Valbona VARDARI/ Gruevski do të ketë të njëjtin fat si Car Dushani dhe krimineli Millosheviç…!

565
Sigal

Ngritja e përmendores së Car Shtefan Dushanit në qendër të Shkupit është skandali i radhës i provokuar nga serbofili e antishqiptari Gruevski në dëm të interesave kombëtare të kombit shqiptar. Ashtu si skandalet e fundit, siç ka qenë “Enciklopedia sllavo-maqedonase…”, vrasja në Smilkovc(që nuk e kanë provokuar shqiptarët, por për të cilat janë arrestuar shqiptarët), rrahja e nxënësve shqiptarë mu në sytë e policisë sllave etj., edhe skandali i fundit i skenaristit anti-shqiptar Gruevski është bërë për të fyer e denigruar shqiptarët e për t’i ngritur lavdi të përjetshme ‘Serbisë së Madhe’, arkitekt i së cilës ka qenë Car Dushani.

Rikujtojmë se Car Dushani ka qenë vrasës e prerës i shqiptarëve në Mesjetë, perandoria e tij u shtri gjatë gjithë hapësirës shqiptare. Qëndresa e organizuar e fisnikëve shqiptarë, herë-herë e bashkërenduar edhe me anzhuinët e me fuqi të tjera evropiane, kishte mundur t’i mbajë serbët për mjaft kohë larg Durrësit e Principatës së Arbrit. Por pushtimi i këtyre të fundit si dhe i gjithë tokave shqiptare, njohu një shkallëzim të ri në kohën e sundimit të mbretit serb, Stefan Dushanit (1331-1355). Që në verën e vitit 1336, në ujdi me perandorin bizantin Androniku III Paleolog, i cili në atë kohë drejtonte ekspeditën ndëshkimore në Shqipërinë e poshtme, mbreti serb organizoi një fushatë të madhe, në përfundim të së cilës pushtoi viset qendrore midis Matit e Shkumbinit.

Perandoria e Stefan Dushanit qe konkretizimi i ambicieve pushtuese te klasës feudale serbe. Në vendet e pushtuara feudalët serbë u pajisën me fonde të mëdha tokësore që iu rrëmbyen popullsisë vendase. Burimet historike dëshmojnë masat veçanërisht të ashpra që Stefan Dushani zbatoi në dëm të popullsisë shqiptare. “Arbrit janë të shtypur keq nga zgjedha e padurueshme dhe tepër rëndë e sunduesve të urryer sllavë… Klerikët poshtërohen e persekutohen, fisnikët shpronësohen e burgosen”, shkruhet në një relacion të vitit 1332 të kryepeshkopit frëng të Tivarit, Guljelimi i Adës.

Por, ashtu siç u shtri, ajo aq edhe shpejt u rrënua, si kështjellë kartoline e rërë, sepse me gjithë dhunën e mizoritë e tij, Car Dushani nuk mundi të ndale shpirti çlirimtar e kombëtar shqiptar dhe dëshirën e popullit shqiptar për liri. Që në vitin e parë të sundimit të Shtefan Dushanit, në trevat veriperëndimore shpërtheu një kryengritje antiserbe, në krye të së cilës u vu bujari Dhimitër Suma (1332). Zgjerimi i saj nxiti kryepeshkopin e Tivarit, Guljelmin e Adës, të projektonte organizimin e një kryqëzate të Perëndimit kundër serbëve, e cila do të mbështetej në kontributin vendimtar të kryengritësve shqiptarë të zonave të veriut. Në letrën që i dërgonte për këtë qëllim dukës së Burgonjës, Filipit VII Valua, prelati frëng pohonte se për organizimin e kësaj kryqëzate antiserbe nuk mund të gjendej vend më i përshtatshëm sesa zonat kryengritëse në fjalë, “… ku populli arbër mund të nxirrte në luftë më se 15000 kalorës, burra të shëndetshëm, trima e luftëtarë të mirë, të aftë për çdo betejë”.

Qëndresa e shqiptarëve kundër pushtimit serb nuk qe karakteristike vetëm për viset e veriut, por për të gjitha trevat shqiptare deri thellë në Epir e Thesali. Pas vdekjes së carit serb, Shtefan Dushani, u vra edhe qeveritari serb Qezar Preljubi. Pak kohë pas ekspeditës së tij kundër Beratit, edhe Simeon Uroshi, vëllai i Dushanit, u detyrua nga shqiptarët e Epirit t’i linte zotërimet e veta. Në këtë mënyrë që nga Genta e Kosova deri poshtë në Epir lindën ose u ringjallën formacione politike të dyerve më të shquara shqiptare, Balshët, Gropajt, Topiajt, Matrëngët, Muzakët, Zenebishët, Bua-Shpatat etj.

Duke u rikthyer në ngjarjet aktuale, parashikoj se vendosja e statujës së Car Dushanit në mes të Shkupit është një akt edhe ogurzi për sllavët, sepse ashtu siç u shtrinë serbët në vitet 1332-1355 në trojet shqiptare dhe këto treva shqiptare nuk kanë qëndruar deri në amshim nën sundimin dhe kolonizimin serb, edhe tani tokat shqiptare nën sundimin dhe kolonizimin sllavo-grek do të çlirohen e shqiponjar do të fluturojnë lirshëm që nga Nishi në Artë e Prevezë, në Shqipërinë Etnike. Kurse satrapët serbofilë, si Gruevski, do të kenë të njëjtin fat (të turpshëm) si Stefan Dushani, Qezar Prejlubi, Simeon Uroshi, Sllobodan Millosheviç…