Londër, 20 të mbijetuar nga flakët tentojnë vetëvrasjen

66
Natën e 14 qershorit të këtij viti, në gërmadhat e kullës Grenfell Tower në Londër, 80 persona humbën jetën ndërsa u dogjën të gjallë nga zjarri. Edhe sot, pas tre muajsh nga episodi tragjik, trauma për të mbijetuarit nuk ka kaluar ende.

Yvette Greenway, themeluesja e Shoqatës “Silence of Suicide” shprehet se të paktën 20 persona të mbijetuar nga zjarri në kullë kanë tentuar të vetëvriten. Ajo tha se nuk ka një raport të detajuar që mund të konfirmojë këtë shifër, por se të dhënat vijnë nga operatorët socialë, të cilët janë në kontakt me banorët e kullës Grenfell.

Shumica e atyre që kanë tentuar vetëvrasjen, janë të traumatizuar dhe ndihen fajtorë që kanë mbijetuar. Ndërkohë, të tjerë nuk mund të heqin dot nga mendja imazhet dramatike të asaj nate, flakët, fëmijët e hedhur nga dritaret në përpjekjen e dëshpëruar për t’i shpëtuar, etj.