Rekord emigrantësh në brigjet italiane gjatë festës së Pashkëve

409
Një fluks rekord emigrantësh është regjistruar në brigjet italiane gjatë 3 ditëve të festës së Pashkëve.

Rreth 8500 emigrantë të nisur nga Libia janë shpëtuar në 55 operacione të ndryshme të flotës detare europiane Frontex, e janë rekuperuar trupat e 13 emigrantëve të mbytur mes të cilëve dhe një fëmijë 8 vjeçar.

Nga janari i 2017 e deri më sot, janë mbi 35 mijë emigrantë të mbërritur në brigjet italiane duke shënuar një rritje mbi 30 % të numrit të emigrantëve të mbërritur përgjatë të njëjtës periudhe kohore të një viti më parë.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë e Financave të qeverisë italiane, në vitin 2017 janë parashikuar rreth 4.2 miliardë euro, të krahasueshme me 0.27 % të PPB në shpëtimin, asistencën, mikpritjen e emigrantëve.

Por nëse fluksi i emigrantëve do të vazhdojë me këtë rritje, shpenzimet e parashikuara do të kapin vlerën e 4.6 miliardë euro e rreth 1 miliardë më shumë në krahasim me vitin 2016.

Bazuar në raportin vjetor të buxhetit për vitin 2016, operacionet e shpëtimit, asistenca sanitare, strehimi, shkollimi i emigrantëve minorenë të pashoqëruar kanë qënë kontribute neto të Bashkimit Europian e në vlerën 3.2 miliardë euro e krahasueshme me 0.22% të PPB.

Ndërkohë fluksi i madh i emigrantëve gjatë këtij weekendi ka ndezur debatin politik në vend.

Lideri i Lidhjes së Veriut Mattero Salvini ka deklaruar se “forca e tyre politike ka vendosur me anë të një grupi avokatësh, të denoncojë qeverinë italiane, kryeministrin Gentiloni, Ministrat, Komandantin e Flotës Detare italiane e Komandantin e Rojes Bregdetare për favorizmi të emigracionit klandestinë.”

“Nëse vetëm brenda 3 ditëve kanë mbërritur 8500 emigrantë është e qartë se gjithçka është e organizuar, ka delaruar Salvini. Pothuajse shkojnë i marrin në shtëpitë e tyre emigrantët, sapo ata i marrin në telefon.” 
Sigal