Protesta dhe mungesa e votave shtyjnë votimin e Thaçit për president

86
Partitë në pushtet do të presin kalimin e 17 shkurtit për ta caktuar seancën e Kuvendit me të vetmen pikë të rendit të ditës: votimin e presidentit të Kosovës, shkruan sot Koha Ditore në Kosovë
Megjithëse përgatitjet ishin bërë që seanca të mbahet të hënën, më 15 shkurt, por Koha shkruan se kjo ka pak gjasa të ndodhë, pasi partnerët e koalicionit, me përkrahjen edhe të ndërkombëtarëve janë pajtuar që pasardhësin e Atifete Jahjagës ta votojnë pas protestës së opozitës, e paralajmëruar të mbahet Ditën e Pavarësisë.
Përveç kësaj, koalicioni ende nuk i ka të sigurta votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit, ndërsa më 17 dhe 18 shkurt në Kosovë nuk do të jetë as kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili në agjendë ka një udhëtim për në Bruksel.
Kandidati i koalicionit qeverisës për president, Hashim Thaçi, thuhet se dëshiron të sigurohet se nuk do të ketë nevojë të zhvillohen tri raunde votimi, ashtu siç e përcakton Kushtetuta me rastin e zgjedhjes së presidentit.