Kryeministri Mustafa: Deputetët nuk marrin pushimet pa krijuar “Specialen”

439
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka insistuar që deputetët e Kuvendit të Kosovës mos të shkojnë në pushim veror pa u kryer çështja e Gjykatës Speciale, miratimi i amendamenteve për ndryshimet kushtetuese që do të hapnin rrugë për miratimin e Projektligjit për themelimin e Gjykatës Special.
“Ashtu si edhe është vendimi nga ana e Kuvendit të Kosovës, deputetët nuk do t’i marrin pushimet verore deri sa të procedohet në Kuvendin e Kosovës projektligji për Gjykatën Speciale. Për datë nuk mund të ju them sepse ende nuk dihet” – deklaroi kryeministri Mustafa, gjatë konferencës së sotme për shtyp ku foli edhe për disa çështje aktuale përveç kësaj të Speciales, siç janë: anulimi i djeshëm i fillimit të zbatimit të lëvizjes së lirë të veturave Kosovë-Serbi, nga ana e Serbisë, si dhe angazhimi i Qeverisë në realizimin e programit për zhvillim ekonomik të vendit. 
Lidhur me fillimin e zbatimit të marrëveshjes për njohjen e policave të sigurimit për vetura të Kosovës dhe Serbisë, marrëveshje kjo e arritur gjatë dialogut në Bruksel, kryeministri Mustafa tha se nuk ka pezullim të marrëveshjes por ka moszbatim dhe mosrespektim të marrëveshjes së arritur, nga ana e Serbisë.
“Do të thotë, nuk kemi anulim apo pezullim por bëhet fjalë se, Serbia ka informuar se nuk është në gjendje që nga dita e sotme të filloj zbatimin e marrëveshjes pasi që i duhet të punojë edhe pak në përmbushjen e disa obligimeve nga marrëveshja. Nuk është precizuar cila do të jetë data e ardhshme e fillimit të zbatimit të kësaj marrëveshjeje mirëpo, ne do të insistojmë në këtë sepse më bisedime për këtë çështje nuk do të ketë. Bisedimet kanë përfunduar dhe marrëveshja është nënshkruar” – tha Mustafa.
Ai ka theksuar se Kosova do të kërkojë nga Bashkimi Evropian që të reagojë dhe të kërkojë implementim sa më të shpejtë të kësaj marrëveshjeje sepse shtyrja e saj nuk ka kurrfarë kuptimi.
Dje, vetëm disa orë para fillimit të zbatimit të kësaj marrëveshjeje, dhjetëra serb nga veriu i Kosovës kanë protestuar në fshatin Rudarë të komunës së Zveçanit, pas paralajmërimit se me fillimin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje do të filloi edhe sekuestrimi i makinave të serbëve me targa të regjistrimit që kanë shenjat e qyteteve të Kosovës (PR,KM, PZ, PE, etj).
Megjithatë, marrëveshja për lirinë e lëvizjes së veturave ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ishte nënshkruar muajin e kaluar në Bruksel, sipas fjalëve të Edita Tahirit, ministres për Dialog në Qeverinë e Kosovës, kjo marrëveshje nuk ka të bëjë me targat e regjistrimit.
Në njoftimin e saj publik, Tahiri shpjegoi se marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të policave të sigurimit për vetura e arritur në Bruksel, me ndërmjetësimin dhe garancinë e Bashkimit Evropian dhe Këshillit Evropian të Byrove të Sigurimit, ka për qëllim zvogëlimin e shpenzimeve të kalimit të kufirit për veturat e qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë ku, varësisht nga kategoria e veturës, kostoja e sigurimit vjetor do të jetë rreth 40 euro për veturat e vogla dhe qytetarët e Kosovës, më nuk do të duhet të paguajnë tabelat e përkohshme për hyrje në Serbi.
Për veturat me tabela nga Serbia të cilat hynë në Kosovë, do të mjaftoi polica e sigurimit e cila vlen për Serbi.
Deri tani, qytetarët e Kosovës për hyrje në Serbi kanë qenë të detyruar të paguajnë rreth 100 euro për policën e sigurimit të veturave, në kohëzgjatje njëmujore, ndërsa anasjelltas, veturat nga Serbia kanë paguar rreth 40 euro për dy javë. Duhet theksuar edhe faktin se Qytetarët e Kosovës ende nuk janë të pajisur me Kartonin e Gjelbër, policën ndërkombëtare të sigurimit për veturat e tyre, për shkak se Kosova ende nuk është anëtare e Byrosë së Kartonit të Gjelbër.
Sa i përket realizimit të programit për zhvillim ekonomikë të Kosovës, gjatë këtij viti, kryeministri Mustafa tha se Qeveria i ka dhënë prioritet politikave fiskale dhe faljes së borxheve.
“Ulja e TVSH-së do të ndikojë në uljen e çmimit të produkteve. Kemi bërë rishikimin e buxhetit 1.536 milionë euro. Krahasuar me vitin e kaluar kemi më shumë të hyra prej 14% ” – tha kreu i Qeverisë së Kosovës. 
Sigal