin. Ademi Jashari edhe kohë me parë, kishte kontakte me njerëz që vinin ilegalisht nga perëndimi për probleme të çështjes kosovare. Takimet bëheshin në Tiranë dhe në Durrës. Në Durrës bazën e kishin në shtëpinë e Ramë Sylmetës, nga Kërçina e Gjakovës, dhe që ishte me banim në Zvicër. Kjo shtëpi u kthye në një bazë të rëndësishme UÇK-së, si para, ashtu dhe gjatë luftës në Kosovë. Kryesisht nga viti 1993 e në vazhdim, aktiviteti i aktivistëve (luftëtarëve) kosovar erdhi në rritje në Shqipëri. Në këtë kohë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Manfred Vëmer, gjatë një vizite që bëri në Shqipëri në vitin 1993, me 19 mars, mbajti një fjalim para Kuvendit të Shqipërisë, ku në mes tjerash, tha “Ministrat e Jashtëm të NATO-s kanë deklaruar se një shpërthim i dhunës në Kosovë, që mund të ndodh nga përhapja e konfliktit, do të përbëjë një kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”. “Përhapja e konfliktit në Kosovë… do të kishte konsekuenca të tmerrshme”. “Aleanca jonë do të mbështesë përpjekjet ndërkombëtare për të parandaluar që të mos ndodh kjo dhe që të gjithë ne, në Aleancë, mbështetemi shumë te Shqipëria…”. Ky urdhër theksonte hapur që të mos përkrahej Shqipëria dhe asnjë formë qëndrese e armatosur e shqiptarëve të Kosovës kundër dhunës dhe gjenocidit serb, asnjë formë qëndrese e shqiptarëve të Kosovës për liri, sepse, sipas tij, kjo do të kishte “konsekuenca të tmerrshme”.

Megjithëse ndihma e shtetit shqiptar u bllokua, luftëtarët e Kosovës të cilët ishin të përkushtuar në çështjen e lirisë, duke shmangur kontaktet për ndihmë me institucionet e shtetit shqiptar, shfrytëzuan lidhje e ndryshme me ushtarakë dhe qytetarë atdhetar shqiptar. Ndaj me ndihmën e tyre gjetën mbështetje në Shqipëri te patriotët e vërtetë, krijuan baza të sigurta, qendra ilegale stërvitjeje dhe bënë furnizimin me armë e pajisje ndihmëse luftarake. Shqipëria, edhe pse pa dëshirën e shtetit të vet e që u kushtëzua nga presioni i faktorit ndërkombëtar, sërish mbeti bazë kryesore e UÇK-së dhe e Luftës së Kosovës. Madje me tendenca zgjerimi e masivizimi.

“Akademia” të Farkës

Adem Shehu nga Farka e Tiranës, oficer kundërajror i Ushtrisë Shqiptare, diplomuar në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve në Tiranë, në vitin 1980, shërbyer në reparte e njësi të Mbrojtjes Kundërajrore të Kryeqytetit, do të bëhej një nga komandantët më në zë të UÇK-së. Fillimisht u lidh me aktivistët kosovar në Shqipëri dhe më pas duke shkuar vullnetarisht në Kosovë në kuadrin e luftës u bë deri komandant…Në vitin 1996 u lidh me ilegalët e Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, me Sejdi Veselin, Nazmi Zhukën, sot dëshmorë i Kosovës, Fatmir Humollin e të tjerë. Në vendlindjen e tij, në Farkë, në periferi të qytetit të Tiranës, organizoi stërvitjen luftarake të luftëtarëve të cilët vinin nga Kosova, trojet etnike dhe nga vendet perëndimore për t’u stërvitur. Grupet përbëheshin nga 25-30 veta dhe Adem Shehu i stërviste ata ilegalisht. Banesa e tij, u shndërrua në një qendër stërvitore, pra në një “Akademi” të Farkës. Pas marsit 1998, kur UÇK-ja kaloi në veprime luftarake në shkallë të gjerë, Adem Shehu mbante lidhje të vazhdueshme me luftëtarët që kishte përgatitur vetë.