Telashe për Korenë e Veriut, Trump vijon kërcënimet

528
Pas postimit në Twitter se ushtria amerikane ishte gati të merrej me Korenë e Veriut, presidenti Donald Trump ka paralajmëruar Penianin “të presë telashe të mëdha” në rast se diçka i ndodh territorit amerikan të Guamit.
Duke folur nga resorti i tij i golfit në Bedminster, Nju Xhersi, presidenti premtoi se territori do të ishte i sigurtë. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara mund të vendosnin sanksione të tjera të fuqishme ndaj Koresë së Veriut.
Trump gjithashtu zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij kinez Xi Jinping, i cili theksoi nevojën për një zgjidhje paqësore.
Sipas televizionit shtetëror kinez, presidenti Xi kërkoi që palët përkatëse të tregohen të përmbajtura dhe të shmangin fjalët apo veprimet që do të përshkallëzonin tensionet.
Denuklearizimi i gadishullit korean, sipas medias shtetërore, është në interesin e përbashkët të Kinës dhe SHBA-së.
Më herët gjatë javës, Peniani lajmëroi planet për të lëshuar raketa pranë territorit amerikan të Guamit, si kundërpërgjigje e kërcënimeve për sulm nga presidenti Trump.
Sidoqoftë, këto shkëmbime të tensionuara mes palëve nuk janë pritur mirë nga fuqitë e mëdha.
Moska zyrtare deklaroi se situata paraqitet shqetësuese, teksa ministri i jashtëm Sergei Lavrov e cilësoi si shumë të lartë rrezikun e një konflikti ushtarak.
Për këtë, ai paraqiti një plan të përbashkët ruso-kinez për të zbutur tensionet.
Ndërkohë, kancelarja gjermane Angela Merkel tha se nuk sheh një zgjidhje ushtarake të këtij konflikti dhe dënoi përshkallëzimin e retorikës si një qasje të gabuar.
Sigal