Marrëveshje SHBA-Katar kundër terrorizmit

519
Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson pritet të shkojë sot në Arabinë Saudite nga Kuvajti, ku shënoi fitoren e parë diplomatike në përpjekjen e tij për të zgjidhur bllokadën një muajshe të vendeve të Gjirit Persik ndaj Katarit. Duke qëndruar pranë homologut të tij nga Katari, Sekretari i Shtetit Rex Tillerson njoftoi të martën arritjen e një memorandumi mirëkuptimi mes Shteteve të Bashkuara dhe Katarit për ndërmarrjen e hapave për të frenuar financimin e terrorizmit: “Unë jam këtu në Katar me të njëjtën frymë që Presidenti Trump në muajin maj tregoi në Riad. Shtetet e Bashkuara kanë një qëllim: zhdukjen e terrorizmit nga faqja e dheut.” Më 5 qershor, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini, Egjipti dhe të tjerë shkëputën lidhjet diplomatike dhe vendosën një bllokadë ekonomike ndaj Katarit. Grupi i vendeve i udhëhequr nga Arabia Saudite akuzoi Katarin për mbështetjen e terrorizmit dhe i dha Dohës një listë prej 13 kërkesash. Megjithëse Presidenti Donald Trump duket se po mban anën e Arabisë Saudite, duke veçuar Katarin për financimin e terrorizmit, shumica e analistëve thonë se sekretari Tillerson ka ruajtur neutralitetin ndaj krizës. Suksesi në zgjidhjen e krizës rajonale mund të bashkojë Sekretarin Tillerson dhe Presidentin Trump, tha për Zërin e Amerikës, Aaron David Miller nga Qendra Wilson: “Nëse Tillerson do të gjente një zgjidhje për këtë krizë pa i bërë Sauditët dhe Katarin të ndjehen të turpëruar, atëherë unë mendoj se presidenti do ta mirëpresë dhe mbështesë atë”. Analisti Miller thotë se ai beson se Tillerson, një ish President i kompanisë Exxon, ka aftësitë për të negociuar një marrëveshje. “Tillerson e njeh këtë pjesë të botës, veçanërisht rajonin e Gjirit. Kështu që unë mendoj se njerëzit e respektojnë atë, ai është një figurë e respektuar sa i përket rolit të tij si Sekretar Shteti”. Sekretari Tillerson ka në plan të dëgjojë sot anën tjetër të mosmarrëveshjes gjatë vizitës në qytetin saudit të Xhedas.
Sigal