Edhe pse kanë kaluar 71 vjet, por edhe para e pas saj, nga masakrimi dhe hedhja në pus e viktimave të Degës së Punëve të Brendshme, askush nuk flet për të vërtetën. pse u masakrua , u sakatua dhe u zhduk në pusin e errët Foti Nini me tre veta të tjerë, edhe pse Foti ishte përkrahës dhe vëlla i dy dëshmorëve të LANÇ-it? Këto dhe detaje të tjera sjell e bija dhe mbesa e viktimës , Zoica dhe Vasillo Nini

Nuk janë ngjarje të përshkruara nga Solzhenicini në “Arkipelagu gulak”, por janë realitete shqiptare që shqiptarët u bënë shqiptarëve. Përngjashmëria e realiteteve vjen nga imitimi fanatik i sistemit stalinist dhe instalimi dhe qëndrimi me besnikëri i tij nga ana e pushtetit komunist. Krime nga monstruozet kanë ndodhur gjatë sundimit të këtij sistemi në Shqipëri, aq sa edhe fantazia më inteligjente në botë u a ka zilinë, por dhe vet kinezët që shpikën dhe përdorën torturat më të egra në hetuesi, do të rrinin gatitu para këtyre shqiptare. Ngjarja që do t’u sjellim është një ujëvarë dhimbjeje formuar nga derdhja e lotëve të hidhur në vite, vitet e gjata të pritjes nën ankthin e heshtjes institucionale për të vërtetën e sajë. Një tij mjegulle harrese mbulon rrënojat e shtëpisë së viktimave dhe kjo për t’i shërbyer harresës. Në pritje që këto eshtra të këtyre njerëzve të kenë një varr të tyre ku mund të ndizet një qiri për përshpirtje, apo një përmendore të përbashkët përkujtimore për të vendosur një kurorë apo buqetë me lule, ku mund të derdhet një pikë loti për fatin e tyre të trishtë e të dhimbshëm.

Të kenë një emër në mos-harresën e qytetit. Ajo që ka ndodhur i kalon kufijtë e dhimbjes njerëzore, por besoj se kalon edhe shpirtin e botës shtazore. Marrëzia e krimit nuk njeh kufi, por nuk njeh as pendesë. Për të hedhur disi dritë për enigmën e këtij varri të përbashkët në qendër të qytetit të Sarandës, sjellin ngjarjen e dhimbshme të familjes së tyre për lexuesit e gazetës “Telegraf” dy të moshuara 73-vjeçare, kushërira të para, Zoica Nini-Budri dhe Vasillo Nini-Nasto. Janë vajza xhaxhai dhe të pandara nga njëra-tjetra në kërkim të zbulimit të së vërtetës të arrestimit dhe zhdukjes së babit të Zoicës, Foto Nini dhe xhaxhait të Vasillos. Foto Nini i humbur në varrin masiv të ish-Degës së Brendshme të Sarandës mes dhjetëra e dhjetëra viktimave të tjerë me një varr dhe fat të përbashkët. Po ç’farë ndodhi atë fillimkorriku të vitit 1947, para 71 vitesh në familjen Nini me dy djem dëshmorë? E bija e Fotos, Zoica, tregon mes dhimbjes dhe ngashërimeve shpirtërore dhe lotit që i rreshket faqeve, teksa na tregon fotografinë e të atit që nuk e njohu kurrë, se atë ditë, në mbrëmje, ashtu siç ja ka treguar gjyshja e sajë , Marta Nini. Babai erdhi i lodhur nga stani në mal ku qe çoban me pak dhi që të mbanim frymën gjallë. Puthi mua që isha 2-muajshe dhe përkëdheli vëllain dy muajsh i cili nuk pati jetë të gjatë se u sëmurë dhe vdiq pa mbushur vitin, me sa duket shkoi të kërkonte të atin. Unë mbeta vetëm me nënën e re dhe gjyshen. Më shumë rrija me gjyshen se nëna kryente punë të ndryshme që të na ushqente. Ndaj dhe këto histori i mbaj mend mirë se gjyshja mi tregonte ngaherë që unë e pyesja përditë se ku qe im at. Dhe gjyshja tregonte se atë mbasdite të vonë në buzëmbremje, pasi na puthi e përkëdheli neve fëmijëve të vegjël akoma në djep, u shtri të çlodhej pak. Papritur dëgjohen zëra të fortë që thërrasin në emër tim atë:

-O Foto Nini, o Foto Nini…Doli gjyshja tek porta dhe ata e pyetën për babain se a ndodhej në shtëpi. Gjyshja u tha se ndodhej brenda dhe qe shtrirë për t’u çlodhur. Ata i kërkuan gjyshes t’i thoshte tim eti që të dilte pak tek porta. Babai doli dhe ata i thonë të shkonte pas tyre. Babai diçka nuhati dhe u kërkon që të vishet, por ata i thanë të shkonte ashtu siç qe, se do të kthehej shpejt. Zëri i tyre nuk i pëlqeu gjyshes. Në tingujt e atij zëri kish hakërrim, mëri, tërbim, pabesi, dukeshin si hungërima hienash dhe vampirësh gjakpirës. Zemra e nënës që ndjen shumë , parandjeu se diçka e keqe po i kurdisej të birit dhe zemra e saj qe e helmuar se dy djem i kish lënë në lutën Na Çl si dëshmorë e plaga e shpirtit nuk i qe mbyllur, megjithëse për nënën nuk mbyllet kurrë. Kështu që vendosi t’u shkonte nga pas. Pa kaluar as dy-tre metra nga porta ata shpërthyen në ulërima, e kapën babain nga krahët duke e zvarritur dhe goditur me shkelma, madje kishin mbledhur edhe shumë nga komuniteti egjiptian që janë të shumtë në Sarandë dhe e godisnin babanë me gurë e sende të tjera, me ç’të mundnin e ç’të gjenin, pa le më sharjet e fyerjet. Trupi i babait u mbulua me gjak. Gjyshja bërtiste nga pas se ç’farë u kish bërë djali e ç’kishin me të. Kështu vazhdoi gjatë gjithë rrugës derisa e futën në Degën e Punëve të Brendshme. Aty gjyshja nuk e ndoqi dot më se nuk e lejonin brenda.

Priti sa priti dhe u kthye në shtëpi. Ankthi i pritjes ua mori natën me gjumin e syrit gjyshes dhe nënës dhe nuk pushuan së qari deri në të gdhirë. Por edhe për babain qe nata fatale e jetës së tij, natë që do t’i merrte jetën në pafajësi me vdekjen makabre e mizore. Siç do t’i tregonte më pas gjyshes një pastruese zemërmirë, Duduja siç i thërrisnin në Sarandë, por me 1000 porosi të mos e zinte në gojë se mund të kishin të njëjtin fat edhe ato të dyja, nëna me Dudinë. Në mëngjes Dudia kish parë rrobat e tim eti në oborr të hedhura e të mbuluara nga gjaku. Gardiani K.V. i bërtiste me të madhe t’i merrte e t’i digjte diku në një cep rrobat e atij qeni. Po ç’kish ndodhur atë natë të zezë? Pasi i kishin torturuar çnjerëzisht babain dhe tre të arrestuar të tjerë, i varën kokëposhtë dhe roje i vunë gardianin K. V. Rojën e zuri gjumi dhe të katërt të arrestuarit e varur kokëposhtë, ca nga torturat e ca nga qarkullimi i gjakut që u ra në tru, vdiqën. Mëngjesi i një korrikut i gjeti të vdekur babain dhe tre të arrestuarit e tjerë Ilia Gogoni, Spiro Marangoi nga Delvina dhe Gaqe Muzina. Babait, nga që qe trup i gjatë, i masakruan kufomën duke i thyer këmbët dhe duart, lanë një kufomë pa gjymtyrë. Por histeria e gjakpirësve të pamëshirshëm që vërsuleshin si hienat e uritura mbi gjahun e pafajshëm , nuk kish mbaruar këtu. Të katër viktimat e masakruara i hodhën në pusin e degës së punëve të brendshme, pus që italianët e kishin bërë për të pasur ujë të pijshëm, por pushteti komunist e mbushi me gjak , eshtra dhe fate të njerëzve të pafajshëm.

Tek ai pus qenë hedhur dhe më para e më pas babait edhe të tjerë viktima dhe nuk dihet numri i tyre. Këto tregonte Duduja e mirë duke e porositur gjyshen dhe nënën të mos bënin zë. Por këto i tregon më pas në vitet e demokracisë nga interesimi i të afërmve edhe vet ish gardiani K.V. Ky ishte 24-orëshi i fundit i babait tim që iu pre jeta në mes në mënyrë kriminale dhe u zhduk në mënyrë misterioze trupi i tij i vdekur nga pushteti komunist i sapovendosur i Enver Hoxhës. Zoica thotë se jeta e tyre kaloi nën një kalvar të dhimbshëm e të mundimshëm mes një trajtimi të keq si reaksionar. Gjyshja deri sa vdiq e mbushte pjatën e gjellës me lot. Qante të tre djemtë e sajë, dy dëshmorët dhe armikun e pafaj e të pavarur. Por ama i trajtonin si reaksionar, por kurrë nuk u thanë një fjalë për babain. Ndoshta i pushtonin drithërimat e frikës nga emri i tij se pendesë egërsira s’ka ndaj presë së saj. E ëma filloi punë me hapjen e sanatoriumit të Sarandës, por sa filloi e hoqën. Bëri punë të ndryshme, por për ironi të fatit dhe dashakeqësisë skërmitëse, në prag të pensionit e vendosin kuzhiniere në restorantin e hapur tek ish dega e punëve të brendshme që dhe sot i thonë Bar-Lulishtja e qytetit.

Them ironi se duhej të shkelte disa herë në ditë mbi pusin ku qenë eshtrat e të shoqit të saj dhe dhjetëra viktimave të tjerë. Qe një punë e dhimbshme dhe e mundimshme shpirtërore, por që duhej ta bënte dhe të heshtte. Dera komunikuese e kuzhinës me sallën e klientëve qe pikërisht aty ku kish qenë pusi-varr, por tanimë i mbuluar me pllaka guri duke mbajtur në fshehtësi të tij fatet dhe eshtrat e shumë viktimave. Por dhe vet Zoica nuk do t’i shpëtonte përndjekjes dhe peripecive. Tregon se kur mbaroi arsimin 7-vjeçar, për herë të parë u hap një kurs dy vjeçar për infermiere. Nuk ishte me rekomandim nga komiteti ekzekutiv, por me regjistrim. U regjistrua dhe filloi kursin. Që muajin e parë e përjashtojnë si të padisiplinuar. E prekur si një zemër fëmije që i presin ëndrrën e jetës në mes, shkon dhe takon Sekretarin e për Miti Rrapin, i cili sa dëgjon motivacionin e përjashtimit nga shkolla, buzëqesh, i rreh shpatullat dhe i thotë të vazhdojë shkollën. Kështu i mbaron dy vite ditën dhe një natën, sepse ashtu qe sistemi i kursit dhe fillon punë si infermiere në spitalin e Sarandës. Por do të vinte një maji i vitit 1975 kur Zoicën e panë në manifestime dhe u kujtuan. Dy maji e gjeti të pushuar nga puna për shkurtim organike, por ky qe vetëm justifikim se të nesërmen u emërua dikush tjetër. Edhe si punëtore në ushqimore nuk e lanë se qe vajza e armikut dhe mund të helmonte popullatën, pavarësisht se qe gruaja e specialistit dhe ekspertit ekonomist Thoma Budri. Bëri punë të ndryshme deri sa u gjend një mik dhe në prag pensioni i mbylli vitet në profesionin e sajë si infermiere. Po këtë kalvar vuajtje tregon edhe vajza e xhaxhait të Zoicës, Vasillo Nini-Nasto. Kjo megjithëse e kishte burrin edhe sekretar partie të një organizate, nuk u dhanë shkollë për fëmijët. Sa shkelte burri në komitetin ekzekutiv, ata sa e shikonin nuk e linin të fliste, por i thoshin se ke Vasillon me biografi të keqe. Ky është një faktet dhe fatet e një prej viktimave të këtij pusi-varr ku ndodhen eshtrat e shumë viktimave njerëzore.

Po çfarë kish bërë kjo familje e lidhur tërësisht me LANÇ-in?

Çfarë fshihet në labirintet dhe në pusin misterioz të ish-Degës së Punëve të Brendshme të Sarandës. Pse heshtet? Zoica dhe Vasillua thonë se nuk kanë reshtur së kërkuari; së pari, arsyen e arrestimit dhe pastaj vrasjen dhe zhdukjen misterioze të Foto Ninit. Por askush nuk u jep një përgjigje të saktë, përveçse: Nuk kemi dokumente, kjo edhe nga arkivi i MPB. Kjo odise kërkimi nis zyrtarisht që nga viti 1977 e deri sot, por heshtje misterioze si arrestimi dhe vrasja e tyre, vetëm sa kanë marrë dy këste shpërblimi, por asnjë motivacion për fatin e babait. Edhe dyqanin që kish në momentin e arrestimit nuk u a kanë dhënë, por e kanë grabitur të tjerët. Fotua u arrestua dhe u vra brenda natës, pa asnjë akuzë dhe pa poçes gjyqësor, në atë godinë të ndërtuar nga italianët dhe në vitet e para të çlirimit u kthye në degën e punëve të brendshme të Sarandës. Sot ka të njëjtën arkitekturë të kohës që u ndërtua deri në rrënim me rënkim kukuvajke për krimet që ka qenë dëshmitare e heshtur dhe që duket se do ti marrë me vete. Vetëm kati i parë i sajë me oborrin funksionon si gjellëtore, por sot në oborrin e saj është tregu i suvenirëve, pasi është në pronë të bashkisë. Përball saj një bunker i kohës së socializmit bashkia e ka kthyer në muze kujtese për krimet e komunizmit, kur vetëm 100 metra më tutje ndodhet pusi-varr i disa prej këtyre viktimave dhe bashkia nuk gjen dot një pllakë mermeri ta vendosë si përkujtimore. Tek vendi pranë pusit hedh shtat një pishë shtatlartë ku Zoica shkon ç’do gjashtë maj, se në datën 5 shkon tek xhaxhallarët dëshmor, për të vendosur lule në datëlindjen e babait të saj. Shkon dhe në nj korrik që është datëvdekja e tij. Vendos aty një tufë me lule dhe një karafil të kuq në mes, karafil të kuq si gjaku që derdhi në pafajësinë e tij. Zoica thotë se me ardhjen e demokracisë, apo më mirë lirinë e të ikurit nga vendi dhe të folurit pa frikë, edhe ajo iku në Greqi si emigrante më shumë për shkollimin e fëmijëve. Kjo se pse nuk mendonte se do të vinte demokracia e vërtetë në Shqipëri. Dhe nuk jam gabuar,-na thotë me vështrim të vuajtur e të trishtë. Ajo akoma nuk ka ardhur. Babain tim e vranë, ndonëse kish ndihmuar LANÇ-in me ushqime dhe armatime dhe kish dy vëllezër dëshmorë, Kiço dhe Pavllo (Luli) Nini. Të dy të vendosur në varrezat e dëshmorëve dhe në lapidarin e fshatit Nivicë-Bubar. Më ha brenga e do vdesë me merak. Mirë që nuk e njoha e nuk e pashë kurrë, nuk ndjeva asnjëherë fjalën dhe dorën e tij, por nuk mësova dhe arsyen. Ç’bëri babai ynë që jo vetëm e vranë, e masakruan, por e lanë edhe pa varr duke e hedhur në pus mes dhjetëra viktimave të tjera? As një pllakë mermeri nuk ka për të mos i përfshirë harresa, pa mirë eshtrat nuk ua nxjerrin nga ai pus i zi i mallkuar. Nuk i nxjerrin se nuk do bashkia sepse e ka pronën e saj dhe nuk prish asgjë ta hapë pusin që një Zot e di se çfarë mban përbrenda tij. Gjyshja vdiq pa iu tharë loti nga syri. Dy djem dëshmorë, por kriminelët nuk pyetëm për t’i zhdukur në mënyrën më çnjerëzore e më kriminale edhe djalin tjetër, krejt pa faj e pa motiv. Dhe ish-godina e Degës së Punëve të Brendshme të Sarandës e ndërtuar nga italianët si komandë ushtarake gjatë pushtimit të Shqipërisë, rri aty e heshtur me misterin e saj enigmatik përballë atij bunkeri ironik që një djall, e di se ç’krime ka kryer ai bunker që në mënyrë qesharake u kthye muze i krimeve komuniste, ndërsa aty ku krimet kanë ndodhur heshtet dhe lihen në harresë memoria e asaj kohe mish-drithëruese me bëmat e saj. Vërtetë pse heshtet për këtë pus-varr masiv dhe cilët janë viktimat dhe pse hidheshin në pus kufomat e tyre? Do të marrë ndonjëherë përgjigje kjo pyetje që shpirti i tyre të jetë i qetë? Nuk e di, ndoshta të shpresojmë të dalin në dritë eshtrat dhe e vërteta e tyre.