Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka ndarë certifikatat e pronësisë për legalizimet në qytetin e Durrësit, në një aktivitet që u zhvillua dje paradite. “Ne po mbajmë fjalën tonë, po kthejmë në realitet zotimin tonë për legalizim falas”,-tha Kryeministri i vendit gjatë një takimi me banorët e kënetës në Durrës, ku u shpërndan edhe disa dokumente për legalizimin e disa banesave në zonën e Kënetës. Rama u shpreh se: “Aleanca për Shqipërinë Europiane fillon nga respektimi i pronës private. Jemi të gatshëm për të realizuar zotimin tonë për të shëruar këtë plagë të madhe e të infektuar të shoqërisë sonë ndër vite, pra ne jemi sot këtu për t’i treguar qytetarëve se legalizimet falas janë realitet”. Sipas Kryeministrit, dokumentet që qytetarët do përfitojnë tashmë janë dokumente me vlerë të vërtet pronësie. Kryeministri vuri në dukje se, legalizimet falas ndikojnë drejtpërdrejt në ekonominë e gjithë secilit, por edhe zhvillimit ekonomik të Shqipërisë. Këto familje kanë investuar gjithçka kanë patuar dhe gjithë parat që kanë kursyer nga emigracioni apo duke hequr bukën e gojës.



















