Anglo-amerikanët: Konflikti Shqipëri-Greqi më 1949-n, prag i Luftës së Tretë Botërore

2250
Sigal

Arkivat: Rusët, kundër pavarësisë së Jugosllavisë, qeveria greke ka parashikuar pushtimin e Shqipërisë së jugut!

Tani pas afro 70 vitesh, ne shqiptarët e këtij brezi, po mësojmë gjëra nga më interesantet dhe më të tmerrshmet, lidhur me fatet e kombit në periudhën më delikate që ai po kalonte vetëm 5 vjet pas çlirimit nga pushtimi nazifashist. Arkivat anglo-amerikane dedikuar korrespondencës diplomatike të kohës shprehen se, “22 shtator i vitit 1949, ishte momenti, kur Ballkani, nga ku nisi Lufta e Parë Botërore, është gati për të ndezur edhe një herë tjetër luftën e tretë. Shkëndijat po fluturojnë nga kampi i Titos, në tokën shqiptare dhe greke, ato vende, duhet të dalin nga kjo vorbull, përpara se të ndizet zjarri, që mund të përhapet në të vërtetë shumë larg. Natyra e saktë e rrezikut është si zakonisht errësuar nga zërat, të cilat flasin për vështirësinë e ndarjes së propagandës nga e vërteta. Instrumentet e politikës sovjetike, janë duke komplotuar për të nxitur veprime ushtarake kundër pavarësisë së Jugosllavisë, por dhe qeveria greke ka parashikuar pushtimin e Shqipërisë së jugut”. Nëse cilado nga këto kërcënime për paqen e Ballkanit realizohet, ajo do të precipitojë luftë dhe luftë civile në çdo vend të Ballkanit, por që nuk mund të lokalizohet me siguri. Në atë luftë mund të përpijnë nga vorbulla të gjitha fuqitë. Rreziku është mjaftueshëm i lartë sa të bëjë thirrje për nxitje dhe veprime vendimtare nga qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”. Departamenti i Shteteve të Bashkuara i shkruante Mbretërisë së Bashkuar se, “detyra dhe interesi ynë është të mbajmë qëndrim kundër çdo lëvizje të mundshme të çdo ushtrie përtej çdo kufiri ekzistues ndërkombëtar. Parimi i veprimit tonë, duhet të jetë ai i kundërshtimit të çdo veprimi të organizuar ushtarak nga çdo vend jashtë kufijve të tyre. Ne duhet të këmbëngulim që Lufta Civile Greke të mbetet brenda kufijve të saj ekzistues të Greqisë, trazirat shqiptare të mbeten brenda Shqipërisë dhe grindja jugosllave brenda Jugosllavisë. Vendi për të vendosur kufirin qartazi dhe me kujdes është në pikën ku ushtritë e organizuara apo forcat të kalojnë kufijtë dhe ndërhyjnë në luftërat e brendshme. Nëse e vendosim këtë kufi atje, ne mund të jemi të aftë të parandalojmë luftërat civile dhe trazirat që mund të jenë shkëndijat, të cilat mund të sjellin një luftë ndërkombëtare. Në lidhje me qeverinë britanike, ne kemi këshilluar tashmë dhe kjo kuptohet, qeverinë greke që të mos e pushtojë Shqipërinë. Ne kemi të drejtë ta bëjmë këtë, përderisa kemi furnizuar me armë ushtrinë greke dhe po paguajmë deficitet e qeverisë greke dhe të ekonomisë së saj në tërësi. Do të ishte e patolerueshme, nëse qeveria greke do ta shpërfillte këshillën tonë dhe ta përfshinte Amerikën në atë që do të ishte një akt ndërkombëtar agresioni. Për pak kohë, qeveria greke mund ta argumentojë me një farë besueshmërie që është e pamundur të mundësh të gjithë guerilet grekë, nëse ata nuk ndiqen deri në bazat e tyre përtej kufirit shqiptar. Pozicioni shqiptar zhvleftësohet nga fakti që qeveria greke uron të aneksojë jugun e Shqipërisë, të cilin ajo e quan Epir i Veriut. Prandaj, një ndërhyrje brenda Shqipërisë për të luftuar guerilet grekë, në rast se do të ishte i suksesshëm, do të shndërrohej në mënyrë të pashmangshme pushtim dhe zotërim i territorit të huaj. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veçanërisht sepse kanë një pozicion kaq të veçantë në Greqi, nuk mund të ndihmojnë, mbështesin apo të tolerojnë një iniciativë të tillë, pa dhunuar detyrimet e saja të Statutit të Kombeve të Bashkuara dhe pa dobësuar ndikimin e saj moral në të gjithë botën. Nëse, por vetëm nëse, ne kemi shqyrtuar çështjen greko-shqiptare, a do të jemi ne në një pozicion për të vepruar me ekektshmëri kundër rreziqeve të cilat lindin nga çështja Tito-Koniform-Bashkim Sovjetik? Po. Unë besoj se ne nuk duhet të humbasim kohë, duke e bërë kaq të thjeshtë se agresioni ushtarak kundër Jugosllavisë bie ndesh me nenin 51 të Statutit dhe nëse Jugosllavia detyrohet për t’i rezistuar pushtimit ushtarak përtej kufijve të saj dhe kërkon ndihmë, ndihma do t’i jepet menjëherë dhe e plotë. Unë nuk besoj se ne duhet të presim për të bërë të njohur pozicionin tonë, derisa sa trazirat të shpërthejnë dhe çështja të dërgohet përpara Këshillit të Sigurisë. Ne duhet të bëjmë të njohur pozicionin që duhet të marrim, në qoftë se ka trazira dhe nëse ngrihet si çështje. Kjo është mënyra më e mirë për të frenuar agresionin, për të kundërshtuar organizatorët e agresionit dhe për të parandaluar konfliktin përpara se të shpërthente dhe të bëhej i pamenaxhueshëm. Veprime parandaluese të tilla, nuk do të përfshijnë risqe të reja apo ndonjë angazhim të ri. E vërtetë për botën sot është se çdo veprim ushtarak i hapur ndaj çdo kufiri ose vije të demarkacionit ushtarak të rënë dakord, pa pasur rëndësi se ku ndodh, do ta shpinte botën në prag lufte. Paqja e botës është ruajtur, pavarësisht të gjitha incidenteve të hidhura dhe intrigave të Luftës së Ftohtë, sepse aktualisht kufiri ushtarak i armëpushimit nuk është dhunuar kurrë nga ushtria e kuqe apo nga çdo ushtri tjetër perëndimore. Nuk do të ketë Luftë të Tretë Botërore dhe do të qëndrojë gjithnjë e hapur shpresa e një vendosjeje paqeje, nëse ajo e kufijve ushtarakë nuk dhunohet me forcë. Rasti jugosllav është një test, i cili mund dhe duhet të përdoret për të qartësuar dhe demonstruar ligjet qeverisëse të politikës sonë. Mbështetja e qeverisë së Titos kundër agresionit të jashtëm ushtarak, do ta bëjë të qartë atë që ka kaq shumë nevojë për t’u bërë e tillë – që fuqia ushtarake amerikane nuk është radhitur kundër komunizmit në një kryqëzatë, për të cilën ne e ushqejmë si demokraci dhe si një ekonomi e lirë, por kundër vendosjes së një Perandorie super të zgjeruar ruse në Europë dhe Azi. Duhet të bëhet e qartë, se ne duhet të kundërshtojmë ideologjinë komuniste me anë të ndihmës së arsimit, ndihmës së ekonomisë, teknologjisë dhe asaj kulturore dhe ne shpresojmë ta bëjmë këtë me anë të këtij shembulli. Por duhet të bëhet njëlloj e qartë, se fuqia jonë ushtarake është llogaritur vetëm për të parandaluar krijimin e një Perandorie të pafund moskovite, e cila do të sundojë të gjitha shtetet e huaja. Dhe duke qenë kështu, nëse Titoja dhe jugosllavët dëshirojnë të jenë komunistë sipas pikëpamjeve të tyre dhe kur ata shprehin interesat e tyre, ne nuk duhet të grindemi me ta. Nëse ata nuk i sulmojnë fqinjët e tyre, deri në pikën që duan të ruajnë pavarësinë e tyre, ne duhet të drejtojmë një lëvizje për të mobilizuar dhe mbështetur të gjithë botën e shteteve të pavarura.