Zyrtarë amerikanë në Korenë e Veriut në përgatitje për takimin Trump-Kim

533
Sigal

Gazeta Washington Post njofton një grup zyrtarësh amerikanë u futën në Korenë e Veriut të dielën për bisedime lidhur me takimin që duan të zhvillojnë Presidenti Trump dhe udhëheqësi koreano-verior Kim Jong Un.

Gazeta citon një person të afërt me shkëmbimet, sipas të cilit ish-ambasadori amerikan në Korenë e Jugut ishte thirrur të vinte nga posti aktual, si ambasador në Filipine, për të drejtuar përgatitjet.

Presidenti Donald Trump tha të shtunën në mbrëmje se vazhdojnë përgatitjet për takimin e 12 qershorit në Singapor dhe se po sqarohen hollësitë.

“Bisedimet po shkojnë shumë, shumë mirë,” tha zoti Trump.

Në Korenë e Veriut, media shtetërore njofftoi të shtunën se është “vullneti i palëkundur” i udhëheqësit koreano-verior Kim Jong Un që të zhvillohet takimi me Presidentin Trump.

Presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, tha se i kërkoi kreut të Koresë së Veriut, Kim Jong Un të kontaktonte Uashingtonin direkt për të shpëtuar samitin bërthamor të 12 qershorit me Shtetet e Bashkuara, gjatë takimit ndër-korean që dy udhëheqësit mbajtën të shtunën.

Koreja e Veriut e kërkoi takimin mes Kim dhe Moon, pasi Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump anuloi samitin e Singaporit të enjten.

Moon bisedoi me gazetarët pas takimit me zotin Kim në anën veriore të kufirit mes dy Koreve, në të njëjtin fshat ku u takuan për samitin e prillit.

“Ne kemi rënë dakord që takimi i 12 qershorit duhet të mbahet me sukses dhe se udha jonë drejt çmilitarizimit bërthamor të gadishullit Korean dhe drejt një sistemi të përhershëm paqësor nuk duhet të ndalet. Kemi rënë dakord të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin për këtë”.

Të shtunën President Trump u shpreh se mbetet e hapur mundësia për të mbajtur samitin e anuluar të Singaporit. Ai u tha gazetarëve pas takimit me amerikanin Joshua Holt, i cili u kthye në Shtetet e Bashkuara pasi u mbajt për dy vjet i burgosur në Venezuelë, se bisedimet e nivelit të lartë me Phenianin “po shkojnë shumë, shumë mirë”.

“Dhe mendoj se ka shumë vullnet të mirë; mendoj se njerëzit duan të shohin nëse mund të mbahet takimi dhe nëse mund të bëjmë diçka. Nëse e bëjmë këtë dhe nëse do të jemi të suksesshëm në çmilitarizimin bërthamor të gadishullit Korean, do të ishte një arritje e madhe për Korenë e Veriut, e mrekullueshme për Korenë e Jugut, do të ishte mirë për Japoninë dhe për botën, për Shtetet e Bashkuara, dhe për Kinën”.

Presidenti Trump ka thënë se udhëheqësit koreanoverior nuk do t’i cënohe as pushteti, as pasuria, pasi Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera do të ofrojnë ndihmë të konsiderueshme ekonomike dhe investime.