Ushtria e Kosovës votohet pas zgjedhjeve në Serbi?

388
Sipas mediave kosovare, projektligji që parashikon transformimin e FSK-së në një forcë të mirëfilltë të armatosur do të proçedohet në Kuvend pas mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në Serbi, që janë parashikuar të zhvillohen në datë 2 Prill.Ende nuk ka një konfirmimim zyrtar për këtë cështje, por nëse drafti do të futet në rend dite në Parlament, kjo gjë do të përbënte një surprizë, në kushtet kur ndërkombëtarët e kanë bërë të qartë se nuk do t’a mbështesin themelimin e ushtrisë përmes ndryshimeve ligjore, por vetëm nëpërmjet atyre kushtetuese.

Projektligji i dërguar në Kuvend nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që parashikon tranformimin e FSK-së në një Forcë të mirëfilltë të armatosur me shumë mundësi do të proçedohet në Parlament pas mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në Serbi, raundi i parë i të cilave është parashikuar për t’i zhvilluar në datë 2 Prill.

Lajmi është bërë i ditur nga mediat kosovare të cilat citojnë burime konfidenciale, por nuk japin më shumë detaje mbi kanalin e tyre të informacionit.

Pas propozimit të Kreut të Shtetit, tashmë proçedurat e tjera i takojnë kryeministrit Isa Mustafa, i cili duhet të miratojë draftin dhe t’i kërkojë kryeparlamentarit Veseli që diskutimi i tij të futet në rendin e ditës në një seancë pas 2 prillit.

Ndërmarrja e një veprimi të tillë do të përbënte një surprizë të madhe nga autoritetet kosovare në një kohë kur NATO dhe Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se janë kundër transformimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës përmes ndryshimeve ligjore.

Aleatat e Kosovës theksojnë se mbeten parimisht pro kësaj ideje, por shtojnë se ndryshimi duhet të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese dhe me konsensusin e palës serbe, gjë që deri më tani ka munguar.

Megjithatë, pavarësisht apelit të vazhdueshëm, Presidenti Thaçi duket mjaft i vendosur për t’a dërguar deri në fund nismën e tij.

Ai ka deklaruar më herët se themelimi i ushtrisë është një rrugë pa kthim. Sipas Kreut të Shtetit, ky ndryshim do të forcojë unitetin pasi do të ketë si parim themelor multi-etnicitetin si dhe do t’u shërbeje të gjithë qytetarëve.
Sigal