Kosovë, BE nuk është ende e gatshme për të nënshkruar MSA-në

46
Bashkimi Europian ende nuk ka vendosur se kur do ta nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Kosovën, por drejtori për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian, gjatë qëndrimit në Prishtinë tha se MSA-ja do të përmbyllet këtë vit.
Gjatë diskutimeve në takimin e pestë plenar për Dialogun e Procesit të Stabilizim-Asociimit në Prishtinë, drejtori për Ballkanin Perëndimor ka folur edhe për procesin e liberalizimit të vizave. Ai tha se, kolegë të tij nga Brukseli do të mbërrijnë javën e ardhshme në Prishtinë për të vlerësuar kriteret e përmbushura për vizat, ndërsa rezultatet tha se do të publikohen pas verës.
Pas takimit të mbyllur për mediat, ku morën pjesë edhe përfaqësues të sistemit të drejtësisë kosovare, të cilët kanë raportuar për rezultatet e tyre në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, drejtori për Ballkanin Perëndimor dhe ministri për Integrimin Europian në Kosovë mbajtën një konferencë të përbashkët për media.
“Mendoj se, brenda verës do të nënshkruhet MSA-ja dhe do të jetë e vlefshme që nga viti i ardhshëm. Kosova do të mund t’i gëzojë përfitimet e saj. Kjo është duke ndodhur, pavarësisht datës se kur do të nënshkruhet”, tha Jean Eric Paquet, drejtor për Ballkanin Perëndimor në KE.
Ndërsa ministri i Integrimit Europian u shpreh i bindur se, përveç MSA-së, Kosova këtë vit do të vlerësohet edhe për përmbushjen e kritereve për heqjen e vizave për popullin kosovar.
“Ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet, që ta presim këtë mision vlerësues dhe jemi të bindur se, pas një pune serioze dhe profesionale, që do të bëhet nga ai mision, do të përpilohet edhe raporti i përshtatshëm për Komisionin Europian. Më pas KE do të marrë parasysh raportet përfundimtare dhe profesionale, rekomandime që nga perspektiva jonë qeveritare do të jenë pozitive, sepse puna që është bërë ka qenë serioze”, tha Bekim Çollaku, ministër i Integrimit Europian, Kosovë.
Përveç diskutimeve për MSA-në dhe liberalizimin e vizave, drejtori për Ballkanin Perëndimor ka diskutuar me zyrtarët kosovarë edhe për dështimin e formimit të Gjykatës Speciale dhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se është thelbësore, që kjo gjykatë të themelohet, në mënyrë që Kosova të ketë meritat e saj në arenën ndërkombëtare.
E ndërsa ka inkurajuar për formim të shpejtë të Speciales, Paquet ka ftuar kryeministrin Isa Mustafa të arrijë marrëveshje me palën serbe në dialogun e Brukselit.