Zbarkojnë 21 klandestinë në brigjet e Italisë, arrestohet skafisti shqiptar

487
Policia italiane ka ndaluar në orët e para të mëngjesit të sotëm, në brigjet e qytezës së Marina Serra në provincën e Leçes, një nënshtetas shqiptar e një nënshtetas grek në bordin e një skafi që po lundronte në brigjet italiane. Është ky episodi i parë i zbarkimit të emigrantëve përmes rrugës detare së Adriatikut. Arrestimi i tyre u bë nën akuzën e dyshimit se janë dy skafistët të cilët kanë zbarkuar këtë mëngjes, në komunën Kastro po në provincën e Leçes , 21 emigrantë me kombësi somaleze, siriane dhe iraniane. Ka qenë një banor i Kastros i cili ka lajmëruar policinë italiane menjëherë pasi ka parë mbërritjen e 21 emigrantëve klandestinë nga deti. Sipas dëshmisë së tij skafi me në bord dy persona sapo ka zbarkuar emigrantët somalezë është larguar në thellësi të detit. Roja bregdetare italiane në bashkëpunim me policinë financiare e me forcat e rendit janë vënë nën ndjekje të skafit e brenda një kohe të shkurtër ky mjet lundrues i gjatë 7 metra është bllokuar më në jug të brigjeve të Leçes, pikërisht në komunën Marina Serra. Në bordin e tij udhëtonin një nënshtetas me kombësi shqiptare e një nënshtetas grek. Policia italiane ka deklaruar se po ekzaminon mjetin lundrues për të përcaktuar rrugën e udhëtimit të kryer, si dhe po heton mbi dy personat e arrestuar. Emigrantët klandestinë të mbërritur në brigjet italiane më kët skaf janë 16 meshkuj e 5 gra të gjithë të kombësisë somaleze. Është ky episodi i parë i zbarkimit të emigrantëve përmes Adriatikut pas mbylljes së rrugës tokësore ballkanike.
Sigal