Kosovë, kalon me 23 vota pro në Kuvend rezoluta për EULEX

467
Kuvendi i Kosovës miratoi sot me 23 vota pro, 17 kundër e 23 abstenime rezolutën për EULEX-in.
Në seancën e organizuar dje rezoluta nuk u hodh në votim për shkak të mungesës së kuorumit, pas një debati parlamentar të zhvilluar lidhur me veprimtarinë e misionit të BE-së në Republikën e Kosovës.
Rezoluta që kishte hyrë në axhendë me kërkesën e deputetes Albulena Haxhiu, nga Lëvizja Vetëvendosje, e mbështetur nga 5 deputetë nënshkrues, në debatin e zhvilluar nuk mbështetej nga grupet parlamentare të partitve më të mëdha të koalicionit qeverisës.
Deputetja Haxhiu, duke paraqitur arsyetimin e këtij debati, tha se, “misioni i BE-së që nga themelimi e deri në ditët e sotme nuk ka funksionuar mbi bazën e një kornize juridike, përmes së cilës do ta njihte shtetin e Kosovës, përkatësisht statusin e saj si Republikë sovrane”. Sipas saj, ky mision dështoi në zbatimin e kompetencave ekzekutive.
Shefi i grupit parlamentar të partisë më të madhe të koalicionit qeverisës, Adem Grabovci, theksoi se, “PDK-ja mbështet zhvillimin e debateve konstruktive në Kuvend të ngritura nga kushdo, por nuk pranon të përfshihet në debate shterpe të mbështetura në shpifje e sajesa mediale dhe jo në fakte dhe dokumente konkrete”.
Po ashtu, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, partisë së dytë të koalicionit qeverisës, Ismet Beqiri, theksoi se, kjo forcë politike “nuk mund të përfshihet në debate për probleme të pavërtetuara apo të ngritura nga dikush që nuk ka kompetencë në vendimmarrje për probleme të tilla”.
Shefi i grupit parlamentar të VV-së, subjektit më të madh opozitar, Glauk Konjufca, theksoi se, “duhet të debatohet për një institucion të tillë si EULEX-i, pasi vetë ky Kuvend e ka miratuar qëndrimin dhe zhvillimin e aktivitetit të këtij institucioni të BE-së në Kosovë”.
Sipas deputetetes Time Kadriaj – grupit parlamentar të AAK-së, partisë së dytë të opozitës, “jo vetëm te qytetarët e Kosovës, por edhe brenda BE-së ka pakënaqësi për aktivitetin e EULEX-it”.
Shefja e grupit parlamentar të Nisma-s, subjektit të tretë opozitar, Valdete Bajrami, theksoi “dështimin e EULEX-it në fushën e drejtësisë”.
Mbledhja plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës , e ndërprerë në 16 korrik për shkak të mungesës së kuorumit, gjatë pasditës së djeshme, vijoi me pikat e mbetura, fillimisht me votimin e Projektligjit për Sigurimet, i cili u miratua në parim. U miratuan në parim edhe Projektligji për faljen e borxheve publike, Projektligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, Projektligji për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave dhe Projektligji për Tatimin në të Ardhurat Personale.
Seanca e sotme e re e Kuvendit të Kosovës ka nisur me “koha për deklarime jashtë rendit të ditës” për të vazhduar me “koha për pyetje parlamentare”.
Në axhendë është edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për të drejtat e Autorit dhe të drejtat e përafërta, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Armë, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Pajisje me Armë, Municion dhe Pajisje Përkatëse të Sigurisë për Institucionet e Autorizuara Shtetërore për Siguri, si dhe shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2014.
Marrë nga: ATA
Sigal