Menduh Thaçi: E keqja e shqiptarëve është Ali Ahmeti dhe BDI

435
Sigal

Dje Kërçova u përfshi në protesta ndërsa në qytetet tjera, qetësi

Strugë, 8 korrik

Mehmet Latifi

Përderisa gjatë ditëve të kaluara në shumë qytete të Maqedonisë u zhvilluan protesta kundër vendimit të Gjykatës Themelore Shkupi 1 për shqiptimin e dënimit maksimal-burgim të përjetshëm 6 shqiptarëve për rastin “Monstra”, qyteti i Kërçovës së bashku me Kumanovën nuk ishin përfshirë në këto protesta, që u karakterizua jo si pajtim dhe solidaritet me vendimet e gjykatës, por u vlerësua se kjo ndodhë për shkak të ndikimit politike të udhëheqësit të BDI-së Ali Ahmeti. Megjithatë, kërçovarët, të organizuar përmes rrjeteve sociale, sot kanë dalë në protestë në mbështetje të 6 shqiptarëve të dënuar në rastin “Monstra” dhe familjarëve të tyre, duke kërkuar drejtësi dhe liri për shqiptarët e dënuar në procesin e montuar. Ata kërkuan që të ndërpriten proceset e montuara politiko-gjyqësore, njëherit duke dënuar dhunën e ushtruar ndaj protestuesve shqiptar nga ana e policisë, njëkohësisht duke u distancuar nga çfarëdo dhune gjatë protestave që duhet të jenë të qeta dhe dinjitoze. Përderisa Kërçova dhe kërçovarët sot kanë protestuar qete, në Kumanovë nuk ka ndodhë një gjë e tillë as sot, ngjashëm me ditët tjera. Poashtu, sot nuk kanë protestuar as në qytetet tjerë të Maqedonisë, Shkup, Tetovë, Gostivar, Dibër e Strugë, duke u solidarizuar me protestat e zhvilluara në Prishtinë dhe Tiranë në mbështetje të shqiptarëve të Shkupi.

Ali Ahmeti takohet me ambasadorin amerikan Pol Uolers

 

Gjatë ditës së djeshme, lideri i BDI-së, partisë participiente në Qeverinë e Maqedonisë, Ali Ahmeti, ka zhvilluar një takim me ambasadorin e SHBA-ve në Maqedoni,  Pol Uolers dhe pas takimit me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Pol Uolers, Ahmeti theksoi se, dhuna nuk i ndihmon procesit. “Sot kisha një takim të rëndësishëm me ambasadorin e SHBA-ve dhe bashkërisht vlerësuam që e drejt e çdo qytetari është të protestojë. E drejtë legjitime është që të gjithë të shfaqin pakënaqësi për procese të caktuara, që këto procese të jenë sa më transparente dhe të jenë sa më të besueshme për opinionin, publikun dhe opinion-bërësi. Bashkërisht vlerësuam se dhuna nuk ndihmon procesin, dhuna nuk i ndihmon zhvillimit të mëtejmë të procesit, nuk ndihmon zgjidhjen institucionale, që ky proces të jetë sa më bindës për gjykatën e apelit me qëllim që ky zhvillim të rikthehet në shkallë të parë”, -tha Ahmeti.

Menduh Thaçi: E keqja e shqiptarëve është Ali Ahmeti dhe BDI

Menduh Thaçi, Kryetar i PDSH-së është shprehur se është  e drejtë është të protestohet çfarëdo padrejtësie që ndodh, dhe për rastin e fundit “MONSTRA”, por protesta sipas tij, duhet drejtohet aty ku duhet.  “Ne i mbështesim protestat, mirëpo ne jemi edhe koka intelektuale dhe racionale. I lus të gjithë shqiptarët  mos ta humbin shpresën tek procesi demokratik, dhe mos ta humbin shpresën tek aleatet tanë BE, NATO-ja dhe SHBA-të- ka thënë ai dhe ka shtuar: “E keqja e shqiptarëve është Ali Ahmeti dhe BDI. Për dhunë policore ndaj protestuesve shqiptarë në Shkup nuk reagohet me fjalë, por me vullnet politik. Ne jemi në vështirësi të reagimit tonë,  153 mijë votues  që llogariten gati 2/3  janë dhënë kësaj politike të Car Dushanit, politikës së represionit dhe ne me shumë vështirësi arrijmë ta shtyjmë  përpara qëndrimin  tonë, vlerësimin tonë dhe rezistencën tonë”,- ka thënë Thaci. Deputeti i PDSH-së, Bekim Fazliu sot ka folur mbi situatën aktuale para ambasadorëve të BE-së. Ai para ambasadorëve ka thënë se, gjykatat në Maqedoni janë shndërruar në vrasë të drejtësisë. “Dhuna që ushtrohet ndaj protestuesve na shqetëson tej mase. Ka qindra raste të padrejtësisë, mijëra të burgosur në burgje i ke mbi 90 për qind. Gjykatat janë shndërruar në vrarës të drejtësisë, se kemi drejtësi perverse, gjyqtar pervers, prokuror pervers, me ministra të Drejtësisë pervers, dhe me një sistem të sofistikuar prej mashtruesish të opinionit hajnash e kriminelësh” tha deputeti i PDSH, Bekim Fazliu. Ai më tej ka akuzuar edhe partinë në pushtet BDI-në, që sipas tij BDI lëndon dhe vret shpirtra njerëzish, të cilët hyjnë në gjykatë për ta mallkuar atë. “Drejtësia me të cilën udhëheqë BDI, lëndon dhe vret shpirtra njerëzish të zhgënjyer që në dyert e gjykatave, hyjnë për ta mallkuar atë”, tha mes tjerash Bekim Fazliu. Sipas informacioneve nga rrjetet sociale, gjatë ditëve në vazhdim do të ketë një qetësi relative të protestave, ndërsa janë paralajmëruar protesta masovike ditën e premte pas namazit të xhumasë, ngjashëm me të premten e kaluar, kur edhe eskaluan në përleshje me policinë, e cila përdori gaz lotsjellës, shok bomba dhe topa uji kundër protestuesve.