Statusi, Fyle: Qeveria dhe opozita bashkë, “topi” tani në dorën tuaj

415
Sigal

TIRANË– Komisioneri për Zgjerimin e BE-së, Stefan Fyle kërkon bashkëpunim mes qeverisë dhe opozitës pasi “klima aktuale politike konfrontuese i minon arritjet e Shqipërisë” në rrugën e marrjes së statusit kandidat në BE.

Sipas Fyles qeveria dhe opozita “duhet të siguroni që procesi të mos dalë nga udha” dhe rezultati përfundimtar që është marrja e statusit në qershor, të jetë produkt i të dy palëve politike dhe një rëndësi ka edhe shoqëria civile.

“Edhe opozita ka një përgjegjësi të qartë. Ajo duhet të ruajë një përqasje konstruktive. Duke punuar së bashku, përpjekjet tuaja do të forcohen. Statusi i vendit kandidat, pasi të jepet, do të jetë një vlerësim i punës së të gjitha palëve”, analizon kryekomisioneri Fyle.

Në një analizë të publikuar në blogun “Europin Union in Albenia”, shkruan se “rruga drejt vendimit për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë në qershor është e qartë. Udhëheqësit e Shteteve Anëtare të BE-së e kanë përmbledhur dhjetorin e kaluar, kur njohën përpjekjet, angazhimin dhe rezultatet e arritura tashmë nga Shqipëria në përpjekjet e saj për reforma.

ANALIZA E PLOTE E EUROKOMISIONERIT
Rruga drejt vendimit për statusin e vendit kandidat për Shqipërinë në qershor është e qartë. Udhëheqësit e Shteteve Anëtare të BE-së e kanë përmbledhur dhjetorin e kaluar, kur njohën përpjekjet, angazhimin dhe rezultatet e arritura tashmë nga Shqipëria në përpjekjet e saj për reforma. Shqipëria duhet të mbështetet te kjo – të ruajë dhe të shtojë tempin e reformave dhe të trajtojë sfidat që ka përpara në fushat ku duhen përqendruar më shumë përpjekje dhe energji. Veç kësaj, ne kemi identifikuar pesë përparësitë kyçe që nevojiten për hapjen e negociatave.

Takimi i dytë i Dialogut të Nivelit të Lartë mbi këto përparësi, që e drejtova së bashku me kryeministrin Rama në fillim të marsit në Tiranë, më bindi se vendi e ka kapacitetin për të përballuar me vendosmëri sfidat e integrimit në BE. Shqipëria duhet të përqendrohet te shteti ligjor dhe të prodhojë rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe përparimit të reformës së gjyqësorit dhe reformës administrative. Integrimi i komunitetit rom, antidiskriminimi dhe qartësia mbi të drejtën e pronës janë gjithashtu reforma të rëndësishme. Por tipari më i rëndësishëm i takimit të Dialogut të Nivelit të Lartë ka qenë pjesëmarrja e qeverisë dhe opozitës dhe mbajtja e një dialogu të qytetëruar mes tyre.

Mesazhet e mia kryesore pas këtij dialogu i drejtohen si qeverisë, ashtu dhe opozitës. Klima aktuale politike konfrontuese i minon arritjet e Shqipërisë. Ju, qeveria dhe opozita bashkë, duhet të siguroni që procesi të mos dalë nga udha. Qeveria duhet të krijojë hapësirë për pjesëmarrjen e opozitës. Gjithashtu, duhet të japë një shembull të mirë duke respektuar rregullat. Çdo perceptim apo dyshim se qeveria nuk i respekton plotësisht rregullat e Kushtetutës e dëmton vendin.

Nuk mund të ketë justifikim për shkarkimin e ekspertëve në agjencitë ekzekutive bazuar në përkatësitë e tyre politike. Sigurisht, të gjitha administratat janë të detyruara të sigurojnë se të gjithë punonjësit e tyre u përmbahen standardeve më të larta profesionale dhe etike. Edhe opozita ka një përgjegjësi të qartë. Ajo duhet të ruajë një përqasje konstruktive. Duke punuar së bashku, përpjekjet tuaja do të forcohen. Statusi i vendit kandidat, pasi të jepet, do të jetë një vlerësim i punës së të gjitha palëve.

Ekziston një konsensus i gjerë kombëtar në Shqipëri mbi aspiratat e saj për në BE. Të gjitha energjitë vitale të vendit, përfshirë ato të shoqërisë civile dhe botës akademike, duhen përdorur për arritjen e synimit të anëtarësimit në BE. Unë e përshëndes vendimin e qeverisë për ngritjen e një mekanizmi të posaçëm për mbledhjen dhe përdorimin e këtyre burimeve, si për shembull, “Këshilli Kombëtar për Integrimin në BE”, me pjesëmarrjen e gjithë palëve kryesore të interesuara.

Por koha për veprim është tani. Nuk ka kohë për të humbur. Çdo shtyrje nuk do të ishte në interesin e Shqipërisë. Ndarja e kësaj ndjesie nguti duke demonstruar një kapacitet të qëndrueshëm për të dhënë rezultate është thelbësore. Rezultatet në reforma dhe garantimi i funksionimit të qetë të institucioneve të vendit është ajo çka ka rëndësi për statusin e vendit kandidat.

Procesi i integrimit të Shqipërisë në BE ka ndikim përtej kufijve të vendit. Rëndësia e tij për të gjithë rajonin nuk mund të theksohet sa duhet. Shqipëria ka përgjegjësi jo vetëm kundrejt qytetarëve të saj, por edhe kundrejt të tjerëve që e shohin si burim frymëzimi. Duke ecur me vendosmëri përpara në udhën drejt BE-së, Shqipëria do t’i dërgojë një mesazh të fuqishëm të gjitha vendeve fqinjë dhe qytetarëve të tyre; mesazhin se vlerat evropiane janë të forta dhe udhëheqin njerëzit që dëshirojnë ta marrin në duart e tyre të ardhmen e vet evropiane.

Marrë nga portali “Europian Union in Albania”