Situata e emigrantëve në kufirin Greqi – Maqedoni

490
Situatë e vështirë dhe e komplikuar në kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë, ku përpos emigrantëve tashme edhe taksitë kanë shkaktuar kaos pasi kanë protestuar kundër qeverisë që nuk i lejon të punojnë me klandestinët. Kufiri mes qytetit grek të Idomenit dhe atij maqedonas të Gjevgjelisë, u mbyll disa herë duke u rihapur në mënyrë të çrregullt, një lëvizje kjo e palës maqedonase për të ngadalësuar fluksin e emigrantëve. Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikola Poposki deklaroi pak kohë më parë se qeveria vendase po mendonte seriozisht mbylljen e kufirit. Gjatë ditës së djeshme kufiri u hap për vetëm 45 minuta duke lejuar kalimin e mbi 600 personave, teksa radhët e klandestinëve u shndërruan në kilometrike.

Për të shtuar presionin mbi qeverinë, taksitë në zonën e Gjevgjelisë kanë bllokuar rrugën hekurudhore në formë proteste ndaj shtetit, për shkak se autoritetet maqedonase nuk i lejojnë të transportojnë refugjatët. Ndërkohë që Bashkimi Europian po harton një plan për të përballuar krizën e emigrantëve, pothuajse 5000 refugjatë nga Siria, Iraku dhe Afganistani, janë vendosur në kampin e Idomenit në Greqi, në pritje për të kaluar në Maqedoni. Për të evituar mbipopullimin e kampit, autoritetet greke kanë urdhëruar automjetet që transportojnë emigrantët të kryejnë ndalesa të shumta, ç’ka e ka shndërruar udhëtimin nga 8 orë që zgjat normalisht, në një kalvar disa ditor. Autoitetet në Greqi konfirmojnë se edhe numri i të miturve është rritur ndjeshëm, nga 20 % që ishte në nëntor, ka shkuar në 40 %.
Sigal