Zgjidhja e krizës në Siri, OKB miraton me unanimitet rezolutën

470
Këshilli i Sigurimit të OKB-së miratoi dje me unanimitet një rezolutë në mbështetje të një plani ambicioz paqeje për Sirinë.
Rezoluta parashikon që në fillim të muajit janar të zhvillohen negociata mes pushtetit dhe opozitës për t’i dhënë fund katër viteve e gjysmë luftë dhe vendosjen e një armëpushimi në të gjithë territorin sirian.
Për sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry, i cili drejtonte seancën, kjo rezolutë dërgonte një mesazh të qartë për të gjithë, për të bërë të ditur se ka ardhur koha për t’i dhënë fund vrasjeve në Siri.
Kerry e cilësoi planin e OKB, si një gur themeli në përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit duke shtuar se tani sirianët do të kishin një zgjidhje reale, mes luftës dhe paqes.
Ai pranoi vështirësinë e kësaj pune, por përshëndeti shkallën e pazakontë të unitetit nga ana e fuqive të mëdha për gjetjen e një zgjidhjeje politike për Sirinë.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon përshëndeti rezolutën e parë që përqendrohet në mjetet politike për zgjidhjen e krizës.
“Ky është një hap shumë i rëndësishëm që na mundëson të progresojmë drejt një zgjidhjeje”, shtoi ai.
Ai konfirmoi se Kombet e Bashkuara ishin të gatshme për të luajtur rolin e tyre për organizimin e negociatave për paqe dhe zbatimin dhe mbikëqyrjen e armëpushimit.
Në takimin në Nju Jork morën pjesë ministrat e Punëve të Jashtme të SHBA-së, Rusisë, Turqisë, Kinës, Egjiptit, Francës, Gjermanisë, Iranit, Irakut, Italisë, Jordanit, Libanit, Omanit, Katarit, Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Britanisë së Madhe, si dhe përfaqësues të Kombeve të Bsashkuara, Bashkimit Evropian dhe Lidhjes Arabe.
Sigal