Londër, 50 vite burg shqiptarëve, u kapën me 32 kg kokainë

191
Shtatë shqiptarë të moshës 20 deri në 30 vjeç me banim në Britani, janë dënuar nga drejtësia pasi pranuan fajësinë për konspiracion për të furnizuar drogë të klasit A dhe konkretisht kokainë.
Ata u dënuan me më shumë se 50 vite burg, pasi dedektivët u kapën në total 32 kg kokainë me një vlerë që shkonte në afro 1 milionë stërlina.
Grupi i furnizuesve shqiptarë të kokainës, ishin prej kohësh nën survejim nga Komanda e Krimit të Organizuar të Policisë Metropolitane.
Dedektivët britanikë fillimisht vëzhguan një takim mes shqiptarëve në Oksford ku u bë shkëmbimi i drogës në një çantë që kishte brenda 12 blloqe me kokainë të presuar. Pasi u ndoqën dhe pas bastisjes në një banesë ku ndodheshin pesë shqiptarë të tjerë, në atë adresë u gjetën edhe 21 kg të tjerë kokaine, si dhe pajisjet për magazinimin, përgatitjen dhe paketimin e drogës.
Njëri nga pjesëtarët e grupit udhëtonte shpesh drejt Oksfordit për të marrë pakot me kokainë dhe rikthehej në Londër, ku ua shpërndante grupeve dhe rrjeteve të tjera të krimit të organizuar.
Udhëtimet i bënte gjithmonë me taksi, e cila priste për të, derisa të mbaronte marrjen e drogës, thekson në një njoftim për shtyp Polica Metropolitane e Londrës. Përveç 32 kg kokainë, policia gjeti edhe 1000 sterlina para, si dhe dokumente të ndryshme identiteti false.
Nuk ka muaj që dedektivët britanikë të mos zbulojnë ndonjë grup shqiptar të shpërndarjes së drogave të forta si kokainë dhe heroinë. Shumica dërrmuese e shqiptarëve të kapur e pranojnë menjëherë fajësinë, qoftë edhe për shkak të fortësisë se provave kundër tyre, por edhe sepse marrin gjykim të shkurtuar, ku nga dënimi i dhënë nga gjykatat vuajnë vetëm gjysmën e tij.