Nënpresidenti amerikan Pence në Mal të Zi: Ballkani perëndimor e ka vendin në perëndim

463
Nënpresidenti amerikan, Mike Pence, tha të mërkurën në Podgoricë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në perëndim. Ai i bëri këto komente gjatë vizitës në Mal të Zi, dy muaj pasi që ai u bë vend anëtar i NATO-s, me gjithë kundërshtimin e Rusisë.
Nënpresidenti Pence arriti të martën në Mal të Zi, në përmbyllje të vizitës së tij në Evropë, që synonte rikonfirmimin e përkushtimit të Shteteve të Bashkuara për sigurinë në Evropën Lindore, përballë Rusisë.

Mali i Zi, një ish republikë jugosllave me rreth 680 mijë banorë dhe një ushtri prej 2 mijë trupash, u bashkua me NATO-n në qershor, tetë muaj pasi akuzoi spiunët rusë për organizimin e një përpjekjeje për grusht shteti për të penguar anëtarësimin.
Moska i hodhi poshtë akuzat duke i cilësuar ato si “histeri antiruse” dhe paralajmëroi se do të hakmerret ndaj “orientimit armiqësor” të Malit të Zi.

Nënpresidenti Pence nënvizoi të mërkurën përkushtimin e Washingtonit ndaj lidhjeve euro-atlantike, një përkushtim që për shumëkënd ishte në pikëpyetje për shkak të qëndrimeve të presidentit Trump i cili e kishte cilësuar NATO-n si të “vjetruar” dhe kishte argumentuar në favor të marrëdhënieve më të mira me Rusinë.

“Ne besojmë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në perëndim”, u tha gazetarëve nënpresidenti Pence, duke rikonfirmuar “përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për të ndërtuar marrëdhënie që do të forconin lidhjet ndërmjet komunitetit evropian, Ballkanit Perëndimor dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

Të martën në mbrëmje duke folur gjatë një darke me kryeministrin malazez, Dushko Markoviç, nënpresidenti Pence tha: “guximi juaj, posaçërisht përballë trysnisë ruse, është frymëzues për botën dhe unë ju përgëzoj për këtë”.

Nënpresidenti Pence arriti në Mal të zi nga Gjeorgjia, e cila u përball me një luftë të shkurtër me Rusinë në vitin 2008 rreth enklavës së saj të ndarë në Osetinë Jugore. Ai vizitoi edhe Estoninë ku ju ta udhëheqësve të vendeve të Baltikut se mund të llogarisin në mbështetjen e Shteteve të Bashkuara nëse përballen me agresion nga Rusia.

Nënpresidenti Pence do të marrë pjesë të mërkurën në takimin e Kartës së Adriatikut, ku marrin pjesë vendet anëtare të NATO-s, si Mali i Zi, Kroacia e Shqipëria si dhe Bosnja e Maqedonia. Udhëheqës nga Kosova, Serbia e Sllovenia do të jenë të pranishëm në takim.
Sigal