NATO i hap dyert Kosovës, vëzhguese në Asamblenë Parlamentare, përjashtohet Rusia

426
Sigal

Parlamentit të Kosovës i është dhënë statusi i vëzhguesit në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. “Parlamenti i Kosovës ka marrë statusin e vëzhguesit në Asamblenë Parlamentare të NATO”-s,-ka shkruar Ojars Eriks Kalnins në Tvvitter. Lajmi u njoftua edhe nga Pandeli Majko, kreu i delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Gjatë një takimi në Riga të Lituanisë, Asambleja Parlamentare e NATO-s i ka dhënë dritën jeshile Parlamentit të Kosovës, për të qenë vëzhguese e punëve të aleancës, ndërsa Rusia u përjashtua nga ky organ. Kryeministri Hashim Thaçi e cilësoi lajm të mrekullueshëm pranimin e Kosovës si vëzhguese në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Ai e shikon këtë si një hap “drejt integrimit të vendit në aleancën më të madhe të sigurisë në botë”. “Në fund të majit, në takimin e Vilniusit, përfundojnë formalitetet dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës do të ketë statusin zyrtar të vëzhguesit në Asamble. Ky është hap i rëndësishëm dhe thelbësor në integrimin e shtetit tonë në Aleancën më të madhe të sigurisë në botë”,-shkruan Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në rrjetin social Facebook. Ndërkohë, Rusia është përjashtuar nga Asambleja Parlamentare e NATO-s në të cilën përfaqësohej me një marrëveshje të veçantë me Aleancën Veri-Atlantike. Vendimi për përjashtimin e Rusisë është marrë nga Komiteti i Përgjithshëm Drejtues të Asamblesë. Kjo gjë është vlerësuar dhe nga figura të politikës shqiptare. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka përshëndetur vendimin e Asamblesë Parlamentare te NATO-s, që i dha Kosovës statusin e vendit vëzhgues në këtë organizate. “Kosova vëzhguese në Asamblenë e NATO-s, një tjetër perspektive e re dhe e shkëlqyer për shqiptarët në rajon. Krenar për Kosovën” ,-shkruan Rama në profilin e tij në Twiter.