Zoti i drogës, “El Chapo” dënohet me burgim të përjetshëm

169

Një gjykatë në Nju Jork e dënoi udhëheqësin meksikan të rrjetit të drogës, Joaquin “El Chapo” Guzman, me burgim të përjetshëm, plus 30 vjet.

Guzman, 62 vjeç, u shpall fajtor për dhjetë akuza, përfshirë atë për trafikim të drogës dhe shpëlarje parash, në muajin shkurt. Ai ka ikur nga burgu në Meksikë, përmes tunelit, në vitin 2015, por është arrestuar më vonë.

Më 2017, është ekstraduar në Shtetet e Bashkuara. Ai ka udhëhequr kartelën Sinaloa në veri të Meksikës, që, sipas zyrtarëve, ka qenë furnizuesja më e madhe e drogës në SHBA.

“El Chapo” është akuzuar për dërgimin e qindra tonelatave kokainë në SHBA, si dhe për konspiracion për të shpërndarë heroinë, metamfetaminë dhe marihuanë. Ai po ashtu thuhet se ka paguar njerëz për të kryer qindra vrasje, sulme, rrëmbime dhe akte torturash.

Gjatë gjykimit, dëshmitarët kanë thënë se ai i ka torturuar armiqtë e kartelës së tij. Duke folur përmes një përkthyesi, pak para se t’i shpallej dënimi të mërkurën, Guzman tha në sallën e gjyqit se burgimi i tij në SHBA ka qenë “torturë psikologjike, emocionale dhe mendore 24 orë në ditë”.

Në vitin 2009, ai ka hyrë në listën e burrave më të pasur në botë, të përpiluar nga revista Forbes.