Tronditet sërish Ekuadori/ Gjenden të vrarë kryebashkiakja 27-vjeçare dhe këshilltari i saj

18
Sigal

Kryebashkiakja më e re e Ekuadorit, Brigitte Garcia, dhe një këshilltar, u gjetën të vrarë në një makinë herët të dielën, tha policia në shtetin e Amerikës së Jugut. Ekuadori është përfshirë nga një valë dhune, për cilën autoritetet fajësojnë trafikun e drogës.

Policia kombëtare njoftoi se po hetonte vdekjen e kryebashkiakes 27-vjeçare të qytetit San Vicente dhe këshilltarit të saj, Jairo Loor, pas zbulimit të trupave të tyre në provincën Manabi. Të dy ishin qëlluar me armë zjarri, tha policia në një deklaratë. Zonja Garcia i përkiste Partisë së Revolucionit Qytetar të ish-Presidentit Rafael Correa.

Përmes shkrimeve në rrjetin social X, zoti Correa dhe Luisa Gonzalez, kandidatja për presidente e partisë në zgjedhjet e fundit, e quajtën vrasjen e zonjës Garcias si një atentat.

“Sapo mora vesh se ata kishin vrarë kryebashkiaken tonë të San Vicente-s, Brigitte Garcia”, shkruante zonja Gonzalez në një postim në rrjetin social. “Nuk kam fjalë, është shokuese, askush nuk është i sigurt në Ekuador ASKUSH”.

Zonja Garcia është figura e fundit politike që vritet në Ekuador që nga vrasja gushtin e kaluar e kandidatit presidencial Fernando Villavicencio.

Zoti Villavicencio, një kritik i zëshëm kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, u vra ndërsa po largohej nga një aktivitet fushate dy javë para zgjedhjeve.

Presidenti Daniel Noboa shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në janar, mes shtimit të dhunës ndërsa individë të armatosur morën kontrollin e një stacioni televiziv ndërsa ishte në transmetim të drejtpërdrejt.

Grupi i armatosur qëlloi me armë në studio. Më vonë, policia mori nën kontroll stacionin televiziv dhe arrestoi 13 persona të armatosur të cilët u akuzuan për terrorizëm. Asnjë person nuk u lëndua. Presidenti Noboa gjithashtu përcaktoi 22 grupe kriminale si organizata terroriste. Në fillim të këtij muaji Ekuadori zgjati gjendjen e jashtëzakonshme në vend.

Dikur një vend paqësor, vitet e fundit Ekuadori është kthyer në një vend tranzit për kontrabandën e kokainës mes Amerikës së Jugut dhe të Veriut.

Në muajin shkurt policia ekuadoriane dhe spanjolle goditën një rrjet të gjerë të trafikut të drogës duke arrestuar 30 individë. Organet e rendit sekuestruan rreth 2,4 tonë kokainë, rreth 400 mijë euro dhe armë, automjete dhe prona që kapin vlerën e rreth 13 milionë eurove.

Organet e shtypit në të dy vendet, të cilat cituan organet e rendit, njoftuan në muajin shkurt se rrjeti dyshohej se drejtohej nga një individ me emrin Dritan G., i cili jeton në Ekuador prej më shumë se një dekade./ VOA/