Vdes ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Turqisë, Sulejman Demirel

586
Ish-presidenti i Turqisë, Suleyman Demirel, ka vdekur në moshën 90-vjeçare. Demirel ka shërbyer shtatë herë si kryeministër deri në vitet 1990 dhe ka qenë president nga viti 1993 deri më 2000. Lajmi njoftohet nga ekipi mjekësor që kujdesej për shëndetin e Demirel në spitalit “Guven”, ku politikani i njohur turk po kurohej për një infeksion në aparatin frymëmarrës.
Demirel mban në supet e tij 5 dekada në politikë, ku veç postit të Presidentit, që e ka mbajtur nga viti 1993 deri në vitin 2000, ka qenë plot shtatë herë kryeministër i vendit. Qeveritë e tij janë rrëzuar dy herë nga ushtria, e cila pas grushtit të vitit 1980 i ndaloi Demirelit dhe një numri politikanësh të tjerë pjesëmarrjen në jetën politike të vendit. Demirel drejtoi Partinë e Drejtësisë nga viti 1964 deri në vitin 1990. Pas heqjes se urdhërit që i ndalonte pjesëmarrjen në politikë në vitin 1987, ai u rikthye në politikë dhe shumë shpejt në pushtet. 
Në zgjedhjet e 1991 partia e tij siguroi shumicën dhe formoi qeverinë bashkë me Social-demokratët Populistë. Në vitin 1993 u fut në garën për president, vend i lënë bosh nga Turgut Ozal, që ndërroi jetë, dhe do ta mbante këtë post deri në vitin 2000. Me 10 vjet e 5 muaj në total si kryeministër, Demirel renditet i treti në listën e kryeministrave më jetëgjatë të Turqisë, pas Ismet Inonu dhe Recep Taip Erdogan.
Sigal