Sipas Departamentit të Shtetit demarkacioni me Malin e Zi është në përputhje me Kushtetutën

455
Departamenti amerikan i Shtetit e ka shqyrtuar vijën përkufizuese të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të përgatitur nga Komisioni Shtetëror i Kosovës për Shenjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror.
Përmes nje komunikate per shtyp Departamenti thotë se “e kupton se bazë për demarkacion, Komisioni ka shfrytëzuar Kushtetutën Jugosllave të vitit 1974, e cila ka definuar kufijtë e Kosovës nga kufijtë administrativë të komunave, të ndara në zona kadastrale”.
“Kjo bazë e shenjimit është shfrytëzuar gjithashtu edhe në Propozimin Gjithëpërfshirës të të Dërguarit të Posaçëm të Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisaari, më 2007 dhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës më 2008”.
“Pas shqyrtimit të hartave nga vitet 1940-ta e deri më tash, përfshirë këtu edhe ato që janë shfrytëzuar nga komisioni për demarkacionin e kufirit, Departamenti Amerikan i Shtetit ka përcaktuar se kufiri i shenjuar së voni është në përputhje të ngushtë me Kushtetutën e vitit 1974”.
“Kufijtë që ne i kemi përshkruar që nga viti 2008, përputhen në detaje me kufirin e propozuar në vitin 2015”, thuhet në një komunikatë të publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Komunikata përfundon me shënimin se “përfundimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit është një kusht i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave dhe është një hap i rëndësishëm në rrugëtimin e Kosovës drejt integrimeve evropiane”.
Shenjimi aktual i kufirit me Malin e Zi po kundërshtohet fuqishëm nga subjektet politike në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, të cilat thonë se ” marrëveshja dëmton tërësinë territoriale të Kosovës”.
Së bashku me marrëveshjen për ngritjen e Asociacionit të komunave të banuara me shumicë serbe në Kosovë, marrëveshja për demarkacionin është përmendur nga opozita, si arsye për bllokimin prej tre muajsh të punimeve të Kuvendit të Kosovës. /Rel/
Sigal